E premte, 08.11.2024, 08:50 AM (GMT)

Faleminderit

Ilmi Musliu: Pse është i mundshëm një koalicion PDK-LVV?

E merkure, 28.08.2019, 09:14 AM


Pse është i mundshëm një koalicion PDK-LVV?

Tani që parlamenti u shpërnda dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjasat më të mëdha për të bërë qeverinë e re i kanë LVV dhe PDK-ja. Dikujt mund t`i duket absurd ky konstatim, por analiza e rrethanave në skenën politike çon te kjo formulë.

NGA ILMI MUSLIU

Nëse LDK nuk bën koalicion parazgjedhor me LVV dhe me gjasë kjo nuk do të ndodhë, për shumë arsye dhe rrethana, atëherë Albin Kurti, pak nga inati ndaj Isa Mustafës dhe pak nga dëshpërimi i qëndrimit të gjatë në opozitë, pesë minuta para orës 12:00,mund të bëjë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në. Kur këtë e kanë bërë të gjithë me PDK-në, pse jo edhe LVV?

KadriVeseli e ka shpall prioritet luftimin e korrupsionit, si domosdoshmëri për ecjen e Kosovës përpara, por këtë betejë nuk mund ta bëjë vetëm, sidomos në radhët e partisë së tij, prandaj këtë sfidë do t`ia lë në dorë Albin Kurtit.

Në të vërtetë Veseli e nisi këtë betejë në radhët e veta, por u desh të tërhiqet heshtazi, pasi u kundërshtua nga figurat kyçe të partisë.

Alternativat tjera për t`i dhënë Kosovës një qeveri të re, duken më pak të mundshme. LDK-ja duket se nuk është e gatshme të rreshtohet në këtë front, prandaj edhe po refuzon një koalicion me LVV, që e nxjerr atë fitues. Gjasat janë, nëse nuk ndërrohet taktika e lojës, që LDK të mbetet në opozitë edhe në një mandat tjetër, që nuk do të zgjasë më shumë se dy vjet, nëse asaj i garantohet pushteti lokal në disa komuna.

AAK me PSD-në dhe ndonjë subjekt tjetër që do të rreshtohet ndërkohë përkrah tyre, nuk mund të dalë fitues, përballë një koalicioni të madh LVV-PDK. Kuptohet, oferta për koalicion do të bëhet nga PDK-ja, e cila nuk do të pranojë të shkojë në opozitë as me çmimin e dhënies së postit të kryeministrit, të cilin e synon LVV-ja. Këtë e ka treguar PDK-ja në zgjedhjet e kaluara, kur postin e shefit të qeverisë ia dha Haradinajt, një subjekti shumë më të vogël se LVV-ja.

Realisht, Albin Kurti është adaptuar bukur mirë me skenën politike, viteve të fundit dhe po bëhet gjithnjë e më i pranueshëm edhe për ndërkombëtarët. Ai nuk do ta lëshojë këtë shans për ta marrë qeverisjen e vendit, nëse i ofrohet mundësia, qysh edhe pritet të ndodh, sipas të gjitha gjasave, po qëse nuk bëhet koalicioni LDK-LVV.

Një marrëveshje Mustafa-Kurti, tani për tani duket e dështuar. Bisedat në grupe teknike bëhen sa për t`i mbajtur pezull subjektet tjera politike.

Pse është i mundshëm ky koalicion? Sepse, PDK nuk pranon të shkojë në opozitë, ndërsa LVV nuk është e gatshme të pres një palë zgjedhje të tjera për të ardhur në pushtet. Këta dy faktorë e bëjnë të mundshëm një koalicion mes këtyre dy subjekteve.

Fundja, PDK nuk e ka provuar në bashkëqeverisje vetëm LVV-në, nga të gjitha subjektet tjera në Kosovë dhe do ta bëjë këtë kësaj here, edhe me çmimin e madh të dhënies së postit të kryeministrit, të cilin Kurti nuk e negocion me asgjë tjetër,siç e bëri me Haradinajn.

Kush do të dalë i fituar e kush i humbur politikisht në periudha afatgjata nga një koalicion i tillë, që realisht është i mundur, mbetet të shihet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora