E premte, 13.12.2024, 10:10 AM (GMT)

Faleminderit

Xhavit Kryeziu: Remzi Morina - mësuesi i parë në shkollën e Gragjenikut

E shtune, 11.05.2019, 09:10 AM


REMZI MORINA- MËSUESI  I PARË  NË SHKOLLËN E GRAGJENIKUT

Me rastin e 60 vjetorit të fillimit të mësimit  në gjuhën shqipe të Shkollës së Gragjenikut, zakonisht kur shënohen përvjetorët e shkollave vihen në pah sukseset dhe të arriturat  gjatë kohës së funksionimit të tyre, por në këtë rast nuk është ashtu. Pas katër decenie pune, suksesi e reflektimi, ajo shuhet.

Nga Xhavit Kryeziu

Gragjeniku gjendet afër 17 km në veri të Dardanës (ish Kamenicës) dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 603 ha, 28 ari e 26 metra katrore. Është vendbanim i vjetër, në të cilin që nga koha romake ka jetuar popullata iliro- shqiptare. Ai në dokumentet e shkruara përmendet me emrin Ogragjenik, në defterin osman kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 kishte 3 shtëpi. Në vitin 1912 kishte 10 shtëpi serbe dhe 40 shqiptare. Sipas regjistrimit të vitit 1981 kishte 56 shtëpi me 303 banorë e prej tyre 12 në punë të përkohshme në shtetet perëndimore dhe 9 që qëndronin atje në cilësinë e të papunëve.

Në paralelen e ndarë fizike të Gragjenikut mësimi në gjuhë shqipe, për herë të parë, nisi të mbahet në vitin shkollor 1959/1960. Aty shkolla u hap në saje të mirëkuptimit të shkollës amë dhe organeve kompetente komunale për çështje të arsimit. Aty mësues i parë ishte Remzi Morina nga Hodanoci. Fillimi i mësimit për herë të parë në gjuhën shqipe, në afro 40 shkolla të kësaj komune ka pasur vështirësi të shumta dhe të ndryshme, si që janë: mungesa e kuadrit mësimor të kualifikuar; mungesa e lokalit mësimor si komponent e rëndësishme në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies që e ka përcjellë fatin e shkollës sonë, që nga shkolla e parë shqipe e këndej; mungesa e teksteve dhe mjeteve mësimore; largësia nga shtëpia deri te shkolla e në ato rrugëtime janë edhe rreziqet e shumta e të ndryshme për shkollarin tonë (në këtë rrugëtim nga shtëpia deri te shkolla, para disa vitesh, filloristin Bërnjashi nga Karaçeva e Poshtme  e kësaj komune, qentë endacakë e kafshuan për vdekje) e të tjera.

Shkolla e Gragjenikut ishte paralele e ndarë fizike e shkollës së Strezocit, afër 5 kilometra nga shkolla amë. Ajo gjendet në një bregore, në këndin e udhëkryqit të rrugës Strezoc- Gragjenik dhe asaj  që vie nga Prishtina, disa qinda metra larg shkollës janë shtëpitë e tipit rural. Shkolla ka dy dhoma mësimi, një zyre dhe një dhomë banimi për mësuesin. Ishte shumë vështirë të ishe mësues në një fshat të largët të tipit rural, pa rrugë, pa asnjë shitore në fshat, pa rrymë elektrike e ndriçimi i dhomës bëhej me llampën e vojgurit, po me një zell e vullnet të madh për punë, mund të përballoheshin të gjitha ato vështirësi.

Remziu u lind në Hodanoc, më 9. 3. 1933. Shkollën fillore katërklasëshe e kreu në Roganë (ish Rogaçica) ku për mësues pati Xhevat Aliun, një ndër pishtarët e arsimit në këto anë. Gjimnazin e Ulët e mbaroi në Hogosht. Për herë të parë filloi të punojë në detyrën e mësuesit më 1. 9. 1952 në Shkollën fillore të Meshinës, komuna e Kamenicës. Pa shkëputje nga marrëdhënia e punës kreu Normalen e më vonë edhe Akademinë Pedagogjike- Drejtimi Klasor në Gjilan. Gjatë viteve shkollore 1953-1954 dhe 1954/1955 punoi në shkollën e Kopërnicës.

Pasi kthehet nga shërbimi i afatit të obligueshëm ushtarak, në vitet1957/1958, punoi në shkollën e Gmicës e pastaj edhe në Strezoc. Me angazhimin e tij dhe të kolegëve të tjerë fillojnë mësimin  klasa e shtatë dhe e tetë aty për herë të parë. Ky ishte një sukses, për të cilin patën mirëkuptim edhe organet komunale  kompetente për çështje të arsimit. Aty punoi disa vite. Në vitin shkollor 1959/ 60, me kërkesën e prindërve dhe me pëlqimin e shkollës amë, kalon në fshatin Gragjenik, ku për herë të parë fillon mësimi aty, në fillore me katër klasë të kombinuara për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Shkolla fillore e Gragjenikut për shumë vite ishte paralele e ndarë fizike e shkollës së Srezocit.   Nxënësit  e gjeneratës së parë të kësaj shkolle janë: Vahide Bajram Maliqi, Ilaz Bajram Maliqi, Fahrije Bajram Maliqi, Faik Hajdar Maliqi, Bahtir Hajdar Maliqi, Zyla Latif Maliqi, Zahir Latif Maliqi, Raza Ramiz Maliqi, Sabit Sahit Maliqi, Zenel Sahit Maliqi, Hysen Lah Maliqi, Adem Hasan Maliqi, Hatixhe Kadri Maliqi, Sabile Man Boroci, Aziz Man Boroci, Shera Shaban Zejnullahu, Sabit Shaban Zejnullahu, Shefki Ali Lahu, Raif Feta h Qerimi, Kamer Sinan Mujku, Hanife Sinan Mujku, Ramize Shaban Mujku, Hetem Shaban Mujku, Ramadan Hasan Mujku, Hamite Salih Mujku, Hajkuna Salih Mujku, Lim Hamdi Mujku, Ajete Hamdi Mujku, Lam Rexhë Mujku, Ruka Rexhë Mujku, Hajriz Brahim Mërkoja, Miradije Brahim Mërkoja, Femi Sahit Boroci, Rukije Sahit Boroci, Nexhmije Sahit Boroci, Bislim Mustafë Boroci, Rukije Veli Vrapca, Sofije Seli Boroci, Zymrije Selim Boroci, Sherif Halit Boroci, Hasim Halit Boroci, Fazli Hil Boroci, Miradije Hil Boroci, Zahide Bajram Boroci, Bahtije Bajram Boroci, Kadri Rexhep Boroci dhe Vahide Rexhep Boroci. Angazhimi për mësim, përkushtimi i tij për shkollën dhe nxënësit ka ndikuar në formimin e personalitetit të tyre, prandaj në vetëdijen e tyre ka mbetur si personalitet I dashur dhe i respektuar që nuk e kanë harruar asnjëherë, mbajnë kontakte me atë dhe herë pas herë e vizitojnë. Mësuesi është  njeri me ndikim në formimin e personalitetit të njeriut e pohon edhe Albert Kamy, fitues i çmimit Nobel për letërsi, në vitin 1957 që kur mori lajmin se iu ka ndarë ky çmim, në atë moment i përkujtohen dy personalitete që kanë ushtruar ndikim në formimin e personalitetit të tij e ata janë: nëna dhe mësuesi, për të cilin shkruan: “ …për t`ju siguruar se përpjekjet e juaja, puna juaj dhe bujaria që ju keni mbjellë, janë gjithmonë të gjalla në një nga nxënësit tuaj, i cili pavarësisht prej moshës, nuk ka pushuar së qeni nxënësi i juaj mirënjohës”.

Puna e mësimdhënësve përcillej me kujdes nga Organet e Punëve të Brendshme se ishin në shënjestër të tyre dhe  Shërbim i Sigurimit Shtetëror jepte rekomandime për transferim, suspendim, arrestim nga puna për mësuesit e deri te likuidimi fizik i tyre që ka pasur raste të tilla në hapësirën territoriale të kësaj komune. Kështu i ngjau edhe Remziut dhe përjashtohet nga kjo shkollë. Në vitin shkollor 1962/ 63 punoi në Shkollën fillore të Pogragjës  së Gjilanit. Po edhe aty pas një viti shkollor suspendohet nga organet komunale për arsim-Pleqësia e Arsimit- sipas porosisë së Shërbimit të Sigurimit të Punëve të Brendshme. Në vitin shkollor vijues pranohet mësues në Shkollën fillore të fshatit Gërbac, komuna e Medvegjës, ku punoi një vit shkollor. Një vit punoi në Shkollën fillore të fshatit, Tërnoc, komuna e Bujanocit. Kështu Remziu është mësues që punoi nëpër shkollat e katër komunave- Kamenicës, Gjilanit, Bujanocit dhe Medvegjës dhe kudo la përshtypje të mira, si tek nxënësit, kolegët5 e punës, ashtu edhe te prindërit e tyre. Këto ndërrime të shumta të vendeve të punës ishin pasojë e përndjekjes që bënin Organet e Punëve të Brendshme e të Shërbimit të Sigurimit e për t`iu shmangur atyre duhej taktizuar, sipas situatës, të kalohet nga një shkollë në tjetrën sa nuk kanë arritur porositë për suspendim nga  zyrtarër e shtetit të atëhershëm. Që nga 1. 9. 1966 punoi në Shkollën fillore  “1 Maji” , tash “Metush Krasniqi” të Rogaçicës e deri në vitin 1992, deri kur shkon në pension. Vetëm në këtë shkollë punoi më se një çerek shekulli, ku la mbresa të pashlyeshme tek nxënësit e gjeneratave tëshumta. Në mësimdhënie ishte kreativ dhe aktiv. Dinte të tërhiqte vemendjen e nxënësve në mësim që ata të mos ndiheshin të lodhur e as të mërzitur, prandaj për angazhimin në punë, për arritjen e razultateve optimale në mësimdhënie iu kanë ndarë shumë Mirënjohje e Lëvdata me shkrim. Ai pohon se po të lindësha përseri, do të zgjidhja profesionin e mësuesit.

Ndërtesa e Shkollës fillore ne Gragjenik.

Themelimi dhe funksionimi i shkollave me mësim në gjuhën shqipe në komunën e Kamenicës, secila prej tyre ka veçoritë e veta, por shkolla e Gragjenikut dallon prej tyre, sepse ka disa specifika të veçanta e ato janë:

-Interesimi i madh i banorëve për shkollë. Pasi ishte marrë vendimi nga organet kompetente të komunës për fillimin e mësimit, për harë të parë në gjuhën shqipe, duhej të vinte një mësues aty për t`i mësuar nxënësit. Po banorët donin një mësues sipas kërkesave të tyre, jo cilido mësues. Këshilltari i fshatit, Shaban Mujku, shkon te shkolla amë, në Strezoc, i drejtohet drejtorit të shkollës se ka një kërkesë se cilin mësues banorët e dëshirojnë e ai ishte mësuesi Remzi, i afërt dhe komunikativ me nxënës dhe prindë.Drejtori i thotë që të bisedojë me atë, e nëse ai pajtohet, ne nuk do të paraqesim pengesa. Ata biseduan dhe u muarën vesh që mësuesi Remzi u pajtua që të kalojë në shkollën e Gragjenikut;

-Dominimi i numrit të vajzave në gjeneratën e parë. Gjatë fillimit të mësimit  në gjeneratën e parë kryesisht vijonin meshkujt, ndërsa numri i vajzave ishte i vogël, apo në shumë shkolla nuk vijonte asnjë vajzë. Në shkollën e Gragjenikut në gjeneratën e parë vijonin 47 nxënës e prej tyre 24 ishin vajza. Aty vijonin nxënësit e moshave të ndryshme, nga 7-15 vjeçare e madje kishte edhe vajza të fejuara, por vijonin mësimin;

-Asnjë nga vajzat nuk vijon në klasë e pestë. Pas mbarimit të klasës së katërt, klasën e pestë duhet ta vijonin në shkollën amë, në Strezoc që isht më larg se 5 kilometra dhe shkollimi fillor ishte i obligueshëm sipas ligjit të atëhershëm, po kur shkolla është më larg se 5 kilometra nga vendbanimi, nxënësit nuk kishin obligim të vijojnë shkollën e as prindërit e tyre nuk mund të ndëshkoheshin as me gjobë e as me burg për mosvijimin e fëmijëve të tyre;

- Shtëpitë e djegura. Të gjitha shtëpitë e familjeve shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin djegur dhe dëmtuar nga paramilitarët serbë (vetëm një shtëpi kishte shpëtuar e padëmtuar- shtëpia e Sahitit) e kjo ndikoi negativisht edhe në punën e shkollës;

-Shkolla e parë, me mësim në gjuhën shqipe që shuhet në komunën e Kamenicës. Pas vitit 1999 ndodhi braktisja e fshatit nga banorët e kështu ngeli fshati pa banorë dhe shkolla pa nxënës. Pas 4 decenie pune e suksesesh, mbyllet shkolla e Gragjenikut. Nga 300 banorë që kishte, para 4 decenieve, tash fshati ka mbetur me një banor të vetëm, të moshës mbi 70 vjeçare që po qëndron fillikat vetëm aty (shih në google-“Fshati i Kosovës me vetëm një banor”). Jeta e Sabit Maliqiit, personit të vetëm që po jeton në fshat të përkujton jetën e Robinson Krusos të romanit nga Daniel Defo. Shpërngulja e popullatës nga viset rurale të kësaj komune dhe vendosja e tyre në meset urbane, kryesisht në Kamenicë, Gjilan dhe Prishtinë, ka marrë hov, është bërë fenomen e si pasojë e saj janë mbyllur edhe disa shkolla të tjera e disa kanë mbetur me nga 2-3 nxënës.

Porosia e mësuesit Remzi për gjeneratat e reja, të mësimdhënësve, është që ta duan profesionin e vet dhe të angazhohen me tërë qenien tyre në procesin e edukimit e arsimimit të gjeneratave të reja e me siguri edhe rezultatet në punë nuk do të mungojnë.

Remzi Morina me familje jeton në fshatin e lindjes-Hodanoc.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Nue Oroshi: Kujtesë për njërin ndër tre komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Çekaj Milazim Kadriu: Edhe një hero iu shtue Kosovës - Selim Berisha Klajd Kapinova: Historia e parashutistit antikomunist martirit Hamid Toshi (Saiti) Albert Habazaj: Mesazhi human i doktor Pelivanit të Vlorës Alfred Papuçiu: Bedri Dedja- shkrime dhe vlerësime për të Idriz Zeqiraj: Ismet Gashi - një jetë aktive dhe rënie heroike Hysen Kobellari: Profesor Selman Riza, shkencëtari atdhetar, midis vuajtjesh dhe triumfit intelektual Alfred Papuçiu: Akademiku Bedri Dedja - shkrimtari, pedagogu mbarëkombëtar Klajd Kapinova: Prof. Arshi Pipa, shqiptarët e Amerikës dhe pseudolibrat e zhurmëshëm rreth tyre Alfred Papuçiu: Kujtime në përvjetorin e 80-të të Nderit të Kombit tonë, Vaçe Zela Fran Gjoka & Ndue Dragusha: Ded Rramani, njeriu, bashkëshorti dhe qytetari i devotshëm Klajd Kapinova: Amerikanët frymëzohen nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës Faruk Tasholli: Me 'zotin e veshur me të bardha' Shyqyri Fejzo: Kapllan Xhangolli, biri i Shënepremtes Klajd Kapinova: Ndërroi jetë kundërkomunisti Kolec Pikolini Hysen Kobellari: Ramadan Sokoli, dijetari dhe atdhetari shembullor Fran Gjoka: Kur në Lezhë përmend mësuesin Ndue Mataj, mendja të shkon te biblioteka e tij Shefqet Hoxha: 30-vjetori i vdekjes së Muharrem Bajraktarit Anton Kodrari: Shkodrani i harruem që shkroi një faqe të lumnueshme në librin e Radio Vatikanit Thanas Gjika: Sami Repishti – një institucion i mëvetësishëm

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora