Faleminderit
Mehmetali Rexhepi: In Memoriam - Ukshin Zajmi, Publicisti i urtë i Pellgut të Luginës së Moravës
E diele, 08.03.2020, 02:19 PM
IN MEMORIAM: UKSHIN ZAJMI
PUBLICISTI I URTË I
PELLGUT TË LUGINËS SË MORAVËS
Nga
Mehmetali Rexhepi
Një
njeri i urtë, gazetar, publicist veteran, letrar Ukshin Zajmi tashmë i përket
amshimit!... Lajm i rëndë për të gjithë ne që e kemi njohur, respektuar dhe
çmuar... Pa dyshim ikja e "Ukëzanos", kështu e kishte nofkën që i
kishte vënë vetes, varfëroi kulturën tonë publicistike...Gjithsesi mbetëm të
varfër edhe pa një njeri të mirë, njeri me artikulime të qarta në sferën e
informimit; autorit të kronikave historike e shoqërore në hapësirën e Pellgut
të Moravës së Gjilanit me Dardanë e Malësi të Gallapit... Uka i pandalshëm e
komunikativ... Uka i veprimtarive letrare-artistike në shkollat e nivelit të
mesëm në Gjilan, në Kamenicë e gjetiu...
Uka
i korrespondencave, lajmeve kulturore për "Flakën e Vëllazërimit" në
Shkup para Luftës e pas Luftës Çlirimtare në Kosovë... Pa dyshim artikujt e
Ukshin Zajmit për rrjedhat kulturore-artistike, për depërtimin e censuruar të
kulturës shqiptare në mediet e censuruara të kohës, pasqyronin ritme jete
brenda nëntekstit, në të përditshmen "Rilindja", në RTP ku kryente
detyrën e korrespondentit për hapësirën e Gjilanit e të rrethinës.
Koha
e hyrjes së Ukshin Zajmit në vitet e moshës së tretë, është me interes për tu
theksuar përqendrimi i tij në kërkime të terrenit, për grumbullimin e të
dhënave për masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve të Gallapit për periudhën e
Luftës së Dytë Botërore. Nga këto kërkime të publicistikës historike, Ukshin
Zajmi publikoi një seri shkrimesh në portalin e popullarizuar "Zemra
Shqiptare".
Gjithsesi,
ai la një mori dorëshkrimesh me interes për sferën e studimeve historike dhe
etnografike, shënime artefaktesh për lashtësinë e ilirë-dardanëve për studiues
e specialistë të arkeologjisë... Ukshinin do ta kujtojmë si karakter të
sinqertë, me ndjenjën e afrisë dhe mëtimin për shkëmbime të ndërsjella... Figura
e Ukshin Zajmit rrezatonte kthjelltësi, mirësi dhe miqësi... Qoftë i përhershëm
fanari i dritës tij Iluministe!
Gjilan,
më 6 mars 2020