Faleminderit
Enver Bytyçi: Pjetër Bogdani - Personaliteti më i madh shqiptar i shekullit XVII
E diele, 08.12.2019, 06:18 PM
Në 330 vjetorin e vdekjes së personalitetit më të madh shqiptar të shekullit XVII, Pjetër Bogdani!
Nga
Enver Bytyçi
Të
gjithë serbët, pa përjashtim, gjatë dy shekujve të fundit kanë shkruar se
Beteja e Kosovës e vitit 1689-1690 midis Perandorisë Autro-Hungareze dhe Perandorisë
Osmane ndodhi e ashtuquajtura “kataklizmë e popullit serb në Kosovë”! Sipas
tyre kjo betejë bëri që 37 000 familje ose 180 200 serbë u shpërngulën nga
trevat e Kosovës, pasi Perandoria Austro-Hungareze e humbi betejën e Kosovës në
atë kohë dhe shkuan në Hungari. Ata përmendin priftin Arsenije, si udhëheqës të
turmave të popullsisë serbe, të cilët u larguan drejt Hungarisë. Nga kjo tezë
historianët, demografët, sociologët, filozofët serbë kanë shkuar te trajtesa e
gabuar dhe e sajuar, sipas së cilës “Shqiptarët ishin në krah të Perandorisë
Osmane dhe meqë osmanët ishin fitues të asaj beteje, osmanët dhe shqiptarët
kryen akte dhune kundër serbëve në.
Por
kjo tezë me qëllime nacionaliste dhe shoviniste e istoriografisë serbe është
hedhur poshtë nga historianë prominentë të Europës dhe SHBA-ve. Në qendër të
referencës historike qëndron kontributi i jashtëzakonshëm i shkrimtarit,
dijetarit, filozofit, klerikut dhe luftëtarit të pashoq, hasjanit Pjetër
Bogdani. Një korrespondencë e Pjetër Bogdanit me komandantin austriak
Piccolomini, zbulon të vërtetën e asaj beteje. Ajo letër zbulon se Bogdani në
krye të shqiptarëve luftoi në krah të ushtrisë austro-hungareze dhe madje gjatë
bashkëpunimit me austro-hungarezët u kërkon atyre që kjo ushtri të përmbahet e mos
grabisin, keqtrajtojnë dhe masakrojnë shqiptarët, të cilët ishin shumicë në
Kosovë.
Ndërkaq
Piccolomini i përgjigjet pozitivisht bashkëpunëtorit të tij me famë. “Po bëj
çmos që të ndal mizoritë që kryhen nga hajdutët sllavë dhe i detyrojnë
(shqiptarët) të ikin nga sytë këmbët”, i shkruan ai Pjetër Bogdanit. Ndërsa një
tjetër korrespondencë si kjo shkëmbehet gjithashtu midis kryepeshkopit katolik
të Nikopolit dhe perandorit austriak në qershorin e vitit 1689. Ata pohojnë se
serbët iu bashkuan sa ushtrisë osmane po aq ushtrisë austro-hungareze me qëllim
që të shfrytëzojnë këtë betejë për të bërë plaçkë të shoqëruar me dhunë.
Eshtë
për t’u përmendur kontributi i madh i historianit të shquar britanik, Noel
Malcolm, i cili në librin e tij “Kosova – një histori e shkurtër” ka ndriçuar
me korrektësi dhe kompetencë profesionale kontributin e Pjetër Bogdanit në krah
të Perandorisë Osmane gjatë betejës së saj me Perandorinë osmane. Malcolm
shkruan se shqiptarët ishin po aq aktivë kundër ushtrisë osmane sa edhe serbët.
Ndërkohë përmend faktin se kur forcat austro-hungareze u futën në Prishtinë,
nuk hasën në rezistencë, edhe pse shqiptarët ishin banorët shumicë dërmuese të
këtij qyteti. Sipas Malcolm, i cili u referohet dokumenteve arkivore austriake
dhe të Venedikut, 5000 shqiptarë, përfshirë muhamedanë, ishin betuar për
besnikëri ndaj austriakëve kundër turqve. Asokohe qyteti i Prishtinës kishte 15
mijë banorë, që do të thotë se të gjithë burrat në moshë madhore ishin rendit
përkrah Austro-Hungarisë, gjë që lëshon përtokë tezën serbe, sipas së cilës
“shqiptarët kishin luftuar kundër Vjenës”, një tezë kryekëput në përpjekje për
ta bind Perendimin se “shqiptarët historikisht ishin me Lindjen”!
Duke
evidentuar rolin e Pjetër Bogdanit, Malcolm shkruan se “Bogdani duket se ka
luajtur një rol udhëheqës në organizimin e lëvizjes pro-austriake”. Autori i
veprës së famshme “Çeta e profetëve” dhe komandanti i shquar në beteja, Pjetër
Bogdani, mobilizoi shqiptarët pa dallim feje, të krishterë apo muhamedanë, me
qëllim që të ndihmojë ushtrinë perandorake austro-hungareze. Gjurmët e këtij
kontributi në betejën e Kosovës të viteve 1689-1690 gjenden jo vetë në
Prishtinë, por edhe në Prizren e qytete të tjera të Kosovës dhe Shqipërisë së
Veriut.
Dhe
duke iu rikthyer tezës serbe për shpërnguljen e serbëve në atë betejë, Malcolm
dhe historianë të tjerë provojnë me dokumente se prifti serb i kohës Arsenije
nuk ishte në Prizren më 6 nëntor 1689, siç pretendojnë historianët serbë. Për
pasojë bie poshtë hipoteza sipas të cilës prifti në fjalë të shërbejë si burim
i të dhënave të rrejshme të Akademisë së Serbisë. Ndërkaq Malcolm dhe të tjerë
historianë, përmes hulumtimeve provojnë se Arsenije nuk ka qenë fare në Kosovë,
përkundrazi, ishte në Rusi dhe se kronikat e kohës shkruajnë që nga Kosova asokohe
u shpërngulën për shkak të dhunës jo 37 mijë familje, por 40 mijë frymë, d.m.th
banorë të Kosovës, ku bënin pjesë edhe shqiptarë si dhe serbë nga trevat e
Serbisë së sotme, të cilët iu bashkuan turmës gjatë udhëtimit të saj drejt
Hungarisë.
E
trajtova këtë ngjarje për dy arsye:
Së
pari të ve në dukje rolin dhe kontributin e patriotit të madh, Pjetër Bogdani,
në mbrojtje të identitetit dhe ekzistencës së shqiptarëve. Të ritheksoj se
shqiptarët ishin asokohe dhe në shumicën e periudhave historike mbështetës të
perëndimit. Ata kanë ditur, kur janë udhëhequr nga njerëz të dijes, të urtësisë
dhe atdhetarë të orientohen edhe në periudha të vështira. Pjetër Bogdani është
një prej këtyre ikonave që ka ditur ta orientojë historinë tonë kombëtare drejt
interesit shqiptar!
Së
dyti, të argumentoj se propaganda nacionaliste serbe e ndërtuar mbi bazën e
miteve të shpikura gati një shekull pas kësaj beteje nga etnografi i shquar
serb, Vuk Karaxhiç, është një sajesë e shpifur antishqiptare. Të vetmin synim
që kjo propagandë ka pasur dhe ka ende sot ka të bëjë me projektet për krijimin
e Serbisë së Madhe. Këtij qëllimi i shërben dhe projekti i fundit për ndarjen e
Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve.