Faleminderit
Alfred Papuçiu: Nonda Bulka një prej korifenjve të letërsisë shqipe
E merkure, 14.08.2019, 07:37 PM
Nonda Bulka një prej korifenjve të letërsisë shqipe
Sa
më shumë ikin vitet, për mua mbetet i paharruar profesori i letërsisë frënge në
Fakultet, Nonda Bulka
Nga Alfred
Papuçiu
U
mbushen 113 vjet nga lindja e njërit prej korifejve të letërsisë shqipe,
shkrimtarit Nonda Bulka. Kushdo që ka patur fatin të bisedojë me të, të dëgjojë
fjalët e tij, të shohë fytyrën e tij të vrarë nga jeta, por të qeshur, ndjen
një nostalgji të thellë, pasi ai nuk ndodhet më midis nesh, qysh nga viti 1972.
Arbëri, siç e quante ai veten me krenari, mbetet gjithmonë pranë nesh. E shihje
gjithmonë të menduar me ato flokët e tij të gjatë, që e fisnikëronin atë burrë
jo shtatgjatë, me një shikim të mprehtë dhe me sy të kaltër. Në jetën e tij të
shkurtër 66-të vjeçare (1906-1972), ai kishte qënë një prej penave më të mira
midis shkrimtarëve të sërës së vet. Kishte shkruar shumë, por botuar pak.
Kishte shumë për të thënë, por fliste pak. „Letërsia, shprehej ai në leksionet
që na jepte në gjuhën frënge, „është mënyrë e të shprehurit, thellë, si dhe
pasqyrë e vërtetë e mjedisit social“.
Duke
qënë një prekursor i letërsisë së viteve 30, ku ai kishte kritikuar hapur dhe
me satirë regjimin feudal dhe padrejtësitë e kohës, Nonda Bulka më tepër ju
kthye veprave të tij të atyre viteve, në mënyrë që të mos sulmonte
drejtpërdrejt mangësitë e regjimit komunist dhe mungesën e të drejtave të
njeriut. Ai kishte shumë merita, por kurrë nuk u mburr dhe nuk kërkoi aq sa në
të vërtetë i takonte! Ishte trim dhe krenar që ishte shqiptar, gjë që e kishte
shprehur edhe gjatë kohës që kishte bërë burg në Kështjellën e Ali Pashë
Tepelenës. Më 1934 botoi me pseudonimin e tij Chri-Chri shkrimet e tij therëse,
fejtone dhe skica, nën titullin « Kur qan e qesh biblili ». Bashkëpunoi tek «
Besa », « Flaga »,« Rilindja » (Korçë),
« Bota e re » (Tiranë), « Diana ». Profesor Nonda bashkëpunoi dhe me gazetat
dhe revistat « Arbënia », « Përpara », « Përpjekja shqiptare » etj., ku trajtoi
probleme të shumta politike dhe shoqërore. Vite më pas çlirimit ai ju
përkushtua punës si pedagog i gjuhës shqipe dhe frënge, por dha dhe një
ndihmesë të çmuar me shkrimet e tij therëse në revistën « Hosteni ». Në vitin
1962 botoi « Bota siç ish kur qante dhe qeshte bilbili », si dhe një numër
vëllimesh në prozë, por që janë më tepër publiçistikë letrare. Poezitë e Nonda
Bulkës janë me tipare origjinale dhe që transmetojnë emocione të veçanta. Ato
përbëhen shpesh nga vargje të figurshme e të ndjera, ku shprehet dhimbja dhe
gëzimi, satira dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Ato shquhen për
vargëzimin klasik, për ekuilibrin midis thënies dhe domethënies. Ato shprehin
temperamentin e autorit, gazmor dhe meditues, i zemëruar me të paudhin, por
vrasës me pambuk…Shkrimtar realist dhe satirik, ai me veprën e tij luajti një
rol të veçantë për zhvillimin e satirës dhe të një letërsie sociale me frymë
demokratike. Nonda Bulka mbante lidhje të forta me vendlindjen, dhe shprehte me
pathos dashurinë për njerëzit e thjeshtë të Përmetit, të cilët e bënë edhe
„Qytetar Nderi“.
Para
54 vitesh, në vitin 1965, kur i thashë njëherë profesorit tim të nderuar të letërsisë
frënge në Universitet, me të cilin kuvendoja shpesh, se e kishin cilësuar jo më
kot: « Biblil i Përmetit », ai m’u kthye duke ndezur si zakonisht atë gjysëm
cigaren e tij : « Dëgjo, i dashur Fredi, Përmeti dhe Shqipëria kanë patur dhe
kanë njerëz të shquar, më tepër se unë ». „Megjithatë, vazhdoi ai, unë jam
arbër dhe arbëri është gjithmonë i lashtë dhe është gjithmonë i ri“. I kujtoj
këto fjalë të profesorit tim të nderuar, Nonda Bulkës që shprehin botën e tij
shpirtërore, të mishëruar në veprat e tij madhore që do të mbeten në duart e
lexuesve, në jetë të jetëve. Ato shprehin pavdekësinë e profesorit,
shkrimtarit, poetit, humoristit, njeriut-njeri, fisnik; profesorit që vinte në
Fakultet, si flutur, me biçikletën e tij „Bianki“. Ashtu i thjeshtë siç ishte
dhe mbeti gjithë jetën e tij të shkurtër.
Atëhere
nuk e zgjata, pasi nuk i pëlqente lavdërimet. Por tani që ai nuk është më midis
nesh, i lejoj vetes t’i thurr lavde atij njeriu të madh, por tepër modest. Edhe
kur bënte vërejtje për ndonjë shkrim të botuar apo shkruar nga studenti i tij,
përpiqej që të « vriste me pambuk ». Bënte vërejtje shoqërore, por me tepër
takt dhe maturi. Dhe të nxiste të shkruaje dhe të botoje.
Nonda
Bulka, nuk i duroi asnjëherë padrejtësitë shoqërore, bile edhe kur ishte me ne
si profesor letërsie. Nuk e përtypi mirë meskinitetin e një pedagogu profan N.
që pengoi një grup të studentëve të tij të vazhdonin studimet jashtë shtetit,
në Francë, pasi sipas atij pedagogu « ishin akoma të rinj »(?!). Nonda ishte
ngritur kundër, por ai pedagogu me ofiq i vitit…1966 « kishte fituar » me
argumentat e tij banale. Merrej edhe me përkthime nga letërsia frënge, të cilën
na e shpjegonte me aq pasion e bukuri. Shpesh qëndronin me sy të ngulur te
shikimi i tij serioz, te pamja e tij njerëzore, shprehëse dhe e zgjuar, kur na
tregonte me elokuencë për Hygoin, Rabelenë, Dumasin, Merimenë, Lamartinin,
Mopasanin, si dhe pena të tjera të shquara të letërsisë franceze, atje në katin
e dytë të Fakultetit të Histori-Filologjisë. Megjithëse ishte një nga
personalitetet e shtypit të viteve ’30, polemist i shtypit të atyre viteve, ai
fatkeqësisht është përmendur pak nga kritika e viteve të mëvonshme ose mund të
themi se është anashkaluar pa të drejtë. E vërtetë se ishte modest së gjalli
dhe nuk pranonte të jepte intervista apo të afishonte dijet, zgjuarsinë e tij
të pamasë, por meritat e tij njihen nëpërmjet poezive, prozave poetike e
sidomos skicave humoristike. Vepra e tij është tepër aktule. Nonda Bulka njerëzori, i urti, i dashuri, i
dhëmshuri, e meritonte më tepër të përmendej jo vetëm për to, por edhe për
përkthimet me vlerë nga shkrimtarët francezë, për përmbledhjet e « Tregimeve të
moçme shqiptare » të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko), etj etj. Nga skicat,
fejtonet dhe shkrimet e tij më të mira mbaj mend « Intervistë me Shën Pjetrin
», « Mësim gjeografie », « Vija e vdekjes », « Kujtime tragjikomike », «
Përralla abisine » etj. Profesor Nonda ishte tepër mirënjohës dhe gjatë kohës
që kurohej në Rumani la këtë shënim : « Atdhetarit veteran Dhimitër Kristesku,
i dhuroj këtë vepër modeste, në shënjë mirënjohjeje, për mikpritjen, dashurinë
dhe ngrohtësinë që ka treguar ndaj meje, me gjithë familjen e tij » (Bukuresht,
31 maj 1972). Gjyshi i sime shoqeje, Dhimitër Kokoneshi që e kishte patur
profesor Nondën shok të ngushtë, pasi
qëndronin bashkë në pushime në Pogradec, tregonte se ishte njeri me karakter,
nuk mashtronte kurrë kur luanin sëbashku me letra, apo edhe e quante tepër
modest, kur shokë të tjerë të një moshe pak a shumë të avancuar, nxirrnin meritat
e tyre të « Luftës ». Ai vetëm buzëqeshte dhe vështronte me shikimin e tij të
mprehtë, por tepër domethënës…U nda nga ne nga kjo jetë, më 14 nëntor 1972,
pasi e breu sëmundja e pashërueshme, njeriun e mirë, të çiltër, të madhin Nonda
Bulka.
Kam
shumë kujtime nga profesori im i paharruar Nonda Bulka. Gjatë viteve të
Fakultetit, nga bisedat e çiltëra me të, kur pushonte pak të pinte gjysmën e
cigares, apo kafen ekspres, apo atje në apartamentin e tij të vogël, në rrugën
e Durrësit. Për mungesë vendi po ju tregoj njërin prej tyre.
Ishte
pranverë e vitit 1966. Profesori ynë Nonda Bulka hyri në klasë dhe nuk na
kërkoi si zakonisht leje për të pirë një gjysëm cigare, por na tha : “ Sot
letërsinë, nëse jeni dakord, do ta bëjmë jashtë në natyrë, afër kodrave të
liqenit artificial ”. Nuk e di por ishte diçka e veçantë që do ta ruaj si
kujtim gjithë jetën time, ashtu si edhe bashkëstudentët e vitit të dytë të
degës së frëngjishtes. Chri-Chri, pseudonimi i tij letrar në vitet 30-të, na
shpjegonte me aq dashuri dhe përsosmëri ecurinë e letërsisë frënge, sa ne
shpesh kishim dëshirë të qëndronim akoma më gjatë me të, edhe pas rënies së
ziles që tregonte mbarimin e orës së mësimit. Ai kishte qënë një nga nxënësit
dhe profesorët më të mirë të Liceut francez në Korçë dhe kishte studjuar jashtë
shtetit. Kishte udhëtuar dhe lexuar shumë dhe dukej që kishte një formim të
përkryer që shprehej dhe në leksionet që na jepte, në shkrimet e tij realiste
dhe tepër të forta në ide. Flisnim bashkë për letërsinë, i tregoja shkrimet e
mija ku më bënte vërejtje të sakta, si fëmijës së tij, thjesht si një prind i
vërtetë. Më tepër më qortonte im atë që kishte një jetë të tërë si gazetar dhe
nuk donte qëllimisht që unë të futesha në rrugën e vështirë të shkrimit.
Profesor Nonda ishte njeri i madh dhe na donte si fëmijët e tij, na qëndronte
pranë, na këshillonte, sepse jeta e tij tërë dallgë, nuk i kishte falur një
fëmijë të vetin. Pengu i jetës së tij që deri diku largohej në çastet që ai
qëndronte midis nesh, si i njëjtë me ne, pa artifica e mëndjemadhësi.
Profesor
Nonda na thërriste herë pas here në shtëpinë e tij në rrugën e Durrësit, ku
diskutonim me pasion për letërsinë frënge dhe shqipe dhe ku na servirte edhe
ndonjë raki nga Përmeti i tij. Ishte një apartament i vogël prej një dhome dhe
një guzhinë. (Nuk kishte kërkuar më tepër, edhe pse njëherë i kishte shkuar për
vizitë E.Hoxha, pasi kishin qënë bashkë në Liceun e Korçës). Nonda Bulka
shprehej herë pas here me humor ; "Shtëpi e ngushtë, zemër e gjerë".
Kështu ua priste me të qeshur, mjeshtri i prozave poetike e skicave
humoristike, të gjithë atyre që vërenin jo pa keqardhje, dhomën ku jetonte së
bashku me të shoqen. Në apartamentin e ri, Nonda Bulka jetoi dy muajt e fundit
të jetës së tij. Pas marrjes së shtëpisë, e vetmja dëshirë që shkrimtari donte
të realizonte, ishte që të sistemonte veprën e tij në një dhomë, gjë që i
kishte munguar gjatë gjithë jetës. Por vdekja s'e priti. Kjo është edhe ëndrra
e Qefserit, kthimi i një dhome në muze ku do të jenë të ekspozuara të gjitha
veprat dhe objektet më të dashura të shkrimtarit.
E
kujtonte me mall, shtëpinë e tij të fëmijërisë në Leusë të Përmetit,
veçanërisht atë verandën e madhe ku gjente prehje, të cilën e gjeti të djegur.
Si gjithmonë, Chri-Chri (pseudonimi me të cilin shkruante Nonda Bulka), çdo
ngjarje, sado të trishtë, do e shoqëronte me humor. Edhe në rastet kur humorin
s'e bënte ai, e bënte vetë ngjarja. Qefseri, ish-bashkëshortja e tij, kujton se
kur arriti Nonda në Leusë për të parë shtëpinë e tij, e morën për diversant.
"Shumë pak njerëz e njihnin se ishte larguar për studime, e vetëm pasi e
verifikuan në polici e lanë të lirë", kujton ajo duke shtuar se Nonda të
bënte të qeshje me lot kur e rrëfente historinë. Në këtë shtëpi, u dogj nga
nazistët biblioteka e tij aq e madhe saqë iu kishte rënë në sy edhe ushtarëve,
që kishin thënë se këtu paska jetuar një njeri shumë i rrezikshëm. Në vitin
1972, atij i dhanë një dhomë në rrugën e Durrësit, në Pallatin e Oficerave,
pasi u transferua me punë në Shkollën e Partisë, ku jepte lëndën e gjuhës.
"Meqe jemi te shkolla e Partisë, po kujtoj një humor që Nonda e tregonte
shpesh", thotë Qefseri. "Nonda po bënte diktim një ditë, dhe kur po i
korrigjonte fletoren një gjenerali i thotë përse fjalën "Partizan" e
ke shkruar me të madhe dhe fjalën "hitler" me të vogël? - Po
partizanët ishin heronj, ndërsa Hitleri ishte pushtues. -Po gramatika nuk e ka
kështu- iu përgjigj Nonda. -Epo atëherë, ajo është gramatikë borgjeze- i thotë
gjenerali"
Me
të tillë humor profesori mblidhte në shtëpinë e vogël, shumë miq të tij.
Kur
shkonim në apartamentin e tij, shihnim ndonjëherë televizorin, pasi në atë kohë
ishin të rrallë. Kishte marrë në Rumani, një xham me ngjyrë për televizorin dhe
shikimi ishte me një refleks disa ngjyrësh. Në Rumani kishte shkuar për t’u kuruar
nga gryka, sëmundje që fatkeqësisht ja shkurtoi jetën. Dhe një ditë e përcollëm
në banesën e fundit në vitin 1972, në moshën 66 vjeçare.
Profesor
Nonda kishte një bibliotekë shumë të pasur, sidomos me autorë francezë, por
edhe të vendeve të tjera ku kishte vajtur, si autorë rumunë dhe herë pas here
na jepte libra për t’i lexuar. Njëherë një shok i fakultetit tonë u bë gati të merrte një libër nga biblioteka.
Profesori, pa u ngritur, por me zërin e tij impulsiv, pjesë e karakterit të
tij, e ndërpreu në hovin e tij : “ Djalë, para se të marrësh atë libër, ki
parasysh se duhet të kthesh tjetrin që ke marrë ”…Dhe shtoi: “Dua t’u le dhe
brezave të tjerë të shfletojnë librat e mi”. Kujtimi, shoku ynë i klasës, që u
largua shpejt nga kjo jetë, me atë të qeshurën karakteristike, na bëri edhe
neve që të shpërthenim në gaz.
Ky
ishte një mësim i bukur për çdonjerin nga ne. Qysh atëhere më ka mbetur pasion
i veçantë t’i ruaj me kujdes librat, kudo që kam qënë, në banesën time në
Tiranë dhe kudo që më kanë çuar rrugët e jetës. Në ato mijra botime mbaj si të
ralla disa libra të profesorit tim Nonda Bulka, si dhe të profesor Vedat
Kokonës.
Shkëmbi i Kavajes 12
gusht 2019