Faleminderit
Alfred Papuçiu: Bedri Dedja- shkrime dhe vlerësime për të
E diele, 14.04.2019, 03:29 PM
Bedri Dedja- shkrime dhe vlerësime për të
Pergatitur nga Alfred Papuçiu
Edhe njëherë për sekretin e talentit
Prof. Akademik Bedri Dedja
1. Si nisi projekti i një bisedë të pazhvilluar me
gjimnazistë të Fierit për problemin e talentit .
Isha ftuar për të zhvilluar një bisedë me gjimnazistët e shkollës së mesme jo
publike “Dertliu” të Fierit për problemet e talentit. Unë nisa të përgatitesha,
por papritur më erdhi lajmi se shkolla nuk kishte mundësi të më merrte nga
Tirana me makinën e vet .
Gjer në momentin që më lajmëruan për të mos u nisur, kisha hedhur këto shënime,
të cilat nuk dëshiroj t’i lë jashtë këtij trajtimit tim, të titulluar “Edhe një
herë për sekretin e talentit” në vazhdim të librit tim “Sekreti i talentit” të
botuar në vitin 1998, me shpresë se ky punim do të lexohet, sidomos nga
gjimnazistët përmes revistës tuaj të sukseshme dhe hipnotizuese.
Ftesa e shkollës “Dertliu” ishte një nga ftesat, që unë kam pranuar më me
kënaqësi gjatë jetës dhe veprimtarisë sime si psikolog . Këtë e them për dy
arsye.
E para, sepse mosha e gjimnazistit është mosha që duhet respektuar më shumë në
këtë botë, mosha e resurseve intelektuale dhe e shpërthimit të talenteve. Unë
nuk e harroj kurrë atë, që thoshte mësuesja ime e kimisë Famioni Avrami, kur
isha vetë gjimnazist në vitet 1945-1949: “Jetojeni dhe shpaloseni moshën e
gjimnazistit! Ajo ështe mosha më e bukur dhe më potenciale në jetën e njeriut!”
E dyta, sepse qytetin e Fierit unë e njoha pak më vonë në moshën
njëzetetrevjeçare, atëherë kur këtij qyteti i “rrëmbeva” për grua një vajzë që
quhej Pandora Papuçiu. Pas kësaj historie, unë vija shpesh në Fier . Një herë,
në një takim me lexuesit e vegjël fierakë e nxora veten edhe pakëz fierak. Si
ndodhi kjo? Ata më pyetën: “Nga jeni ju, xhaxhi Bedri, me origjinë?”
U zura ngushtë, por përgjigjen e sajova shpejt e shpejt kështu: “Jam gati-gati
me origjinë mbarëshqiptare! Jam, si të thuash, jo katër, por pesëçerekësh. Një
çerek korçar, pasi kam lindur në Korçë. Një çerek elbasanas, sepse origjinën e
babait e kam nga malësitë e Shpatit, siç duket edhe nga mbiemri. Jam një çerek
shkodran, pasi atje mbarova shkollën fillore. Jam një çerek durrsak, sepse
kisha nënën durrsake dhe sepse në Durrës kam mbaruar shkollën unike dhe
gjimnazin. Po jam edhe një çerek fierak, sepse kur të pyesin, thua jam nga
fshati i gruas!” Sigurisht kjo nuk ishte kryesorja. Për mua kryesorja ka qenë
se Fierin e kam njohur si një bahçe pjellore myzeqare të talentëve të fuqishëm.
Mund të përmend me këtë rast disa, të cilët në numër zor se i përfshin edhe
amza e një shkolle, pasi ata janë shumë e në shumë fusha në zonën
Fier-Mallakastër.
Unë po kufizohem vetëm në dy fusha, si ajo e artit dhe e shkencës. Të tillë
kanë qenë Jakov Xoxa e Miço Kallamata, Tuni Papuçiu e Nasho Jorgaqi, Kasem
Trebeshina, Tashko Lako e Kristaq Shtëmbari, Leonidha Prifti, Xhevat Beqaraj e
Xhevdet Shehu, Aristotel Miçi e Arqile Daulle, ndonjë e re si Erdis Prifti që
doli me vëllim poetik që në bangat e shkollës. Në fushën e muzikës mund të
përmendim shumë, të cilët kanë përfaqësuar me sukses muzikën tonë edhe jashtë
shtetit, si Timo Lule e Pandora Papuçiu, Gjystin Papuçiu e Lindita Sota, Raqi
Kuko e Mirela Sapiqoti e Miti Nushi, nga të cilët ky i fundit është bërë i
pazëvendësueshëm në gëzimet familjare të fierakëve me orkestrën e tij
mbresëlënëse. Të mirënjohur janë ata të skenës, si Kadri Roshi e Mevlan Shanaj,
Luftar Pajo, Fuat Boçi e Marika Kallamata. Nga Fieri është balerina, Artiste e
Popullit Zoica Haxho. Nuk mund të harrohen artistët e penelit si Janaq Kilica,
të cilit ia preu veprimtarinë plumbi i armikut, por atë e vazhdoi i vëllai,
Artisti i Popullit Vilson Kilica; një nga veprat e tij madhore, në ballë të
Muzeut Kombëtar Historik ne e përshëndesim çdo mëngjes në Tiranë. Në
krijimtarinë shkencore janë shquar i madhi Jakov Milaj me talent të shumanshëm,
matematicieni Edmond Lule, Hysen Emiri studiuesi i traditës arsimore, Iljaz
Gogaj etj.
Po këta janë vetëm ata që kam njohur unë personalisht. Sa të tjerë janë që nuk
kam njohur. I mbani mend këta emra, ju gjimnazistë! Qëmtoni në jetën dhe në
veprën e tyre! Vetëm kështu do të pasuroni shpirtin tuaj dhe do të përvetesoni
teknikën e zhvillimit të talentit tuaj! E them këtë, sepse në konceptin tim,
çdo gjimnazist është një talent potencial i Myzeqesë së begatë dhe gjithë
Shqipërisë.
Ja, tani vimë përballë problemit!
Siç shënova më lart, në vitin 1998 unë botova librin “Sekreti i talentit”, në
të cilin nuk ka përgjigje të prera, si në formulat matematike të Galuanit
(1811-1832).[1] Po ky libër, pavarësisht se është i imi dhe nuk është e hijshme
të lavdërosh veten, ka një të mirë se mund të quhet libri i dyerve dhe
dritareve të hapura, nga të cilat mund të dalësh, ose mund të shikosh për ta
zgjidhur vetë me forcat e tua se cili është “sekreti” i talentit.
Për mua, megjithëse nuk është shkruar pak nga psikologët për këtë problem,
madje me dhjetra e qindra libra, - talenti mbetet ende mister për shkencën. A
do ta zbërthejmë ndonjëherë plotësisht këtë mister? Kam besim se po. Sigurisht,
në rast se unë dhe të tjerë i bashkojmë forcat me ju, gjimnazistët .
Duke u përgatitur për këtë bisedë, më shkoi mendja te disa hipoteza, që duhen
diskutuar e që dëshiroj t’i shtroj para jush.
Ka jo pak njerëz që ende ngulin këmbë se talenti është i lindur, madje thonë se
është dhuratë e perëndisë, e frymës së shenjtë, e rastësisë. Këtë pohim unë e
marr në konsideratë dhe në llogari. Por nga kjo palë, krahu që thotë se talent
kanë vetëm të pasurit me shumë para dhe se atë e trashëgojnë vetëm fëmijët e
pasanikëve, se talenti profetizohet nga një ëndërr e gjumit etj., unë nuk e vë
fare në llogari, pasi kjo i çorodit njerëzit dhe është shprehje e injorancës në
shkencë .
Për shembull, një shkrimtar na përrallis kështu: “Natyrisht që talenti është
dhuratë, që ta jep Zoti, por janë edhe disa këmbë ku mbështetesh”. Po t’i
besosh këtij shkrimtari, rezulton se “Një bletë në ëndrrën time (në gjumë,
shënimi im – B.D.) prej fëmije profetizoi fatin tim si shkrimtar”. Pra, talenti
është dhuratë, atë e mëkon farefisnia, bleta në ëndërr dhe bejtexhinjtë.[2]
Problemi i trajtuar në këtë mënyrë është krejt i thjeshtëzuar dhe i
pabesueshëm. Po të ishte kështu, të gjithë do t’i ruanim me vigjilencë
ëndrrat e gjumit, ose do të vraponim tek plaku i Vitit të Ri për të siguruar
talentin përmes dhuratave .
Une jam partizan i formulimit të hipotezave të reja, por të besueshme. Jam i
tillë sepse, i besoj objektivitetit të gjigandit frances të letrave Gi dë
Mopasan, i cili në tregimin “Im ungji Sosteni” na thotë: “Sa më shumë zgjerohet
mendimi, aq më shumë ngushtohet e panjohura dhe aq më shumë tempuj
shemben”.[3]
Pra, në radhë të parë duhet shtruar hipoteza se është relativisht e pranueshme
teoria se talenti trashëgohet …
Këtu mbaron fillimi i bisedës së pazhvilluar me gjimnazistët e Fierit për të
vazhduar arsyetimet me “Univers” .
Po si duhet kuptuar roli i trashgimisë dhe ndikimi i saj në zhvillimin e
talentit?
2. Kapriçot e trashëgimisë
Që në fillim vihemi përballë dy rasteve të kundërta .
Tek muzikantët e mëdhenj, Shtrausët kemi tre kate të trashëgimisë së talentit:
Gjyshi, biri, nipi. Tek Isyf Myzyri, gjeniu i këngës elbasanase të Shqipërisë
së mesme, gjer te stërgjyshërit e tij dhe prej tij te stërnipërit, gjer më sot
nuk njohim asnjë muzikant tjetër. Pra, tek Shtrausët trashëgmia ndikon, po të
ishte e mundur të shpreheshim kështu, tek tre breza te familjes dhe pastaj
shohim stop; kurse tek Myzyrët talenti shfaqet papritur te një individ pa
trashëgimi as përpara as prapa. Si do të mund t’i shpjegonim këto dukuri?
Duke u mbështetur në raste si këta si dhe në raste të tjera të ngjashme, të
lind një farë e drejte për të shtruar këtë hipotezë:
Talenti mund të lindë edhe jashtë trashëgimisë, pa predispozita të lindura, pa
gene të trashëguara me paraprogram dhe kod, si shtrat favorizues i tij. Në
raste të tilla talenti është një shpërthim i paparashikuar i individit të
veçantë në rrethana të veçanta të jetës, të natyrës, të prirjeve jetësore,
karakterit të individit etj. Bazë për këtë lloj talenti mund të jenë, sidomos
prirjet që ushqehen nga rrethanat në të cilat jeton ky individ.
Në favor të kësaj hipoteze le t`u referohemi disa shembujve .
Isuf Myzyri, i cili, siç kemi thënë, nuk pati as përpara dhe as prapa në
trungun e tij gjeanologjik muzikantë të mëdhenj si vetja. Atëherë ç`mund të
thuhet për rrethanat jetësore që bënë të mundur shpërthimin e talentit të
tij?
Biografi më serioz i tij na jep disa të dhëna, që duhen analizuar në lidhje me
këtë dukuri.[4] Isuf Myzyri ishte i frenuar në shoqëri “nga pjekuria e
parakohshme“, “Isufi i vogël … dëgjonte me vemendje. I mendueshëm paraqitej çdo
ditë … Jo si fëmijët e tjerë të hedhur … Dëgjonte, mendonte, vështronte ... U
largohej bisedave të kota”. Megjithëse ishte analfabet, Isyf Myzyri, si krijues
i madh thoshte: “Mundohem shumë … lodhem … Është një punë e gjatë për krijimin
e një kënge … Më ka ndihmuar shumë kënga e popullit … Kur më vjen “ashku”
(frymëzimi, shenimi im-B.D.) krijoj vjershën strofa-strofa. Punoj me mend ditë
e natë, deri sa e mësoj ezber ... Kur shikoja që kisha mbaruar punë, thërrisja
ndonjë njeri me kalem ... dhe pastaj e fusja në tefter … e krijonte melodinë me
mend, pastaj me zë e më vonë me tekst … Nuk lodhej duke korigjuar”. Biografi i
tij Thanas Meksi, në librin e vet na kumton: “Isuf Myzyri kishte shumë nipër e
pak mbesa, e shumë stërnipër … Të mirë e puntorë ke Zoti … Po ç’e do, asnjë
prej tyre nuk doli muzikant apo këngëtar”. Pra, po të shprehemi në gjuhën e
shkencës, si muzikant i madh ai nuk trasmetoi as trashëgiminë e vet sociale,
arritjet si kompozitor e poet. Se ç`mund të ndodhë pas dhjetë brezash, kjo
është tjetër gjë, po në rastin e talentit të Isyf Myzyrit dhe paraardhësve dhe
pasardhësve të tij, kemi të bëjmë me një dukuri jashtë trashëgimisë nga poshtë
dhe nga lart.
Atëherë ç`duhet të thuhet për premisat jashtëtrashëgimore, sociale, që
favorizuan talentin e tij? Ato, do të thosha unë, kanë qenë katër: shfaqja e
interesit për këngën popullore që në fëmijëri (e para), maturia dhe aftësia e
tij për të dëgjuar me shumë vëmendje (e dyta), natyra medituese (punonte me
mend, e u largohej bisedave të kota) (e treta) dhe vullneti i madh për punë e
për të krijuar (e katërta), pa nënvleftësuar shprehitë e tij instrumentale si
violinist (pasi në këto të fundit tek ai nuk spikat ndonjë talent i
veçantë).
Një shembull tjetër i lindjes së talentit, madje gjenisë jashtëtrashëgimore ka
qenë Juri Gagarini. Ai, si njeriu i parë që flutoroi në kozmos, mund të quhet
pa hezitim gjeni. Gjenitë janë ata që krijojnë epokë dhe ai krijoi epokë, sepse
hapi dyert e pushtimit të kozmosit nga njeriu.
Në librin e tij Gagarini ka shkruar: “Im atë dhe nëna, ashtu si edhe gjyshet e
stërgjyshet, - janë fshatarë. Shpërtheu gazi kur mora vesh që jashtë shtetit
dikush kishte hapur fjalë gjoja sikur unë rrjedh nga një familje e njohur
princërore e Gagarinëve, të cilët para revolucionit (fjala është për
Revolucionin e Tetorit 1917, shënimi im – B.D.) kishin patur pallate dhe
fshatarë bujkrobër …”.[5]
Në këtë libër jepet bukur shkallë-shkallë se si u formua dhe u zhvillua gjenia
e Gagarinit, pa trashëgimi në talent, aq më shumë në një fushë krejt të re për
njerëzimin, përmes punës dhe studimit, po edhe përmes premisave të tjera
sociale. Juri Gagarini mban mend se për babanë e tij në fshat thuhej: “Aleksej
Gagarini i ka duart e arta”, ai ishte zdrukthtar, murator, bujk dhe mekanik.
Këto zanate ia mësoi edhe të birit, kozmonautit të ardhshëm. I ati lexonte
shumë. Kur Juri ishte me studime fitoi zanatin e shkrirësit për reparte
fonderie në një shkollë të rezervave të punës, më tej në teknikumin industrial
të saratovit. Me këtë shkollë lidhet, siç shprehet ai, “shfaqja e sëmundjes
sime, që në mjeksi nuk ka emër, tërheqja e papërmbajtshme drejt hapësirave
qiellore, pasioni për të fluturuar me avion”. Në këtë shkollë në rrethin e
fizikës, Juri përgatiti një referat me temën “K. Ciollkovski dhe studimet e tij
mbi motorët e raketave dhe udhëtimet ndërplanetare”. Që dymbëdhjetëvjeç ai
lexonte shume letërsi fantastiko-shkencore, sidomos veprat e Zhyl Vernit, Xhek
Londonit dhe Aleksandër Baljajevit; “nga referati për punimet e Ciollkovskit, –
shprehet Gagarini, – nis edhe biografia ime “kozmike”. Pastaj u regjistrua në
një aeroklub, nisi hedhjet me parashutë, vazhdoi studimet në shkollën e mesme
ushtarake të aviacionit në Orenburg. Nisi të skicojë anije kozmike, t`ia
kushtojë gjithë kohën e lirë leximeve, sidomos tregimeve e romaneve nga jeta e
aviatorëve.
Pra, cilat qenë premisat sociale jashtëtrashëgimore të gjenisë së Juri
Gagarinit? Përvetësimi i shumë zanateve që në fëmijëri, horizonti i gjerë në
veprimtari, interesi i jashtëzakonshëm për fluturimet në qiell, studimi i
pandërprerë e me pasion i çdo letërsie që lidhej me kozmosin dhe veç këtyre
(ajo që autori nuk e thotë në librin e vet) guximi mbinjerëzor për t’u hedhur
në hapësira, çfarë në fillim u konkretizua me hedhjet me parashutë.
Duke u nisur nga të gjitha këto arsyetime, unë bashkohem plotësisht me mendimet
e kolegut tim kosovar, Prof. Dr. Riza Brada, i cili ka thënë: “Nxënësit e
zgjuar dhe talentë do të zhvillohen dhe afirmohen si të tillë, në mënyrë
intensive dhe adekuate, atëherë kur qenia e tyre në zhvillim pranon impulse
psiko-sociale pozitive nga të gjithë faktorët edukativë … në mënyrë të posaçme
nga prindërit dhe edukatorët e tjerë të grupit social, të cilit i përkasin dhe
nga ndikimet dhe veprimet e të cilit mund të lirohen lehtë dhe pa pasoja në
zhvillimin e mëtejmë. Nga faktorët e tërthortë edukativë, që mund të ushtrojnë
ndikim të fuqishëm pozitiv në zhvillimin dhe afirmimin e nxënësve të zgjuar dhe
talentë duhet patur parasysh mjetet e mediumit masiv si dhe shoqatat
kulturore-artistike, fjala vjen, ato muzikore, teatrale, klubet e ndryshme,
sidomos teknike etj.”[6]
3. Si duhet kuptuar koncepti “Punë Titanike”
Një nga faktorët socialë jashtëtrashëgimorë për zhvillimin e talentit dhe
gjenisë është puna titanike, që kryen njeriu mbi vetveten dhe objektin e
krijimtarisë, forca morale në drejtim të veprimtarisë, që ai ka zgjedhur si
kredo të jetës. Në këtë drejtim na vlen si një shembull fanar jeta dhe vepra e
gjeniut shqiptar Aleksandër Moisiut. Për të është shkruar shumë, por mua më
kanë tërhequr vëmendjen, sidomos arsyetimet e mjekut të famshëm shqiptar Jani
Basho, i cili e pat njohur personalisht në Vjenë dhe ka shkruar për të: A.
Moisiut “iu desh një fuqi morale e lartë që të mos dëshpërohej edhe të mund t’i
kapërcejë pengimet per t`arrirë qëllimin e vet”.[7]
Aleksandër Moisiu, gjeniu i skenës së teatrit, me origjinë nga Kavaja nuk pati
në fisin e vet, as më parë dhe as me pas ndonjë pinjoll që të shquhej e të
shkëlqente si aktor. Pra, edhe ai qe një dukuri jashtëtrashëgimore. Jo vetëm
kaq, por atij iu desh një punë shumë e madhe për të arritur në majat më të
larta të skenës evropiane dhe botërore, pasi në fillimet e veta atë e lanë
jashtë shkollës artistike si të pa talentuar. Kurse një drejtor teatri në
Vienë, kur e dëgjoi Moisiun për herë të parë në një shfaqje, qe shprehur në
mënyrë përbuzëse: “Cili ishte ai këlysh i ri që lihte aq ashpër?”
Me tej Dr. Jani Basho e quan Aleksandër Moisiun “Një nga gjenitë e zgjedhur të
popullit tonë … talent perëndor”, në kuptimin “talent nga perendia”, po i cili
çdo gjë e arriti me punë, pra pa trashgimi, pa pasuri, pa akademira teatrale
burokratike .
Ne teoritë psikologjike për talentin shpesh janë dhënë edhe konsiderata
amatoreske, duke i quajtur talentin dhe frymëzimin, si dhunti, që jepen nga një
forcë e mbinatyrshme, si një rastësi hyjnore e individëve të caktuar e me fat
etj.
Në realitet, çdo shpërthim individual i talentit dhe i frymezimit vjen si rezultat
i punës së madhe e kembëngulëse, i intensitetit dhe veprimtarisë së të
menduarit, i vullnetit titanik, që është në gjendje të mposhtë e të shtyjë gjer
edhe vdekjen, i aftësië së jashtëzakonshme për të vëzhguar në thellësi dukuritë
e natyrës dhe dukuritë shoqërore, për të parë në jetë atë që nuk e sheh një sy
i zakonshëm.
Nuk është e vështirë të bindesh për këto konkluzione teorike, po të thellohesh
në qëmtimin e biografive të njerëzve të mëdhenj, në studimin e përvojës së
tyre.
Kështu, për shembull, për Budën (shekulli VI – V para erës sonë) themeluesin e
njërës prej feve më të përhapura në botë, i cili emrin e vërtetë e kishte
Sidharta , është thënë se ai filloi të merret me vetmi fuqimisht me problemet e
ndjenjave njerëzore. Kur po rrinte një mbrëmje nën një fik të madh, papritur i
tërë mozaiku i mendimeve të tij u sistemua si vetvetiu. Tërë natën Sidharta e
kaloi në mendime të thella. Të nesërmen në mëngjes kishte arritur në bindjen e
plotë se ai ishte Buda, dmth shenjtori.[8]
Po ky moment kulmor i gjenisë së tij nuk erdhi rastësisht, nuk qe rezultat një
ndriçimi momental të mendjes së tij, por pasojë e një pune të madhe përmes
meditimeve, përpjekjeve për të njohur jetën e të gjitha shtresave shoqërore si
dhe dëshirave të flakta për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria. Buda qe i
pakënaqur gjatë gjithë jetës së vet, sepse njerëzit vuanin, prandaj iu kushtua
krejtësisht kërkimit të së vërtetës. Ai nuk u pajtua asnjëherë me mësuesit e
tij, që nuk u jepnin zgjidhje halleve njerëzore, prandaj u bë endacak e asket,
duke i rënë kryq e tërthor Indisë veriore.
Kështu ka ndodhur me kimistin gjenial rus Mendelejevin, që zbuloi tabelën e
periodizmit të elementëve kimikë. Punoi një jetë të tërë, u lodh shumë gjatë
viteve të fundit duke studiuar e medituar për ta harruar tabelën e vet
famëmadhe me vlera të pallogaritshme për shkencën dhe nuk arriti asnjë rezultat
në zhgjëndërr. Një natë ai ra për të fjetur shumë i lodhur pa arritur asgjë.
Sapo e zuri gjumi, në ëndërr iu shfaq tabela e periodizmit me të gjitha detajet.
U zgjua shumë i gëzuar dhe menjëherë e skicoi në letër. A mos ky zbulim gjenial
qe një rastësi, një frymëzim i papritur, që erdhi nga fryma e shenjtë? Jo, ky
zbulim qe rezultat i gjithë punës së tij shkencore të kryer gjatë një jete prej
shkencëtari, zbuluesi dhe shpikësi.
Jashtë trashëgimisë, madje edhe jashtë kujdesit të prindërve, ka shembuj të
tjerë interesantë të shpërthimit të talenteve dhe gjenive, që kanë bërë emër të
madh në historinë e shkencës botërore.
Isak Njutoni (1642-1727) është quajtur shkencëtari më i madh i të gjitha
kohërave, njeriu që nxorri nga errësira ligjet e natyrës, gjeniu më i madh që
ka patur bota. Po ç`trashgimi pati Njutoni? Lindi në familjen e një fermeri jo
të pasur dhe as prindërve nuk u ra në sy se në femijëri atij i pëlqente të
ndërtonte lodra mekanike, modele makinash, ore diellore me ujë si dhe balona.
Megjitheëe ishte fëmijë i zgjuar, në shkollë nuk la ndonjë përshtypje të
veçantë, ishte i pavëmendshëm në mësime. Kur u rrit pak, e ëma u përpoq ta
hiqte nga shkolla, me synimin që ai të merrej me bujqësi si ati. Nëna mendonte
se si bujk ai do të ishte me i sukseshëm në krahasim me shkollën, në një kohë
që ai zgjidhte problema të nderlikuara matematike. Të afërmit u interesuan ta
fusin në Universitetin e Kembrixhit, ku në moshën 25- vjeçare fitoi titullin e
magjistrit, mjeshtrit të arteve. Pjesën më të madhe të zbulimeve ai i bëri në
moshën 27 vjeçare. Pra, Njutoni shpërtheu si gjeni pa trashëgimi të
drejtpërdrejtë.
Lui Pastëri, kimisti dhe biologu i madh (1822-1895) shpërtheu si talent në
moshën 26-vjeçare. Kur qe student nuk u shqua si talent, madje njëri nga
profesorët e tij nuk e vlerësoi fare si duhej.
Pa trashëgimi predispozitash qe shkencëtari i madh Majkëll Faredej (1792-1867),
pa shkollë të rregullt. Në marrjen e kulturës n pjesën më të madhe qe
autodidakt. Kur ishte katërmbëdhjetë vjeç punoi si çirak në një repart të
libralidhjes. Gjatë kësaj kohë lexoi shumë, në 20 vjeç dëgjoi ligjëratat e
shkencëtarit Hamfri Dejvit, shpejt u bë ndihmës i tij dhe 29 vjeç kreu zbulimin
e parë në fushën e elektricitetit. Edhe shkrimtari gjenial Shekspiri u rrit në
varfëri dhe disa thonë pa u shkolluar si duhet, ose me shkollim të njëanshëm.
Xhon Daltoni, i cili krijoi hipotezën e parë për atomin në kimi, vazhdoi
formalisht një shkollë gjër në moshën njëmbëdhjetë vjeç, kulturën e plotësoi si
autodidakt; në dymbëdhjetë vjeç punoi si mësues; në një njezët e një vjeç nisi
të interesohej për meteorologjinë, në njëzeteshtatë vjeç shkroi librin e parë
për këtë temë dhe në tridhjetëetetë vjeç formuloi teorinë për atomin, që u
konsiderua një zbulim i madh.
Tomas Edisoni, shpikës i gjithanshëm (1847-1931) në shkollë mesoi vetëm tre
muaj, sepse drejtori i shkollës e vlerësoi si oligofren.[9] Ai u karakterizua
nga një dashuri e jashtëzakonshme për punën dhe punoi si titan. Shpikjen e
pare, aparatin për regjistrimin e zërave e kreu në moshën njëzet e një vjeç.
Atij i takon thënia monumentale se talenti është një përqind aftësi dhe
nëntëdhjetë e nëntë përqind punë.
Bonaventura Kavaljeri (1598-1647), të cilin Galileo Galilei e ka quajtur
“Arkimedi i dytë” dhe “gjeni vërtetë të mrekullueshëm”, gjithashtu, lindi në
familje të varfëruar. Matematicieni, astronomi dhe fizikanti shumë i shquar
Fridrih Gauss (1777-1855) qe bir kopshtari dhe pati sukses në matematikë që në
moshën nëntë vjeç.
Norbert Viner (1894-1964), siç kumtohet në librin “Befasitë e matematikës”,[10]
së fundi, jashtë trashëgimisë prindërore u bë një nga matematikanët më të
mëdhenj dhe krijues i kibernetikës, një fushe të re shkencash me vlera të mëdha
për njerëzimin. Ç`është më interesante, babai i tij qe profesor i gjuhëve
sllave në Universitetin e Harvardit. Pati një mjedis të shkëlqyer familjar dhe,
megjithëse shëndetlig dhe miop, mësoi shumë mirë në shkollë. Po si shpjegohet
faktori i kryqëzuar i trashëgimisë nga shkencat humanitare në ato matematike?
Mos gjuhët e mërzitshme sllave e hodhën atë në polin e kundërt? Aftësitë e tij
të jashtëzakonshme matematike u shfaqën shumë herët, prandaj në tetëmbëdhjetë
vjeç arriti të marrë gradën e doktorit të filozofisë në Universitetin e
Harvardit.
4. Ka vend për hipoteza e arsyetime të reja
Të gjithë shembujt e përzgjedhur, të shtyjnë drejt arsyetimeve të reja dhe
hipotezave të reja në lidhje më çështjen e talentit dhe të gjenisë.
E para: Trashëgimia, predispozitat e lindura dhe kodi gjenetik janë një nga
faktorët vendimtarë për lindjen dhe zhvillimin e talentit në një veprimtari, që
përputhet ose është e njëjtë me veprimtarinë e paraardhësve (prindërve,
gjyshërve e, disa thonë, kjo trashëgimi mund të vijë gjer në dhjetë breza më
parë). Kështu ka ngjarë me Shtrausët. Kështu ka ngjarë me Johan Sebastian Bahun
(1685-1750).
Për këtë të fundit, Mishel Hart[11] është shprehur: “Është me të vërtetë fat të
lindësh në një mjedis, ku adhurohet muzika dhe ku nxiten arritjet e reja
muzikore. Familja Bah ka qenë e njohur në fushën e muzikës shumë kohë para
lindjes së Johan Sebastjanit. I ati ka qenë violinist shumë i mirë, dy nga
xhaxhallarët e tij kompozitorë të talentuar, ndërsa disa nga pasardhësit, nipër
e mbesa të vlerësuar lart si muzikantë ( nënvizimi është i imi, B.D.).
Siç duket, veç trashëgimisë, siç e thekson me të drejtë Harti, faktor tjetër
vendimtar, ndoshta dhjetëfish më i fuqishëm, ka qenë ai, të cilin ky autor e
quan “është fat të lindësh në një mjedis”. Për arsyen se, pavarësisht që lindi
me predispozita të trashëguara për t’u bërë muzikant i madh, po të ndodhte
çudia që pas lindjes Johani të çohej në një familje barinjsh, atëherë nuk do të
ishte bërë e shumta veçse një bari fyelltar. Pra, është më se evidente se
potenciali trashëgimor shuhet, zbehet ose trasformohet në një mjedis të
pafavorshëm, ose në një mjedis që të favorizon në një drejtim tjetër. Është më
se evidente së i rritur në një mjedis barinjsh Bahu nuk do të ishte bërë
kurrsesi kompozitori Johan Sebastjani që njohim, për shkak se mjedisi nuk do ta
favorizonte trashëgiminë. Është më se evidente se Norbert Viner, i rritur në
një mjedis të favorshëm të familjes së profesorit të gjuhëve sllave në
Universitet nuk u bë edhe ai profesor sllavist, për çka i ka patur me siguri
predispozitat e lindura, pasi mjedisi i kulturuar në familje e favorizoi në një
kah tjetë, jo aq të mërzitshëm sa sllavistika, por tërheqës e interesant, siç
qe matematika e me pas matematika llogaritëse.
Hipoteza jonë në këtë rast është se trashëgimia për talentin është aqë sa
potente, kur e favorizojnë mjedisi dhe faktorë të tjerë socialë, por po aq
impotente kur mungojnë mjedisi dhe faktorët e tjerë socialë.
Mjedisi dhe faktorët e tjerë socialë duhen kuptuar si një kompleks me shtrirje
të gjerë. Po t’u besojmë psikologëve të njohur F. Ignatev, M. Gromov dhe N.
Llukin,[12] sipas veprës së tyre, ndër këta faktorë hyjnë një seri ndikimesh
sociale: bota e pasur shpirtërore e personalitetit të njeriut, niveli i
njohurive të fituara, shprehitë dhe shkathtësitë, të mësuarit sistematik dhe
marrja me veprimtarinë përkatëse në mënyrë këmbëngulëse, aftësia e madhe
punuese, të cilat shkallë-shkallë shtrihen në një njësi me predispozitat.
Sidomos aftësia e madhe punuese është gjeneratori kryesor i zhvillimit të
talentit.
Çajkovski shprehej se në krijimtarinë artistike duhet punë, punë dhe punë. Lev
Tolstoi punën e shkrimtarit e quante “punë të tmerrshme”. Fiziologu gjenial
Ivan Pavllov qe shprehur një herë në një letër drejtuar të rinjve se “Duhet të
ngulisni në mendje se shkenca kërkon nga njeriu gjithë jetën e tij. Në rast se
ju do të kishit dy jetë, edhe ato nuk do t’ju mjaftonin. Shkenca kërkon nga
njeriu tension të madh dhe pasion të madh. Jini pra të pasionuar në punën tuaj
dhe në kërkimet tuaja”.[13]
Nga të gjitha këto nuk është e vështirë të kuptohet se pikëpamja që e quan
talentin të lindur është një pikpamje sempliste, e cila nuk ka asgjë të
përbashkët me shkencën. Talenti, si një harmonizim aftësish dhe gjenia, si
shkalla më e lartë e talentit, janë dukuri psikologjike-sociale të fituara
gjatë jetës, të cilat të japin mundësi përmes punës krijuese të prodhosh vepra
me vlera të larta në fushën e shkencës, teknikës, artit, politikës,
organizimit, sportit, mësuesisë etj.
Po në ç`raport janë talenti dhe gjenia me trashgiminë?
Hipoteza tjetër e jona do të mund të formulohëj në këtë mënyrë:
Në rast se do t’i besonim dialektikës së Hegelit, të Kantit apo të Marksit dhe
nuk ka asnjë arsye që të mos i besojmë, - atëherë midis trashëgimisë, nga njëra
anë, dhe talentit e gjinisë nga ana tjetër, duhet të pranojmë po atë raport, që
ekziston midis shkakut e pasojës. Sipas dialektikës, çdo dukuri në natyrë dhe
në shoqëri mund të prodhojë një dukuri tjetër. Ajo që prodhon quhet shkak,
kurse ajo që prodhohet quhet pasojë. Rryma elektrike është shkak, ndërsa ndezja
e llampës pasojë. Në rast se shkaku fle, nuk ka pasojë. Në rast se shkaku
vepron, atëhere ka pasojë. Trashëgimia është shkak, talenti dhe gjenia janë
pasojë. Në rast se trashëgimia lihet të flejë, nuk ka as talent dhe as gjeni.
Në rast se trashëgimia zgjohet, kultivohet, nxitet, ajo mund të prodhojë si
pasojë talentin dhe gjeninë.
Sipas pikëpamjes sime, shkaku, trashëgimia është një potencë e përgjithshme,
universale e çdo njeriu, një mundësi për zhvillimin e aftësive dhe talenteve,
që nuk varet as nga shtresa shoqërore, as nga niveli arsimor dhe edukata dhe as
nga mjedisi. Çdo njeri në këtë botë lind me të gjitha mundësitë dhe
predispozitat për të zhvilluar aftësitë dhe talentet në çdo fushë e në çdo
veprimtari. Zhvillohen apo nuk zhvillohen mundësitë dhe predispozitat, kjo
varet nga kushtet objektive shoqërore; zhvillohen në këtë fushë apo në atë
fushë, kjo varet nga mjedisi, arsimi, edukata, kërkesat dhe prirjet e familjes,
kërkesat e shoqërisë dhe vendi i punës, tendencat dhe interesat e vet individit
etj. Ka mundësi maksimale për t’u bërë muzikant, po të rritesh e të edukohesh
në mjedis muzikantësh. Bëhesh Viner, sepse interesi të tërheq te matematika
interesante dhe larg sllavistikës së mërzitshme. Bëhesh Njuton se të pëlqejnë
shpikjet që në moshë të vogël, pavarësisht së nëna nuk kishte besim dhe donte
ta bënte bujk. Bëhesh Kovaljevskaja, sepse të tërhoqi rastësia. Ajo ishte bijë
gjenerali, po nuk u bë gjeneraleshë. Kur muret e dhomës së saj po visheshin me
letra, ajo rastësisht pa se ishin faqe nga libri i Akademikut Ostrogradski. Ajo
filloi të rrijë me orë duke lexuar formulat misterioze dhe kështu që në moshën
15 vjeç nisi të mësojë njehsimin diferencial dhe integral. Po sikur të mos kishin
qenë këto faqe libri? Po sikur asaj t’i kishin vënë një piano në dhomën e
gjumit? Me siguri, nuk do të ishte bërë matematiciene e madhe, por pianiste e
madhe. Pra, kudo ka shkak dhe pasojë. Duhet pranuar se letrat e akademikut për
të veshur muret, të cilat përmbanin formula misterioze matematike e çuan
Kovaljevskajan tek matematika, nënkuptohet përveç mjedisit të kulturuar
familjar, arsimit intensiv dhe punës këmbëngulëse.
Për të gjitha këto arsye, çdo njeri në teorinë e edukatës duhet konsideruar, si
krijesë me potencial të gjithanshëm të aftësive dhe të talentit. Talenti dhe
aftësitë pastaj zhvillohen në vartësi të kushteve, mjedisit, prirjeve,
interesave individuale, rastësisë etj.
Shënime bibliografike :
[1] Befasitë e matematikës, përzgjedhur nga Prof. Aleko Minga, Shtëpia Botuese
“Mësonjtorja e parë”, Tiranë 2001.
[2] Gazeta “Albania”, 28 mars 2002.
[3] Gi de Mopasan , Porti , Shtëpia Botuese “Elena Gjika”, faqe 157, Tiranë
2000.
[4] Thanas Meksi, Mjeshtri i këngës popullore, Botim i SHKA “Elba-Folk”,
Elbasan 2001.
[5] Juri Gagarin, Vështroj tokën, përkthyer nga Petrit Koçiaj, SH.B. “Onufri”,
Tiranë 1999.
[6] Dr. Riza Brada , Nxënësit e zgjuar dhe talentë, botim i dytë i plotësuar,
Biblioteka Pedagogjike, Recensentë Prof. Bajazit Nushi, Prof. Abdullah Vokrri,
e botoi autori, faqe 160, Pejë 1997.
[7] Andrea Gudha, Jetë tjetër, Artistë, mjekë (Antologji), Neraida, Tiranë
2001.
[8] Michael H. Hart, 100 personalitetet më të shquara në histori, shqipëruar
nga Ilinden Spasse, Sh.B “Mësonjtorja e parë”, faqe 20, 2001.
[9] Oligofreni - I prapambetur në zhvillimin e përgjithshëm psikik dhe
veçanërisht mendor.
[10] Shih burimin Nr. 1, faqe 395-396.
[11] Shih burimin Nr. 8, faqe 238.
[12] Psikologjia, Izdatelstvo “Prosveshenie”, Moskva 1965.
[13] I.P. Pavllov, Pollnoje sobranie soçinenij, M-L, Izdatelstvo Akademii Nauk
SSSR, V. I, faqe 23, Moskva 1951
Dy fjalë si hyrje dhe disa pjesë tek libri Nëpër ravat e jetës-Kujtime
Prof. Bedri Dedja, Akademik
Të dy pjesët „Mikroantologji biografike“ dhe „Shtojcë e
Mikroantologjisë biografike“ janë hartuar nga bashkëshortja ime, Pandora Dedja,
pas një pune të mundimshme me dosjet e shumta të arkivit tim. Autori i shpreh
mirënjohjen e thellë për këmbënguljen stoike“.
“Nëpër ravat e jetës. Kështu më është dukur me e arsyeshme që ta titulloj
librin tim të kujtimeve. Sipas „Fjalorit të gjuhës shqipe“ (të K.Cipos, E.
Cabejt, M.Domit, A.Krajnit dhe O.Myderizit, faqe 457, si dhe „Fjalorit
drejtshkrimor të gjuhës shqipe t“1976, faqe 546, fjala ravë ka kuptimin e
rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në dëborë. Më është dukur se rrugët e
mia të jetës ngjasojnë më shumë me ravat“
„..Për shkodranët ndonjëherë disa njerëzve u rrëshqasin nga goja shprehje
anekdotike nga njëfarë mëndjelehtësie. Nuk duhet gjykuar asnjëherë në
sipërfaqe; duhet të hysh thellë në shpirtin e njerëzve dhe të zbulosh thesaret
e fshehura. Shkodra nuk është vetëm humori dhe muzika, megjithëse për këto
duhet t’u pish dollinë! Simboli i Shkodrës nuk është shprehja fluide „boll me
kenë shkodranë“! Diku kam lexuar te Sami Frashëri, në „Kamus-ul alam“, një
vlerësim shumë të lartë për shkodranët, afërsisht të tillë: ata, shkodranët
qenë heronjtë e pamposhtur shekullorë të të gjitha dyndjeve që erdhën nga
veriu, kuptohet, sëbashku me malësorët e Mbishkodrës“.
„Në klasën e parë të shkollës fillore „Parrucë“, një nga shkollat e para laike
të Shkodrës (në mos e para), e hapur para shpalljes së Pavarësisë, hyra në
shtator të vitit 1935 dhe e mbarova më 1940. Ishte një shkollë shëmbëllore me
një drejtor shumë të mirë, Gani Dizdarin, të cilin e para edhe mësues në dy
klasë, në të tretën dhe në të pestën. Në tri klasat e tjera patëm mësues Ismet
Shaqirin, gjakovar…Për Ismet Shaqirin dua të shkruaj diçka më shumë, jo vetëm
sepse ai më kishte favoritin e klasës, por edhe se më nxiti i pari ndjenjën e
krijimtarisë letrare“.
„Gjatë viteve të shkollës nisa të mbaj ditarin tim të parë, të cilin për fat të
keq e kam humbur. C’fatkeqësi! Si është e mundur të humbasë një „perlë“ e tillë
e jetës sime?
Do të më interesonin shumë shënimet e këtij ditari për të marrë vesh se si, në
një familje letrare, cila qe ajo forcë magjike që më shtyu të mbaj ditar? Për
mua, mbajtja e ditarit është një nga shenjat e para që tregon se ai që e mban,
si kronikan letrar, mund të bëhet shkrimtar…“
“Mësuesja që më ka lënë më shumë mbresa në atë kohë ka qënë Xhema Tirana,
italiane, grua shumë e bukur me fytyrën e Shën Mërisë. Më kanë mbetur në mendje
jakat e saj të bardha dhe shamitë dëborë. Në shkollë vishej shumë thjeshtë,
ishte serioze. Kishte pushtet absolute mbi nxënësit. Qe martuar me një pasanik
durrsak, Xhevdet Tiranën dhe na jepte në shkollën tregtare mësimin e gjuhës
italiane.
C’grua e mençur, e ekuilibruar, një ëngjëll i vërtetë! Nuk na fliste gjysmë
fjale për Duçen dhe fashizmin. E kam kuptuar më vonë se në thelb ajo ishte
antifashiste dhe këtë do ta plotësoj e vertetoj me kujtimet e mëvonshme”.
“I kam vlerësuar dhe i vlerësoj edhe sot studimet e larta të kryera në
Institutin “Lenin” në Moskë. Jo vetëm për specialitetet që fitova, si mësues i
pedagogjisë, psikologjisë dhe letërsisë për fëmijë në bazë të emërtimit të
diplomave. Mbi të gjitha kam patur përshtypjen se ky institute më dha një kyç
në dorë, i cili më shërbeu për t’iu future rrugës së punës krijuese në disa
fusha. Dhe çelsi nuk qe as prej plumbi dhe as prej alumini. Qe një çelës i
gatitur nga metal i çmuar ».
« Duhet çimentuar me shkrim se nuk ka punë më të vështirë se sa të shkruash
kujtimet… Vetja vihet në kandarin e farmacisë. Kujtesa në Kandarin e Zeusit.
Arsyetimi dhe vlerësimi individual i kujtimeve vihet në kandarin e atij, që unë
mund ta quaja Roja e Purgatorit të Dantes. Të jep, apo nuk jep leje për të hyrë
në Parajsë?! »
„Në dhjetor 1973 shkova në Kosovë me avion për në Beograd bashkë me Koli Xoxin
dhe Iljaz Gogajn, sepse rrugët në veri të Shqipërisë ishin bllokuar nga akulli
që nga Laçi. Dimri qe shumë i ashpër. Nga Beogradi udhëtuam me tren për në
Prishtinë. Në mungesë të Jashar Rexhepagiqit, në stacionin e trenit na pritën
Fehmi Agani, Ismet Dermaku dhe dy shokë të tjerë…Në Kosovë gjatë gjithë kohës
më shoqëruan Jashar Rexhepagiqi, profesor dhe akademik i nderuar, shef i
katedrës së pedagogjisë në UP si dhe bashkëpunëtorët e tij…Shumë mallëngjyese
ka qënë ndarja para largimit nga Prishtina më 30 dhjetor 1973. Dy orë para nisjes,
ishte bërë zakon nga intelektualët kosovarë që të përcillnin miqtë në sallën e
madhe të „Bozhurit“. Atë ditë u mblodhën mbi tridhjetë veta. Midis tyre ishte
Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Rexhep Zogaj, Ismet Dermaku, Azem
Shkreli, Rrahman Dedaj, Agim Deva, Vehbi Kikaj, Ali Sutaj, Ismail Bajra, Maksut
Shehu, Mehmet Gjevori, Nazmi Rrahmani, Nesip Vala, Rexhep Hoxha. Nuk ma merrte
mendja kurrë se do të më përcillnin me kaq nderime. Ishte shprehja e dashurisë
dhe respektit për Shqipërinë, për shtetin-amë, siç i thoshnin, dhe jo për mua.
Në ato momente m’u duk vetja si një kodër para një vargu malesh, por i bindur
se pas kurrizit tim kundronte një varg tjetër malesh“.
„Gjithnjë kam patur përshtypjen se vepra ime letrare dhe shkencore është
vlerësuar më mirë në Kosovë nga kritika kosovare, pa dorashka, pa rezerva dhe
me sinqeritet të plotë. Kritika shqiptare ka bërë vlerësime, por me
„gramaturë“, sipas kërkesave „të kohës“ dhe, siç kam shkruar, dy herë më ka
baltosur pa e merituar. E them këtë, pasi ne kemi, se ç’të mësojmë nga kritikët
kosovarë për dashurinë e tyre ndaj veprës shqiptare, për objektivitetin dhe
kompetencën shkencore“.
Gjatë dy e pak viteve që punova në Akademinë e Shkencave, një „ishull thesari“
ka qenë për mua miqësia me profesorin e madh Eqerem Cabej. Ishim afruar ca më
parë, kur ai bashkëpunonte me revistën që drejtoja „Arsimi popullor“. E afrova
edhe më shumë, kur e bëmë anëtar të Këshillit Shkencor të Institutit të
Studimeve dhe Botimeve Shkollore. Ishte shumë serioz në diskutime, shumë
gojëtar! Nuk më harrohet kurrë, kur me argumentat e tij, që ngjisnin dhe ishin
të pashqitshme në trurin e çdo dëgjuesi, në mbledhjen e parë të Këshillit
Shkencor na bindi se Instituti ynë duhej të kishte si emër titulllin:
„Instituti i Studimeve Shkollore“. Botimet janë frute që i pjek ai, studimet
janë ato që përcaktojnë profilin, synimin, qënësinë, karakterin e punës dhe
përmbajtjen. Kur rrije me Cabejnë pranë në krah, të dukej vetja se ishe në
errësirë dhe ai të ndriçonte mjedisin e rrugën përpara si një prozhektor“.
„Në korrik 1975 erdhi shkresa në Akademi e firmosur nga Hysni Kapo se
largohesha për efekte qarkullimi. Isha projektuar në fillim që të shkoja në
Shkodër drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik për të zëvëndësuar Mihal
Priftin, ose duke përdorur shprehjen e të ndjerit, Mihal Shokun. Më 3 qershor
në Shkodër kishte ndodhur vdekja e papritur e Tuni Papuçiut, vëllait të vetëm
të Pandorës. Kjo qe një goditje shumë e rëndë, pasi Tunin nuk e kisha patur
vetëm kunat, por edhe shok, edhe bashkëpunëtor në revistën „Fatosi“. Tuni ishte
një njeri që meritonte të qahej me kujë, ishte një figurë me reputacion të
madh, një flori me shpirt njeriu, që mbaroi në duart e miqve tanë të dashur,
Lajde Staku e Xhevat Beqaraj. Pas vdekjes së Tunit, kur mori vesh për
trasferimin tim në Shkodër, Pandora më tha prerazi:“unë jam gati të vij me ty
në majë të malit, por në Shkodër nuk kam zemër të shkoj…“ Në rrethana të tilla,
megjithëse Shkodra për mua ishte e shtrenjtë, pasi atje kisha kaluar fëmijërinë
e hershme, nuk mund të mos i respektoja ndjenjat e bashkëshortes. Kështu, ne
zgjodhëm Elbasanin ku kishte edhe shkollë të mesme muzike për fëmijët. Këtë
kërkesë ia parashtrova Kahreman Yllit dhe dëshira ime u plotësua menjëherë.
Atëhere mora vesh se dikush e kishte kundërshtuar në sferat më të larta
qarkullimin tim, pasi nuk kisha mbushur mandatin katërvjeçar, si sekretar
shkencor i zgjedhur në Asamble, po atij ia kishin mbyllur gojën me argumentin
se qarkullimin e kisha kërkuar vetë me këmbëngulje“.
„Gjatë viteve të punës dhe të jetës në Elbasan kam kuptuar mirë edhe diçka
tjetër. Për njeriun ka shumë rëndësi që të „investojë“ ndershmërisht në shoqëri
me sinqeritet, me ndjenja, mendime, afërsi, përkrahje morale, mirësjellje,
ndihmë të pakursyer e të arsyeshme“.
„Unë tani po ec nëpër ravat më të larta të shpatit „të malit“ drejt majës
imagjinare dhe reale, që mban emrin tim. Dhe do të ec me energjinë rinore që
mund të ketë një njeri, I cili së shpejti mbush shtatëdhjetë vjeç, dhe sipas
periodizimit modern të moshave në shkencën psikologjike, kalon pragun për të
hyrë në moshën e pleqërisë (jo sipas koncepteve popullore, por shkencore, 70-90
vjeç pleqëria, 90 vjeç e pas mosha e jetëgjatësisë)“.
Disa nga veprat e Akademikut Bedri Dedja
Një udhëtim i rrezikshëm (botuar në shumë gjuhë)
Tregimet e Gjyshe pastërtores,
Përralla popullore mbi kafshët,
Përralla e tre vëllezërve,
Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit,
Bariu i vogël në Mal të Thatë,
Përrallëmadhja,
Vera, Genti e Driloni,
Shoku i braktisur,
Shkolla e pyllit,
Përralla e shpatave të arta,
Kapiteni i shtrëngatës,
Met partizani,
Patoku në plazh,
Përralla e lepurit dhe breshkës,
Kërcënimi i thonjve kozmikë (novelë fantastike),
Nëpër korridoret e thella të Jonit (roman fantastik),
Gjyqi i maçokut (pjesë teatrale),
Bariu i vogël në Mal të Thatë,
Alarmet e qytetit Sdikushit,
Kacamisri rreth globit,
Si u bënë katër çiliminj biznesmenë,
Kryengritja në pallat (pjesë tetrale),
Përralla njëmbëdhjetëshe,
Qyteti me tri kështjella,
Kalamajtë e pallatit tim (roman në dy vëllime),
Artan Burizani dhe çeta e tij (poema),
Gjashtë poema për kalamaj,
Beni shkon në malësi me familje e shtëpi,
Përmbledhjet poetike Garda partizane,
Poezi të zgjedhura për fëmijë,
Numrat
Republika e 1100 çudirave,
Sikuriada, ose Kalamajtë e pallatit tim-3,
Përralla e Zvicrës (dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht: përkthyer në gjuhën frënge
nga Alfred Papuçiu),
Letërsia për fëmijë,
Poezi të zgjedhura për fëmijë,
Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë (monografi),
Shkrime për letërsinë për fëmijë,
Historia e mendimit publiçistik shqiptar,
Bisedë me pionierët,
Duke ecur kontinenteve (përshtypje udhëtimesh),
Presidenti i Planetit të kuq (botuar pas vdekjes),
Nëpër rravat e jetës (kujtime).
Studime dhe vepra shkencore : Edukimi i marrdhënieve të drejta midis djemve dhe
vajzave në familje (1956) ; Psikologjia për shkollat e mesme (1959) ; Letërsia
për fëmijë (1961, 1964, 1966, 1975, 1983) ; Psikologjia për shkollat e larta
(bashkëautor 1965, 1985, 1987) ; Mbi rrugët e perfeksionimit të sistemit të
sotëm të edukatës familjare (1966) ; Politika dhe Pedagogjia (1967) ; Tradita
dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë (1971) ; Shënime mbi historinë e
mendimit pedagogjik shqiptar (1972) ; Burimet e letërsisë shqipe për fëmijë
(1978) ; Shkrime mbi letërsinë për fëmijë (1978) ; Studime mbi problemin e
metodave të të mësuarit në shkollë (1978) ; Didaktika (bashkëautor 1986) ;
Drejt enigmave të psikikës së njeriut (1989) ; Psikologjia Sociale (1990) ;
Sekreti i talentit (1998).
Përkthime nga gjuha ruse : L. Tolstoi - Tregime dhe përralla për fëmijë (1954)
; Robi i Kaukazit (1959) ; V.Majakovski - Për fëmijët (1954) ; Lexo, shëtit e
fluturo (1958) ; C'është mirë e ç'është keq (1966) ; N.Nosov - Tregime (1954) ;
Aventurat e Dinpakut dhe shokëve të tij (1957) ; M.Tuein - Aventurat e Tom
Sojerit (1955) ; A.S.Pushkin - Përralla e peshkatarit dhe e peshkut (1956) ;
H.K.Andersen - Përralla (1956) ; M.Gorki - Jashka,Samovari (1957) ; Sh.Péro -
Maçoku me çizme (1958) ; Përralla ruse (1998, përshtatje e shqipërime nga 18
autorë) ;
Mendime për Bedri Dedjen dhe veprën e tij
…Bedri Dedja është një emër i nderuar i letrave dhe
arsimit shqiptar, personalitet i kulturës dhe shkencës sonë, “babai” i
letërsisë për fëmijë, siç e kanë cilësuar me të drejtë për së gjalli; ai është
i pranishëm në ballë të bibliotekave të mbarë shqiptarëve; romanet, librat me
poezi e rrëfenjat, përkthimet nga letërsia botërore, janë të shumta e cilësore;
ato kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit
shoqëror, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të shqipes mijëra e
mijëra lexues, anembanë vëndit.
Alfred Moisiu, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë
…Bedri Dedja
ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare, Akademisë së
shkencave, studiuesve në fushën e psikologjisë e pedagogjisë, Lidhjes së
Shkrimtarëve të Shqipërisë, themeluesi i letërsisë shqiptare për fëmijë, Miku i
Madh i fëmijëve, Humanisti shumëdimensional, i cili deri në ditët e fundit nuk
reshti pa dhënë kontributin e çmuar për të sotmen e për të ardhmen e tyre.Vepra
e tij poliedrike, shkencore dhe letrare do të jetojë për brezat e ardhshëm si
një vlerë e madhe e kulturës sonë Kombëtare.
Dritëro Agolli, Prof.Dr.Ylli Popa, Prof.
Dr. Farudin Hoxha
Prof. Dr. Luan Omari, Prof. Dr. Anesti Kondili, Dr. Moikom Zeqo,
Dr. Makbule Çeço, Adelina Mamaqi, Valentina Leskaj, Prof.Edmond Dragoti,
As.Prof. Rubena Moisiu, Diana Çuli, Sadije Agolli, Ilir Çumani, Ferhat Cakaj,
Ema Qazimi, Evanthi Ciko, Violeta Manushi, etj.
Bedri Dedjen e kam njohur edhe para se të shkoja në Tiranë, në vitin 1970: e
kam njohur permes prozave të tij për fëmijë që në Kosovë ishin sjellë prej
profesorëve, të cilëve u ishte bërë e mundur të shkojnë në Shqipërinë
shtetërore pas vendosjes së mardhënieve kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Mbas këtij viti, në Tiranë do të shkojë edhe shumë herë të tjera dhe gjithnjë,
kur kthehesha në Prishtinë, kisha me vete vepra të reja të Bedri Dedjes. Si të
mos kisha? Bedri Dedja ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe
njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Ai ishte krijues i tregimeve, i
përrallave dhe i romaneve për fëmijë, por ai ishte edhe kritik e studiues i
gjithë letërsisë shqipe për fëmijë. Bedri Dedja ishte, kështu, krijues me prirje
të gjithanshme. Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare dhe
shkencore e dëshmojnë një të vërtetë tashmë të pranuar nga studiuesit e
psikologjisë së krijimtarisë: e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj
krijimtarisë artistike e asaj shkencore, apo artistike dhe shkencore
njëkohësisht është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.
E Bedri Dedja ishte
krijues me dhunti të madhe krijuese.
Në veprën e tij
shumëvëllimshme letrare dhe studimore janë bashkuar vlera e lartë artistike e
shkencore dhe vlera e madhe humaniste. Janë këto dy cilësi që veprën e një
krijuesi e bëjnë të përhershme, kurse krijuesin e saj të pavdekshëm.
Akademik
Rexhep Qosja
…Psikolog, pedagog,
historian i arsimit dhe i pedagogjisë, kulturolog, mendimtar erudit, shkrimtar
i shquar për fëmijë, një shëmbull i rendimenti të lartë në punë: me të
drejtë Bedri Dedja konsiderohet si dekani i letërsisë së sotme shqiptare për
fëmijë. Në këtë fushë ai na shfaqet tejet i gjithanshëm – krijues, teoricien
cilësor, kritik, historian. Hartues i mbi 60 veprave letrare, midis të cilave
shquhen “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”,
“Kalamajtë e pallatit tim”, “Republika e 1100 çudirave”, etj. Në Shqipëri
Bedriu është një figurë popullore, por atë e njohin mirë edhe jashtë truallit
amë, kudo që ka shqiptarë e në vënde të tjera.
Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të
rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e
deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.
Akademik Hamit Beqja
…Bedri Dedja (1930-2004) është kolosi, themeluesi dhe babai i modernitetit në
letërsinë tone për fëmijë, të cilin do ta nderojmë për një kohë të gjatë, sepse
puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia
shkruhet edhe ndryshe…
Agim Deva, shkrimtar Kosovë
…Bedri Dedja
u bë prijëtar në pavarësimin e shkencës psikologjike shqiptare. Krijues si ai
janë njëkohësisht edhe dëshmitarë të asaj pikëpamjeje, sipas së cilës, të
menduarit krijues në shkencë dhe në art kanë pikëtakim dhe, në kushte të
veçanta, shfaqen si në njërin, ashtu edhe në lëmin tjetër krijues.
Akademik Pajazit Nushi, Kosovë
…Akademiku Bedri Dedja
ka qënë një nga themeluesit dhe shtyllat e letërsisë për fëmijë të pasçlirimit.
Ishte një personalitet shumëplanësh: poet e prozator, përrallëtar e tregimtar,
dramaturg, novelist e romancier, përkthyes e kritik, studiues e teoricien i
letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, mbajtës i
“Çmimit të Republikës” dhe titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”, Bedri Dedja
është vlerësuar gjithashtu nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh,
duke zënë një vend nderi në vëllimin XVI të biografive, si një nga autorët më
të shquar të shekullit XX.
Astrit Bishqemi
…Me punën e tij të
gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shëmbulli i një njeriu virtuoz, me
një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Në çdo çast ai punonte, edhe kur
pinte kafe, edhe kur shëtiste ; mëndja e tij për shkollën, për arsimin, për
edukimin e fëmijëve e të brezit të ri, do të mendonte. Dhe s’kishte si të
ndodhte ndryshe, kur tashmë, në laboratorin e punës së tij krijuese numërojmë
mbi 70 vepra pedagogjike, të dala nga dora e tij e që kanë luajtur një rol të
madh në zhvillimin e arsimit tonë kombëtar ; mbi 60 vepra për letërsinë për
fëmijë dhe po aq përkthime nga klasikët botërorë. Nga duart e tij kanë dalë me
qindra artikuj publicistikë, të shpërndara në shtypin e kohës e që mbushin
bibliografinë e tij me një numër prej 2000 zërash. E kjo është vetëm pjesa e
dukshme e krijimtarisë, ndërsa ajo e padukshmja, si korrespondencat, reçensat,
studimet, raportet, etj. mund të kapin edhe aq vëllime sa janë botuar…
Prof.Dr. Ilinden Spase
…Kultura e
gjërë poliedrike e Prof. Bedri Dedes ishte rezultat i një pune skrupuloze,
sistematike, e cila filloi që kur u ul në bankën e shkollës, si nxënës dhe deri
sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve.
Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte njëri nga njerëzit, tek i cili
personaliteti i tij autoritar dhe kultura ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte
vështirë të dalloje te Profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar
nga të tjerët dhe ku fillonte kultura që buronte prej personaliteti të tij. E
gjithë qënia e tij rrezatonte kulturë. . . Prof. Bedri Dedja nuk ishte vetëm
letrar, shkencëtar dhe akademik : ai njëherësh ka qënë qytetar me vlera dhe i
spikatur. . Ai ishte njeriu me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror
dhe konstant në vlerat si qytetar. Tek ai ishin bashkuar bukur dimensioni i
shkencëtarit me qytetarin, pa asnjë sforcim. Kjo ka qënë mbase edhe vlera më e
madhe e tij si njeri i dijes, i inteligjencës, i popullit…
Gëzim Tushi
…Bedri
Dedja, që në vitet e ngurtësisë më të madhe të konformizmit të përgjithshëm
komunist, mendonte se edukimi njerëzor i fëmijëve vinte shumë më përpara
edukimit ideologjik të tyre. Bënin sikur nuk e vinin re, ose nuk dinin ta
lexonin siç duhej, kjo është një çështje e personalitetit të tij : ndonëse
akademik, nuk u deformua nga asnjë sforcim tendencash politike…Në fillim e deri
në fund të viteve 80-të, kur eksperimentit komunist kishte nisur t’i
rrëzoheshin një e nga një panciret e ndryshkura, me të cilat kishte shushatur
për vite me rradhë të pamësuarit dhe të paditurit, Bedri Dedja ishte në harmoni
me mendimin e ri të bijve të tij dhe të miqve të tyre, se këtij sistemi i
kishte ardhur fundi. Ai ishte një pedagog dhe shkrimtar humanist, më tepër se
moralist…veprat e tij mund ta vërtetojnë lehtësisht se sa ishte dhe mbetet
novator ky anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…
Prof. Dr. Hysen Sinani
"Bedri Dedja- Gur themeli i kreativitetit dhe imagjinates per disa breza femijesh. Psikologu ikone ne vendin tone, sidomos per etapat e zhvillimit psikologjik dhe social te njeriut. Profesori i dashur per mijera mesimdhenes te se sotmes dhe te shkuares. Akademiku qe i dha jete dhe nder Akademise se Shkencave. Emer i madh qe la pas krijimtari te vyer, per te cilen lipset ridimensionim vecanerisht ne kurrikulat e arsimit dhe pergjithesisht ne institucionet e edukimit."
Jeta Toçila Dedja
…Tani, ne kemi në dorë veprën
pesëdhjetë-vjeçare të Prof. Beri Dedes, krenarinë që Ai do të rrojë mes nesh si
model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, luftëtarit të
paepur për progres, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë dhe e atdheut
tonë të dashur.
Ferhat Cakaj.
…Një
shkrimtar i madh e i talentuar shqiptar… e sidomos e madhe është puna e Bedri
Dedes në fushën e letërsisë për fëmijë dhe problemeve të ndryshme të rinisë…
Llambro Mallamas, kritik letrar grek
…Membre de
l’Académie des Sciences à Tirana, Prof. Bedri Dedja a su représenter
brillamment et avec distinction le génie albanais au travers de sa féconde
activité littéraire qui réserve une place spéciale aux besoins de
l’enfance. Fin connaisseur et ami de la Suisse, il a apporté sa contribution au
renforcement des liens d’amitié entre nos deux pays par le biais de ses écrits.
Francis Cousin Ambasador, Ministria e Jashtme,
Zvicër.
…Bedri
Dedjen nuk e kemi më midis nesh, por e ndjejmë përherë pranë nëpërmjet librave
të tij të mrekullueshëm. Ndodh si me yjet, që ndonëse ndodhen miliarda
kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, vazhdojnë të na dërgojnë dritën e tyre.
Bedri Dedja mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të
përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri
njërëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që
ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të
energjisë krijuese.
Viron Kona
…Sivjet
xhaxhi Bedriu do të mbushte 74 vjet. Por u nda nga jeta kaq papritur. Ai mbetet
i gjallë mes librave të tij. Po, lexues të vegjël, është aty, mes fletëve, si
një personazh i gjallë dhe me zërin e tij atëror u thotë ngadalë: “Na
ishte njëherë”. . . Po, ja se kush…Një njeri i mirë, i dashur, një mësues dhe
mik besnik i fëmijëve: Bedri Dedja.
Shpresa Vreto
…Shuhet Bedri Dedja, “babai” i Fatbardh Pikaloshit, i cili nuk mundi ta përdorë
në kohë shkopin e tij magjik, për t’i ridhënë jetë krijuesit të tij. . .
Moikom Zeqo
…Të gjithë ata të rritur, që dikur harroheshin pas aventurave të Fatbardh
Pikaloshit, me fyej magjikë e katallanë, dje janë ndjerë nga pak jetimë…Babai i
letërsisë për fëmijë dhe akademiku Bedri Dedja është ndarë nga jeta…
Alma
Mile
Sa shumë punoi e dha, shkroi e botoi në një gjysmë shekulli veprimtari aktive
në shoqërinë shqiptare dhe për të! Ai la një trashëgimi të pasur të botuar në
më shumë se 200 libra shkencorë e letrarë. Akademiku Bedri Dedja ishte dhe
mbetet një nga dijetarët shqiptarë shumëdimesionalë. Ai punoi me
përkushtim në disa fusha: në psikologji, pedagogji, sociologji dhe në letërsinë
për fëmijë.
Krijimtaria letrare, kryesisht për fëmijë është një nga evokimet e brendshme të Bedri Dedes shkrimtar, me rrënjë që në fëmijëri. Si dëshmitar okular unë sjell në kujtesë atë orë mësimi kur Bedriu, nxënës i klasës së dytë fillore që rrinte në një bankë para meje, kur mësuesi pyeti: kush nga ju ka lexuar ndonjë libër? Bedriu ngriti dorën dhe mësues Ismeti e ftoi të dalë përpara nesh me librin në dorë. Dhe, pasi lexoi një fragment nga romani “Djemt e rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenc Molnar, tregoi ngjarjet që shtjelloheshin në roman. Këtë episod ia kujtova Bedriut kur ai shkroi e botoi romanin e parë “Heroizmat e fatbardh Pikaloshit” dhe më pas “Kalajmajt e pallatit tim”. Fillimet e krijimtarisë letrare për fëmijë të këtij autori i gjejmë kur ai ende nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat. Ishin disa kallëzime, përralla dhe skeçe të botuar në “Flamurtari i vogël”, që e drejtonte pionieri durrësak Bedri Dedja. Ai do të shkruante në librin “Nepër ravat e jetës” – kujtime (2001): “Durrësi përkundi ëndrrat atdhetare dhe ëndrrat letrare” (37) dhe se motivin e përrallës “Dy rosat dhe breshka”, botuar në faqet e gazetës së pionierëve “Flamurtari i vogël”, do ta rimerrte më vonë për romanin “Një udhëtim i rrezikshëm”. Vepra e tij letrare për fëmijë e mishëruar në shumë e shumë libra që nga “Heroizmat e Fatnardh Pikaloshit” (1954) te “Përrallat e Zvicrës” (2002) , përmbyllur me romanin “Skuriada” (2004), dëshmon për talentin e shkrimtarit për fëmijë Bedri Dedja, poet prozator, tregimtar, dramturg, romacier.
Prof. Dr. Hamit Boriçi
Sekreti i suksesit të Profesor Bedriut në auditor dhe jashtë tij, mund të përmblidhet në këto rradhë: “me nxënësit -koleg, një gurrë e dijes dhe e përvojës që ua jepte në mënyrë frymëzuese secilit dhe të gjithëve”, “demokrat në auditor dhe në jetë, gjuhën e elitarit nuk e bëri të veten kurrë, sepse bënte jetën e njeriut të thjeshtë”.
Sami
Xhango
Testamenti letrar i Bedri Dedjes
Klara KODRA Vepra e fundit e Bedri Dedjes, si testament shpirëtror që ai u kushton fëmijëve dhe që botohet pas vdekjes, është një kryqëzim origjinal midis romanit përrallë dhe romanit fantastiko/shkencor. Në të ndërthuren probleme të mprehta aktuale si diktatura dhe demokracia, lufta dhe paqja, terrorizmi dhe Evropa e bashkuar, roli i shkencës dhe i informacionit bashkëkohor në edukimin e drejtë të fëmijëve të sotëm, që do të marrin stafetën e drejtimit të shoqërisë së ardhme shqiptare. Këtë mesazh, Bedri Dedja e jep përmes një fantazie të harlisur, gjetjeve të këndëshme dhe sidomos humorit, që është një nga çelësat e rëndësishëm të botës së fëmijëve, që çelet si lule në diellin e vogël dhe të ndritshëm të tij. Tek “Presidenti i Planetit të Kuq”, autori e ka dhuntinë e komunikimit me fëmijët më të gjallë se kurrë. Romani shënon një hap të mëtejshëm në krijmtarinë për fëmijë të Bedri Dedjes dhe njëkohësisht ruan vetitë më të mira të romaneve të tij të mëparshëm. Ai është, në një farë mënyre, një sintezë e veprës letrare të shkrimtarit, mbasi këtu rikthehen personazhe nga kryeveprat e tij “Një udhëtim i rrezikshëm" e "Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit", çka provon se ai ka ditur të krijojë një gjithësi në miniaturë me krijesa - personazhe të gjalla, që dinë t'u flasin fëmijëve. Një gjetje e bukur e tij është vënia në qendër të veprës e fëmijëve shkencëtarë. Midis tyre është Fatbardh Pikaloshi si edhe Kokëfirifiu i «Udhëtimit të Rrezikshëm», që rikthehet në këtë vepër me emrin “Shpëtim”, duke ruajtur diçka nga çapkënllëku i dikurshëm. Romani zhvillohet si një zinzhir të papriturash. Në të kanë zënë vend edhe elemente të romanit të aventurave si edhe atij të spiunazhit. Lexuesi fëmijë qëndron tërë kohën në tension, duke ndjekur zhvillimin e subjektit, në bazë të të cilit qëndron edhe konflikti i fuqishëm i fëmijëve shkencëtarë me mafien kozmike. Shkencëtarët e vegjël ballafaqohen trimërisht e me zgjuarsi me kriminelë dhe diktatorë të rrezikshëm si Ladenbenisadus (aluzion i goditur me terroristin Bin Laden), Usta Ipaudhin e Lartmadhërinë e Tij Këmbëlepurin e Parë (personazhe të njohur nga "Një udhëtim i rrezikshëm") si edhe me "Shtatëpëllëmbë-Mjekrën e Trepëllëmbë Trupin" e “Heroizmave të Fatbardh Pikaloshit”, që duken sikur kanë dalë drejt e nga përrallat popullore. Fëmijët pra, luftojnë për paqen në tërë sistemin diellor që rrezikohet nga mafia kozmike, një hiperbolë e goditur kjo për luftërat dhe terrorrizmin në Tokën tone. Shpesh, edhe tabllotë origjinale të peisazheve kozmike që krijon shkrimtari, mund të krahasohen lehtë me ato tokësore. E megjithëse ky roman flet për të ardhmen, unë do të thoja me bindje se i ka rrënjët thellë në traditë.
***
Bedri Dedja, Akademiku dhe njeriu me zemër të madhe
Shkëputur nga revista “INTEGRIM” e shoqatës së jetimëve shqiptarë...
Nga Ferhat CAKAJ
mbresa
Përse shkuam pikërisht tek prof. Bedriu? Në shtator të
1954 nisa studimet e larta në Institutin Pedagogjik. Atëherë, auditoret dhe
konviktin i kishim te Fakulteti i Shkencave, përpara maternitetit, në Tiranë.
Në mëngjes rrinim turmë në boulevard, në trotuar dhe tek shkallët e hyrjes.
Shikonim pedagogët që vinin një e nga një mes atij koridori të gjatë
studentësh. Mes tyre, një djalosh me flokët kaçurrela, veshur thjesht e pastër,
gjithnjë me të njëjtin kostum, hidhte vështrimin sa andej këtej, buzëqeshte
lehtë e na dukej sikur thoshte: “Po ju, ç’bëni kështu? Çjemi ne? Jemi tuajt… »
Ishte pedagogu i psikologjisë dhe i letërsisë për fëmijë, Bedri Dedja. Ndodhi
që fillimi i shtatorit të ishte tepër i rëndë për studentët që vinin nga
shtëpitë e fëmijës.
Të tillë nuk ishin pak, por mbi dyzet vetë. Drejtoria e konviktit nuk i pajisi
me tollonët e ushqimit ; priste vërtetimet nga shtëpitë e fëmijës në Shkodër,
Vlorë, Sarandë, Elbasan, Gjirokastër, etj. Por ata nuk kishin « kryq leku » që
të shkonin nëpër rrethe.Një grup i tillë, që vinin nga Shkodra (e me shaka e
thërrisnin njëri-tjetrin « zhele-zhele »), mbijetonin ato ditë shtatori në sajë
të një oficeri. Në drekë dhe në darkë ata ushqeheshin me franxholla dhe me
domate në treg. Gjëndja ishte vërtet shqetësuese. Por në të kundërt, asnjeri
prej tyre nuk e la shkollën. I gjithë grupi ishte i rregullt në leksione,
seminare e kolokiume.
Javën e dytë, një ditë prej ditësh, oficeri nuk u duk më. Grupi rrinte te
parmakët e monumentit. Heshtnin të gjithë. Ishte mesditë, koha e drekës. Njëri
ngriti kokën dhe tha: “O baba, ç’të bëjmë?!” Të gjithë vështruam me sy të
zbehtë monumentin e ngrirë, të heshtur e mospërfillës. Qeshëm dhe u përpoqëm të
harronim se ishte koha e drekës. -Dëgjoni, - tha njëri prej nesh. – Do të
shkojmë, kështu siç jemi, tek profesori i psikologjisë. U ngritëm. Pas disa
minutash kishim zënë rrugën e hyrjes në konviktin pranë kishës. Atëhere, Bedriu
jetonte aty, në një dhomë. E pamë që po afrohej ngadalë, i qetë, me vështrimin
hetues dhe buzagazin karakteristik. E ndaluam dhe i treguam.
- Çfarë ?! - tha i papërmbajtur. – Çfarë ?! Ju keni dymbëdhjetë ditë pa ngrënë
në mencën e studentëve! U prish në fytyrë, u nxi, pastaj u skuq e një re e
zbehtë ia mbuloi ballin. - Ejani! – tha menjëherë. U kthye nga ne pa hyrë në
dhomë, duke e harruar drekën e tij dhe u nisëm tok për në drejtorinë e
konvikteve. Asnjëherë, gjatë pesëdhjetë vjetëve që e njoh, nuk e kam pare atë
njeri të dashur aq të revoltuar, nuk kam dëgjuar zërin e tij shpërthyes si atë
ditë. Gjithë grupi që vinte nga shtëpitë e fëmijëve u pais menjëherë me
tollonët e ushqimeve. E që nga ajo ditë, Bedriu mes nesh quhej “Yni”. Dhe ishte
me të vërtetë yni: pak më shumë se profesori, si një vëlla i madh. Dy muaj më
vonë, kur nisën shirat dhe cikmat e vjeshtës tiranase, ne të dyzetët e
jetimoreve e ndjemë përsëri dorën e tij të ngrohtë.
E kuptuam që ishte vepra e tij pajisja jonë me kostume të mira prej stofi
hungarez dhe me pallto prej stofi të leshtë. Asnjëri prej nesh nuk e morri vesh
se nga u gjendën fondet, si u arrit një gjë e tillë, por një gjë e kishim të
sigurtë. E ndjenim dhe më pas e morrëm vesh. Mbi kokat tona ishte një dorë
vëllazërore që kishte lëvizur ingranazhet e shtetit, ishte dora e « vëllait të
madh », mikut tonë, e Profesor Bedri Dedjes. Tek figura e tij, për herë të parë
morri kuptim përpara nesh nocioni i shtetit, zbatimi i drejtë i ligjit, morali,
humanizmi, dinjiteti i shoqërisë. Ata të dy Në vitet ’50, veç nesh që vinim nga
shtëpitë e fëmijës, kishte edhe studentë të tjerë pa të ardhura. Njëri nga këta
ishte shoku ynë T., një djalë i urtë, fjalëmbël, tepër i zgjuar, por i varfër.
Në pushimet mes leksioneve ai nuk dilte nga salla. Qëndronte në karrige dhe diç
katranoste vazhdimisht nëpër fletoret e shënimeve. Arsyeja e vërtetë ishte se
me gjithë arrnimet, të vetmet pantallona ishin ngrënë në të dy gjunjët dhe
s’mbanin më. I vinte turp të dilte mes shokësh dhe kishte gjetur mënyrën e tij
për të marrë leksionet rregullisht.
Por aty ishte edhe një sy vëzhgues që kishte kuptuar gjithçka - Pandora,
nusja e re e Prof. Bedriut. Ajo, e tronditur kishte marrë leje dhe kishte
shkuar te profesori për të marrë një palë pantallona të tij.Në pushimet mes
leksioneve, ndërsa salla u boshatis, atje ndodhej vetëm T. Pandora kishte hyrë
dhe ia kishte lënë dhuratën mbi fletoret e shënimeve. « I ke dhuratë nga Bedriu
» - i kishte thënë. « Vishi që tani… » dhe ishte larguar pa u vënë re. E gjithë
kjo histori erdhi tek ne në formën e një theshethemnaje. Askush asnjëherë, as
Profesorit, as Pandorës, as shokut tonë T. nuk ia zumë në gojë një gjë të
tillë, për ta mësuar në detaje të vërtetën. Por pantallonat ne i njihnim mirë.
Atë kohë Shqipëria ishte vërtet shumë e varfër dhe veç atyre të shtëpisë së
fëmijës, kishte mijëra të tjerë, tepër të varfër që ndiqnin studimet dhe
ndjenin pranë shpirtin e madh dhe dashurinë njerëzore të Bedriut dhe Pandorës.
Edhe gjatë punës me ne Në vitet ’60-të, Bedri Dedja punonte në Ministrinë e
Arsimit dhe të Kulturës. Kisha dëgjuar se kishte themeluar dhe ishte
kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”.
Më vonë u bë edhe zëvëndësminister, por për ne, brezat e
mësuesve të rinj, mbeti thjesht Profesor Bedriu, njeriu i drejtë, modest dhe i
ndershëm.
Prandaj, ngado që të vinim, nga të gjithë cepat e Shqipërisë, derën e tij
e gjenim gjithnjë të hapur, kohë e pa kohë. Ato vite, me tensione politike
tronditëse, nëpër shkollat e mesme bujuan tipa karrieristësh, intrigantësh e
meskinësh, që e turbulluan klimën e mire, me të cilën breza mësuesish e
pedagogësh të rinj ishin brumosur nga Profesor Bedriu e shokët e tij. Sidomos
në Kukës, këto gjëra u trashën keqas dhe vinin era fis, taraf, myk. Kishte
raste masash të paargumentuara ndaj mësuesve me arsim përkatës dhe zëvëndësimi
i tyre me maturantë. Më pare i kisha shkruar një letër Profesorit mbi trajtimin
e arsimtarëve në gjimnaz e gjetkë. I ngrita këto probleme edhe në kryesi të
komitetit ekzekutiv si edhe tek sekretari i pare, përpara se të nisesha për
Tiranë. Në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës takova Profesor Bedri Dedjen. I
tregova se ç’po ndodhte dhe ku e kishin burimin. Më dëgjoi me qetësi. “Dëgjo”,
- më porositi.
– Nisu menjëherë për në Kukës. Nesër do të jem në Shkodër për një shkollë në
kufi dhe pasnesër do të vij atje, së bashku me ministrin.” Pas dy ditësh, Prof.
Bedriu erdhi vërtet në Kukës, së bashku me ministrin e arsimit dhe kulturës së
asaj periudhe, Thoma Delianën. Gjëndja u qetësua si me magji. Masat u morrën të
forta në dobi të shkollës dhe të mësuesve të përgatitur në shkollat e larta.
Dukuritë e shëmtuara morrën një përgjigje në kohën e duhur dhe jeta në shkollë
morri përsëri rrjedhën e zakonshme. Po ato ditë, Bedri Dedja ia kishte aritur
qëllimit që të hapej shkolla fillore në një zonë të largët të Malsisë së Madhe,
duke mposhtur pengesat administrative burokratike. Shkolla nisi të funksionojë
menjëherë dhe nuk dihej kush gëzonte më shumë, vocërrakët e Malsisë së Madhe
apo vetë Bedri Dedja.
Një gjë është e sigurtë ; vocërrakët nuk e dinin që hapja e shkollës së
tyre erdhi vetëm me këmbënguljen e Bedriut, i cili kishte parimin moral « bëje
një të mirë dhe mos prit të të falenderojnë ». ( I shkrova këto fjalë, ashtu
siç na ka thënë Bedriu i dashur, dikur në leksionin e psikologjisë, duke folur
mbi karakterin e njeriut.) Programi i Bedri Dedjes për Institutin e Integrimit
të Jetimëve të Shqipërisë Profesor Bedriu na la mbi dyqind vepra shkencore e
letrare të fushave më të ndryshme të mendimit, si ato psikologjike,
pedagogjike, letërsi artistike në poezi e në prozë, përkthime nga lulet e
letërsisë botërore për fëmijë. Është fryti i punës së tij të palodhshme
pesëdhjetëvjeçare.
Jo larg, por disa muaj përpara se të ndahej nga jeta, Profesor Bedri Dedja na la
për institutin e Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë një program që, me
zhvillimin e këtij institucioni të ri, të sfidonte vrazhdësinë e së tashmes
ndaj kësaj shtrese të shoqërisë sonë dhe padyshim, për të dhënë frute sa më të
shëndetshme për të ardhmen. Ky program, ashtu si edhe vetë Instituti i
Integrimit, është sfidues ndaj diferencimit të skajshëm shoqëror që u bëhet
fëmijëve në përgjithësi e sidomos fëmijëve jetimë në veçanti, ndaj frymës së
përjashtimit të shtresave të varfëra e të pambrojtura. Ky program është për
shtetin, për institucionet e tij dhe njëkohësisht për të gjithë shoqërinë. Këtu
nuk është fjala për shqetësimin ndaj 200 apo 2000 fëmijëve, të 12.000 fëmijëve
që janë hedhur në rrugët e Greqisë apo Italisë, mbi të cilët dhembin plagë të rënda
si analfabetizmi, injoranca, ngujimi brënda katër mureve, uria, prostitucioni,
trafiku i organeve, rritja pa dinjitet, vdekja… Por edhe më gjërë.
Bedriu Ynë i bën thirrje shtetit shqiptar, gjithë shoqërisë se kjo “…shtresë
duhet të na ngjajë me qerpikët e syve të shoqërisë…” Ky zë, zëri i Profesorit
të Madh ngrihet si flakërimë në ditët që kalojmë. Çdo njeri me mëndje të
kthjellët duhet të mirëkuptojë e të mbështesë zërin e Profesor Bedriut. Nuk ka
integrim në Europë, pa integrimin e kësaj shtrese në jetën e shoqërisë sonë. As
që mendohet një e ardhme pa mjegulla e atdheut, pa fëmijët, pa dritën e syve të
asaj të ardhmeje. Integrim do të thotë - jetë në Shqipëri, ligj, zbatim i
padiskutueshëm i tyre; do të thotë arsim, punë. Integrimi i kësaj shtrese nuk
mund të vijë me demagogji hipokrite, lëmoshë, mëshirë por me të drejtën ligjore
të qytetarit, të njeriut.
E Profesor Bedriu shkruan në programin e tij: “…e detyrat në këtë fushë
janë të shumta: a. Jo vetëm trajtimi psikologjik e social i jetimëve, por edhe
diagnostikimi i aftësive dhe prirjeve të tyre për jetën, edukimi i talenteve,
që janë aq të rëndësishëm për të ardhmen e vëndit. b. Krijimi i departamentit
specific mjekësor. c. Veç revistës “Integrim”, edhe krijimi i bibliotekës së
literatures psikologjike e pedagogjike që i kushtohet këtij problemi, për të
cilin është interesuar e gjithë shoqëria jonë”. Këto rradhë janë shkruar vetëm
disa muaj përpara se të ndahej nga ne Profesor Bedri Dedja.
Në një vështrim, ai kërkon zhvillimin e këtij institucioni, angazhimin e
drejtpërdrejt të shtetit dhe institucioneve të tij, kulturë, shërbim mjekësor,
libër dhe kualifikim të kujdestarëve dhe edukatorëve. Më shumë veprim ligjor të
organizuar e të menduar mire, më shumë të drejtë ligjore, morale dhe dinjitet qytetar
tek kjo shtresë jo e vogël e fëmijëve tanë. Këto mund të bëhen, mund të vihen
në jetë dhe vëndi ynë mund të ketë më shumë dritë për fëmijët e vet. Shqipëria
i ka të gjitha mundësitë e një nëne ndaj tyre. Se Shqipëria nuk është e varfër
për të rritur e edukuar fëmijët e saj. S’ka qënë e varfër Shqipëria as kur
mbajti me bukë 72.000 partizanë, që e kishin prapavijën në shtëpizat e
fshatrave dhe qytezave tona; s’ka qënë e varfër për të mbajtur me bukë mbi
40.000 ushtarë italianë më 1943-1944.
Jo! Jo, nuk ishte e varfër edhe kur hapi dyert e kufijve dhe shtëpive,
duke dhënë gjithshka për vëllezërit kosovarë më 1999-ën, kur regjimi i egër i
Millosheviçit nisi spastrimin më të madh etnik në këtë vend të martirizuar.
Këto janë shprehje e një shpirti të madh human, që ka populli ynë. Kjo është
fytyra e vërtetë e asaj Nëne të Madhe që kanë jetimët e Shqipërisë, qofshin ata
të braktisur, qofshin në shtëpitë e fëmijëve, qofshin të ngujuar nga gryka e
pushkës vrastare, qofshin fëmijë policësh të rënë në mbrojtje të rendit e
sigurisë, qofshin si “emigrantë” rrugëve të Greqisë dhe Italisë. Të gjithë janë
fëmijët tanë, janë drita e syve të popullit e të kombit tone, të gjithë kanë
një Nënë të Madhe: Shqipërinë. Për ta shkruan edhe Profesor Bedriu ynë, për të
ardhmen e tyre e të shoqërisë sonë ...
***
Astrit Bishqemi
Shënime për romanin "I fundmi i Kastriotëve", 1944-2002 -
1.
Emri i Andon Frashërit deri para pak kohësh ishte fare i panjohur për ne. Për
të në Leksikonin e Hasan Hasanit thuhen vetëm këto fjalë:" FRASHËRI,
Andon. Njihet si shkrimtar që aktivitetin e vet letrar e zhvilloi para Luftës
së dytë Botërore. Shkroi dhe botoi një roman historik. Vepra letrare: "I
fundmi i Kastriotëve" 1944 – Tiranë".
Për jetën e veprën e këtij autori në ndihmë na vjen Robert Ballauri, nipi i
Andonit, me një parathënie të titulluar "Kush ishte Andon Frashëri",
me të cilën hapet libri "Andon Frashëri, Bedri Dedja I fundmi i
Kastriotëve roman, "Fan Noli", Tiranë 2002".
Në të mësojmë se Andon Spiro Frashëri u lind në Korçë më 1892 në një familje të
shpërngulur nga Frashëri i Përmetit. Arsimin fillor e mori në Mësonjëtoren e
Parë me mësues Petro Nini Luarasin dhe Nuçi Naçin. Gjimnazin e filloi në Korçë
dhe më vonë ndoqi një shkollë frënge në Selanik të Greqisë. Në vitin 1910
emigroi në Sh.B.A., ku plotësoi mësimet në Natic High School dhe dy vjet
letërsi në Universitetin e Harvardit (1913-14). Më tej, për 14 vjet rresht,
punoi si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i gazetës "DIELLI" të
Bostonit. Më 1924 u kthye në Shqipëri me shumë vatranë të tjerë dhe mori pjesë
në ngjarjet e Qershorit të atij viti. Në qeverinë e Fan Nolit u caktua shef i
kabinetit dhe sekretar privat i kryeministrit. Me kthimin e Zogut, emigroi
jashtë atdheut. U rikthye më 1926-n dhe për njëzet vjet punoi si mësues i gjuhës
e i letërsisë shqipe dhe për gjuhë të huaja në Korçë e në Tiranë, arsimtar dhe
drejtor shkolle. Si shok e mik i Fan Nolit, më 1945 pati kurajo t`i shkruante
atij se do të rrezikonte jetën nga regjimi komunist po të vinte në Shqipëri...
Në vitin 1946 pushohet nga puna. Arrestohen së bashku me të shoqen dhe dënohen
si armiq: ai me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie, kurse e shoqja me dy vjet. Bën
dhjetë vjet burg dhe del më 1956. Vdiq më 18 dhjetor 1965 aksidentalisht.
Libri është letërsi realiste, një roman që sjell një kohë
të lavdishme të kryengritjeve shqiptare kundër thundrës osmane. Sjell në skenë
edhe një personazh aq simpatik, siç është Gjoni, biri i kryetrimit legjendar të
Krujës, Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Për ta bërë një romancë sa më interesante
për lexuesit, siç mund të kuptohet, autori fut në krijim një linjë dashurie
midis Gjonit dhe vajzës arbëre Mariana. Dhe kësaj linje ndoshta i ka mëshuar
edhe më tepër sesa duhet, duke rënë në melankolizëm. I stisur na duket edhe
ndonjë episod, për shembull, skena e njohjes midis dy të rinjve. Gjoni ka
ardhur në Krujë, po shëtit vendin përreth, dhe, duke kaluar pranë një kopshti
me pemë, i shkon në ndihmë vajzës, vret me kamë gjarprin helmues…
Vepra herë-herë rëndohet nga pasazhe publiçistike (psh f. 10 etj.). Në ndonjë
rast ndjehet interteksti i Nolit (krahasojmë, për shembull fragmentin e kthimit
të Skënderbeut në Krujë të Nolit me këtë fragment të kthimit të Gjonit, në të
njëjtin qytet:
"Jashtë veriu i egër i maleve të Shqipërisë frynte e vërshëllente si i
marrë; shkëmbinjt` e thatë, që mbanin shekuj të tërë fortesat e Krujës,
gjëmonin dhe rënkonin të rrahur prej valëve të erës, duke u përzjerë ato me
dallgët perçe-shkumbë t`Adriatikut.
Brenda kështjellës…" (f. 30)
4.
Pas pothuajse gjashtëdhjetë vjetësh, në vitet e tranzicionit demokratik ky
libër u mor e u ripunua nga shkrimtari Bedri Dedja; u botua më 2002 nga shtëpia
botuese "Fan Noli" nën titullin " Andon Frashëri – Bedri Dedja I
fundmi i Kastriotëve".
Bedri Dedja i ka bërë një ripunim të thellë romanit. Jo thjesht redaktim apo
ritregim. Mund të themi me plot gojën se e ka rishkruar, e ka rikompozuar, e ka
rikrijuar. Ndaj edhe e ka vënë emrin e vet si bashkautor.
Vepra e re ka po atë fabul, ndërsa konstrukti i subjektit është ndërtuar me
tridhjetë krerë, të cilët janë pajisur edhe me nëntituj. Krerët e rinj nuk
përputhen me ata të romanit origjinë. Kështu, nga kreu i parë i Frashërit,
Dedja ka nxjerrë katër të rinj etj. Disa krerë nuk figurojnë fare te Frashëri,
janë trillim e krijim artistik i Dedjes. Të tillë përmendim krerët: IX, XVI,
XIX (pjesa e faqes 63), XX (letra që Leka i Balshëve i dërgon Gjonit, f. 68),
XXVII (f. 97), XXVIII etj.
Romani është shkarkuar nga pjesët publiçistike e historike që janë si mish i
huaj në një vepër artistike.
Gjithashtu, Dedja e shkarkon në minimum romanin nga skenat e dashurisë midis
Marjanës dhe Gjonit dhe faqe të tëra i kalon me tri-katër fjali, duke i dhënë
rëndësi parësore kryengritjes, qëllimit për të cilin kishte ardhur Princ Gjoni
nga Italia.
Po kështu, janë ndryshuar edhe pasazhe të tjera artistike. Bie fjala, Frashëri
përshkruan Drakulin, luftëtarin e Skënderbeut që kujdeset për Gjonin
dhjetëvjeçar. Ai rri zgjuar gjithë natën në kuvertën e anijes dhe shikon
brigjet e vendit të tij të dashur: "Drakuli nuk ra të flerë si të tjerët.
Që nga kulla e anijes po vërente me mall e dhimbje çdo vend e kënt që po
largohej nga sytë mbushur me lot." (f. 9 e tekstit të Frashërit). Dedja në
këtë pasazh fut edhe Gjonin të pranishëm, madje e vë në bisedë me tjetrin:
"Drakuli bashkë me Gjonin, princin e vogël, që ishte biri i Skënderbeut,
qëndruan në kullë të anije sipër për të parë brigjet që po largoheshin. Ja,
Durrësi i mbushur me xixa, që fikeshin ngadalë njëra pas tjetrës. Ja, bregu i
nxirosur i ranishtes dhe Shkëmbi i Kavajës, si piramidë e lashtësisë…
Luftëtari trim lëmonte flokët e Gjonit dhe me dënesje të lehtë i thoshte
vogëlushit:
- Mos e harro, o Gjon, këtë dhé! Ti je shqiptar, ti ke lindur në këtë tokë. Ati
yt i madhërishëm, Skënderbeu, e çliroi nga turqit dhe njëzet e pesë vjetë e
mbajti lart flamurin e Shqipërisë. Ai vdiq e osmanët na përdhosën…Se s`ka më
një trim si Skënderbeu… Mos e harro, o Gjon, këtë dhé!" (f. 9 e romanit të
ripunuar)
Një episod që Frashëri e përshkruan si real (Gjoni shpëton Marianën nga gjarpëri),
Dedja e bën sikur Gjoni e shikon në ëndërr dhe e kthen në simbol:
"Princit iu kujtua ëndrra. Kush ishte vallë ajo vajza e bukur? Mbase nëna
e djalit trim nga Tirana. Mbase Donika Kastrioti… Mbase një mëmë më e madhe…
Shqipëria, të cilën e kërcënoi gjarpëri me dhjetë koka." (f. 40) (Mund të
hetohet këtu interteksti i Naim Frashërit, kur Shqipëria i shfaqet në ëndërr
Gjergj Kastriotit që ndodhej në oborrin e Sulltanit dhe i kërkon ndihmë)
Herë-herë ligjiratën e drejtë të Frashërit, kur nuk është e goditur, Dedja e
kthen në të zhdrejtë (psh f. 37: 27) dhe anasjelltas (38:30).
Marianën Dedja e bën luftëtare që u bashkohet luftëtarëve të Gjonit.
Ndërsa në fund Gjonin e lë gjallë, të plagosur; Mariana me Drakulën e ndihmojnë
të shkojë në Itali, ku nënkuptohet se të rinjtë kanë jetuar ende e janë
trashëguar.
Romani i Frashërit është roman historik, roman realist. Ndërsa Dedja ndonjëherë
i ka dhënë edhe tonin e përrallës. Për shembull, për të treguar se takimi i
fshehtë i arbërve me Gjonin u jepte atyre fuqi, futet ky pasazh me stil
përralle:
"Natën e parë erdhi një malësor me tirqe. Pelerina i gufonte. Nën pelerinë
malësori kishte fshehur një thikë në brez, një shpatë që i arrinte gjer te kyçi
i këmbëve dhe një pisqollë. (…)
Ndenji sa ndenji malësori në atë shtëpi dhe kur lindi ylli i mëngjesit, doli me
shpatë në dorë dhe tha:
- Do t`ua këpus kokën gjithë zabitëve, jeniçerëve, dhe asqerëve! (…)
Natën e dytë erdhi një katundar me brekushe e me xhokë. Pelerina i gufonte. Nën
pelerinë katundari kishte fshehur dy thika në brez, dy shpata që arrinin gjer
te kyçet e këmbëve dhe dy pisqolla. (…)
Ndenji sa ndenji katundari në atë shtëpi dhe kur lindi ylli i mëngjesit, doli
me dy shpata në duar dhe tha:
- Do t`i bëj përshesh të gjithë zabitët, jeniçerët dhe asqerët! (…)
Natën e tretë erdhi një lab me fustanellë e jelek. Pelerina i gufonte. Nën
pelerinë labi kishte fshehur tri thika në brez, tri shpata, që arrinin gjer te
kyçet e këmbëve dhe tri pisqolla. (…)
Ndenji sa ndenji labi në atë shtëpi dhe kur lindi ylli i mëngjesit, doli me dy
pisqolla në duar dhe tha:
- Do t`i bluaj në mulli të gjithë zabitët, jeniçerët dhe asqerët!" (f.
54-55)
Ose futen personazhe të natyrës përrallore:
"Aty ishin edhe prinjësit popullorë, Lartmadhëria e tij Malësori,
Shkëlqesia e tij Katundari, Hirëplotësia e tij Labi e të tjerë" (f. 60)
Më tutje:
"Si do të sulmonte Princ Malësori Mamurrasin. Kurse Princ Katundari do t`i
hidhej në fyt garnizonit turk në Tiranë. Princ Labi do të zinte grykën e
Erzenit në Ndroq…" (f. 74)
E më tej, për të simbolizuar, veç armikut osman të kohës, edhe atë grek e serb
:
"Shtrigani i parë quhej Çaushosmanlliu. Shtrigani i dytë quhej
Karafillaku. Shtrigani i tretë quhej Gospodari. Të tre shtriganët mbanin nga
një thikë në dorë…" (f. 102)
Herë Dedja mundohet t`i apë vlerë për të sotmen tekstit të tij, duke aluduar
për përçarjen e popullit tonë nga partitë politike:
"Jo "çika-çika", po "prapti-prapti". Pastaj u ngritën
të katër shtriganët e thanë "Jo prapti", por "parapti"!
Kur, pa pritur, një dorë magjike hoqi nga fjala "parapti" një
"a" dhe një "p" në mes të fjalës dhe doli një fjalë tjetër
"parti", domethënë pesëdhjetë copa bakllava, pesëdhjetë bajrakë,
çika-çika e pjesë-pjesë. Njëqind koka si "parti" që shikojnë vrëngër
njëra-tjetrën. U ngulën thikat e shtriganëve në tepsi… etj. etj." (f.103)
Bedri Dedja bën kujdes që në romanin që ua adreson moshave të reja, të mos
përshkruhen me imtësi skenat makabre, torturat e vrasjet, qoftë nga ana e
luftëtarëve arbër, qoftë edhe nga ana kundërshtare.
Mariana, megjithëse myslimane ka shkuar të lutet në kishë (f.68) dhe atje
takohet me Gjonin. Dedja mundohet ta kapërcejë këtë lajthitje të Frashërit me
anë të arsyetimit:
"- Si është e mundur, Marianë?! Po ti sot ishe në meshën e kishës… Pastaj
ti edhe enrin e ke të krishterë!
- Do të bashkohemi po të bëhesh edhe ti muhamedan…
Mariana me gojëtarinë e vet vazhdoi të rrëfehet, duke qarë me dënesë. Vërtet
kishte vajtur në kishë. Vërtet e kishte emrin të krishterë. Vetë gjyshërit
kishin qenë të krishterë. Po dajua ishte kthyer në muhamedan që të bëhej
pasha…" (f. 58)
5.
Në përgjithësi, gjuha e Dedjes, fjalia e tij është më e përpunuar dhe më e
afërt për lexuesin e sotëm:
Shprehja e Frashërit "Na janë vënë mu në thundrat…" (f. 60) është
përmirësuar: "Hundët e turqve janë afruar te thundrat tona." (f. 48).
Fjalia e Dedjes është e shkurtër e më dinamike. Ja një pasazh për ta vërtetuar
këtë pohim tonin:
Frashëri, f. 25:
"Dy veta zbritnë nga ania, të cilët prej të veshurit dukeshin që ishin
tregtarë, nga ata që dendur harbojnë nëpër limanet e Adriatikut dhe sidomos në
Shqipëri, ku blejnë mëndafsh të punuar në vegël dhe dantella të hendura prej
vashave shqiptare. Njëri prej atyre, që dukej të ish më i pasur, qe një djal` i
ri me mustaqe posa të ndjersur, tepër i hijëshmë dhe krejt në kundërshtim me shokun
e tij, një burrë të thyer, me mustaqe të mëdha të rëna mi buzët, me vetulla të
murme që mbulonin për gjysmë dy sy si të gjarpërit; zhubrat që radhiteshin në
ballë, si të çarat e një druri të kalbur, kallzonin se ky kish shkuar një jetë
të ashpër e plot mundime. Po qëndrimi i tij, mënyra e të folurit dhe të ecurit
tregonin se ay qe më shumë luftëtar se tregëtar."
Dedja, f. 18:
"Nga anija zbritën dy veta. Nga veshja dukeshin si tregtarë. Njëri prej
tyre ishte i ri dhe i hijshëm. Tjetri burrë i thyer me mustaqe të mëdha dhe me
zhubra në ballë, që ngjanin si të çarat e një druri të kalbur"
Mirë ka bërë Dedja që saktëson ndonjë term, si, bie fjala, "tekë që kishte
në brez" (Frashëri, f.35) me "pisqollë" (Dedja f. 25). Ndoshta
më të kujdesshëm duhet të ishin treguar të dy "bashkautorët" për disa
terma që kanë të bëjnë me historinë, si: përdorimi i fjalëve
"Shqipëri" dhe "Arbëri", "kështjellë" e
"kala", "prefekturë" (Dedja, f. 54). Tirana në shekullin XV
(rreth vitit 1485), mesa dimë, nuk ka qenë ka qenë veçse një fshat e jo qytet
me rëndësi, si Durrësi e Kruja; as edhe ndonjë fshat i zhvilluar, me toponime
të tilla, si: rruga e Bamit, rruga e Dibrës, fusha e Shallvareve, rruga e
Durrësit, rruga e Kavajës, rruginat e pazarit të vjetër, siç përmenden në f. 32
etj. (Të dhënat historike, si datë themelimi e atij qyteti na japin vitin 1614,
pra 130 vjet më vonë, kur, nën kujdesin e Sulejman Pashë Bargjinit, u ngrit në
mes të fshatit një xhami, një hamam, një furrë e ndonjë dyqan.). Madje as te
Meshari i Gjon Buzukut (1555) "fjalët shqipëri e shqiptar nuk shihen te ky
shkrimtar, përveç termit shqip, si gjuhë" na sqron Prof. Dr. Jup Kastrati
. Gjithashtu mendojmë se e minimizon armikun kundërshtar edhe ndonjë
hiperbolizim në kah zvogëlues, si: "Mirillah Beu, i rrethuar nga dyqindë
jeniçerë flinte nga frika nën minder…" (Dedja, f. 105). Jo fort i
besueshëm është edhe episodi në f. 92 ku në mes të natës Gjoni takon në udhë
një lypës që i jep informacion të rremë për lëvizjen e trupave osmane. Dhe kush
është ky lypës? "Lypësi kishte qenë tradhtari, pashai i Shpatit, ungji i
Marianës." (?!)
Mandej nuk e besojmë se një shqiptar i asaj kohe të ketë aq zgjuarsi e
informacion, sa të dallojë e të bëjë një arsyetim të tillë si ai i trilluar nga
Dedja në f. 32: "Njeriu me këmbë si të lepurit u fut në ndërtesën e
komandës turke. Spiuni! Kush të kishte qenë ky spiun? Turk, jo! Çekrez, jo!
Arab, jo! Mongol, jo! Shqiptar? Shqiptar?" Dhe kush është ky njeri që
arsyeton kësisoj, do të pyesni ju. Një fëmijë trembëdhjetëvjeçar!
Pavarësisht ndonjë mangësie që u munduam të vemë në dukje, i paharruari Bedri
Dedja na dha një përvojë të vlefshme sesi një vepër me interes, një tekst i
shkruar kohë më parë, mund të rifreskohet e të bëhet me vlerë edhe për një
horizont pritjeje të një kohe tjetër.
Materialet e ndryshme janë mbledhur nga Alfred Papuçiu
Koment
Harillaq Kekezi[ E hene, 13.04.2009, 08:47 PM ]
Une ruaj per Prof. Bedriun kujtimet me te mira, sepse
leksionet e para ne vitin shkollor 1954-1955 m'i ka dhene mua dhe shokëve e
shoqeve te mi,qe sapo ishim ulur ne bangat e studimeve unversitare.Ishte nje
pedagog shume i formuar qysh ne fillimet e mesidhenies se tij, por mbi te
gjitha nje njeri i mrekullueshem. Nuk e di pse une i hyra shume shpejt ne zemer
dhe ishte ai , qe pavaresisht se ndonje nga vendlindja ime, Gjirokastra,
mundohej te gjente "hije biografike ne mushkerite e mia", kishte
ngulur kembe qe une te zgjidhesha ne komitetin e rinise te Institutit, madje
edhe zevendessekretar ketij komiteti. Kjo per mua ishte nje mbeshtetje e madhe
morale. Nje here tjeter, kur do te behej nje aktivitet solemn dhe delikat
politikisht, une isha caktuar te isha ne presidium, por me ate veshje te varfer
qe kisha sikur e ndjeja veten jashte atij nderi. Ju drejtova Prof. Bedriut qe
te me zevendesonte me dike tjeter, duke ia thene hapet aresyen. Ai me hidherim
u dha buzeve nje buzeqeshje dhe prerazi shtoi:"Ti e meriton te jesh aty.
S'eshte veshja qe e ben te denje njeriun!"
Natyrisht, kujtesa nuk mund, pas kaq vjeteve t'i riprodhoje gjerat me
perpikeri. I thashe, sepse nuk e harroj ate Njeri! Ishte po ai pas shume vitesh
qe me futi ne nenredaksine e kultures per hartmin e "Enciklopedise
shqiptare" pikerisht atehere, kur une po punoja ne Institutin e Studimeve
te Marredhenieve Nderkombetare prane Ministrise se Jashtme.
E kam respektuar per te gjithe krijimtarine e tij. Ishte serioz dhe
vullnetplot, ishte krijues dhe rrezatonte me sjelljen dhe veprimet e tij vetem
miresi. ..Dinjiteti njerezor i mbrujtur gjithe jeten eshte shprehja me e mire e
njeriut te civilizuar, qytetar dhe demokrat.
Qofte paharruar kujtimi i Prof. Bedri Dedes! Ben shume mire familja dhe rrethi
ngushte i tij qe vlerat ia mbajne lart!
Te fala nga
shtepia,
Harillaq Kekezi
Alfred Papuçiu[ E hene, 13.04.2009, 02:25 PM ]
E
nderuara Z. Këze (Kozeta) Zylo!
Ju faleminderit për fjalët e mira për faqet e përgatitura për Akademikun Bedri
Dedja. Figura të tilla si ai janë unikalë për Kombin tonë.
Unë kam shumë kujtime të bukura me të, pasi e kam njohur qysh kur isha në moshë
të vogël. Më ka qëndruar pranë, më ka nxitur të shkruaj, më ka trajtuar si një
nga fëmijët e tij. Mbi të gjitha nuk e harroj humanizmin e tij dhe të
bashkëshortes së tij kur vdiq im atë në moshën 53 vjeçare. Ishte një humbje e
madhe për mua. Por ai më këshillonte të vazhdoja jetën time duke patur
mbështetjen e tij dhe të Pandorës. Ai u tregua tepër njerëzor kur Pandora
ndihmonte nipër e mbesa, si edhe breza të tërë të rinjsh për të ndjekur rrugën
e muzikës në Liceun Artistik ku ajo jepte lëndën e letërsisë. Gjithçka në jetë
e fitoi dhe e ndërtoi me shpatullat e tij. Rridhte nga një familje e thjeshtë
dhe me punën, ndershmërinë, maturinë, penën e tij të artë, elokuencën e tij (që
edhe ju i keni vënë në dukje këto tipare) mundi të arrinte të imponohej si
shkencëtar, pedagog, psikolog, shkrimtar dhe të drejtonte institucione të
rëndësishme në Shqipëri. Ju e shprehni aq bukur sa e vuajti ai
"dënimin" në Elbasan, por në bisedat e tij ai kujtonte gjithmonë ato
çaste të bukura me ju ish studentët e tij në Universitetin e Elbasanit, ashtu
siç ju kujton edhe Pandora dhe Edlira.
Bashkëshortja ime ju dërgon urimet më të mira dhe ju kujton me mall. Vitet
kalojnë, ne po plakemi, por të paktën çdonjeri nga ne lë diçka modeste me
shkrimet që harton edhe për tribunat e
hijshme te Diasporës shqiptare.
Të fala shumë edhe Z. Qemal
Me shumë respekt dhe mirënjohje dhe të mirë u dëgjofshim edhe me shkrime të
tjera, sidomos ato tuajat që japin një pamje të bukur të Diasporës në Nju Jork
dhe Amerikë. Unë ruaj kujtimet më të mira nga udhëtimet e mija në Nju Jork, Nju
Xhersi, Florida etj., ku kam miq e dashamirës....
Alfred Papuçiu
ps: më falni se shkrova pak gjatë, por ne të Diasporës jemi pak nostalgjikë dhe
nuk dijmë të shkruajmë shkurt
Kozeta Zylo[ E hene, 13.04.2009, 01:05 PM ]
I
nderuar z.Papuciu,
E lexova me vemendje shkrimin studimor te akademikut me permasa boterore,
prof.Bedri Dedes. Ju keni sjelle prane lexuesve profesorin qe jo vetem ishte
nje shkrimtar, nje psikolog i kalibrit me te larte, por mbi te gjitha ai ishte
nje mesonjes njeri. Kam qene me fat ta kem profesor per 3 vjet, prof.Bedri
Deden, profesorin qe mezi e prisnim te vinte ne klase. Ne leksionet e tij
degjohej vetem zeri i tij, dhe aq shume na perpinte te gjitheve, saqe na dukej
se ora mbaronte shume shpejt...Shume mesues qe dolen nga puna e tij ne
Universitetin e Elbasanit, kane ne mendje dhe ne zemer fytyren e vertete te nje
akademiku, punen e tij te palodhur nje jete te tere ne sherbim te Kombit, pune
qe me ka frymezuar per t'i hedhur ne poezi memorje per kete profesor... O Zot
sa me dhimbsen yjet,
Vecanerisht ata qe i mbulon qielli i muzgut shqiptar...
Por ju me penen tuaj, i zmbrapsni tutje rete qe mundohen t'i mbulojne keto
figura te ndritura, prandaj nuk besoj te gaboj, kur them, se eshte akademik
boteror. Asgje me shume nuk kane shume akademike ne Perendim, asgje nuk kane
edukim me shume se prof.B.Dedja, por akademiket e Perendimit dallohen, se nuk i
ha shteti i tyre, por i ve ne Piedestal, aty ku e kane vendin Yjet!
Se fundi pranoni ju lutem te falat e mia dhe te Qemalit, per ju dhe te emblen
Roza, kolegen time te nderuar dhe te respektuar, te cilen e kujtoj me mall dhe
dashuri te vecante, por ne pamundesi per t'u lidhur, pasi nuk disponoj e-mail.
Me shume respekt dhe mirenjohje te thelle per kete shkrim studimor!
Keze Zylo
Alfred Papuçiu[ E hene, 13.04.2009, 10:35 AM ]
I
nderuar Z. Ismet M. Hasani!
Ju falenderoj nga zemra për fjalët e ngrohta lidhur me shkrimin tim për
Akademikun Bedri Dedja. Përfitoj nga rasti t'u përgëzoj edhe juve për shkrimet
dhe poezitë tepër domethënëse që shohim shpesh. Ju
jepni një mesazh optimist dhe me "bon-sens", maturi, objektivitet për
bashkëkombasit.
Lidhur me shkrimin për Akademikun Bedri Dedja, të them të drejtën ishte një
ndërmarrje e vështirë, pasi ai ka qënë një shkrimtar poliedrik dhe nuk mund të
shkruash gjithçka për të në disa faqe. Ai ka me qindra e qindra shkrime të
tjera në arkivin e tij personal që shpresojmë se me ndihmën e bashkëshortes
Pandora dhe femijeve te tij do të dalin në dritë. Unë kam përkthyer në frëngjisht
"Përrallat e Zvicrës" të tijat dhe shpresoj të përkthej dhe disa
libra të tjerë të të paharruarit tonë Bedri Dedja.
Me shumë
respekt dhe mirënjohje
Alfred Papuçiu
Ismet M. Hasani, Suedi[ E hene, 13.04.2009, 07:28 AM ]
Me
shumë kujdes lexova këtë shkrim voluminoz e komplex mbi Akademikun Bedri Dedja,
dhe u binda se z. Alfred Papuciu shumë kohë përpara i paska pas caktuar detyrë
vetes të përgatitë material voluminoz dhe t'i ndërhyj një pune mjaft të madhe,
e, sic thotë edhe vet, jo edhe aq të lehtë.
Por të lumtë o Alfred i dashur.
Të përmbledhësh material, të dhëna, citate, mendime, nga shumë shkrimtarë e
mendimtarë që e kanë njohur fort mirë Akademikun e mirënjohur Bedri Dedja, dhe
krejt këto t'i përfshish në një faqe të pandërprerë interneti, mund të vlerësohet
se: këtë punim kaq të kompletuar ka mundur ta kryej me kaq dinjitet vetëm
Alfred Papuciu.
Vetëm në këso mënyrash dhe më këso punimesh mund të kthejmë të mirën me të mirë
ndaj njerëzve të mirë.
Vetëm me angazhime në studime të këtilla tregojmë kujdesin ndaj atyre që nuk
janë më të gjallë, ama veprat e tyre na obligojnë që t'i përkujtojmë, nga se
edhe e meritojnë.
Vetëm me publikimin e veprave të atyre që janë në kujtesën e popullit, nga së
populli i dashti, i lavdërojë, i ndëroi i lartësoi edhe sa ishin të gjallë,
sepse krijuan dhe i lanë thesar të madh
e të cmuar popullit të vet, mund t'i bëjmë të pavdekshëm, nga se na lanë vepra,
dhe përderisa dikujt i përmendet emri, do të thotë se ende jeton me ne.
Dhe, këtij komenti po ia vëj pikë me këto tri mendime:
(1) Lum ai popull, nga gjiri i të cilit dalin njerëz të mëdhenj.
(2) Të lumtë ata njerëz që mbesin në kujtesën e popullit, nga së populli i ka
dashur, dhe ka dijtë pse i ka dashur.
(3) Të lumtë na që kemi njerëz të tillë që njerëzve të mëdhenj edhe për së
vdekuri u bëjnë shërbime.
Suedi, 13 prill 2009