Faleminderit
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Gjergj Bubani, një elitë e mohuar
E merkure, 04.03.2020, 09:27 PM
Gjergj Bubani 20 janar-1899-28 shkurt 1954, (një elitë e mohuar)
-Paragraf nga libri im Elitat e
Mohuara-(f.175-180)
Nga Vilhelme
Vrana Haxhiraj
Elitari Gjergj Bubani, drejtori i
parë i Radio Tiranës 1937-‘938, shkrimtar, publicist dhe përkthyes, jo vetëm i
pavlerësuar nga pushteti i diktaturës, por dhe i dënuar me burg si kriminel
lufte, ende pa u çliruar Shqipëria.
28 nëntor 1938: Për
herë të parë në ajrin e Tiranës, u shpërnda në gjuhën e bukur shqipe zëri i
drejtorit të Radios së parë shqiptare, Gjergj Bubani: “Ju flet
Tirana...”,- këto tri fjalë sado lehtë që mund të shpiptohen,
kanë një domethënie të madhe, kanë një peshë të madhe kur i dëgjon sepse është
pesha e një shteti, pesha e fjalës shqipe, e cila nuk zëvendësohet me asgjë në
botë. “Është fjala shqipe që gërthet fort e dëshmon: ‘Unë jam gjuha
nga më të vjetrat në botë, të tjerat nuk
ekzistojnë më dhe quhen gjuhë të vdekura. Unë jetoj përderisa trojet ku unë
belbëzoj e lëvroj gjuhën e nënës, kanë nevojë për identitetin që u japim unë
dhe raca autoktone iliro-pellazge, ku çdo pëllëmbë toke ëmbëltohet me tingujt e
mi hyjnor,epse gjuha shqipe është gjuha e Perëndive.” Vivra.
Dossier :Si u arrestua dhe pse
u dënua me vdekje Gjergj Bubani? Gjergj Bubani, i
njohur edhe si Jorgji Bubani ose Brumbulli ishte
pseudonimi letrar, ka qenë shkrimtar, publicist dhe përkthyes shqiptar. Lindi në Boboshticë të Korçës më
5 mars 1899
Ndoqi Liceun frëng në Korçë dhe më pas vazhdoi shkollën e
lartë në Athinë ku studjoi
për Kimi. Pas studimeve u
vendos në Rumani, ku punoi
për të përjavshmen kombëtare shqiptare "Shqipërí e re", botuar prej
studjuesit Ilo Mitkë Qafëzezi. Në
janar të 1922 nxori një periodike me
titullin “Dodona”, ndërsa në mars 1926 revistën “Zëri
shqipëtar” që pati jetë të shkurtër. Punoi edhe si sekretar i konsullatës
shqiptare në Konstancë e Sofje.
Në Shqipëri u kthye më 1944, ku u arrestua më 13 nëntor.
U dënua si "kriminel lufte" nga Gjyqi Special si
shumë intelektualë të tjerë pa mandat
arresti. Në aktakuzën e formuluar më 12 shkurt 1945 ai u akuzua "Se
është bërë vegël e propagandës armike si agjitator, propagandist dhe publicist
me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra
luftës së popullit si Drejtor i Radioemisionit, Drejtor i Radios dhe redaktor i
gazetës "Bashkimi i Kombit". Ndonëse nuk e pranoi akuzën dhe
megjithëse tre dëshmitarë dëshmuan se Bubanin e njihnin si simpatizant të
lëvizjes qysh në fillimet e saj, ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie,
konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave
civile e politike. Ndërroi jetë në burg
më 28 shkurt 1954.
Botimi me titull “Publicistikë-Shënime
udhëtimi, (1919 -1944)” me parathënien e Mitrush Kutelit, i cili
vlerëson humorin dhe satirën e Brumbullit (pseudonimi i Gjergj Bubanit) duke
thënë: “në lotët dhe gajasjet brumbullore pasqyrohet më e tmerrshmja
tragjedi e kësaj epoke në udhëkryqe…”
Forumi
shqiptar&Standard 28-10-2010 kanë shkruar: “ Djemtë e tij të mrekullueshëm,
Dionis dhe Loredan Bubani i kanë bërë
jetës dhe aktivitetit të Gjergj Bubanit, një shërbim që është vepër sublime. Kanë botuar veprën Gjergjit të
plotë, ku përfshihen lexues, letërkëmbime si reflektim intelektual për një
njeri, të cilin jeta e zuri për fat të mirë dhe të keq, nga vitet ‘20-‘40, por
i dënuar me heshtje në diktaturë.” I biri i tij, Loredani, , i cili është marrë
me botimin e veprës prej 2007-s, është shprehur: “ Gjergj Bubani mund të
quhet fare mirë një paraardhës i letërsisë realiste të viteve ‘30. Ai e
parapriu këtë letërsi .”Ndërsa monografia “Gjergj Bubani, i harruari
i përkohshëm", me autor Kliton Nesturin hedh dritë mbi jetën
reale të tij.
Çfarë kemi marrë nga
Bubani i vjetër, është veprimtaria e tij e shumanshme, intensive si publicist i
përkushtuar, satirik e shqipërues, si botues, drejtor e redaktor gazetash e
revistash, si drejtues shoqërish atdhetare e kulturore e deri si regjisor
pjesësh dramaturgjike, duke qenë edhe vetë aktor, që i përktheu edhe me synimin
për t’i vënë në skenë. Duke nxjerrë në pah vlerat kombëtare arrijmë në
konkluzionin, se plejada e viteve ‘30-s, tashmë njihet e konsoliduar në
vetëdijen amtare si koha, nga ku duhet nisur dhe si aspiratë çështja për një
Shqipëri perëndimore.
Për t’u njohur me
këtë synim, na vjen në ndihmë monografia që analizon krijimtarinë letrare dhe
publicistike të Gjergj Bubanit, njërit prej intelektualëve brilantë, që
kontribuan në letërsinë, publicistikën dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare
qysh prej fillimit të viteve ‘20 e deri në gjysmën e parë të viteve ‘40.
Aktiviteti letraro-artistik i Bubanit
Gjergj Bubani e nisi udhën në publicistikë në vitin 1919,
me shkrimet në gazetën “Kuvendi”, që dilte në Itali. Ai u bë një nga penat më
aktive dhe më pas për një kohë të konsiderueshme, kryeredaktor i gazetës
“Shqipëri e re”, e cila botohej në Konstancë. Veprimtaria e tij publicistike u
shtri edhe në organe të tjera të kohës. Ai botoi edhe vetë disa organe të
shtypit shqiptar, “Dodona”, “Zëri shqiptar”, “Kuvendi kombëtar”, ku më kryesorja
ishte gazeta “Kosova”, e cila u bë një mbrojtëse e flaktë e çështjes dhe
situatave që kalonte Kosova në vitet ‘20-‘30. E gjithë jeta dhe veprimtaria e
tij, gjer në atë kohë, u shtri ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, ku ai kishte
emigruar qysh pas studimeve të larta që pati kryer në Athinë. Më 1936, Gjergj
Bubani u vendos përfundimisht në Shqipëri, falë edhe insistimit të botuesit Zoi
Xoxa, i cili i besoi këtij publicisti drejtimin e gazetës “Drita”. Për vizionin
dhe kulturën e madhe që kishte, Gjergj Bubani u emërua drejtor i radio
“Tiranës” qysh në nisjen e saj. Pavarësisht vështirësive të shumta, ai mundi të
krijonte profilin e një radioje kombëtare. Pas pushtimit të vendit nga ushtria
gjermane, në Luftën e Dytë Botërore, Gjergj Bubani u largua nga drejtimi i
radio “Tiranës” dhe punoi pranë Ministrisë së Kulturës. Ende pa mbaruar mirë
lufta, Gjergj Bubani u arrestua nga partizanët dhe është ndër gjashtëdhjetë
intelektualët e dënuar nga Gjyqi Special në prill të vitit 1945..
Ndryshe nga mjaft intelektualë që krijuan dhe dhanë
ndihmesë gjatë viteve ‘20-‘40, emri i Gjergj Bubanit nuk u përmend fare gjatë
regjimit komunist. Ai u la në harresë, si të mos kishte ekzistuar kurrë.
Shkrimet e tij nisën të ribotoheshin në organe të ndryshme të shtypit vetëm pas
rënies së Murit të Berlinit, pas vitit 1990.
Në vitin 2007,
shtëpia botuese “Omsca-1” nën kujdesin e
djalit të tij, readaktorit të kësaj shtëpie botuese. Loredan Bubani, që
botoi krijimtarinë e tij të përmbledhur në dy vëllime “Vepra të zgjedhura”.
Në vitin 2009 botoi
shqipërimin e tri veprave të shquara dramaturgjike që ky përkthyes i talentuar
solli në gjuhën shqipe. Pikërisht mbi studimin e kësaj krijimtarie të botuar,
mbështetet edhe vepra më e fundit e Kliton Nesturit, ku gjejnë vend gjithashtu
edhe mjaft artikuj, poezi, letra dhe fotografi të Gjergj Bubanit, të pabotuara
më parë..
Me botimin e esesë monografike “Gjergj Bubani, i harruari
i përkohshëm”nga Kliton Nesturi dhe botim i Sh.B.Omsca -1-, ku autori ka
zbërthyer kodet e krijimtarisë së Bubanit dhe e analizon atë në kuadrin e
epokës në të cilën ky mjeshtër i fjalës dhe i mendimit intelektual shqiptar
jetoi. “E shkuara e Gjergj Bubanit, ndonëse i përkiste
një periudhe të ndritur, tragjikisht, së bashku me rrotën e historisë, u kthye
në një hije të zezë, e cila e përndoqi atë kudo. Megjithatë, ky njeri, i cili
qe përballur me beteja nga më të ndryshmet, i vetëdijshëm për fatin, i përplasi
në fytyrë dorashkën e sfidës. Ai ishte heroi i jetës së tij dhe si i tillë nuk
mund të gjunjëzohej para asgjëje dhe askujt”, - shkruan në libr Kliton
Nesturi.
Vo:Radio-Tirana -22 mars 2018: “Ju flet Tirana” ,- transmeton fjalën e drejtorit të parë të Radios shqiptare.
Për herë të parë më 28 nëntor 1938, ishte zëri i Gjergj
Bubanit që u shpërnda në ajrin e Tiranës e të atdheut për të uruar 26 vjetorin
e Pavarësisë Kombëtare. Më pas drejtori i parë dhe spikeri i parë i Radio
Tiranës, Gjergj Bubani ia dha fjalën mbretit Ahmet Zogu që pëshëndeti 26
vjetorin e ditës së ngritjes së Flamurit, në Shqipërinë e mëvehtësuar.
Kur shikon një personalitet të tillë, që la Bukureshtin,
la shtëpinë e tij në qendër të kryeqytetit rumun dhe u kthye në atdhe për të
dhënë dijet e tij që mori në shtetet e tjera të Ballkanit, indinjohesh. Pastaj
pyet me habi: Si u arrestua dhe pse u dënua me vdekje Gjergj Bubani?! Këtë na e
jep Kliton Nesturi si më poshtë:
Kliton Nesturi,
botuar më (2009):, me titull “Arrestimi, gjyqi dhe burgu i
Gjergj Bubanit.”
“Gjak dhe tmerr ishte
përfundimi i Luftës së Dytë Botërore?! Por kështu vazhdoi edhe periudha që
erdhi më pas. Qysh në mesin e vitit ’44, u duk qartë se shumë shpejt komunistët
do të vendosnin qeverisjen e tyre në vend. Ende pa aguar mirë çlirimi i
Shqipërisë, fitimtarët e rinj kishin nisur të rendnin drejt pushtetit. Për ta
shtruar më mirë rrugën e tyre, në zonat e çliruara, me urdhër të shtabit të
përgjithshëm, njësi të përcaktuara partizane nisën spastrimet ndaj elementëve
nacionalistë. Në të gjithë vendin u ekzekutuan pa gjyq mjaft nacionalistë,
kurse të tjerë u arrestuan dhe u izoluan. Më 20 tetor terrori i
spastrimeve të “kriminelëve të luftës “ nisi në Vlorën që mbante era djegësirë.
“Lista e zezë” ishte hartuar kohë më parë në bazë të opinioneve dhe
informatave që kishin mundur të merrnin drejtues të ndryshëm komunistë, në
qendër ose në bazë. Disa ditë para se Tirana të çlirohej, me 13 nëntor 1944, dy
njerëz trokitën në mbrëmje në shtëpinë e Gjergj Bubanit, në rrugën “Fortuzi”,
dhe i kërkuan që të shkonte me ta. Ky është arrestimi i Bubanit ose, më saktë, rrëmbimi
i tij. Rrëmbim? Pa dyshim që po. Për Gjergj Bubanin, ashtu si edhe për mjaft
intelektualë që u gjykuan dhe u dënuan në gjyqin e Kriminelëve të Luftës, në
prill të vitit 1945, nuk ka qoftë edhe një mandat arresti. Këtu nis dhe rruga e
gjatë e tragjedisë shqiptare, e cila zgjati jo pak, por 45 vjet. Ndoshta, që në
atë çast Gjergj Bubani e parandjeu fatin që e priste dhe i pafuqishëm për ta
ndryshuar atë, ra në heshtje të thellë. Arrestmi i tij ishte zhgënjimi nga
liria , si rrjedhë e fatit pa rrugëdalje, të cilit duhet t’i nënshtrohej.
Në ato çaste, njeriu nuk mendon më
për vete, por për ata që lë pas; vuajtjet e tij shtohen jo aq shumë kur është
në dhomën e hetuesit ose në birucën e lagësht, por kur mendon se si do ta
përballojnë më tej jetën gruaja dhe fëmijët. Ç’ndodh me ta qysh sa lind drita e
agimit e derisa shtrihen mbrëmjeve në shtrat? Janë pikërisht ata që i japin
forcë për të përballuar situatën e vështirë, dhe po ata që, duke ia shtuar
brengën nga përmallimi, mund t’ia thyejnë edhe më shpirtin e rraskapitur nga
mendimet dhe trysnitë. Si kudo tjetër, edhe në Shqipëri, paslufta u shfaq me të
njëjtat simptoma: ankth, kaos, britma, acarime. Kishte mbërritur koha e
proletarëve. Nëpër rrugë dhe sheshe, triumfi ndaj klasës së përmbysur shprehej
edhe në këngët partizane dhe vargjet e “Internacionales Komuniste”.
Më 27 janar 1945, gazeta
“Bashkimi” hapej me editorialin “Tradhtarët”. I mbushur me një gjuhë të ashpër,
ku patetizmi ndërthurej fort me urrejtjen, kërkohej që “trathëtarët që
bashkëpunuan me armikun” tashmë të dilnin para gjyqit dhe të jepnin llogari. Po atë ditë, me vendim të
Këshillit të Ministrave u krijua gjyqi special për gjykimin e kriminelëve të
luftës. Të nesërmen, i gjithë vendi do ta mësonte këtë ngjarje nëpër gazeta,
nëpërmjet një njoftimi të shkurter:
Gjyqi special për gjykimin e kriminelëve të luftës përbëhej:
Prokuror : Gjeneral –Major Bedri Spahiu
Kryetar: Gjeneral Leitnant Koçi Xoxe
Anëtar: Kolonel Hysni Kapo
N/Kolonel Beqir Balluku
Kapiten i kl. ?
Hajdar Arianiti
Partizan Gaqo Boboshtica
Dr. Medar Shtylla, Ministër i Ekonomisë
Fadil Shehu, Anëtar i Këshillit Ant. N.
Ç.
Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë
Gaqo Floqi, gjykatës.
Po atë ditë, më 27 janar, gazeta "Bashkimi" çelej me kryeartikullin
"Balli Kombëtar, organizatë tradhtie, krimi e terrori", të
shkruar nga Dr. Ymer Dishnica. Tri ditë më vonë, i njëjti kryeartikull
"Legaliteti organizatë tradhtie, krimi e terrori”. Gjuha e përdorur në
këto shkrime vetëkuptohet që ishte e ashpër, e rëndë, aq sa nga shkronjat e
plumbta gati sa nuk kullonin gjak, prej këtij gjyqi çdo shpirt i qetë do të ndizej nga urrejtja.
Erdhi edhe 1 marsi 1945. Gazeta "Bashkimi"
hapej me editorialin " Ora e hesapeve".
"Sot çel dyert Gjyqi i Popullit. kriminelët e luftës, shkaktarët dhe
aktorët e tragjedisë më të hidhur që pa populli shqiptar, sidomos prej gjashtë
vjetësh e këtej, do të japin llogari.Populli do të dënojë tradhtarët, do të
dijë të japë mësim për brezat e ardhshëm...”
Editoriali mbyllet kështu:Sot kriminelët e luftës janë para Gjyqit të Popullit
dhe dora e drejtësisë sonë do të bjerë. Në krah të djathtë të këtij editoriali,
rrinte si një korb i zi një njoftim i shkurtër:
Gjyqi i Popullit për kriminelët e
luftës i çeli dyert.
Sot ora 10 para dite, çel dyert e tij në kryeqytet. Gjyqi i Popullit kundër
kriminelëve të luftës do të zhvillohet në lokalet e Kinemasë "
Kosova". Duke marrë parasysh ngushticën e lokalit dhe dëshirën e madhe të
gjithë popullit të Kryeqytetit që të asistojnë zhvillimin e gjyqit kundër
kriminelëve të luftës, janë marrë masa për të instaluar altoparlantë edhe
përjashta lokalit.
Pasi mësova këtë, salla e Teatrit Kombëtar mori për mua një hije të rëndë.
Këtu, vdekja dhe intrigat u përjetuan realisht.
Në orën 10.00, kryetari i Gjyqit, Koçi Xoxe, i bie ziles dhe me një ton të
prerë shprehet:
- Seanca hapet.Pas një heshtjeje që zgjat veç pak
sekonda, prokurori Bedri Spahiu lexon:
"Komisioni Qëndror për zbulimin
e krimeve të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, përpara kësaj Gjykate
Speciale i ka sjellë për të gjykuar kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit
të poshtëshënuar:
Pasi lexon akuzën e përgjithshme,
Bedri Spahiu Përfundon: -Duke qenë se veprat e tyre formojnë fajet e
parashikuara prej neneve 14, 15 të Ligjës mbi funksionimin e Gjykatave
Ushtarake, kërkojmë, që pasi të gjykohen të pandehurit më lart dhe të provohet
fajësia e tyre, në bazë të nenit 18 po të kësaj Ligje t'u caktohet ndëshkimi.
Ky gjyq ngajnte me një paradoks, sepse të pandehurit "jepnin llogari"
përpara trupit gjykues që drejtohej nga një teneqexhi.
Spektakli vazhdonte çdo ditë nga e
hëna deri të shtunën, ku luhej tragjikomedia e intelektualëve që dhanë gjithçka
për kombin..
Ndërsa vazhdonte procesi gjyqësor i
" Kriminelëve të Luftës", më 15 mars, në gazetën "
Bashkimi", Dr. Ymer Dishnica boton kryeartikullin "Trathëtorët me
shpatulla në mur" "Krimet, tradhtia dhe faktet janë të tilla sa
që i mbërthejnë në mur tradhtarët. Trupi gjykues me shokun Koçi Xoxe në krye i
mbërthejnë me shpatulla në mur fajtorët."Pas këtyre rreshtave të parë,
autori nis të derdhë mllefin, ironinë dhe urrejtjen ndaj të akuzuarve dhe të
përgjigjeve të deriatëhershme të disa prej tyre në gjyq, duke bërë njëkohësisht
edhe "analizën" më reale të zhvillimit të këtij procesi. Rrallë mund
të ketë ndodhur që publicistika gazetareske të jetë përdhosur aq keq, ku autori
të jetë shfaqur në tri pozicione njëherësh: të artikullshkruesit, të prokurorit
e gjyqtarit dhe të ekzekutuesit. Për të, të akuzuarit janë çdo gjë, por njerëz
kurrsesi. E gjithë apologji mbyllet me një urrejtje të theksuar patetike:
" Më 21 mars, në seancën e
tetëmbëdhjetë, thirret i pandehuri Gjergj Bubani "i biri i Dhionisit dhe i
Elisabeta Karpaçit, lindur në Boboshticë të Korçës më 1900, i martuem, ka dy
fëmijë, i padënuem, me akademi Industriale në Athinë." I veshur me pallto
të trashë të zezë, me kosum, këmishë e kravatë, dyzetegjashtëvjeçari Gjergj
Bubani drejtohet për në podium. Në fytyrën e tij dallohen qartë lodhja, stresi
dhe trysnitë. Ngjan si njëzet vjet më i madh. Aktakuza është formuluar në
datën 12.2.1945, tre muaj pas arrestimit dhe vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë para
fillimit të Gjyqit.
" Gjergj Bubani, Akuzohet: Se
është bërë vegël e propagandës armike ( si agjitator, propagandist dhe publicist)
me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kundra
luftës së popullit. ( Drejtor i Radioemisionit, Drejtor I Radios, redaktor i
gazetës " Bashkimi i Kombit.
Ndonëse nuk e pranoi akuzën dhe megjithëse tre dëshmitarë: Kaliopi Prifti, Nuçi
Naumi dhe Ilia Gjino, dëshmuan se Gjergj Bubanin e njihnin si simpatizant të
lëvizjes qysh në fillimet e saj dhe se ai e kishte ndihmuar Lëvizjen, ai u
dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të
paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike.Farsa e vogël përfundoi
këtu. E gjithë shoqëria, mes entuziazmit dhe brohoritjeve nis kalvarin nëpër
tunelin e errët, prej të cilit do të mund të dalë pas dyzet e pesë vjetësh.
Çdo çast që kalon, nuk kthehet më,
ndaj dhe vlera e Lirisë bëhet gjithnjë e më e madhe. Privimi prej saj është
dënimi më i papërballueshëm që mund të jepet për çdo qënie që frymon mbi Tokë.
Pesëmbëdhjetë vjet nga jeta e një njeriu janë shumë; pesëmbëdhjetë vjet
të kaluar në burg janë një ekzistencë e gjatë dhe e mundimshme e pajetuar.
Mjaft njerëz mund të mendojnë se ai u
dënua pse shkroi shumë për Kosovën ose kundër shovinizmit serbomadh. Kjo është
vetëm një pjesë e së vërtetës, ndoshta një arsye. Gjergj Bubani ishte pjesë
aktive e një epoke historike dhe... sa herë që një epokë ndryshon, me ndërrimin
e sistemit, ajo gjykohet dhe dënohet e personalizuar në njerëz, veçmas me
protagonistët e vizionarët e saj.
Letrat janë ato që ia mbajnë shpirtin
gjallë, ndaj dhe Gjergji u shkruan shpesh njerëzve të dashur në Rumani, me të
cilët ka gjithnjë se ç’të ndajë. Ata janë brenga e mallit, janë shtrati i
kujtimeve të gëzueshme, por edhe tryeza e dhembjeve.
Përfytyrimi për ta e ka të vështirë
të ecë me hapin e kohës, ai mbetet gjithnjë aty, në çastin e. Në mendjet tona
ata do të mbeten ashtu të rinj, të paplakur e të parrudhur, duke buzëqeshur,
qoftë edhe ndonjëherë tekanjozë, por të mirë e shpirtbardhë.
Tashmë ai duket si njëzet vjet më i madh... Kohën brenda
kafazit ku ndrydhet liria, Gjergj Bubani e kalon më së shumti me lexime dhe
biseda me miqtë e tij Suad Asllani, At Shtjefën Kurti dhe Lazër Radi.
Pavarësisht se nuk komunikon me të gjithë, ai imponon respekt te cilido. Në duart e tij të mavijosura vazhdimisht
shtrëngon çelësin, që nuk e lë të përulet e të dorëzohet: ky çelës është forca
shpirtërore. Gjergj Bubani e ëndërroi lirinë, por nuk mundi të provojë asnjë
çast. I sëmurë u nda nga jeta në burg më28 shkurt 1954.