Mendime
Adil Fetahu: Rektori famëkeq - Radivoje Papoviq
E merkure, 18.03.2020, 08:59 PM
Në pesëdhjetëvjetorin e Universitetit të Prishtinës
REKTORI FAMËKEQ – RADIVOJE PAPOVIQ
(“E urrej racizmin, se e konsideroj
barbarizëm, pavarësisht nëse vjen nga njeriu i zi apo i bardhë”. N.Mandela)
Nga Adil
FETAHU
Në vështrimin
tim për romanin e shkrimtarit Ibrahim Kadriu: “Na ishte njëherë Lotë Vaku”,
botuar para disa ditëve në disa media,
kam përmendur në kontekst negativ
emrin e Radivoje Papoviqit, ish-rektorit të dhunshëm të Universitetit të Prishtinës,
në periudhën 1991 – 1998, se ky ishte nipi i kriminelit gjakpirës të
shqiptarëve Kojica Papoviq, nga Maroca e
Medvegjës. Në këtë shkrim do japim hollësi tjera për prejardhjen, punën dhe qëndrimin racist antishqiptar të
Papoviqit të ri, në cilësi të rektorit të dhunshëm.
Prejardhja e
Papoviqit
Pas Kongresit të
Bërlinit (1878), kur fuqitë e mëdha ia dhanë Serbisë tokat shqiptare të Jabllanicës së Epërme,
Toplicës dhe Kosanicës, regjimi i Serbisë i dëboi me dhunë e krime të papara të
gjithë shqiptarët autoktonë, ashtu që ai territor mbeti pa popullsi, pothuajse
i shkretë disa vjet.Për të siguruar kufirin me Kosovën, që asokohe (deri në
vitin 1912) ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, Serbia shpalli kolonizimin
e atij territori me serbë e malazezë nga vende tjera. Thirrjes për kolonizim iu
përgjigjen shumë malazezë e serbë nga Mali Zi dhe Hercegovina. Regjimi serbë i
vendosi kolonët e rinj në brezin kufitar ndaj
Kosovës, iu dha shtëpi e toka të shqiptarëve,iu dha armë dhe mbështetje
tjetër ekonomike e sociale dhe mbështetjen e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe.
Kolonët e ardhur formuan njësitet e
tyre komite të armatosura, çetnike,të
cilat i quanin “kërstashi” (kryqtarët), gjoja për të ruajtur kufirin.
Në mesin e
kolonëve të ardhur në tokat dhe pronat e shqiptarëve ishte edhe familja
malazeze, Papoviq nga fshati Kozance e rrethit të Nikshiqit. Gjyshi i Radivoje
Papoviqit, Kojica, që u bë kriminel në zë kundër shqiptarëve, kishte
ardhur me të atin që ishte pop (prift)
dhe tre vëllezër tjerë dhe ishin vendosur në fshatin Marocë, në vitin 1890. Për
shkak të krimeve që bënte kundër shqiptarëve pas pushtimit të Kosovës (1912),
kaçaku trim Lotë Vaku nga fshati Poliçkë i Kamenicës,në vitin 1917 e vrau
Kojicën në oborrin e shtëpisë “së tij”. Kojica kishte tre djemë: Mitrin,
Radovanin dhe Markon, të cilët ishin në
shkollim dhe në shërbim ushtarak. Radivoja, rektori i dhunshëm e famëkeq
në Univeritetin e Prishtinës, është biri i Radovanit,dmth. nip i kryekriminelit
Kojica.
Si u bë Radivoje
Papoviqi rektor i Universitetit të
Prishtinës
Pas suprimimit
të autonomisë së Kosovës (1989), regjimi i Serbisë me masa të dhunshme i
pushtoi të gjitha organet,institucionet
dhe ndërmarrjet ekonomike, prej të cilave i dëboi shqiptarët dhe në
vende udhëheqëse e në vende tjera të punës i solli serbë e malazezë nga të
gjitha anët e ish-Jugosllavisë, madje edhe nga Rumunia. Masat dhe organet e dhunshme në Universitetin
e Prishtinës u vendosën me Vendim të Kuvendit të Serbisë, nr.152, dt. 27
qershor 1991 (publikuar në “Slluzhbeni gllasnik RS”, nr.38, dt.28.06.1991). Me
atë rast nga detyra e rektorit të
Universitetit u shkarkua rektori Skënder Karahoda dhe prorektori Dali
Emërllahu; për rektor u caktua Radivoje Papoviq, ndërsa prorektorë Misha Doshliq dhe Stanoje Doganxhiq. Sipas vendimit, rektori i dhunshëm
quhej: organ i përkohëshëm
punëdrejtues, ndërsa prorektorët: zëvendës të atij organi. Në vend të Pleqësisë së Universitetit u
caktua një këshill prej tre vetash:
Shqepanoviq Lubomir,kryetar, Vukoviq Vlladeta dhe Samarxhiq Drago – anëtarë. Sipas ligjit
që ishte në fuqi, masat e dhunshme dhe mandati
(funksioni) i organeve të përkohëshme mund të zgjasnin 6 muaj, deri
maksimalisht një vit, mirëpo Radivoje Papoviqi
mbeti në detyrën e rektorit të dhunshëm deri në fillim të vitit
shkollor 1998/99.
Si person “me
pedigre” kriminale, Papoviqi ishte me traditë një urrejtës patologjik kundër
shqiptarëve. Në funksionin e rektorit, i mbështetur nga regjimi i Serbisë, bëri
veprimet më famëkeqe në Universitetin e Prishtinës, kur nga objektet
mësimore,nga bibliotekat dhe nga konviktet e Universitetit u përzunë të gjithë
studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë. Duke marrë parasysh rëndësinë e
Univeritetit, Papoviqi u bë një nga njerëzit kryesor dhe më të besueshëm të
regjimit të Serbisë në Kosovë, dhe e quanin “gvozdeni rektor u svetoj zemlji”
(rektori i hekurt në Tokën e shenjtë), apo “ikona e sërbizmit”. Ai u bë aq i
fuqishëm,sa që nuk e përfilli, as nuk lejoi zbatimin e Marrëveshjes së
lidhur e nënshkruar (më 1 shtator
1996) nga Millosheviq – Rugova, për
kthimin e nxënësve e studentëve në objektet e tyre.
Teksti i
Marrëveshjes Millosheviq - Rugova (Dokument, përkthimi im,jozyrtar)
Ka disa vjet që
sistemi i arsimit nëKosovë- prej atij fillor e deri te ai univeritar nuk po
funksionon normalisht.
Në bazë të
marrëveshjës reciproke,të nënshkruarit: Kryetari i Republikës së Serbisë
Sllobodan Millosheviq dhe dr.Ibrahim Rugova arritën pëlqimin që t’i qaset
normalizimit të sistemit të arsimit për fëmijët dhe rininë shqiptare në Kosovë.
Kjo Marrëveshje
parasheh kthimin e nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë në shkolla.
Për shkak të
rëndësisë së saj shoqërore dhe humanitare, kjo marrëveshje është përmbi çdo
debat politik. Kujdesin që ndiejnë të nënshkruarit për ardhmërinë e fëmijëve
dhe të rinisë shqiptare, i ka udhëhequr të arrijnë këtë marrëveshje.
Ata poashtu iu
falënderohën miqëve të vet të përbashkët nga Komuniteti Shën Egjidio për
ndihmën dhe përkrahjen që kanë dhënë për realizimin e dialogut.
Të nënshkruarit
besojnë në gadishmërinë e të gjithë atyre
që janë të detyruar ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e sistemit të
arsimit. Për realizimin e kësaj marrëveshjeje, do të formohet grupi i përbërë 3
+ 3.
Kur të rinjët
t’i qasen seriozisht ngritjes së tyre arsimore e kulturore, ashtu që të bëhen
qytetarë përgjegjës, do të vie deri te fitorja e civilizmit, e jo deri te
fitorja e njenit mbi tjetrin.
Dr Ibrahim
Rugova Kryetari
i Republikës së Serbisë
Slloboan
Millosheviq
*
Rektori Papoviq
dhe regjimi i dhunshëm serb në Kosovë, nuk e prefillën as zbatuan marrëveshjen
në asnjë segment. Përkundrazi, ashpërsuan dhunën dhe presionin ndaj arsimit që
zhvillohej, sa për ta mbajtur gjallë, nëpër shtëpi dhe objekte private. Në mars të vitit 1998, me ndërmjetësimin e
Bashkësisë Shën Exhidio nga Roma (ms.Vinçence Pale, prof.Roberto Maroco dela
Roka dhe dr Marija Dira), u bë edhe një tentim për realizimin e marrëveshjes
Rugova – Millosheviq, për normalizimin e mësimit shqip në Kosovë, por as ajo
përpjekje nuk dha rezultatet, mu në saje të këmbënguljes së Papoviqit me kompani, që të pamundësohet arsimi në
gjuhën shqipe. Marrëveshjen (Protokolin) e 23 marsit 1998, me ndërmjetësimin
dhe ndihmën e Shën Exhidios, e kishin arritur e nënshkruar: Fehmi Agani, Abdyl Rama dhe Rexhep Osmani
(për palën shqiptare), dhe Ratomir Vico, Goran Perçeviq e Dobrosllav Bjeletiq
(për palën serbe). Në atë marrëveshje, parashihej që:
më 31 mars 1998
Instituti Albanologjik të jetë i hapur për shfrytëzuesit e mëparshëm;
në bazë të
propozimit të komsionit 3+3, deri më 31 mars, San Exhidio do t’i caktojë tri
faktultete të Universitetit të Prishtinës, në të cilat deri më 30 prill do të
rikthehen studentët dhe profesorët shqiptarë, ashtu që studentët në gjuhën
serbe të mësojnë deri në ora 14, e pastaj vijnë studentët shqiptarë, dhe ky ndërrim
do të bëhet alternativ në çdo semester;
deri më 30 prill
do të caktohen edhe tri fakultete tjera,në të cilat do të kthehen studentët dhe
profesorët shqiptarë deri më 31 maj;
studentët dhe
profesorët shqiptarë në fakultetet tjera do të kthehen në objektet e tyre deri
më 30 qershor 1998, sipas kushteve të njëjta të mësimit në dy ndërrime (serbe e
shqiptare). Deri më këtë date (30 qershor 1998) do të rikthehen studentët dhe
profesorët shqiptarë edhe në shtatë shkolla të larta, sipas të njëjtave kushte
të mësimit në dy ndërrime.
Deri më 30
shtator 1998, studentët dhe profesorët shqiptarë do të mund të kthehen e t’i
shfrytëzojnë objektet tjera të Universitetit: konviktet, mensën, bilbliotekat,
ashtu që viti akademik të fillojë në mënyrë të rregullt prej 1 tetorit 1998.
Deri më 31 mars
1998, do të rikthehen në shkollat e tyre edhe nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë
të shkollave të mesme dhe atyre fillore,
në ato ndërtesa të cilat aktualisht nuk janë në shfrytëzim, dhe në ato që janë
në përdorim do të kthehen sipas kushteve të mësimit në dy ndërrime.
Komisioni 3 + 3
i ndihmuar nga San Exhidio do të shikojnë mundësinë e ndërtimit të shpejtë të
objekteve të reja universitare e shkollore, për të shtuar kapacitetet e
nevojshme.
Komisioni 3 + 3,
me ndihmën e Komunitetit San Exhidio, do të formojnë grupe të cilat do të
shqyrtojnë problemet tjera që dalin në normalizimin e sistemit të arsimit, siç
janë: financimi, administrata, gjuha, diplomat, programet, titujt dhe gradat,
personeli, etj.
* * *
Këto marrëveshje
ishin një blef dhe manovër pushtetit serb, për t’u arsyetuar para faktorëve
ndërkombëtarë, gjoja se po përpiqet të sigurojë të drejtën e shqiptarëve për
arsim, por nga ana tjetër, përmes njerëzve si Papoviqi e papoviqët e tjerë të
regjimit, bënin obstruksione dhe kurrë nuk lejuan realizimin e marrëveshjeve as
normalizimin e arsimit në gjuhën shqipe.
Në një tubim të
rreth 15000 studentëve serbë, të mbajtur më 24 mars 1998, rektori i dhunshëm
Papoviq, nënshkrimin e Protokolit për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin
e arsimit shqip, e cilësoi si tradhti kombëtare, duke thënë: “Nënshkrimi i
sotëm është shitje e Kosovës, është shkatërrim i Kosovës, ky është turp për
kombin, por nuk do t’iu lejojmë as universitet paralel as fëmijëve të
separatistëve të përkundën në djepin serb”.
Pas protestës së
studentëve, që u mbajt më 1 tetor 1997, rektori i dhunshëm Papoviq, në
deklaratat e tij dhënë mediave serbe,thoshte: “Universiteti është
institucion i shtetit, e jo i pakicës kombëtare; nëse sot u japim
universitetin, ata nesër do të kërkojnë shtetin e tyre, prandaj nuk do t’iu
lejojmë as kthimin në universitet, as universitet paralel. Protesta është
armiqësore, e organizuar jo vetëm kundër Universitetit, veçse kundër gjithçkaje
që është serbe dhe civilizuese. Separatistët duan gjithçka të veprojnë veçmas,
në mënyrë separatiste, gjithçka antiligjore, antikushtetuese dhe antiserbe”.
Papoviqi në
tubime, intervista dhe në emisione të ndryshme volli tërë helmin
nacional-shovinist kundër shqiptarëve. Studentët shqiptarë i quante “armiqë
monstrumë”, kurse për Univeritetin e Prishtinës thoshte se “është
universitet serb dhe i tillë do të mbetet, derisa arsimimi i shqiptarëve është
vetëm përgatitje për terrorizëm”. Papoviqi disa herë ka pohuar se “në
spastrimin e Universitetit të Prishtinës e ka shfrytëzuar metodën e
kolonizimit, të cilën e kishte shfrytëzuar Mbreti Aleksandar Kragjorgjeviq para
Luftës së Dytë Botërore. I vjen keq që kjo metodë nuk është shfrytëzuar
sa duhet, por serbët po punojnë që kjo ide të ringjallet përsëri, ngase ky
është interesi i shtetit serb”. Në një intervistë dhënë revistës javore
NIN, të datës 30 shtator 1994, Papoviqi ndër të tjera deklaroi se”gjatë dy
vjetë e gjysëm të kaluara, në Universitetin e Prishtinës i ka sjellë 7000
studentë të ri dhe 348 profesorë serbë
nga Serbia dhe nga viset e tjera jashtë Kosovës”. Në një nga intervistat në
B=92, në vitin 1994, Papoviqi thoshte: “Serbët në Kosovë janë kryesorë, janë
masë e vlerës dhe të gjithë të tjerët duhet të sillën sipas kritereve të tyre.
Kush i jep të drejtë pakicës kombëtare që ta shohë Kosovën si diçka të veçantë?
Është e palejueshme që pushteti ka një tolerancë të pakuptueshme ndaj
Shqiptarëve. Problemi këtu qëndron vetëm në respektimin e ligjit, por
shqiptarët nuk dijnë në mënyrë të civilizuar të repektojnë ligjin”.
Deklaratat e tilla të Papoviqit, paraqesin vepra të rënda penale, por ndaj tij
asnjëherë nuk u ngrit ndonjë procedurë përgjegësie.
*
Për t’i vu
kulmin nacional-shovinimit klerofashist serb, rektori i dhunshëm Papoviq,në
marrëveshje dhe bashkëpunim të ngushtë me patriarkun e KOS, Pavle, në qendër të
Kampusit të Universitetit ndërtuan objektin e kishës, të quajtur “Hram Hrista
Spasa” (Tempulli i Krishtit të Shpëtimit). Papoviqi ia dha 4-7 ha tokë, në të
cilën u ngrit tempulli dhe objekti tjetër për banesa, zyra dhe lokale tjera për
nevojat e kishës. Ndërtimi i kishës filloi me një pompozitet të madh, me flamuj
e transparente serbe, më 5 dhjetor 1992,
në praninë e shumë klerikëve dhe qytetarëve serbë, në mesin e të cilëve ishte
edhe krimineli Arkan dhe kriminelë tjerë
të shumtë. Përfundimin e ndërtimit dhe përgatitjes së kishës e ndërpreu lufta
që u zhvillua në Kosovë. Tash Universiteti i Prishtinës me të drejtë e
konteston ligjëshmërinë e ndërtimit të kishës në tokën e Kampusit të Universitetit,
ndërsa nga ana tjetër KOS pretendon ta përfundojë ndërtimin e ta vejë në
shfrytëzim, gjë që nuk duhet të lejohet kurrësesi, sepse në Kampusin e
Universitetit nuk e kanë vendin as kisha as xhamia. Ka mendime se atë objekt të
kishës duhet shndërruar në galeri të arteve, apo në muze të gjenocidit serb të
kryer kundër shqiptarëve. Por, e mira e së mirës është që ai objekt të rrënohet
dhe të zhduket pa shenjë e nishan.
Atentati kundër
Papoviqit
Rektori famëkeq,
Radivoje Papoviq, që banonte në lagjën “Dardania” të Prishtinës, më 16 janar
1997 mbijetoi një atentat. Në të
vërtetë, në mëngjesin e asaj dite, duke shkuar në punë, me veturë zyrtare, u
trondit nga një eksplodim që shpërtheu nga një veturë tjetër e parkuar. Me atë
rast u plagos Papoviqi dhe shoferi i tij. Për atentatin qarkullonin verzione të
ndryshme: se është vepër e UÇK-së; të tjerët thoshin se atentatin e kanë kryer
njerëzit e Millosheviqit, për shkak se Papoviqi ishte bërë i padëgjueshëm, që
nuk e përfilli Marrëveshjen e tij me Rugovën, ndërsa verzioni tjetër atentatin
e vënte në lidhje me interesa financiare ilegale.
Për shkak të
kokëfortësisë së tij, që nuk pranoi ta zbatojë as marrëveshjen Rugova –
Millosheviq (1.9.1996), as Protokollin Agani – Vico, e të tjerë (23 mars 1998),
Millosheviqi e shkarkoi Papoviqin nga detyra e rektorit të Universitetit të
Prishtinës, në fillim të vitit shkollor 1998/99. Prej atij viti, Papoviqi ishte
profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit.
Është për habi
se si në monografitë e Universitetit të Prishtinës,të botuara me rastin e
përvjetorëve të ndryshëm, nuk ka të dhëna,madje as nuk figuron emri i rektorit
të dhunshëm Radivoje Papoviq, i cili ishte shkatërrues i këtij Universiteti për
gadi një dekadë, që përveç atij shkatërrimi, la pas vete edhe sherrin e madh,
kishën ortodokse në mes të Kampusit të Universitetit. Përmendën me radhë rektorët, prej të parit
deri te i fundit: Dervish Rozhaja, Idriz Ajeti, Feriz Krasniqi, Gazmend Zajmi,
Minir Dushi, Hajredin Hoxha, Bozhidar Çollakoviq, Stevan Balosheviq, Skënder
Karahoda, Ejup Statofci, Zejnel Kelmendi, Arsim Bajrami, Enver Hasani, Mujë Rugova, Ibrahim Gashi, Anton Berishaj, Ramadan
Zejnullahu e Marjan Demaj, të cilët kanë udhëhequr Universitetin periudha më të
shkurtëra, e nuk përmendet Papoviqi që ishte në krye të Universitetit shtatë
vjet, e që la pasoja për shtatëdhjetë vjetë tjera. Apo, ne jemi popull që
harrojmë shpejtë mizoritë që na kanë bërë të tjerët!
Papoviqi rektor
i Universitetit të Mitrovicës; reagojnë organizmat ndërkombëtare
Regjimet serbe e
kanë në traditë, që eksponentët më në zë të nacional-shovinizmit dhe kriminelët
serbë t’i ruajnë dhe avancojnë në pozita
të larta shtetërore, politike dhe institucionale. Kështu, pas gjashtë vjetë “pauze”,
Qeveria e Serbisë (V.Koshtunicës), më 23 prill 2004, e emëroi Papoviqin rektor
të Universitetit njënacional serb në Mitrovicë, pasi paraprakisht në mënyrë të
kundërligjshme e shkarkoi rektorin Gojko Saviq. Gojko Saviqit iu zu për të
madhe se është në rrugë për t’u integruar në sistemin arsimor të Kosovës.
Kundër emërimit të Papoviqit në krye të Universitetit serb të Mitrovicës
reaguan organizmat ndërkombëtare. FederataNdërkombëtare e Helsinkit, më 8 maj
2004 i dërgoi letër të hapur kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Vojisllav
Koshtunicës, duke e quajtur emërimin e Papoviqit si provokacion që mund të ketë
pasoja. Në emër të 700 fakulteteve të Europës, më 2 qershor 2004, reagoi edhe
Asociacioni i Universiteteve të Europës (EUA),
duke shprehur brengosjen e tij për shkarkimin e Saviqit dhe emërimin e
Papoviqit, e duke kërkuar anulimin e
vendimit për emërimin e Papoviqit, përndryshe vendimi do të shkaktojë pasoja të
mosnjohjës së diplomave të atij Universiteti për të vazhduar studimet në
universietet europiane. Me një letër të
dërguar Vojisllav Koshtunicës, më 25 qershor 2004, Charles H.Brayshaw, në emër të Harri
Holkerit, shefit të UNMIK-ut, ia tërheq vërejtjen Koshtunicës, se emërimi i
Papoviqit nuk ka bazë legjitime dhe paraqet svidë për të ardhmën e Universitetit
të Mitrovicës. Pas këtyre reagimeve,
Qeveria serbe u detyrua ta tërheq vendimin e vet për emërimin e Papoviqit
rektor të Universitetit serb në Mitrovicë.
Në gusht të
vitit 2013, me rastin e rikonstruimit të
Qeverisë së Serbisë (kur kryeministër ishte Ivica Daçiq), u bë edhe një përpjekjet
për ta rehabilituar Papoviqin, duke e
nominuar si kandidatin më serioz për
ministër të arsimit të Serbisë, veçse këtë emërim e penguan reagimet e
shumta të forcave progresive në Serbi, ndër të cilat ishte edhe organizata
joqeveritare e quajtur “Inicijativa mladih za ljudska prava” (Nisma e të
Rinjëve për të Drejtat e Njeriut), e cila e cilësonte Papoviqin të padenjë dhe
të papërshtatshëm për të qenë minister i arsimit, duke ia numëruar edhe
qëndrimet dhe veprimet e tij kundër shqiptarëve dhe arsimit në gjuhën shqipe.
Reaguan edhe shume organizata e shoqata
tjera, të cilat argumentin qëndrimet dhe veprimet raciste e luftënxitëse të
Papoviqit sa ishte rektor (i dhunshëm) i Universitetit të Prishtinës. Këto reagime ndikuan që të mos vjen deri te emërimi i tij
për ministër.