Faleminderit
Sevdail Hyseni: Begzad Ademi - Veteran i arsimit, Veprimtar i kauzës kombëtare
E shtune, 07.03.2020, 05:57 PM
In memoriam
Begzad Ademi, veteran i
arsimit nga Malësia e Bujanocit
Veprimtar i devotshëm i kauzës kombëtare
Nga
Sevdail Hyseni
Në
përvjetorin e 28-të të Referendumit, të 1 e 2 marsit të vitit 1992 dhe në prag
të Ditës së Mësuesit, në moshën 71 vjeçare, u nda nga jeta mësuesi, pedagogu
dhe veprimtari i devotshëm i kauzës sonë kombëtare Begzad Ademi, nga Muhoci,
Malësia e Bujanocit.
Këto
dy ngjarje nga më të rëndësishmet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk
arritën ta gjejnë midis nesh, mësuesin tonë të dashur, për shkak të një
aksidenti të shkaktuar me veturën e tij,
në rrugën Breznicë-Tërnoc, nga u kthye i vdekur prej spitalit të Nishit.
Ndarja
nga jeta e mësues Begzadit, ishte një hidhërim për gjithë ata, që e njohën për
së afërmi, ose kishin dëgjuar për veprimtarinë e tij, arsimore, politike e
atdhetare. Ai, ishte një burrë i urtë, fisnik e bujar, me tipare të një malësori
të vërtetë.
Për
t'i dhënë nderimet e fundit mësues Begzadit, në ditën e varrimit të tij, kishin
ardhur miq e dashamirë të shumtë, personalitete të shquara nga jeta arsimore,
politike e institucionale të Komunës së Bujanocit dhe më gjerë nga rajoni. Në
emër të kolektivit të Shkollës Fillore "Migjeni", në Muhoc, një falim
mortor e mbajti drejtori Sadik Demiri, si dhe u vendosën kurora lavdie mbi
varrin e tij.
Begzad
Ademi, lindi, më 26 mars të vitit 1949, në Muhoc, të Komunës së Bujanocit.
Shkollimi fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, kurse Akademinë
Pedagogjike në Shkup.
Fillimisht
mësues Begzadi, u angazhua si punëtor i arsimit në Shkollën Fillore
"Migjeni", në fshatin e tij të lindjes në Muhoc. Pas 12 vjet përvojë
pune, ai, përjashtohet nga procesi arsimor, kinse në mungesë të
përshtatshmërisë moralo-politike, të cilën formulë e zbatonte ish sistemi
komunist kundër kuadrove shqiptare në Bujanoc dhe rrethinë. Pra, ishin ngjarjet
e vitit 1981, të cilat sollën pranverën e protestave shqiptare në Kosovë, me
rastin e rrëzimit të autonomisë së saj dhe diferencimit ideopolitik të
intelektualëve shqiptarë në Kosovë dhe në krahun e saj lindor të Luginës së
Preshevës.
Me
kaq nuk përfunduan sakrificat jetësore për mësues Begzadin, ai pas një varg ankesash
nëpër gjyqe, arriti të kthehet në punë në cilësinë e punëtorit administrativ të
shkollës, të cilën detyrë prej kontabilisti e ushtroi deri në vitin 2005.
Pas
rrëzimit të ish regjimit komunist dhe lindjes së pluralizmit në Luginë të
Preshevës, mësues Begzadi, u gjend në krye të proceseve demokratike, duke u
bërë një zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në Malësi të Bujanocit dhe
më gjerë. Ndryshimi i rrethanave politike, solli në vend drejtësinë e
nëpërkëmbur të mësues Begzadit, i cili njëzëri nga kolektivi i shkollës, prej
nga u larguar dhunshëm, u emërua drejtor me mandatin deri në pensionimin e tij.
Mësues
Begzadi, ishte bashkautor me Prof. Dr. Shefik Haliti dhe Adem R. Ademi, për
hartimin e monografisë së Shkollës Fillore "Migjeni" në Muhoc, një
libër shumë i qëlluar, i cili doli nga botimi me rastin e 65-vjetorit të
themelimit të shkollës, vatër kjo që edukoi shumë breza shkollarësh deri në
doktorë shkencash.
Gjithashtu,
për shkak angazhimeve të pandërprera në shumë fusha të veprimtarisë shoqëroro-politike,
Partia për Veprim Demokratik e emëroi për këshilltar komunal dhe anëtar të
kryesisë partiake, për ta dekoruar në përvjetorin e 29-të të saj, gjatë vitit
të kaluar, më 24 gusht 2019, me Mirënjohje për kontributin e tij si veprimtar i palodhshëm në promovimin
e vlerave arsimore, kulturore, politike e kombëtare.
Shëmbëlltyra
dhe personaliteti i mësuesit Begzad Ademit, do të shërbej si udhërrëfyes për
brezat e tashëm dhe të ardhshëm, se si duhet të punohet dhe veprohet për të
mirën e shoqërisë sonë, duke e kujtuar me respekt për njeri të mirë, të urtë,
fisnik e bujar, karakteristikë kjo e burrave të Malësisë së Bujanocit.