Faleminderit
Sinan Gashi: Prof. Dr. Isuf Luzaj – njeriu i tri dashurive
E merkure, 22.04.2020, 07:09 PM
PERSONALITETE SHQIPTARE NË PËRMASA BOTËRORE
PROF. DR. ISUF
LUZAJ-NJERIU I TRI DASHURIVE
-
Dashuria e atdheut, dashuria e librave dhe dashuria e shkrimit m’u bënë arsye
dhe principe jete.
-
Kam pasur armiq të gjuhës sime... Këta armiq qenë ose armiq të atdheut, ose të
idealit, dhe armiqësia e tyre kundër meje ishte vetëm një pretekst absurd për
të mbështetur kalbësirat ose ferrat dhe drizat e shpirtit të tyre.
-
Më 1984, presidenti i SHBA-ve, Ronald Regan, i ndau prof. dr. Isuf Luzajt medaljen
më të lartë në fushën e arsimit “PROFESOR I AMERIKËS”
Ekskluzive nga Sinan GASHI
Fati jetësor i njeriut është një mister në vet. Vjen në
jeta ai, me të qarat e zakonshme, sikur i frikohet këtyre hapësirave të paana
dhe të panjohura, dhe pastaj gradualisht përballet e kacafytet me dallgët e
jetës, të cilat varet nga cila kahe fryjnë dhe sa e kanë lartësinë. Dhe, ndodhë
që, njeriu të përpëlitet sa andej-këndej, vetëm për të mbijetuar e, në raste,
mu ato valëvitje e shpijnë në brigjet e shpresës dhe të një kënaqësie të
kërkuar kaherë.
Kështu disi ngjason jeta e një intelektuali të shquar
shqiptar, i një krijuesi, studiuesi e filozofi të rrallë, jo vetëm te
shqiptarët, për ta përmbyllur jetën fizike me një pasuri tejet të madhe dijesh,
të lëna në formë shkrimi, në më se 100 vëllime.
Gjithmonë duke u udhëhequr nga tri dashuri, që nuk iu
shqiten përjetësisht: atdheu, libri dhe shkrimi, ai la një shëmbëllesë të
jashtëzakonshme të një mendjendrituri dhe karakteri të fortë, për lakmi.
Diçka biografike
Isuf Luzaj është i lindur në Kaninën e Vlorës, më 21
shkurt 1913. Kjo datë përafrohet me një distancë tremujore me datën e madhe
historike - ngritjes së Flamurit në Vlorë.
Pas përfundimit të shkollimit fillor në vendlindje, ai
gjimnazin e shtetit për degën e mësuesisë e kishte mbaruar në Shkodrën e
kulturës tradicionale. Për ta pasuruar dijen më tej, kishte mësyrë djepin e
kulturës-Francën, përkatësisht ishte regjistruar në Universitetin e Sorbonës,
në vitin 1933, ku qëndroi deri më 1935. rrethanat politike e deshën që ai të
mos e mbaroi fakultetin, por të kthehet në atdhe, duke kryer punën e
mësimdhënësit të gjuhës frënge në Normalen e Elbasanit, në Liceun e Korçës, në
Institutit tregtar të Vlorës e gjetiu.
Ai do ta priste me pushkë në dorë, më 7 prill 1939,
pushtuesin fashist në Skelë të Vlorës.
Kundërshtitë e tij ndaj atij sistemi janë edhe në formën
tjetër, duke e kundërshtuar punën profesionale në arsim, për çka do të përjetoi
dhunë sistematike dhe në forma të ndryshme. Kështu, më 10 prill 1939 ai
drejtorit të Institutit të Vlorës kërkesën për dorëheqjen nga detyra që
ushtronte. Arsyet, që ai ia parashtroi më pastaj edhe me shkrim, janë: “Për
arsye se agresioni italian ndaj popullit shqiptar është një okupacion ushtarak
që vë në robëri atdheun tim;(...) për arsye së unë jam shqiptar e jo kolon në
qendër të Evropës... Për arsye se s’ekziston shtet shqiptar, nuk pranoj t’i
mësoj shqipen në gjuhën italiane një populli në robëri. Nuk i shërbej e s’i
betohem dot një mbreti të huaj, një
shteti të huaj, një populli të kolonizuar me anë të fuqisë brutale.”
Prej këtu nisën pastaj dërgimi dhunisht në kuesturën
italiane, përjetimet e burgut të Vlorës, atë të Barit, të Ventotenes, të
Cortona d’Arezzo-s. Mu për shkak të një fati të tillë ai kishte përjetuar jetën
e përkohshme në Itali, Austri, Argjentinë dhe së fundi në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës.
Gjatë burgimit të shkurtër në Vlorë, ai kishte punuar me
57 të burgosur ordinerë, moshash të ndryshme, për t;’ua mësuar shkrim-leximin
dhe sado pak historinë kombëtare, duke pasur një sukses të dukshëm. Ai bindet
nga ajo punë se të këqijat mes njerëzve dhe shqiptarëve gjithsesi vijnë nga
injoranca, në të cilën aq shumë kishin investuar dashakëqijtë e këtij kombi
gjatë historisë.
Kudo të vajti, në rrethana tepër të rënda, e më së shumti për një intelektual të atij rangu,
ai mbeti i vetvetes, por edhe përkrahës dhe edukator e moralist i dalluar. Në
Bari, po e zëmë, ai ishte i burgosur me një grup nxënësish të shkollës së mesme
të Vlorës, të cilët i trajtonte edhe si fëmijët e tij, por edhe si edukatori i
tyre, duke u dhënë këshilla për jetën e skëterrës dhe përkujdesjen ndaj
njëri-tjetrit. Për ato qëndrime të pathyeshme ai pëson në veçanti nga të
tjerët, por sërish mbeti brenda ndërgjegjes së tij. Jeta e të internuarit në
kështjellën Cortona ishte për të njëfarë lehtësimi, sepse kushtet ishin paksa
më të mira dhe kreu detyrën e një mësuesi. Aty gjeti mirëkuptim tek zonja e
pansionit. Ndihmesë të veçantë i pat dhënë një intelektuale e dëshmuar, Anetta
Tribioli, e cila kishte mbetur pa krijuar familje, por kishte dije të shumta,
duke i folur edhe tri-katër gjuhë të huaja,. Ajo ia solli atu nxënësit për t’ia
mësuar privatisht dijet e Isufit nga latinishtja, frëngjishtja, anglishtja,
aritmetika, fizikë e kimi. Me atë zonjë Isufi shuante kërshërinë e komunikimit
për temat “letrare, artistike, filozofike”. Përndryshe Luzaj shkruan: “E
respektova si më respektoi e, ndonëse shpirtërisht u deshëm, fizikisht e lashë
ashtu si e gjeta. Prandaj jetoi miqësia.” Në Corona ai kishte gjetur edhe të
tjerë shqiptarë të internuar Ali e Feriz Agollin nga Dibra, Ali Klisurën,
Llazar Fundon, Sotir Kozmon, Sali Vuiçiternin, Azis Klaoshin nga Dibra, Izet
Bebeziqin, Faslli Frashërin, Abaz Ermenjin, Zef
Malën e 100 shqiptarë të tjerë, të cilët u liruan më 1941.
Isuf Luzaj më 1941 kthehet në Shqipëri dhe është si
misionar i Ballit Kombëtar, duke qenë edhe pjesëmarrës në Mbledhjen e famshme
të Mukjes (1943), kur manifestohet edhe zyrtarisht ndarja e përjetshme më
komunistët, kur ky mbrojti tezën e nacionalizmit për Kosovën dhe Shqipërinë
Etnike. Gjatë luftës ishte takuar disa herë më Enver Hoxhën, por asnjëherë nuk
ishte pajtuar me ideologjinë e tij. “Jam i bindur që fitorja sovjetike do të
mbulojë Evropën Lindore dhe atë Jug Lindore dhe ju do ta fitoni këtë luftë. Unë
nuk kam as frikë dhe as turp, siç thua ti, por nuk bashkohem me ty.”- i kishte
thënë atij.
Kjo situatë e rëndë për një falangë si dhe për atë, e
detyron që më 1844 të ikën nga atdheu, duke u vendosur fillimisht në Austri,
pastaj në Itali, ku nuk i ndahet burgimi. Por një lehtësim i bën Sandro
Petrini, që ishte njohur nga Ventotene gjatë internimit. Ai e rekomandoi që të
punoi në Bibliotekën e Vatikanit. Kjo kishte edhe arsyen tjetër ngase, që nga
viti 1946 e deri më 1950, Stalini i kërkonte qeverisë italiane që të kthente në
Shqipëri, për gjyqe të popullit për krime lufte, edhe dhjetë shqiptarë të tjerë
(Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Gjon
Markagjoni, Kolë Bibë Mirakaj, Hasan Dosti, Qazim Mulleti, Faik Quku dhe Isuf
Luzaj).
Më 1948 Luzaj emigron në Argjentinë, ku kryen edhe
studimet për letërsi në Universitetin e Buenos Airesit. Dija dhe kultura e tij
e lartë bën që ai të kryej detyra të rëndësisë së veçantë atje, si drejtor i
Institutin frëng për studime të larta (1960), këshilltar i Ministrisë së
Arsimit të Argjentinës. Ndërsa më 1965 ai emigron në SHBA, ku punoi profesor i
filozofisë frënge në Universitetin e Nju-Hempshirëse e po ashtu edhe profesor i
letërsisë frënge, spanjolle, e tjerë.
Për punën e tij të jashtëzakonshme, e cila nxori edhe
risi metodike e metodologjike në procesin mësimor, më 1984, kur në
Universitetin e Indianes, ku u
ligjëronte studentëve nga gjithë bota filozofinë, presidenti i SHBA-ve, Ronald
Regan, e dekoroi prof.dr. Isuf Luzajt me medaljen më të lartë në fushën e
arsimit “PEOFESOR I AMERIKËS”. Këtë
dekoratë, ai e kishte shprehur dëshirën që “...Do të doja që kjo medalje të
varej në një gozhdë muri në Muze të Tiranës.”
Në një shkrim të tijin, në formë ditari, ai me pak fjali
përmbledh bukur gjithë fatin dhe përjetimet e jetës së tij: “I vobektë, rritur
zbathur dhe rreckak; i përvëluar nga një ideal i shenjtë, luftëtar i zhgënjyer
nga shoqëria njerëzore e kohës sime, i shfrytëzuar nga ata që unë i besoja të
idealit; i rrahur, torturuar dhe burgosur shumë herë; i plagosur shpirtërisht
nga tragjedia e pashembullt e familjes sime, kam qenë i shtrënguar t’i bëj
ballë vetmërisht jetës absurde me të vetmin Moral: Idealin, pa mundur të
respektoja principe Etike, aq më pak Estetike.”
Prof dr. Isuf Luzaj e përmbylli jetën ndershmërisht më 27
nëntor 2000, në Çikago të Amerikës, ndërsa më 2 dhjetor të atij viti (me
amanetin e tij), varroset në Kaninën e ëndrrave fëmijërore dhe atdhetare.
Se sa ishte i madh autoriteti i tij, dëshmojë me dhjetëra
letra që i dërgojnë shqiptarët anë e kënd botës, por edhe personalitetet e
shquara botërore, si Sharl de Gol, Alcide de Gasperi, Palmirio Toliati,
Alessandro Petrini, Stanislav Mikojal?ik, gjeneral Anders Vlasislav e tjerë, si
dhe personalitete të shquara të kulturës: Pablo Neruda, Jorge Luis Borges,
Theofan S. Noli, e të tjerë.
Veprimtaria letrare-shkencore
Me krijimtari letrare prof. dr. Isuf Luzaj ishte marrë që
në vitet ’30 të shekullit XX. Ai në Shqipëri, më 1937 në Korçë, e kishte botuar
një vëllim poetik me titullin “Rrëfimet”. Por krijimtarinë asnjëherë nuk e
kishte ndërprerë, pavarësisht rrethanave jetësore në të cilat ishte ndodhur.
Ajo i ishte bërë gjithçkaja në jetë: shoqëruese nëpër udhëtimet e rënda e të kushtëzuara
si dhe në birucat e burgjeve. Ai nuk ishte shqitur nga kjo dhunti edhe në
rastet më tragjike për fatin e atyre krijimeve, të cilat i ishin asgjësuar disa
herë. Një herë ia dogjën veprat fashistët, një herë tjetër ia asgjësuan ato
komunistët dhe së treti iu asgjësuan nga shtegtimet e kushtëzuara. Por ai i
rikrijoi sërish.
Në vitin 1954, në Buenos Aires, në gjuhën spanjolle,
Luzaj e kishte botuar romani n “Lumenjtë derdhen të kuq”. Veprat e tjera të
botuara , janë: “Gloria e çmendjes” (1995), “Ekzistenca dhe botësia” (1996),
“Sëmundja e shekullit tonë” (1999), “Lamtumira e yjve”, “Filozofia e bukurisë”,
“.
Ai kishte lënë në dorëshkrim më së 100 vëllime, në të
cilat kishte histori, filozofi, letërsi nga më të ndryshmet, rrjedhojë kjo e
një studiuesi të përkushtuar. Ai kishte dijet të shumta dhe diapazon të gjerë
njohurish, që nga historia dhe filozofia shqiptare e deri të ato të
përbotshmet.
Disa nga veprat e tij janë: “Eterokokracia e ‘Ballit
Kombëtar’”, në të cilën flitet për politikën dhe personalitetet e Ballit Kombëtar; “Kohë
shtatzanë”, ku trajtohet politika dhe zhvillimet aktuale deri në vitet 1948;
“Diplomacia aleate”, që për temë ka funksionalizimin e Rusisë përmes katër
komisarëve për Ballkanin, të cilët u vendosen në Beligrad. Për Shqipërinë ishte
përgjegjës komisari Sergej Simonoviç; “Ditari i përpjekjes”, ku janë radhitur
shënimet autentike të fatit të tij që
nga burgosja, internimet në disa vende, përmes së cilës jepet realisht pasqyra
e gjendjen dhe mekanizmave shtetëror të kohës për çbërjen shqiptare. Kjo
periudhë përfshinë kohën që nga viti 1939-1949.; “Anarkia shqiptare”, shpjegon
dyfaqësinë dhe falsitetin e grupimeve politike shqiptare, që mendohej se kishin
për qëllim ardhmërinë e lumtur të vendit, ndërsa e bënin të kundërtën, duke u
treguar arrogant, të pabesë dhe njerëz të interesave personale e grupore;
“Ditari i mësonjësit” ku radhiten në
disa vëllime aktiviteti i tij profesional, nga të cilat rrëfime argëtohen mjaft
çështje që kanë të bëjnë me arsimin por edhe me filozofinë e jetës, e
përmbushur me plot këshilla për
gjeneratat e reja.
Letërkëmbimi si dëshmi vlere
Në letërkëmbim që kishte Isuf Luzaj me njerëz të letrave,
shihet se sa e kanë vlerësuar ata dhe ku e kanë parë madhështinë intelektuale
të tij. Po e zëmë, shkrimtari Pablo Neruda i shkruan kështu:
”I
nderuar Profesor,
I
admiruari im Borges më dërgoi “Lumenjtë...” dhe fjalë të mira për ju. Edhe pse
nuk jam dakord me fenë dhe me politikën tuaj, ne mund të jemi miq, si poetë.
Poezitë
dhe novelat tuaja shprehin fuqishëm vullnet, dashuri për atdheun dhe mallin e
të mërguarit.
Edhe
pse nuk keni gjuhën tonë, këto do të jenë një zbulim për poetët
latino-amerikanë.
Me
simpati poetike,
Pablo
Neruda
Fjalë miradije i jep edhe krijuesi gjenial i letrave,
Jorge Luis Borges:
Buenos
Aires
17.5.955
I
dashuri shqiptar,
Lexova
ditarët dhe jam i gëzuar për ecurinë tuaj intelektuale, por nuk do të më
pëlqente një rutinë akademike t’ju largonte nga spontaniteti i imagjinatës
poetike. Kujtoni gjithmonë ç’ju kam thënë: Ju keni lindur poet dhe jeni bërë
mësues i jetës. Kjo është një shenjë e mirë që tregon tiparet e demokracisë
sonë, e cila priret drejt zbulimit të vlerave morale.
Një
përqafim nga miku i juaj dhe atdheut tuaj
Jorge
Luis Borges
Ja edhe një letër e shkrimtarit e eruditit tonë, Fan S,
Noli:
Boston,
Massachusetts
28-11-1954
Profesor
Isuf Luzi
Buenos
Aires
I
dashur lab,
Lexova
në gazetë që do të vishë këtu si delegat i Universitetit të Buenos Airesit në
konvencionin botëror të filozofisë. Shën Gjergjin e ke si shtëpinë t’ënde. Këtu
do të vinë për të të mirëseardhur shumë shqipo të mërgatës t’ënde.
Të
pres vëllazërisht!
Fanoli
Mendime sentenciale e filozofike nga
veprat e Isuf Luzajt
Në të gjitha veprat ose edhe ditarët e prof. Luzajt kanë
depërtuar, mes synimeve të përcaktuara tematike, edhe mendime të natyrës
filozofike dhe sentenciale, të cilat gjithsesi e kanë plotësuar tërësinë e
veprës, përkatësisht e zbukuruar atë. Kjo mënyrë shkrimi shpjegon dy gjëra:
aftësinë e mendimit të koncentruar e domethënës, në përbërje tepër të shkurtër
të shprehjes, si dhe ruajtjen e dhuntisë së lindur poetike, e cila shpërthen
sapo e gjen rastin për të dalë.
Për ta bërë më të besueshëm mendimin e sapothënë dhe duke
menduar se ato kanë në vete vlera që mësojnë dhe freskojnë mendjen njerëzore,
po i japim vetëm disa nga ato.
”Trim përpara rrezikut, i vendosur përpara detyrës,
shenjtor përpara misionit; çilimi, foshnjë, përpara dredhisë. I mirë, aq i
mirë, sa është mëkat që burri të jetë aq i mirë.”
*
“Sigurisht, që të shkruhet historia jonë moderne
kombëtare kërkohet një punë më se gjysmë shekulli për të shpluhuruar arkivat e
Vjenës, Parisit, Londrës, Romës, Venecjes, Raguzës, Athinës, Belgradit, Sofjes,
Stambollit, Kairos, Arabisë, Sirisë, Palestinës e Persisë.”
*
“Dashuria e vret e e varros miqësinë në të shumtën e
rasteve në jetë, sepse dëshira për posedim errëson logjikën e vullnetit e
dobësia njerëzore në gjak e mish ia lë vendin boshimit seksual.”
*
“Përballë një sinqeriteti të thellë është zor që njerëzit
e thjeshtë të jenë shumë misteriozë.”
*
“Politika e Moskës ishte të sakrifikohej populli shqiptar
për t’u krijuar probleme armatave gjermane e italiane në Ballkan, për të
lehtësuar frontin ruso-gjerman dhe, më në fund, për të instaluar një qeveri
kukull komuniste, satelite të Moskës.”
*
“Mbetet tani që të pasurohet me kulturën
euro-amerikane, me ndjenjën latine
italiane,me logjikën franceze, me vendosmërinë gjermane dhe me filozofinë
perëndimore të shekullit të 20-të, që shqiptari të perfeksionohet me një
idiomikraci moderne, përparimtare, duke ruajtur karakteristikat e tij poetike
BESË-NDER-BURRËRI.”
*
“As unë s’e di se si m’u bënë arsye dhe principe jete tri
dashuri: A) dashuria e atdheut, B) dashuria e librave dhe C) dashuria e
shkrimit.”
*
“Koha më mësoi të frenoj rrëmbimin, të njoh dhelpërinë e
hipokritit, të mbyll në kuti të hekurt sinqeritetin djaloshar.”
*
“Morali, Etika dhe Estetika kristiane nuk është ai i
Niçes, Heideggerit, Sartrit, pale konceptet kafshore të marksizmit.”
*
“Tre shokë dhe miq të pandarë kam pasur besnikë gjatë
gjithë jetës sime: vetminë, mërzinë dhe kureshtjen për të njohur.”
*
“Zakonisht, koha më e lumtur e jetës është gjysmë-mosha:
30 deri 50 vjeç, kur pasionet e errëta të rinisë janë ftohur dhe sëmundjet e
pleqërisë nuk kanë ardhur.”
*
“Pushteti imponon vullnetin e tij, i bazuar në një pakicë
të organizuar me fuqi: polici, ushtri, korrupsion.”
*
“Guximi i bazuar në shpresë për shpërblim, në frikë për
dënim, në eksperiencë për sukses, në mëri dhe inat të tërbuar vërbonjës, në
moskuptimin e rrezikut, ai lloj guximi është banalitet që nuk e meriton emrin
guxim.”
*
“Më i pari dhe më i thjeshti emocion që njeriu zbulon që
në foshnjërinë e hershme është kurioziteti.”
*
“Ndjenja e vdekjes dhe e dashurisë janë dy krahë që na
bëjnë të fluturojmë përtej kohës dhe hapësirës.”
*
“Frika e vdekjes është e ndryshme mes të lumturit dhe të
dëshpëruarit.”
*
“Pengimet. Difikultetet, zorshmëria janë termometri i
shpirtit që na tregon se sa të fortë a të dobët jemi.”
*
“Dinjiteti nuk fitohet kurrë me karrigen ku ulet njeriu,
as me floririn që mban mëshehur pasaniku; ai fitohet me punë të mundimshme dhe
me sakrifica të ndershme në udhët e
martirologjisë. Dinjiteti është i fortë si stralli, i thellë si deti, i
pakufi si hapësira, i pa matur si koha.”
*
“Miqësia është një objekt shumë delikat, si kristal i
hollë që, nga një ndryshim i vogël temperature thuhet, duke mbetur vetëm
cickërra pasqyre të kujtimeve që japin helm.”
*
“Lumturia fizike është një mirazh në shkretëtirë. Sa më
shumë afrohemi, aq më shumë largohet.”
*
“Lumturia shpirtërore arrihet me inteligjencë, vullnet
dhe studim. Shembuj janë: Buda, Konfuci, Sokrati, Krishti, sheh Sadiu...”
*
“Shpresa është gënjeshtra më e ëmbël që e bën të
jetueshme jetën; na qëndron besnike deri në çastin e epitafit.”
*
“Poezia është muzikë në fjalë dhe muzika është poezi në
tinguj.”
*
“Sinqeriteti është kur të flasim ç’mendojmë, të bëjmë
ashti siç mendojmë; të japim ç’kemi premtuar: të jemi ashti siç dëshirojmë që
të jemi Sinqeriteti është fytyra e shpirtit, ashtu si disimulacioni është mosha
e shpirtit.”
*
“Gjeniu është talenti që prodhon i pari krijesën
origjinale të ngjitjes së ekstazës, pa vënë fre, rregulla e rregullore, siç nuk
i vihet ligji valës së detit.”
*
“Gënjeshtra politike e tregtarëve të flamurëve është
antitezë e ndjenjës së bukur që konstituon patriotizmin e zemrës e të harmonisë
shpirtërore, që i vë çimento të fortë nacionalizmit civil.”