Faleminderit
Ibrahim Kabili: Fitnete Rexha - Mbretëresha e këngës së muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme
E diele, 08.09.2019, 03:00 PM
Fitnete Rexha - Mbretëresha e këngës së muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme
Nga
Ibrahim Kabili
Si motiv për të bërë këtë shkrim modest për një
këngëtare kaq të madhe si Fitnete Rexha u bë libri i Skënder Farkës "Flet
Fitnet Rexha". Librin e dhuruar nga Farka e rilexova enkas për shkrimin.
Më 14 gushtin e sivjetëm Fitneti mbushi 16 vjetorin e ndarjes nga jeta. Të shkruash
për Të është kënaqësi njëkohësisht dhe
obligim i madh. Brezi jonë është lindur, rritur dhe po merr udhë me këngët,
zërin dhe vokalin e sajë melodioz e të pa përsëritshëm. Njëherësh është
vështirë të përshkruash në këtë
shkrim modest jetën dhe veprimtarinë
artistike të mbretëreshës së këngës së muzikës popullore të Shqipërisë së mesme
Fitnete Rexha.
Fitneti
lindi nëTiranë më 3 mars 1936. Ajo qe fëmija i tretë i familjes Deliu.
Prindërit e sajë Rexha dhe Bihana rritën pesë fëmijë. Babai Rexha qe patriot
dhe atdhetar i flaktë. Ai ka marrë pjesë dhe ka dhënë kontribut në disa momente
kyçe të historisë së Shqipërisë, si shoqërues i Ismail Qemalit për në Vlorë më
1912, në Luftën e Vlorës 1920, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si
partizan dhe komandant mjaft i zoti, deri më 29 nëntor 1944 në çlirimin e
vendit. Nëna e saj Bihana qe vajzë e familjes së fisme Hima, në Tiranë.
Pas
vrasjes së babait të saj barra e rëndë e
familjes i ra nënës së saj Bihanës. Pas vrasjes së babait më 1946, familja e
saj u bë familje dëshmori.
Në
këtë mjedis familjar u lind dhe po formësohej gradualisht këngëtarja dhe
artistja e re Fitnete Rexha. Këngën Fitneti e ka filluar herët, që kur ishte
fëmijë. Si model i parë për të ka shërbyer nëna e saj. Si fëmijë kishte prirje
në muzikë dhe siç shprehej ajo më para mësoja meloditë dhe më vonë fjalët e
vargjet e këngëve.
Nga
viti në vit e rritej repertori i këngëve të kënduara nga Fitneti. Gjatë
karierës së saj pothuajse 50 vjeçare ajo ka regjistruar rreth 200 këngë. Ndër
to mund të përmendim: Ti moj delja, delja rudë; Pse më rrin kaq vranu; Kënga e
unazës; Jallah ç'është kjo jeta; Kënga e Rexhës; Qyqja e beharit; Qan lulja për
lulen; Kënga e Mine Pezës; Shoqet e tua moshatare; Mu aty te shtat zymbulat;
Ç'na ka naze kjo dashnia; Fryni era u çel taraba; Bukuroshja e lalës; Bubullim
ke shkomi i Kavajës; Edhe gurët e sokakut; Fërfëlloi fëllënxa në ujë; Ke ullini
n'kodersen; Kno moj qyqe se po vjen behari; Mo mir n'pyll se n'qytet;
Trandafilin kur ta dhashë; Fustanin me pika; Hije e bukur të ka ra; Me gëzim po
shkoj në punë; Çu çush herët sabahile; Kënga e Halil Garnes; Shomija e beqarit;
Unë jom djalë e nuk jom plak; Moj Tiranë e Bukur; Martaneshin sunë e shtroi;
Bilbili këndon mbi rrasa; Dashuria si rrufe; Dola tek porta e kalasë; Erdh
pranvera; Ke selvitë; Një ditë t'diele; Një lulishtë me trëndafila; Nëmëngjes
lava zytë e zezë; Rrush i kuq i bukuro; Ke plepat e Brukës; Goca e katundit;
Metelikun që të kam fal; Ke selvit e Namazgjasë; Karajfili në saksi; O dy të
bukura; Çu dëshirush me të pa ty; Dashurinë që kam për ty; Dil të shoh me sy;
Hajde moj selvie; Hypi djali n'moll; Jam bandill; Jelekun kadife; Këputa një
trëndafil; Kurvelesh; Moj dashnore; Moj e bukura su mëshqerrë; Mori gocë me
halle shumë; Mos të vijë keq moj bija ime; Mësuesja mirditore; Mu në krye të
pazarit; Oh këtë unazë; Po filloj me t'u ankue; Po shkon goca me korr n'arë;
Qenke veshun me të bardha; Ti more pashë gjetsh belanë; Kënga e valezakes;
Kënga e Myslym Ketës, etj.etj.
Siç
shihet repertori i këngëve të kënduara nga Fitnetja qe shumë i gjerë dhe i
larmishëm. Të gjtha këngët e sajë janë lirike, epike, këngë dashurie, trimërie etj.
Pikërisht ndjenja e bukur e dashurisë dhe trimërisë e kanë shoqëruar këngëtaren
në të gjitha këngët, të cilat i këndoi me pasion e gjithë fuqinë e shpirtit të
saj.
Që
në fillimet saj, krijimtaria artistike do merrte një udhë të mbarë dhe të
pakthyshme deri në daljen e saj në pension. Një rol shumë të madh në
formimin e saj artistik që në fillimet e
para si artiste kanë luajtur muzikantët e mirënjohur Ramadan Sokoli, dhe Muharrem Gurra. Grupi artistik i drejtuar
prej tyre, dhe ku Fitnetja ushtrohej me
ta, krijoj një repertor me këngë qytetare të Shqipërisë së Mesme. Fitnetja u bë
këngëtarja bazë e grupit.
Në
vitin 1951 këngëtarja e re merr pjesë në
Festivalin
e Këngës dhe Valleve Popullore të të Tiranës. Ajo performon me dy këngë, pritja
e publikut qe e mrekullueshme. Juria e vlerëson me çmim të parë. Në këtë
periudhë u inçizua nga Radio Tirana kënga e parë e
Fitnetit
dhe zëri i saj filloi të buçiste në Radio. Pas kësaj Fitnetja këndoi në mjaft
koncerte në gjithë Shqip?rinë, dhe pritjet e saj kudo që shkonte qenë të mrekullueshme. Në momentin që spikerja
prezantonte këngën që do të këndonte Fitneti, sallat do ktheheshin në ovacione
dhe suksesi qe i pa diskutueshëm. Krahas saj u aktivizuan dhe Xhevdet Hafizi,
Luçie Miloti, Ramazan Zyberi, Drita Papajani, Naile Hoxha etj... Në udhët e saj
sot Merita Halili, Artiola Toska etj.
Më
1953 Fitnete Rexha fillon punë në Estradën e Tiranës. Tanimi ajo ishte bërë një
këngëtare e afirmuar. Me zërin dhe interpretimet e saj ajo fitoi dhe më shumë
zemrat e spektatorëve. Një ndihmë të madhe për suksesin e saj kanë dhënë:
kompozitorët dhe dirigjentët me emër, grupet orkestrale, udhëheqësit artistik
por dhe poetët që shkruanin këngë dhe enkas për të, etj. Por qershia mbi tortë
ishte Fitneti, e cila me zërin e saj të mrekullueshëm, të ëmbël, melodioz, të
këmbueshëm dhe shumë të dashur për publikun, ngrinte peshë zemrat e tyre. Ajo
bëri epokë në interpretimin e këngës së muzikës popullore të Shqipërisë së
Mesme, dhe kjo epokë, pa frikë mund të themi mban vulën e Saj.
Nga
viti 1957 dhe në vazhdim deri sa doli në pension, Fitnetja ka bërë shumë turne
ku ka shkuar disa herë në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe fshatrat e saj.
Në
në vitin 1957 merr pjesë me grupin e Shqipërisë në Festivalin Botëror të Rinisë
në Moskë. Inerpretimet e saj qenë të shkëlqyera dhe në përfundim zuri vendin e
tretë në nivel botëror. Më 1959 merr pjesë në Festivalin e Tretë të Rinisë në
Vjenë. Në përbërje të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore,
Fitneti dhe grupi paraqiten denjësisht në Festivalin e Helsinkit më 1961 dhe
dhurojnë spektakël që nuk do harrohet kurrë. Po kështu më pas në Turqi dhe
vende të tjera sukseset qenë të mëdha.
Vizita
në Kosovë më 1970 dhe '71 në përbërje të A.SH.K.V.P. qe shumë e veçantë.
Fitneti dhe grupi priten me ovacione dhe duartrokitje të përzemërta nga
vëllezërit e një gjaku. Kur këndonte këngë të Isuf Mëzyrit në Kosovë, ato por
jo vetëm, priteshin shumë mirë e
njerëzit, ati dhe qanin nga gëzimi.
Kudo
që shkoi, si brenda dhe jasht vendit, u prit shumë mirë nga publiku. Emëruesi i
përbashkët i publikut për inerpretimet e Fitnetes në koncerte qe: Ovacione të
vazhdueshme, duartrokitje të pa fundme, rikthim në sallë dhe rikëndim të
këngëve të saj. Ajo mori dhe shumë vlerësime dhe lëvdata nga kolegët,
artëdashësit, spektatori i gjerë, kompozitorët, regjizorët, skenografët madje
dhe nga udhëheqja më e lartë e shtetit të kohës. Në vlerësim të punës mban titullin "Artiste e merituar". E tillë qe,
dhe kështu do mbetet në memorjen e kombit, këngëtarja jonë e madhe Fitnete
Rexha.
Në
aspektin familjar vlen të përmendim se Fitnetja u martua në vitin 1954 me
muzikantin e talentuar Ismail Reka. Ata lindën dy djem, Arbenin dhe Shpëtimin,
të cilët për arsye familjare u rritën nën kujdesin e nënës së tyre. Këto kanë
familjet e tyre shumë të mira dhe janë krenar që janë djemtë e këngëtares së
madhe, Fitnete Rexha.
Këto
rreshta, ky shkrim modest, ju kushtua Fitnetes në 16 vetorin e vdekjes. Ajo u
nda fizikisht nga jeta, por jo nga mendja dhe zemra e shpiptarëve. Ato e deshën
dhe e rrespektuan shumë këngëtaren tiranase, divën e muzikës popullore të
Shqipërisë së Mesme, mbretëreshën e saj, Fitnete Rexha.
Tiranë më 05.09.2019