Faleminderit
Xhavit Kryeziu: Maksut Sadri Zylfiu - Mësuesi shembullor (1943-2020)
E diele, 02.02.2020, 07:27 PM
IN MEMORIAM
MAKSUT SADRI ZYLFIU- MËSUESI SHEMBULLOR (1943-2020)
Me rastin e ndarjes nga jeta të mësuesit -
Maksut Zylfiu që për 44 vite pune e veprimtarie nuk e ndau nga dora ditarin e
mandolinën në procesin e mësimdhënies nëpër shumë shkolla duke përhapur dritë e
dituri te shumë e shumë gjenerata të nxënësve tanë. Për angazhimin e tij në
punë e aktivitete të shumta shoqërore dhe rezultatet e arritura në mësimdhënie
kanë fjalë miradije ish nxënësit e tij, shokët e punës dhe prindërit, prandaj
edhe meriton epitetin e mësuesit shembullor.
Nga Xhavit
Kryeziu
Maksuti u lind në
fshatin Kopërnicë- komuna e Kamenicës, më 6. 5. 1943. Rrjedh nga një familje që
jetonin në kushte të vështira ekonomike, sikur shumica e familjeve tona të asaj
kohe. Ai së bashku me 7 fëmijët e kësaj familje rriteshin nën trysninë e
rrethanave shumë të rënda ekonomike dhe shoqërore. Katër klasë të shkollës
fillore i kreu në vendlindje, ndërsa shkollën
e plotë fillore e kreu në Hogosht.
Më 1964 mbaroi Normalen në Gjilan
që i përkiste gjeneratës së parë të Normalistëve të kësaj shkolle. Nga kjo
gjeneratë, pastaj, dolën disa doktorë të shkencave, shkrimtarë e personalitete
që kontribuan me punën e angazhimet e tyre shoqërore në zhvillimin e begatimin
e vlerave tona kombëtare. Rruga jetësore e shkollimit, punës e angazhimeve
shoqërore të mësuesit Maksut, rruga e dritës e diturisë së tij dhe gjeneratave
të asaj kohe ishte plot vështirësi e pengesa të shumta që vetëm njeriu me
përcaktim e vullnet të fortë ka mundur t`i
përballojë e tejkalojë. Në këtë rast do të pëmenden vetëm disa nga ato
vështirësi:
- Në verën e vitit
1959 u shpall konkursi për pranimin e nxënësve në Normalen e Prishtinës dhe duhej nxënësit t`iu nështroheshin provimit pranues. Si mund të
arrinin nxënësit e kësaj ane atje që asnjëherë nuk kishin qenë në Prishtinë e
nuk e dinin as rrugën për atje. Grupi i nxënësve: Maksut Zylfiu, Veli Beqiri,
Musa Musliu, Sadri Shkodra, Shaqir Huruglica, Rrustem Demaj u nisen në këmbë për ta kaluar rrugën deri te Normalja, në Prishtinë. Për ta kaluar
atë rrugë të gjatë afër 80 km iu dashtën
afër 19 orë udhëtimi në këmbë, por kurrsesi nuk do ta kalonin atë rrugë,
sikur mos të vinte me ata, vullnetarisht, babai Musa Musliut- Hasani, që e dinte mirë atë rrugë që e falënderuan të
gjithë grupi i nxënësve. Në provim pranues u lajmëruan afër 800 kandidatë nga
Kosova dhe viset tjera të banuara me shqiptarë. Pasi e kryen provimin pranues,
u themeluan shkollat Normale edhe në qendrat e tjera të Kosovës dhe Maksuti i
vijoj mësimet në Normalen e Gilanit që atëherë zgjaste 5 vjet;
- Më tepër se në
10 lëndë mësimore ligjërimi zhvillohej në gjuhën serbo-kroate për mungesë të
kuadrit mësimor. Në vitin e parë të kësaj gjenerate u pranuan 104 nxënës
shqiptarë, por në provimin e diplomës arritën vetëm 33 prej tyre dhe 6 që
kishin ardhur nga shkollat e tjera Normale. Kjo nuk do koment për kriteret e
ashpërta të vlerësimit të nxënësve, por nuk ishte vetëm kriteri, po ishte
urrejtja ndaj shkollës shqipe që habiteshin edhe ata vetë (kuadri mësimor e
administrativ serb) nga doli ky interesim i madh për shkollë i popullatës
shqiptare, madje jo vetëm djemtë, po edhe numri i vajzave të interesuara për
shkollim ishte i konsiderueshëm. Mësimdhënësi i kësaj shkolle- Selman Vokshi e
kishte dëgjuar dhe e ka shënuar bisedën
mes drejtorit të shkollës (Llaza Stefanoviq) e sekretarit të shkollës (Spira)
se nga e ka burimin ky vlug i madh i interesimit të fëmijëve shqiptarë për
shkollim, ishin shumë të habitur për këtë realitet;
- Mësuesit,
nxënësit dhe shkolla shqipe në Kosovë u përball me masat e gjenocidit të
Serbisë kundër popullatës shqiptare e që u manifestua me mbylljen e shkollave shqipe dhe me helmimin e nxënësve,
të cilat masa nisen të aplikohen nga 21.
III. 1990 dhe në komunën e Kamenicës u helmuan 130 nxënës, ndërsa në nivel të
Kosovës u helmuan 7.421 nxënës (shih në google: Halim Hyseni: “E vërteta për
helmimin e nxënësve”), etj.
Në vitet 1959- 1964 Maksuti
mbaroi Normalen në Gjilan, ai ishte mandolinisti më i mirë në gjeneratën e tij,
këtë e arriti përmes vullnetit e dëshirës ndaj Edukatës Muzikore dhe përkrahjes
së vazhdueshme që kishte nga mësimdhënësi
dhe etnomuzikologu i parë i Anamoravës- Selman Vokshi. Asokohe numri i
nxënësve që vijonin shkollat e mesme ishte i konsiderueshëm, kur frekuentonin
nga rruga kryesore e Gjilanit deri te shkollat e mesme, por normalistët
dalloheshin se secili prej tyre, përveç librave, në duar mbanin edhe mandolinën (autori këtij
shkrimi i përkiste gjeneratës së dytë) e Normalja arriti t`i ketë asokohe 700
nxënës me mandolina. E prej të gjitha atyre mandolinave, vetëm dy dalloheshin për cilësinë e mirë- e para ishte
ajo profesorit Selman Vokshi dhe e dyta e Maksut Zylfiut, të cilën e përdorte
gjatë kohës sa ishte vetë nxënës, e mëpastaj edhe si mësimdhënës nëpër manifestime të shumta e të ndryshme me rastin e
festave.
Kopërnica është
fshat arsimdashës se në gjeneratën e parë të normalistëve të Gjilanit,
më 1959, vetëm nga ky fshat u regjistruan 6 nxënës e ata ishin: Isuf Hoxha, Maksut Zylfiu, Njazi Rexhepi,
Rexhep Zylfiu, Limon Sylaj e Skënder Sylaj, të cilët punuan nëpër shumë shkolla
duke përhapur dritë e dituri dhe kontribuan në avansimin e procesit
mësimor në mbarë sistemin arsimor të
vendit, ndërsa tani vetëm nga familja Sylaj e këtij fshati kanë mbaruar
fakultetin e mjekësisë më tepër se 10 veta.
Në shtator të vitit 1964 Maksuti e filloi punën e
mësuesit dhe drejtorit të shkollës në fshatin Busavatë të Kamenicës. Po
shkollat shqipe në Kosovë, asokohe përballeshin me shumë vështirësi të natyrave
të ndryshme, si: mungesa e kuadrit të kualifikuar mësimor, mungesa e teksteve
dhe mjeteve mësimore, mungesa e lokalit shkollor të duhur, mungesa e ujit të
pijshëm nëpër shkolla e të tjera. Mësuesin
veçanërisht e mundonte mungesa e ujit të pijshëm në objektin shkollor,
nxënësit nuk mund ta shuanin etjen për ujë e nuk mund të mbahej as
pastërtia brenda objektit shkollor. Ishte
informuar se në pronat e banorëve të fshatit ishte një burim i ujit që ajo sasi e ujit që buronte aty, mund të
orientohej kah shkolla. Ai shkoi dhe bisedoi me pronarët ku ishte burimi dhe i
bindi që atë ta falnin për nevojat e shkollës së tyre. Kështu së bashku me
subjektet e shkollës dhe fshatit puna u organizua mirë dhe ujin e burimit e
sollën në shkollë. Uji ishte një komponentë shumë e rëndësishme, jo vetëm për
ta shuar etjen e nxënësit gjatë kohës së qëndrimit në shkollë, por edhe në
mbajtjen e pastërtisë nëpër lokalet e objektit shkollor. Për realizimin e këtij
projekti të rëndësishëm ishin falënderues të gjithë nxënësit dhe prindërit e
tyre. Për një vit shkollor, 1964/65, sa punoi aty, la mbresa të pashlyeshme në kujtimet e nxënësve,
prindërve, shokëve të punës e të tjerë.
Në vitin vijues shkollor kalon me punë në Shkollën
fillore në Hogosht ku punoi 2 vite. Pastaj kalon në shkollën fillore të
vendlindjes që ishte paralele e ndarë fizike e Shkollës fillore të Hogoshtit. Aty iu plotësua një dëshirë e kahmotshme që të
ndihmojë në edukimin e arsimimin e gjeneratave të reja në fshatin e tij pa kursyer as mundin, as vullnetin e madh për
punë ku punoi 34 vite.
Shumë nxënës fillestarë fillimin e vitit shkollor, ditën
e parë të shkuarjes në shkollë e presin me një dozë frike, pasigurie duke e
paramenduar mësuesin si njeri të rreptë e me shkop në dorë që u tërheq veshët e
flokët nxënësve e nga një frikë e tillë vuante edhe i famshmi Fan S. Noli,
prandaj ditën e parë në shkollë e dërgoi e ëma duke e futur në thes, të cilin e
ngarkoi në shpindë dhe barti deri te shkolla. E veçanta e mësuesit Maksut ishte
që nxënësit shpejt i përvetesëonte duke ua hequr nga mendja të gjitha paragjykimet negative që ata
kishin ndaj shkollës dhe mësuesit. Një nga nxënësit e tij, Sabit Zylfiju (tash
profesor), që e kishte pasur mësues të parë atë shkruan: “..se ti për shumë
gjenerata do të mbetesh në
mendjet e tyre si prind i dytë, si mësuesi dhe udhëzuesi më i mirë i mundshëm
për të ardhmen, ishe model i një njeriu të dashur, të butë, të afërt për të
gjithë...” Ai ishte
i tillë që ta dëgjojë dhe respekojë fjalën e mendimin e nxënësit e madje
edhe të parashkollorit. Ai rrëfente se
si, një herë, në ditën e parë të vitit shkollor, përveç nxënësve që i kishte në
regjistër iu lajmërua edhe një vajzë që
nuk ishte fare në regjistër se ishte një vit më e re se të tjerët, kishte
ardhur vetë pa prindër me propozimin se dua të vij në shkollë, në klasën tuaj.
Fliste shumë bindshëm. Për disa sekonda u hamenda, tregon mësuesi Maksut, se si
të veprojë- ta pranoj a mos ta pranoj. Dhe në një moment, vendosa, që ta
regjistroj se fjalët e saja me dukeshin shumë bindëse dhe e regjistrova, pastaj
e pashë se nuk kisha gabuar. Ajo nxënëse me sukses e mbaroi shkollën fillore,
të mesmen dhe nivelin universitar.
E veçanta tjetër e mësuesit Maksut është se shumë mirë i
binte mandolinës, madje atë nuk e përdorte vetëm në orën e Edukatës Muzikore e në
përgatitjen e shfaqjen e programeve festive me rastin e festave të ndryshme,
por edhe atëherë kur vërente se nxënësit ishin të lodhur, të molisur, të
mërzitur, atëherë gjatë pauzave, mes orëve, e merrte mandolinën, nxënësit ia
fillonin këngës dhe përnjëherë ndryshonte atmosfera dhe krijohej një disponim për mësim.
Në fillim të viteve të `90, të shekullit të kaluar,
filluan ditët e vështira për popullatën shqiptare të Kosovës të rrezikuar nga
agresioni serb e këtë fat e pati edhe arsimi e shkolla shqipe. Më 18. IV. 1999
forcat paramilitare serbe të ndihmuar edhe nga banorët serbë vendor larguan nga
shtëpitë e tyre, me forcë banorët shqiptarë të fshatrave: Strezoc, Leshtar e
Rahovicë duke ua djegur shtëpitë e tyre, sidomos në fshatin Leshtar që kaluan
nëpër rrugët e ferrit. Në dalje të fshatit ata kishin vendosur një batanije të
madhe. E kontrollonin çdo banor shqiptar duke i detyruar që ata në atë batanije
të hidhnin të gjitha të hollat dhe
dokumentet personale. Para tytave të armëve ata banorë kaluan rrugën e gjatë,
afër 25 km, deri në fshatin Kopërnicë. Strukturat udhëheqëse të fshatit, si
Ismajl Ismajli, mësuesi Maksut e të tjerë i pranuan, i sistemuan dhe i radhitën
afër 600 banorë të këtyre fshatrave nëpër shtëpitë e tyre në Kopërnicë ku qëndruan 33 ditë aty.
Të gjithë ata banorë janë falënderues për
bujarinë e mikpritjen e tyre që kurrë nuk do t`i harrojnë ato ditë të
vështira.
Sadik Geci që ishte inspektor i arsimit për komunën e
Kamenicës për shumë vite, deri në vitin 1990, të cilin e ka njohur mirë, për
mësuesin Maksut pohon se ishte i përkushtuar në procesin e mësimdhënies e
mësimnxënies, si edhe në aktivitetet e lira, ishte njeri i një natyre të
qetë i afërt dhe komunikativ me nxënës,
i dashur dhe i respektuar nga prindërit e fëmijëve, bashkëpunues me subjektet
administrative të komunës, ishte një mësues shembullor, prandaj edhe rezultatet në procesin edukativo-arsimor
ishin evidente. Për punën e zellshme në procesin edukativo-arsimor dhe
angazhimet shoqërore ai disa herë është shpërblyer me Mirënjohje me shkrim.
Ai në vitin 2001 kaloi me punë në Shkollën fillore “Mihal
Grameno” në Fushë-Kosovë. Edhe aty u
prit mirë si nga kolektivi i shkollës
dhe rrethi shoqëror dhe u angazhua në aktivizimin e begatimin e jetës
kulturore e muzikore duke gjetur përkrahje në shkollë dhe mbarë rrethin
shoqëror. Aty punoi deri në vitin 2008, deri kur doli në pension.
Pasi kishte prirje e vullnet nga Edukata Muzikore, shumë
të rinj iu drejtoheshin mësuesit Maksut për orientim profesional në këtë
drejtim. Duke i zbatuar këshillat e tij disa të rinj nga komuna e Kamenicës u orientuan dhe mbaruan
shkollën e mesme të muzikës, pastaj fakultetin, arritën në gradën e magjistrit
të muzikës dhe u bënë ligjërues të kësaj lëmie nëpër shkollat e larta e
fakulte.
Mësuesi Maksut u nda nga jeta më 14. I. 2020, ndërsa
varrimi u bë në vendlindje ku morën pjesë familjarë, shokë, miq, ish
nxënës e të tjerë. Pas ka lënë
bashkëshortën dhe fëmijët: Milaimin, Kujtimin, Dritën, Lumnijen dhe Burimin, të
gjithë të shkolluar deri në gradën e doktorit të shkencave. Jeta, puna e
veprimtaria shoqërore e tij do të përkujtohen përherë e nuk do të harrohen
kurrë.