Faleminderit
Gani Qarri: Leze Qena, ikona e skenografisë dardane
E shtune, 25.04.2020, 07:59 PM
Leze Qena, ikona e skenografisë dardane
1935-2020
Një muaj nga shuarja e
aktores
Jetë dhe karrierë aq
mbresëlënëse e interesante sa që me interesimin e një regjisor të mirëfilltë
dhe një skenaristi me përvojë e vullnetmirë, do duhej dhe mund të shndërrohej
shumë lehtë edhe në film, apo të paktën të përshtatej në dramë artistike, e të
shfaqet në skenë dhe luhet edhe në teatër si shembull i sublimimit artistik të
njerëzores, për shqiptar dhe të huaj.
Nga Gani Qarri
Aktorja jonë e madhe e
cila tërë jetën dhe veprën e saj artistike, ia kushtoi teatrit, dramës, artit
dhe kulturës shqiptare, z. Leze Qena u
lind më 1 mars të vitit 1935 në Prizren dhe vdiq me 25 mars të vitit 2020 në
kryeqendrën e Kosovës në Prishtinë.
Të shkruash për një
figurë kaq të madhe artistike, aktore të mirënjohur dhe të popullarizuar deri
në limit, me aq shumë famë pozitive si Lezja jonë tanimë qiellore, e dashur, e
respektuar dhe e adhuruar deri në piedestal nga të gjithë qytetarët, gjinitë
dhe grupmoshat pa dallim, jo vetëm që nuk është aspak e lehtë, por edhe një
mision me shumë përgjegjësi dhe tejet sfidues e i vështirë.
Një aktore në rolet e të
cilës ,nuk pati shikues që nuk e gjeti veten, artiste e merituar shumanshëm që
u mirëprit e adhurua gjithmonë nga publiku, interpretuese brilante që u vlerësua
lart nga profesionistët autorët dhe mediat ,vepra e të cilës qysh moti kishte
tejkaluar kufijtë shtetëror dhe njihej e respektohej përveç aktorëve vendor
edhe nga ata ndërkombëtar, na detyron për tekste që pikë as presje nuk guxojnë
ti lenë mangu, përshkrimit të jetës dhe veprës madhore të saj.
Si për koincidencë dhe
për tu bërë dhembja edhe më e ndjeshme për shuarjen e "Nanushit",
vdekja e artistes erdhi pikërisht, vetëm një ditë pas kujtimit të 17 vjetorit
të shkuarjes së bashkëshortit dhe partnerit të jetës dhe veprës artistike në
amshim, aktorit të mirënjohur Xhevat Qena, gjë që edhe amshimin e Nanushit
tonë, nanushit të teatrit, filmit e televizionit dhe Nanushit të mbarë Kosovës
dhe shqiptarëve kudo, e bëri edhe më të rëndë.
Lezja erdhi në jetë si fëmija i dytë në familjen e Zef dhe Katerina Spaqit,
bijë e shquar e kësaj familje të ndershme me emrin e plotë Elizabeta e cila,
bazuar në perspektivën kulmore të arritjeve të saj artistike, mund të themi
lirisht se sidomos familjen e prindërve ku ajo lindi, e pak më vonë edhe
familjen e vet që krijoi me bashkëshortin dhe aktorin e famshëm Xhevat Qena, i
ngritën në lartësitë kulmore të respektit dhe vlerësimit publik nga të gjitha
shtresat e artit, kulturës e inteligjencës duke fituar dashurinë hyjnore të të
gjitha familjeve shqiptare dhe bërë idol i shembullit të jetës së tyre.
Megjithëse familja e
aktores tonë të madhe kishte shumë fëmijë, duke qenë se Lezja e vogël ishte
shumë e lëvizshme dhe çdo herë e buzëqeshur dhe e hareshme, jo vetëm që do të
pushtohej me përkëdheljet më të shpeshta të familjarëve por ajo dhe do të
llastohej pak më tepër se fëmijët e tjerë, nga i ati.
Madje Lezen e tij, ai e
kishte aq shumë për zemër, sa që e merrte me vete kudo që shkonte, duke i
shtrënguar dorën e saj të vogël në pëllëmbën e vet prindërore, të cilës
përpiqej t`ia plotësonte çdo dëshirë që mundej dhe arrinte, në kushtet në të
cilat asokohe familjet shqiptare jetonin.
Aktorja jonë me
simpatike, e dashur dhe tejet mbresëlënëse, Leze Qena përveç emrit të madh dhe
veprës së saj të veçantë, që e bëri të dallonte për shumë çka, nga gjithë të
tjerët, edhe si fëmijë thuhet të ket qenë tepër e gjallë dhe e zgjuar, e
ndoshta edhe artistikisht shumë më atraktive dhe inspiruese se sa që
na është thënë e shpjeguar dhe mund e dimë, ta portretojmë e përshkruajmë ne
sot, me gjithë arritjet e saj madhore.
Se puna dhe vepra artistike e Lezes tonë të madhe
vlerësohen vërtetë shumë në mesin e shqiptarëve kudo, flet vet fakti që vetëm 5 ditë pas publikimit
të performancës personale të Lezes nga seriali “Çka ka shpija” në Youtube,
videoja e saj u bë aq e famshme deri në virale, duke u shikuar e shpërndarë
gjithandej nëpër rrjetet sociale, sa që brenda, vetëm kaq pak kohe,
numëronte mbi 300,000 shikime, gjë që do t`ia kishin lakmi jo vetëm kolege
e kolegë aktorë por edhe vet këngëtarët më të famshëm të estradave të të gjitha
kohëve dhe trojeve tona.
Shkollën fillore dhe atë
të mesme, Lezja i mbaroi në më të bukurin vend, siç kishte dëshirë të thoshte
ajo me krenari, në vendlindjen e saj të bukur, buzë Lumëbardhit dhe qytetin
historik të Lidhjes Kombëtare Shqiptare në Prizren, ndërsa studimet për aktrim,
në fakultetin e Prishtinës.
Interpretimet e shumta
në televizion, dramë e teatër, me lojën më brilante, që njihet ndër vite, breza
e dekada, të personazheve dhe roleve nga më të ndryshmet në Kosovë e më gjerë,
Lezen jo vetëm se nuk e lodhën as humbën buzëqeshjen dhe humorin e saj, si grua
asnjëherë, por edhe e shndërruan në një artiste të papërsëritshme dhe intonim
besnik të zërit ikonë të femrës shqiptare, në skenë, teatër, film dhe
seriale televizive, për vite dhe shumë dekada me radhë
Vajza me ëndrra shumë
Në moshën kur aktorja jonë e
mirënjohur nga qyteti i Lumëbardhit si vajzë e re kishte shumë ëndrra, edhe në momentin që vendosi të
përcaktohej për profesionin e saj të jetës, në kushtet arkaike të kohës në të
cilat familjet shqiptare atëbotë jetonin, dëshira e saj nuk ishte vetëm (pak) e
pa rëndomtë por edhe vështirë e pranueshme për prindërit dhe të afërmit.
Kjo edhe për faktin se
nga Prizreni Lezja tani duhej të vendosej në Prishtinë, që në kushtet e
atëhershme të zhvillimit ekonomik dhe social të popullsisë, konsiderohej vend i
largët dhe gati i panjohur, ndaj pikërisht hapi nismëtar për ta shndërruar
ëndrrën e saj në realitet, i krijoi artistes tonë të talentuar, telashe bukur
të mëdha, pasi që pikësëpari nëna, nuk mund të pajtohej lehtë asokohe, me idenë
e të bijës për tu bërë aktore, madje të ikte e vetme si femër nga vendlindja
dhe të shkonte e vendosej edhe në kryeqytet, kjo ishte shumë më tepër se sa që
mund ta kishte paramenduar atëbotë familja.
Në
fakt, ikona rrezatuese e skenës sonë artistike dhe njëra ndër aktoret më të
mëdha shqiptare, Leze Qena, duke rikujtuar me mallëngjim të kaluarën e vet dhe
vitet e saj të rinisë, tregonte se si ajo, në moshën adoloshente kishte
dëshiruar të bëhej balerinë, por mungesa e kushteve, e kishte orientuar atë në
rrugën e aktores. gjë që doli të ket qenë plotësisht e qëlluar dhe
pafundësisht e suksesshme.
Por sikur të mos i vinte me kohë mbështetja e pa rezervë
e të atit dhe mu në momentet kur në
mesin e shumë ëndrrave, ajo sapo kishte zgjedhur rrugën e saj dhe përcaktuar
për tu bërë aktore, Lezja jonë e shenjtë ,ndoshta nuk do
të mund të bëhej, ajo artistja e madhe dhe brilante e Kosovës që e njihnim ne,
për të na lenë pa buzëqeshjen, gëzimin dhe harenë që për dekada me radhë ua
fali pa kursim mijëra shikuesve, adhuruesve dhe dashamirëve të artit të saj,
kudo që flitet dhe jetohet shqip.
Vetëm me vullnetin dhe
vendosmërinë personale të një aktoreje të mirënjohur si Lezja, që edhe në atë
moshë, asaj për fat të mirë, jo vetëm që nuk i mungonin por dhe i kishte me
bollëk, përkundër vështirësive dhe pengesave për ti hy rrugës së aktrimit, ajo
ia arriti qëllimit dhe dëshmoi se kur njeriu dëshiron dhe është i vendosur të
arrij diçka, tejkalon të gjitha pengesat e vështirësitë dhe mbërrin atje ku
synon.
Në nismën e jetës së vet
artistike Lezja fillimisht do të luante më tepër role fëmijësh, e veçanërisht
ato të djemve, për ç ‘gjë edhe do të mbetej përgjithmonë e adhuruar në
shpirtrat e njomë e të sinqertë të vogëlushëve dhe fëmijëve në përgjithësi, për
interpretimet hyjnore të roleve të tyre.
Lezja dëshmoi gjithmonë
elan të fort dhe energji të pashtershme, të cilat siç thoshte ajo vet, i kishte
dhuratë nga natyra dhe trashëgim nga i ati, që sipas aktores edhe ai kishte
qenë shumë energjik, punëtor i madh dhe njeri përherë i papërtueshëm, ndaj dhe
Lezja ndjehej shumë e lumtur që kishte trashëguar tiparet më të mira të të atit
dhe e adhuronte atë deri në pafundësi.
Historia e jetës
artistike mese 70-vjeçare e Lezes vajzës së re të lindur dhe rritur në Prizren,
me rolet e të rriturve, do të niste nga mesi i viteve të 50-ta, të shekullit të
kaluar, fillimisht në skenën e teatrit, e pastaj edhe në dramë, e televizion.
Duhet theksuar me këtë
rast, se aktorja jonë e madhe, me të shkuar në Prishtinë, u përcoll edhe me një
përparësi të veçantë, duke pasur fatin emirë, që të luaj qysh në shfaqjet e
para dhe fillim karrierën e saj artistike për të rritur, me aktorët më të
sprovuar e më të mirënjohur të kohës që kishte vendi.
Aktor të cilët përveç
emrit të mirë dhe përvojës së gjatë e të dëshmuar, ata ishin edhe vet
themeluesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës si Abdurrahman Shala,Sh.Domi ,Katarina
Josipi, Shani Pallaska, Xhevat e Muharrem Qena, Meribane Shala etj, duke mësuar
nga ta shumë mbi përsosjen e interpretimit të roleve, perfeksionimin e mënyrës
së të folurit artistik dhe përjetësimin shpirtëror të ndjenjës së bukur që di
ti dhuroi aktrimi një artisti, të cilat i dëshmoi në vepër duke i përçuar ato
në mënyrë origjinale edhe te shikuesit, gjatë gjithë jetës së saj,
karrierës dhe kohës sa qëndroi në skenë.
Teatri Kombëtar
si institucion i parë profesionist teatrorë në Kosovë u ngrit më 1946
fillimisht në Prizren, ndërsa më 1948, u transferua në Prishtinë
dhe asokohe është radhitur ndër sukseset më të mëdha dhe institucionet më të
larta të vendit.
Dashuria me Xhevat Qenën
Me të përfunduar vera
dhe filluar viti i ri shkollor i motit 1954, aktorja e re Leze Qena, me
propozim të drejtorit të atëhershëm të teatrit amator në Prizren, Shemsedin
Krejtani do të ftohej me një letër dërguar personalisht aktores, që të
paraqitej në teatrin e Prishtinës ku do të dilte në provim para Abdurrahman
Shalës me shokë për tu pranuar si aktore e re në Teatrin Popullor.
Pasi dha provimin me
sukses, në tetor të viti 1954, Lezja si artiste e re me ambicje të mëdha,
atëbotë vetëm 19 vjeçare, do të niste punën edhe me shfaqjet artistike dhe për
herë të parë do të ngjitej në skenën e Teatrit të atëhershëm Popullor të
Prishtinës, në rolin kryesor të shfaqjes “Fjala është për banesën” rol ky që e
njohu artisten me fatin e jetës dhe i hapi asaj të gjitha rrugët e karrierës së
bujshme shumëvjeçare.
Madje si për
koincidencë, po në komedinë “Fjala është për banesën” ku Lezja kishte rolin
kryesor, do të luante edhe aktori i mirënjohur Xhevat Qena.
Ndërsa mu në rolin e parë që qëlloi të luante
aktorja jonë e përndritshme me Xhevatin, rastisi që ai të ishte pikërisht roli
i dashnores së Xhevatit, kështu që, mu kjo shfaqje i parapriu fillimit të asaj
që do të ndodhte edhe në botën reale dhe nga këtu nisën edhe shkëndijat e para
të dashurisë në jetën e dy aktorëve të rinj, për të mos u shuar më kurrë, deri
në vdekjen e tyre.
Dhe siç thoshte Lezja
jonë, këto ishin momentet më të pa harruara të jetës së saj, kur artistja e re,
do të dashurohej aq shumë në Xhevatin sa që nuk mund të rrinte më pa te.
Mirëpo me të vendosur që
ata edhe të martoheshin bashkë, pengesat e para, serish do ti vinin nga e ëma
dhe vetëm me miratimin e të atit, Lezja mundi të bashkohej me Xhevatin, për të
kaluar një jetë aq të qetë e të rehatshme dhe të mirë e të paharruar
përjetësisht, për të dy ata.
Megjithatë e ëma
fillimisht ngurronte të fliste të më të bijën dhe si kusht për tu pajtuar me
të, kishte kërkuar nga Lezja ta detyronte Xhevatin që të martoheshin në Kishë.
Lezes këtu iu kishte
lehtësuar zemra me shpresën që Xhevati nuk do ta kundërshtonte këtë kërkesë, në
mënyrë që e ëma të pajohej me Lezen.
Por problemi lindi, kur
ajo shkoi të pyeste priftin, për caktimin e ditës së martesës, i cili me të
dëgjuar i kishte thënë: Po ik oj Leze, ju jeni martuar një herë në zyrën e
gjendjes civile në Prishtinë qe do martesën në kishë, jetojmë në komunizëm dhe
ai është artist i njohur e nuk merret me fe.
Për fat të mirë ishte i
ati Zefi i cili gjithmonë e kishte dashur dhe mbështetur të bijën, ai që pa
vonuar do ti ftonte për herë të parë Lezen dhe Xhevatin në furrën e tij, të
cilën e kishte në Prizren ku përveç çmalljes me të bijën do të njihej edhe me
dhëndërin dhe do ti qeraste të dy me "simite" të nxehtë të sapo dala
nga furra.
Dëgjo Xhevat i kishte
thënë i ati i Lezes aktorit që ditën e parë, unë nuk kam asgjë kundër pse ti ke
marrë vajzën time për grua, se ne shqiptar jemi, por kam frik se ti nesër mund
të njohësh një artiste tjetër, martohesh me te dhe ndahesh nga bija ime.
Këtë nuk do të mund ta
bëja "hallall" kurrë.
"Babagjysh"
(kështu nderohej në të folmen popullore në Has, i ati i bashkëshortes) unë i
jam betua një herë Lezes, por meqë ti je i ati i saj, po e përsëriti edhe para
teje, se po qese i kam edhe 100 vite tjera jetë, bija jote është një dhe e
vetmja femër me të cilën do ta kaloj tërë jetën time, e kishte siguruar Xhevati.
Pas këtyre fjalëve Zefi
kishte ndjerë një lehtësim të madh në zemër dhe menjëherë kishte filluar të
lirohej në bisedë me dhëndërinë sikur të ishin shokë që sa kohë ndërmjet veti.
Veçanërisht kur kishte
filluar Xhevati të bënte humor babai i Lezes ishte ngazëllyer aq shumë, sa që i
kishte thënë me habi Xhevatit, unë mendoja se nuk ka humoriste më të madhe se
bija ime Lezja, por dhe ti qenke humorist shumë i mirë.
Ndaj nga ai çast, nuk do
të kalonte ditë pa i ftuar dhëndërin dhe të bijën që të shkonin në furrën e
axhës Zef, sikur ata të banonin dikund aty afër në Prizren dhe jo që jetonin në
Prishtinë.
Madje pa kaluar shumë kohë, falë kulturës së lartë dhe mirësjelljes së pafund
si dhe humorit të veçantë e dashamirës që dinte të bënte Xhevati, me të cilin
gjatë vizitës në familjen e të shoqes, shkriheshin të gjithë së qeshuri,
familja e Lezes, për periudhë relativisht tejet të shkurtër kishin ndërtuar
raporte aq të mira me Xhevatin, sa që siç shprehej artistja, asaj i dukej që më
shumë e “donin” Xhevatin se vet Lezen.
Madje nëse vetëm pak dit
ai nuk mund tu shkonte miqve për vizitë, i madh e i vogël, nuk pushonin duke
thirr në telefon herë Xhevatin her Lezen,si dhe duke qu porosi edhe për njerëz
e të njohur, që Xhevati me të shoqen, të shkonin dhe vizitonin familjen e
Lezes.
Se familja e Lezes e
donin vërtetë shumë Xhevatin, e dëshmon edhe fakti për tu mbajtur mend dhe
marrë shembull i vëllait të Lezes Markut, i cili i kishte propozuar Lezes dhe
Xhevatit t`ua "falnin" një vajzë të veten (jepnin në adoptim) pasi që
kishte kaluar një kohë e gjatë në jetën bashkëshortore dhe Xhevati e Lezja,ende
nuk kishte fëmijë.
Se edhe Lezja e donte
shumë Xhevatin e dëshmon në një intervistë të dhënë më 2016,pra rreth 13 vite
pas vdekjes së Xhevatit,e cila në pyetjen se a dëshironte ajo të rikthehej edhe
një herë në rini, Lezja tha shkurt dhe prerë:Pa Xhevatin-Jo!
Vetëm po të ishte e
mundur që të ringjallej edhe një herë Xhevati dhe të jemi sërish bashkë,
atëherë do të dëshiroja shumë që të ishim të dy edhe një herë të rinj.
Shembull i rrallë i
jetës së lumtur bashkëshortore dhe miqësi aq e mirë dhe e perfeksionuar sa që
do duhej të merret model i të jetuarit në dhe brenda gjithë shoqërisë
shqiptare.
Dhëndëri nga Hasi nusja nga Prizreni
Lezja dhe Xhevati ishin
njerëz dhe artistë me shpirt e zemër të madhe, si dhe bashkëshort të përkryer,
të cilët në jetë dhe në aktrim ishin pothuajse gjithmonë bashkë e
të pandarë, duke thyer të gjitha tabutë e kohës, kur jo secili shihte me
sy të mirë, preformizmin e një femre aktore, të luante (krah një burri)
Xhevatit me qindra role, në të gjitha zhanret dhe llojet e aktrimit, si në
dhjetëra shfaqje teatrale, dramë, film dhe seriale televizive.
Për ata që nuk e dinë, duhet theksuar me këtë rast se
Xhevat Qena ishte me origjinë nga fshati Romaj e Hasit,ku një lagje e tërë dhe
e madhe, mbajnë mbiemrin Qena, prindërit e të cilit, pasi kishin hapur një
furrë buke në Mitrovicë, ishin vendosur atje, ndaj në qytetin e minatorëve do
të lindeshin e shkolloheshin edhe fëmijët e tyre, përfshi edhe Xhevatin i
cili qysh në moshën e tij të hershme si nxënës i fillores, do të dallohej për
prirjet në aktrim dhe zotësinë për interpretime të roleve të ndryshme, e
veçanërisht atyre në dramë dhe humor.
Ndërsa sa i takon njohjes ndërmjet Lezes dhe Xhevatit,
sipas asaj që do të rrëfente vet aktorja jonë, tre katër muaj para shfaqjes së
përbashkët në Prishtinë, Xhevati kishte udhëtuar për një turne artistike në
Prizren, me ç ‘rast, gjatë shëtitjes nëpër qytet, tek ‘Foto Nesha’, ai do
ta shihte për herë të parë, rastësisht Lezen në fotografi, kur jo vetëm që
ishte dashuruar qysh në shikim të parë, në te, por i kishte thënë edhe shokut
që e shoqëronte, se kjo do të ishte gruaja e tij, gjë që pa kaluar shumë kohë,
vërtetë ashtu edhe do të ndodhte.
E megjithë jetën e mrekullueshme që kaluan bashkë Lezja
me Xhevatin, ajo që bëri të vuanin
shpirtërisht këtë qift të mrekullueshëm aktorësh të mirënjohur, ishte fakti se
përkundër dashurisë së madhe e të pafund që ata kishin ndaj tjetri tjetrit,
dashuri e cila nuk u shua asnjëherë, gjatë gjithë jetës së tyre, Lezja dhe
Xhevati nuk patën fatin të gëzoheshin edhe me fëmijë.
Qika e artistëve
Me kalimin e kohës,
sidomos Lezja, gjithnjë e më tepër në ndjesinë e thellë amnore, e ndjente këtë
mungesë, ndaj një ditë ajo kishte vendosur t`ia shprehte Xhevatit dëshirën që
ta adoptonin vajzën e të vëllait, apo ndonjë fëmijë tjetër dhe ta rrisnin
bashkë me Xhevatin si fëmijë të tyre.
Xhevati nga mirëkuptimi
i pakufishëm dhe dashuria e madhe që kishte tanimë jo vetëm për Lezen e tij,por
edhe respekti për miqtë e mrekullueshëm, i thotë, të shoqes; dëgjo Leze unë
pranojë me gjithë zemër dëshirën tënde, por ne do ta adoptojmë vajzën e Markut
vëllait tënd e jo ndonjë fëmijë tjetër, kam dëshirë grua, sepse na kanë nderuar
shumë miqtë me këtë propozim dhe para së gjithash Lezja ime e dashur, ajo është
edhe pjesë e gjakut tënd!
Lezja ishte gëzuar aq
shumë sa fluturonte nga gëzimi, nuk pushonte duke e uruar të shoqin dhe nuk kursente komplimentet më të
mira që dinte për burrin e saj.
- Xhevat
i dashur ti asnjëherë nuk më ke hidhëruar as nuk ma ke prishë qejfin kurrë,
ndaj unë edhe 100 herë po të vija në këtë botë, të betohem se nuk do të merrja
kurrë burrë tjetër përveç teje...
Vajza që do ta adoptonin
Lezja dhe Xhevati, sipas traditës, për hirë të një feste që kishte qëlluar afër
ditëlindjes së saj, prindërit i kishin vënë emrin Gloria.
Pas vendimit
për adoptim, Lezja fillimisht e kishte bërë me kunatën që ajo ta merrte
vajzën, kohë pas kohe nga pak te shtëpia e vet për tu mësuar me te, ndërsa herë
pas here, t`ia dërgonte të ëmës që edhe ajo të çmallej me të bijën.
Mirëpo, sipas një
interviste të vitit të kaluar, në emisionin “Pa Rrotlla” Lezja shpjegon se që
herën e parë kur ajo e mori vajzën e vogël në shtëpi, e ëma i kishte thënë ta
mbante dhe të mos ia kthente më, sepse një herë ia kishin falur dhe ashtu do të
ishte më mirë e më lehtë, për të dy-"nënat" e vajzës.
Pa kaluar shumë kohë,
Lezja pasi kishte biseduar me të vëllain dhe kunatën, vogëlushes së
adoptuar, ia kishte ndryshuar emrin nga Gloria në Argjenda.
Xhevati me të dëgjuar
për veprimin e të shoqes,ishte habitur dhe kishte provuar ta bindte Lezen që
vajzës t`ia kthente emrin që i kishin vënë prindërit e saj, ngase ata do të
mendonin se Xhevati mund të ketë insistuar që asaj ti ndryshohej emri.
Por Lezja si Lezja.
-Jo Xhevat i kishte
thënë ajo prerë dhe si me komandë, unë i kam vënë emrin Argjenda dhe kështu do
të mbetet.
-Po mirë o Leze por më
thuaj të paktën pse, ta di dhe unë arsyen, kishte pyetur Xhevati.
Në fakt, artistja kishte
një arsye të fortë dhe ide të pranueshme me të cilën, pa shpjegime më të
gjata,u pajtua edhe i shoqi Xhevati.
-Dëgjo Xhevat kishte
filluar ti shpjegonte Lezja atij, ti e di që unë të atin e vajzës e kam vëlla
dhe të ëmën e saj kunatë, ne duhet të hyjmë e të dalim me prindërit e vajzës,
vajza rritet ndaj dhe është shumë më lehtë për ata si prindër biologjik, por
edhe për ne si prindër të vajzës së adoptuar, kur ta thërrasim vajzën para
tyre,e ti themi Argjenda eja te mami, apo Argjenda eja te babi, se sa ti themi
para së ëmës, Gloria eja te mami,apo para të atit,Glorija eja te babi, gjë që
do të tingëllonte më dhembshëm pë ta, sepse tek e fundit, ata vërtetë na e kanë
falur bijën e tyre, por në fakt e kanë fëmijë të vetin.
-Madje Xhevat unë mezi
kam pritë këtë ditë dhe dua një emër që të më tingëllojë hareshëm e bëjë dritë
dhe rrezatojë para syve, kur e thërras emrin e saj në shtëpi, kur e dërgoj në
shkollë Xhevat dhe kur dal në rrugë me te-
- Kam dëshirën që emri i
saj të tingëllojë sa më kombëtarisht, si dhe të shndrisë si ari, në shkollim,
punë dhe në jetë, mu si ne dy prindërit artistë.
-Kjo është arsyeja burri
im i dashur.
Xhevati vetëm kishte
luajtur kokën dy tre herë në shenjë pohimi dhe ishte përgjigjur me bindje, mirë
e ke menduar Leze dhe ashtu le të bëhet.
Kështu do të jetonin të
dy palë prindërit e Argjendës, gjithmonë në harmoni dhe përherë të lumtur, duke
u ndjerë sikur të ishin një familje e vetme.
Argjenda sot është e
rritur madje është bërë edhe nënë dhe ka edhe vet dy apo tre fëmjë.
Rast i rrallë dhe ngjarje aq mbresëlënëse e interesante
sa që mjaft lehtë mund të shndërrohej edhe në film, apo përshtatet në dramë
artistike, për tu bërë shembulli më i ndritur i harmonisë bashkëshortore dhe
bashkëjetesës së besimeve ndërshqiptare si dhe do të pritej e përjetohej shumë
më mirë se sa inskenimet e artit të ideuar e të pa mbështetje në themelet reale
të jetës së njëmendtë popullore, nga shqiptarët.
Mbi 70 vite në skenë
Gjatë gjithë karrierës
së saj shumëdekadëshe artistike Leze Qena luajti role të panumërta të mëdha e
më të vogla; tragjike, komike, dramatike e çfarë jo tjetër, të autorëve të
ndryshëm vendas e botëror dhe megjithëse është e pamundur, të përfshihen të
gjitha vetëm në një shkrim si ky, duhet thënë se rolet e saj të shumta,
pothuajse pa asnjë dallim nga emrat e personazheve dhe përmbajtja artistike,
përherë u përjetuan ngrohtë e me shumë dashamirësi nga publiku i gjerë.
Lezja qysh në aktrimet e
para u dallua për aftësitë e saj interpretuese dhe shkathtësitë e mëdha prej
artisteje të veçantë, në luajtjen e roleve me përkushtim sipëror, sidomos në
shfaqjet e zhanrit të Komedisë, ku dëshmoi përsosmërinë kulmore si aktore me
ndjesi dhe pasion të pakufi, role të cilat deri në fund të jetës dhe
karrierës së saj brilante, nga shikuesit dhe adhuruesit e saj të shumtë, jo
vetëm u pritën e mirëpritën ,por shkuan deri në himnizim për Lezen tonë të
madhe!
Sukseset e saj,
gjithmonë Lezja i arsyetonte me modesti dhe faktin se asnjë aktivitet artistik,
jo vetëm që nuk e lodhte as bezdiste fare, por dhe çdo rol, ajo e kishte
pranuar dhe luajtur me gjithë zemër dhe dëshirën më të madhe.
Ndërsa edhe sa u takon
interpretimeve, Lezja thoshte se të gjitha personazhet në emrin e të cilëve ka
luajtur, i kishin pëlqyer që të gjitha pa dallim, madje me aktrimin e saj të
mrekullueshëm, ajo ishte munduar ti paraqiste ato sa më mirë, në mënyrë që edhe
të pëlqeheshin sa më shumë nga publiku dhe të mos i zhgënjente shikuesit
asnjëherë.
Por një roli i veçant
dhe i paharruar, i cili do të ngelej përherë në kujtesë dhe zemër të Nanushit
tonë, ishte roli i Ana Franku-t, të luajtur qysh në vitin 1957 dhe përshtatur
në dramë nga teksti autentik i librit me titull "Ditari i Ana Frankut".
Në pyetjen se çfarë
kishte aq të veçantë në te dhe pse i pëlqente asaj, pikërisht ky rol kaq shumë,
aktorja jonë përgjigjej shkurt dhe thjeshtë se; njëjtë si vet Lezja edhe Ana
ishte një femër e re, e cila e donte më shumë të atin, se të ëmën,siç vepronte
edhe Lezja, Ana vuante nga pushtuesit nazist ashtu siç kishte vuajtur shumë
edhe Lezja vet, që nga fëmijëria nën pushtimin serb dhe terrorin e Aleksandër
Rankoviqit,i cili kishte burgosur edhe të vëllain e Lezes dhe të atin e
Argjendës, vajzës që Lezja dhe Xhevati kishin adoptuar, kohë e vështirë në të
cilën nëpër burgjet sllave, por edhe jashtë tyre, do të mbyteshin pa asnjë
gjykim, mijëra shqiptar.
Lezja
këngëtare
Megjithëse për Lezen, pothuajse përherë flitet vetëm si
aktore, pasi që këngën ajo në fakt edhe e kishte më tepër hobi se
profesion,artistja jonë shprehet se ndoshta mund të ketë gabuar që nuk është
marrë me kohë dhe në mënyrë profesionale edhe me këndim, pasi që nëpër
koncerte, thotë të ketë kënduar gjithmonë parodi, duke i qëndisur ato edhe me
humor të zgjedhur me të cilat jo vetëm që është kënaqur shumë publiku, por edhe
i ka pritur gjithmonë këngët e saj me entuziazëm dhe gjithnjë mirë e më mirë.
Lezja Atlete
Në moshën e vet të re,
aktorja jonë e madhe ishte edhe sportiste e dalluar e cila përveç aktrimit
brilant dhe muzikës si dëshirë e hobi, dashuri të veçantë kishte treguar për
atletikën, madje lidhja me këtë sport ishte aq e fuqishme sa që salla ku Lezja
stërvitej, ishte kthyer në shtëpinë e saj të dytë.
Rolet
artistike të Nanushit
Artistja jonë e madhe
gjatë karrierës së saj u pagëzua dhe pasurua edhe me disa emra përkëdhelës si,
“nanushi” “gjyshja” etj, ndërsa për rolet që ajo gjatë gjithë jetës luajti me
zemër dhe shpirt të çiltër, si dhe interpretimet e përsosura
profesionale, jo vetëm që adhurohej shumë nga shqiptarët kudo, sa ishte gjallë,
por edhe pas vdekjes, ajo do të mbetet gjithmonë në zemrat e secilit prej
nesh dhe mbahet mend gjatë, për interpretimet e saj brilante
artistike në skenën teatrore e filmike, ashtu siç do të përkujtohet
përjetësisht për buzëqeshjen e saj të ngrohtë dhe dashurinë e sinqertë që ajo
përçonte, tek të gjithë adhuruesit e vet, pa dallim moshe dhe gjinie.
Nanushja jonë e mirë
kishte shoqëri të madhe e të sinqertë pothuajse me të gjithë kolegët dhe
bashkë-aktorët, shoqëri e cila, siç shprehen ata pas vdekjes së saj, me shumë
mallëngjim, tejkalonte kufijtë e punës dhe të aktrimit.
Ndaj nuk do mend se për të gjithë ne që jemi rritur dhe
mësuar me rolet, këngën dhe humorin e saj, ajo do të jetojë përherë në kujtesën
e secilit dhe mbetet gjallë dhe e pa harruar përgjithmonë në zemrat dhe mendjet
tona deri në përjetësi.
Siç dihet që moti nga të
gjithë, Leze Qena ka lujatur edhe në shumë shfaqje të ndryshme teatrale disa
prej të cilave po i përmend me këtë radhë; “Borëbardha dhe shtatë
shkurtabiqët“, „Kur është gruaja memece”,“Hanka”,"Pjata e drunjtë",
“Miu në xhep” etj, pa harruar këtu të kujtojmë se përveç komedisë "Fjala
është për Banesën”, ajo luajti rolet kryesore edhe në shumë shfaqje si;“E
shoqja e Hasan Agës”, "Kusheriri prej Amerike", “Familja e
pikëlluar”, “Nuk martohem me pare”,“Tartufi”,"Autobiografia",“Duart e
papastra”, "Othello", "Antigona" etj.
Ndërsa në dekadën
pasuese, Lezja ka interpretuar edhe në shumë inskenime disa prej të
cilave,janë;“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, "Zëri i ndërgjegjes
njerëzore","Perkolgjinajt","Të
ngujuarit”,“Hotel Kashta” etj.
Përveç përvojës
shumëvjeçare dhe suksesit të veçantë të dëshmuar në skenën teatrore në
vend, aktorja e shquar shqiptare Leze Qena do të shkëlqente edhe në miniseritë
e njohura televizive si; “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit”
(1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982), “Shkolla e fshatit” (1987)
etj, të cilat ishin vetëm disa nga performancat më të njohura të aktores tonë
të madhe me të cilat ajo bëri për vete simpatinë e publikut të shumtë anë e
mbanë Kosovës, interpretimet të cilat priteshin me interesim të madh edhe
nga shqiptarët në mërgim dhe kudo në diasporë
Vdekja e Xhevatit
Në vitin 2003 Lezja jonë
e mirë dhe mirënjohur përjetoi goditjen më të rëndë dhe dhembjen më të madhe në
jetën e saj, me ç ‘rast pa pritur do ti vdiste bashkëshorti, aktori dhe
partneri shumëvjeçar artistik me të cilin i kaloi vitet më të mira
bashkëshortore Xhevat Qena, duke bërë aktoren tonë të vuaj gjatë gjithë pjesës
së mbetur të jetës së saj, që nuk ishte aspak e lehtë dhe as e shkurtër, por
plot 17 vite të gjata me radhë.
Sa herë që flitej për
bashkëjetesën e saj me Xhevatin,sidomos pas shkuarjes së tij në amshim, Lezja
shprehej me shumë nostalgji për jetën e ëmbël e të rehatshme që kishin kaluar
ata dy bashkë, me të cilin siç dëshmon ajo vet, nuk kishin qenë
thjeshtë "veç burrë e grua", por edhe shokë shembullor , që të mirën
dhe të keqen i kanë ndarë gjithmonë bashkë, e pas vdekjes së tij, ajo thotë me
dhembjde se nuk kishte më askënd me të cilin mund të fliste aq lirshëm e pa u
ndrojtur dhe shprehej në besim e me zemër të hapur si me bashkëshortin e saj
shumëvjeçar Xhevat Qenën.
Shtat vite pas vdekjes së të shoqit sërish në skenë
Vetëm në vitin 2010,pra mese 7 vite pas vdekjes së
Xhavatit, kur Lezja tanimë kishte kaluar 75 vjetorin e jetës së saj, pas
kërkesave të shumta, si profesioniste e mirë që ishte, ajo do të ri ngjiste
edhe një herë shkallët e teatrit, për të luajtur në shfaqjen “Macja mbi çatinë
e nxehtë”.
Lezja kudo që luajti me
paraqitjet e saj profesioniste, qoftë në filma, drama, komedi e seriale vendore
ajo përherë krijoi atmosferë të këndshme hare dhe duartrokitje frenetike,
me të cilat kënaqi jo vetëm publikun por edhe vet bashkëpunëtorët që merrnin
pjesë bashkë me te, në interpretime.
Vendosmëria, humori,
dashuria dhe pozitiviteti i pafund i Lezes, me kohë u kthyen në kartën
identifikuese të saj si artistr dhe bënë që ajo përherë të gëzonte dashuri dhe
respekt të pafund, jo vetëm te publiku i shumtë por edhe te aktorët e famshëm
vendor e ndërkombëtar.
Miqësia me
Bekim Fehmiun
Ashtu si Lezja edhe aktori hollivudian me famë botërore,
Bekim Fehmiu ishte nga Prizreni, madje edhe ai njëjtë si Lezja u rrit dhe hapat
e parë të aktrimit i mori me sukses po në këtë qytet historik, ndaj që nga
fëmijëria Lezja dhe Bekimi jo vetëm që njiheshin me njëri tjetrin mirë, por
kishin edhe shoqëri të afërt mes vete.
Kështu që edhe pas vendosjes në Prishtinë, Lezja dhe
Xhevati me Bekim Fehmiun mbetën përherë kolegë dhe shokë të pandashëm, duke
vijuar shoqërimin dhe miqësinë deri në momentet kur Bekimi u detyrua që për
vijimin e mëtejmë të studimeve të ikte në Beograd.
E Lezja sa herë flet për
Bekimin, shprehet me nostaligji të madhe për te dhe tregon se si, ai qysh
fëmijë, ishte betuar para shokëve se do të bëhej një aktor Holliwudian gjë të
cilën Lezja me krenari thotë se Bekimi edhe e kishte realizuar me sukses dhe
meriton çdo nderim e respekt nga të gjithë e veçanërisht nga prizrenasit dhe
bashkëkombësit gjithandej.
Interpretimet e fundit të aktores në teatër
Sipas shënimeve
ekzistuese, paraqitjen e fundit në skenën e Teatrit të Kosovës, aktorja jonë
veterane e pati në dhjetor të vitit 2014, për të vijuar pastaj me interpretimin
e roleve në seriale e komedi televizive deri pak para shuarjes fizike dhe
shkuarjes së saj në amshim më 25 mars 2020.
Nanushi ynë, përveç buzëqeshjes së përhershme, edhe në
moshën që ishte, dëshmoi një elan dhe energji të pa fund të cilat vetëm tek ajo
dukeshin se nuk do të shteronin kurrë.
Për aq më tepër, ajo tregohej aq e përkushtuar për
perfeksionimin e roleve, sa që sipas dëshmisë së kolegëve dhe bashkëpunëtorëve
edhe pse shpesh herë e sëmurë dhe përkundër moshës së shtyrë, ajo paraqitej e
para në punë dhe shkonte e fundit në shtëpi.
Interesimi i saj ishte edhe më i madh sidomos në kohën kur përgatiteshin
shfaqje apo seriale televizive, në mënyrë që rolet të përgatiteshin sa më mirë
dhe shfaqjet të dilnin sa më të suksesshme, duke bërë që të adhurohej shumë për
interpretimet e saj të veçanta nga publiku, çmohej si rrallë kush nga kolegët
dhe vlerësohej lartë nga të gjithë pa dallim.
Për aq më tepër, edhe
kur sëmundja kishte filluar ta rëndonte, dhe nuk ndihej më, mirë me
shëndet,Lezja jo vetëm që nuk dorëzohej as në ato momente, por mahniste të
gjithë me optimizmin, vullnetin dhe energjinë e pafund, që tregonte në punë e
angazhim, duke mos harruar që kur ndjehej sado pak më mirë edhe të këndonte e
vallëzonte gjatë aktiviteteve përgatitore për rolin e radhës në aktrim, për të
shtuar dhe mbajtur në nivel edhe deponimin e kolegëve.
Kjo ishte aktorja
jonë e madhe e dramës, teatrit dhe televizionit, e cila kaloi një jetë të tërë
në skenën artistike, duke u përcjellë me një histori të bujshme dhe të gjatë e
të pa mbarim të sukseseve të cilat i dëshiroi e arriti ajo vet dhe njohën e
pranuan edhe të gjithë të tjerët.
Optimiste deri në amshim?
Lezja ishte një aktore e
përkryer e cila duke qenë e pranishme për rreth 70 vite në skenë, ka luajtur në
qindra role dhe dhjetëra filma, seriale, drama, komedi e çka jo tjetër, me një
fjalë, ajo ishte një artiste e përsosur që ka ditur tu dhurojë momentet më të
bukura e mbresëlënëse jo vetëm shikuesve por edhe miqve e bashkëpunëtoreve në
punë dhe shoqëri, vendin e të cilës, sot është pothuajse e pamundur ta zë kush,
të plotësohet lehtë as shpejtë apo zëvendësohet thjeshtë nga secili aktor.
Atë me gjithë moshën e
shtyrë, nuk e pengonin koha as kushtet e vështira për ti shkuar përgatitjes së
roleve, pa u lodhur deri në fund, në mënyrë që çdo detaj të realizohej sa më
mirë dhe roli të interpretohej sa më profesionalisht, duke bërë që të
mbetet një nga figurat më të ndritura e më të përkushtuara të artit mbarë shqiptarë.
Aktorja jonë e madhe Leze Qena u dha forcë e kurajë dhe
frymëzim të ri, për të përballuar çdo sfidë e pengesë dhe ecur përpara të
sigurt edhe aktorëve të rinj, duke i porositur secilin që para së gjithash, ta dëgjonin zërin e
arsyes dhe zemrën e tyre, e të mos brengoseshin së tepërmi për asgjë, sepse
jeta është aq e shkurtër, sa që duhet bërë ç ‘mos, për të shijuar çdo sekondë
të saj!
Vetëm pak ditë më vonë,
Lezja jonë e shtrenjtë, fatkeqësisht do të sëmurej e shtrihej në Spital, ku pa
kaluar shumë edhe ndërroi jetë.
Shuarja e Aktores
Ashtu siç dëshmojnë të
gjithë bashkëpunëtorët dhe kolegët e saj, fal vullnetit të saj të madh deri pak
ditë para sëmundjes dhe shuarjes fizike, aktorja jonë e pa harruar Leze Qena
ishte pjesë e pandashme dhe interpretuesja më simpatike e serialit “Çka ka
shpija”.
Por mosha dhe vitet, më
në fund bënë të veten,kështu që ikona e aktrimit të Kosovës me 6 mars të vitit
2020, do të vendosej përfundimisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,
në mjekim intensiv ku qëndroi deri me 25 mars, ditë në të cilën rreth orës 9 të
mëngjesit edhe vdiq.
Mëngjesi i ftohtë e ditë e rëndë dhe e vështirë, që
ngriu zemrat e të gjithë bashkëkombësve dhe përloti sytë e shqiptarëve
gjithandej në Kosovë dhe kudo janë ata.
E ndoshta më tepër për
ngushëllim, mendimit të mirë të të gjallëve, apo siç thuhet besëtytnisë, për më
të mëdhenjtë dhe më të dashurit e shuar të popullit të tyre, thuhet
se shpirti i një artisti të madh si Lezja,Xhevati, Bekim Fehmiu e shumë të
tjerë, vendosen në lartësitë zenitore të qiellit, jo për të pushuar, se ata nuk
njohin lodhje, por për ti bërë dritë njerëzimit, ndërsa mungesa fizike e emrave
të tyre të mëdhenj, zëvendësohet më përjetësinë e punës së shenjtë që ata kanë
bërë dhe veprave artistike, që na kanë lënë në këtë botë për gjallje të vet.
Kështu që yjeve të
amshuar të artit skenik shqiptar të shndërruar në engjëj që shndrisin fort e
pareshtur në qiellin e pafund të popullit dhe kombit tonë, me ndriçim të
përjetshëm hyjnor e artistik, tanimë iu bashkua në përjetësi edhe Nanushi ynë,
Nanushi i Kosovës dhe e përgjithmonshmja jonë e madhe dhe e paharruar kurrë,
Leze Qena.
Krijimet në të
cilat ajo interpretoi:
1970 Po e zëm, po e zëm
(miniseri televizive)
1975 Ditari i Lec
pazhecit (miniseri televizive)
1980 I
ikuri apo Fidani (seri televizive për fëmijë)
1980 Jevgija 2
1982 Qesh e ngjesh(
Komedi Tv)
1987 Shkolla e fshatit
(TV)
2000 Të gjithë me
ne (miniseri televizive)
2000 Mahmutovitët dhe
Rexhepovitët (Komedi)
2002 Familja Moderne
(TV)
2015 Qa ka Shpija (TV)
Epilog
Aktorët e mirënjohur
Xhevat dhe Leze Qena,për punën dhe kontributin e madhe që ata kanë dhënën
përgjatë krejt jetës së tyre, pa asnjë dyshim do të mbeten përgjithmonë emrat
më të dashur e më të respektuar dhe të paharruar kurrë në zemrat e të gjithë
shqiptarëve.
Nga
vitet 2000, Lezja ishte pjesë e pandarë e ekranit televiziv duke luajtur në
shumë seriale e komedi të dashura për publikun shqiptar, e cila u bë e njohur,
sidomos me rolin e ‘Gjyshes’ në serialin “Familja Moderne”, Kombinati" dhe
së fundi edhe në komedinë “Çka ka shpija”.
Ikona e aktrimit
kosovar, ajo e cila qindra herë na ka lumturuar me humorin e saj të përsosur
dhe bërë të qeshim e të qajmë për dhjetëra vite me radhë, duke gjetur secili
veten në rolet e saj, vdiq në moshën 85 vjeçare.
Veprimtaria e gjatë
artistike dhe interpretimet me mjeshtëri të papërsëritshme, mbeten përjetësisht
të vulosura në fushën e artit e të kulturës së vendit tonë dhe të gdhendura
përgjithmonë në kujtesën e adhuruesve të saj, duke bërë që ajo të kujtohet
përherë me dashuri dhe të mbetet e përjetësuar pavdekshëm, thellë në zemrën e
secilit prej nesh.
Me aktrimin magjik e të
perfeksionuar dhe rolet e panumërta që asaj i janë besuar, artistja jonë e
madhe, jo vetëm se i ka zbukuruar edhe personazhet në emrat e të cilëve ka
luajtur por i ka dhënë vlerë artistike edhe secilës vepër të ekranizuar.
Leze Qena do të mbetet shembull i shpirtmadhësisë dhe
interpretimit të veçantë artistik me përkushtim e pedanteri të papërsëritshme
në historinë e kulturës dhe artit modern gjithëshqiptar, e dashur për secilin
dhe e adhuruar nga të gjithë, jo vetëm në botën e aktrimit, por edhe në jetën
private të adhuruesve të vet.
Me vdekjen e Lezes
aktores tonë të shquar e me plot humor, vendi ynë përjetoi një humbje të
pazëvendësueshme dhe mbeti pa njërën nga artistet e veta më të mëdha e më të
suksesshme nga plejada e aktorëve më-me nam dhe emër mëdhenj të kohës që pati
Kosova, të cilës populli dhe vendi ynë, do ti mbetet përgjithmonë mirënjohëse
për punën mbi gjysmëshekullore dhe kontributin madhor në historinë bashkëkohore
të artit dhe të kulturës kombëtare.
Kështu që nuk do mend se
mungesën e Lezes do ta ndjejnë për kohë të gjatë jo vetëm familja, miqtë e
adhuruesit, por i gjithë shteti i Kosovës, ndaj me gjithë gjendjen e rëndë të
pandemisë që mbretëronte në vend, ditën e shuarjes saj, aktores ju bënë
nderimet më të larta jo vetëm nga ministria e artit, sportit dhe kulturës, por
u përkujtua me një minutë heshtje edhe në Kuvend nga të gjithë deputetët e Kosovës.
Me një fjalë Leze Qena ishte diva bashkëkohore shqiptare
e interpretimit artistik e cila për më tepër se 7 dekada, qëndroi e palëkundur
në skenë, duke mësuar prej saj mjeshtërinë e aktrimit shumë gjenerata aktorësh
të rinj,inspiruar ata me aktrimet brilante, buzëqeshjen e ngrohtë e me
zemër të madhe, si dhe dashurinë e pafund njerëzore që përçonte tek të gjithë
pa dallim, jo vetëm
në role por edhe në jetën e përditshme, për të mbetur përgjithmonë e
respektuar dhe e vlerësuar lartë, nga një popull dhe shtet i tërë.
Lavdi e përjetshme punës
dhe veprës së saj të paharruar!
Një
falënderim të veçantë për ndihmën dhe sqarimet që më ofruan për përgatitjen e
këtij teksti, u shprehë nga zemra publicistit nga Zymi i Hasit z.Frrok Kristaj
dhe artistes hasjane po ashtu nga Zymi, Antoneta Dula.
Gani Qarri, Cyrih, 25 Prill 2020.