Faleminderit
Thanas Gjika: Kushëriri im i shquar, tenori Toli Adham Pano
E hene, 20.01.2020, 10:31 PM
KUSHËRIRI IM I SHQUAR, TENORI TOLI ADHAM PANO
Nga
Thanas L. Gjika
Midis
njerëzve të shquar të fisit tim nga ana e nënës kam pasur kushëririn Toli Adham
Pano, tenori i “Korit Lira” i quajtur dhe “Kori Karakteristik i Korçës”.
Ky
qytetar i talentuar edhe pse nuk është vlerësuar me tituj nderi prej qeverive
pluraliste të pasvitit 1991, për mua është një personalitet i artit që meriton
nderime e vlerësime jo vetëm prej fisit të vet, por edhe prej mbarë popullit të
Korçës dhe të mbarë Shqipërisë. Me qëllim që të mos harrohet si harrohen
qytetarët e zakonshëm, po shkruaj disa të dhëna për jetën e veprat e tij edhe
pse nuk jam specialist i muzikës.
* * *
Toli Adham Pano u lind në fshatin Panarit të Korçës më 6
shkurt 1913. Kur ushtria greke (andartët) dogjën fshatrat e Shqipërisë së Jugut
më 1914 dhe më 1916, shumica e banorëve të Panaritit, Treskës, Trebickës,
Katundit, Stratobërdës dhe Vithkuqit, ashtu si ato të Përmetit e Sarandës, u
shpërngulën dhe u detyruan të shkonin ku kishin farë e fis, ose të njohur.
Familja e Adham Panos, babait të Tolit u vendos në qytetin e Korçës. Këtu u
rrit ky djalosh, i cili më 1929, kur mbushi moshën 16-vjeçare filloi të njihej
si këngëtar duke u bërë pjesëtar i “Korit Lira”, që më vonë u quajt dhe “Kori
Karakteristik i Korçës”.
Për
nevoja familjare Apostoli (Toli) i ndërpreu studimet në “Liceu Klasik Francez”
dhe filloi punë si ndihmësrrobaqepës. Dy vjet më vonë shkoi ushtar dhe pasi
kreu shërbimin ushtarak në Elbasan u kthye në qytetin e lindjes ku jetoi me
zanatin e rrobaqepsit duke u bërë një nga rrobaqepësit më të mirë të qytetit.
Pa vonesë ai u aktivizua dhe si korist i “Korit Lira”. Pjesëmarrja në këtë kor
ishte vullnetare. Si këngëtarët dhe orkestrantët bashkë me dirigjentin jepnin
shfaqje falas për popullin si në qytet dhe në fshatra të ndryshëm të mbarë
zonës juglindore të Shqipërisë.
Gaqo
Jorganxhiu, me zë basi e baritoni dhe Tole Adham Panua, me zë tenori ishin
këngëtarët kryesorë të këtij kori për më shumë se 60 vjet (1934-1994). Tolja u
shqua jo vetëm si korist, por edhe si solist në shumë këngë si “Dua më shumë
Shqipërinë”, “S' kam ç' e dua pasurinë”, “O moj korçare”, “Kënga e mullirit”,
“Dashuria është djallush”, “Muaji i majit”, etj. Një tipar tjetër dallues i
Tolit ka qenë dhe ndershmëria dhe qytetaria e lartë. Askush nuk mban mend që ky
rrobaqepës të jetë grindur me ndonjë myshteri a qytetar, ose të ketë gënjyer a
mashtruar. Zotnillëku ishte tipar i tij me të cilin mburret sot gjithë fisi dhe
qyteti i Korçrës.
Regjisori
Mevlan Shanaj në vitin 1981 realizoi një film dokumentar televiziv kushtuar
“Korit Lira të Korcës”, ku spikat dhe figura e solistit dhe koristit Tole Adham
Pano. Kjo ishte e vetmja punë kinematografike ku u përjetësuan deri diku vlerat
e këngëtarëve të atij kori. Tenori Toli Adham Pano dhe basi Gaqo Jorganxhiu e
arritën kulmin e cilësisë zanore si këngëtarë në vitet 1945-1980, por incizimet
e asaj kohe nuk ishin të cilësisë së lartë. Cilësia e këtyre pllakave sot le
për të dëshiruar, prandaj ato duhen rigjeneruar me teknikën e sotme.
Këngët
e atij kori ishin këngë lirike ku nuk i këndohej partisë dhe udhëheqësit të
saj. Për pasojë jeta dhe krijimtaria e këtij kori, e solistëve kryesorë dhe
orkestrantëve të talentuar të tij në vitet 1945-1991 nuk morën ndonjë vlerësim
si e meritonin. Nuk u shkrua për jetën dhe krijimtarinë e tyre asnjë studim
monografik, madje as ndonjë temë për mbrojtje diplome prej studentëve të
Institutit të Lartë të Arteve.
Toli Adham Pano u nda nga jeta më 6 korrik 1998, në moshën 85-vjeçare, duke lënë dy vajza e një djalë të martuar e me fëmijë.
“Kori
Lira” në ditët e sotme po e vijon traditën. Aty janë zëvendësuar dirigjentët,
solistët, koristët dhe orkestrantët e vjetër me dirigjentë, solistë, koristë
dhe orkestrantë të rinj, por elementët më të talentuar të së kaluarës së këtij
kori duhen vlerësuar me tituj nderi, sepse kështu traditat kulturore e
artistike kombëtare pasurohen dhe shpien përpara.
Gaqo
Jorganxhi dhe Tole Adham Pano meritojnë të shpallen “Nderi i Kombit”, sepse ata
me talentin e tyre të shquar i shërbyen artit shqiptar vullnetarisht për mbi 60
vjet, pa ndonjë investim nga shteti, dukuri e rallë në historinë e artit tonë
mbarëkombëtar.