Mendime
Syrja Kurti: Qëndresa
E marte, 17.03.2020, 08:42 AM
Qëndresa
Nga
Syrja Kurti
Që një vend të quhet i shkretë dhe të
perdoret termi shkretëtire nuk është e thënë që të ketë sipërfaqe pafund
rëre të kuqe dhe duna rëre ku era fërshëllen me tinguj të çuditshëm. I
shkrete mund të quhet sot më shumë se kurrë edhe
qyteti im. Madje shkretinë ja
shtojnë më shumë godinat nga ku nuk del
dhe nuk hyn njeri. Nuk e di nëse në historinë e tij katërmijëvjeçare Durrësi ka
pasur një situatë të ngjashme me këtë kur
banorët e tij janë detyruar të
sillen si tani.Edhe në kohërat më të këqija , kur bota lëngonte dhe kur murtaja e kolera bënin kërdinë, banorët e këtyre trevave nuk kanë përjetuar
tmerret e Evropës prej sëmundjeve që vinin nga
Azia. Edhe këtë herë sëmundja
erdhi po andej, nga Lindja e Largët. Por sot
edhe si pasojë e modernizmit të mjeteve me të cilat lëvizin njerëzit ajo erdhi shumë më shpejt dhe po aq
shpejt u përhap duke I vështirësuar gjërat.
Kur
thashë pak më lart që qyteti im nuk ka përjetuar situatë të ngjashme me këtë të
tashmen, pata perasysh që asnjëherë, në asnjë çast, forcat e së keqes nuk ishin bërë bashkë, për ta tundur me muaj
të tëre nga themelet, për ta infektuar me viruse të panjohura të shoikura nga
forca akoma më të panjohura, për të cilat
jeta e një njeriu vlen edhe më pak se jeta e një milingone.
Me
këto mendime, por edhe më shumë të tjera
akoma më të zymta në kokë, pothuajse
kisha mbërritur tek tregu I fruta-perimeve, që ishte edhe arsyeja për të cilën
kisha dale nga shtëpia. Si djalë qyteti unë nuk shquhem si blerës i mirë i gjërave
agro –blegtorale, madje që të jem i sinqertë, jam komplet idiot kështu
që është pjesa tjetër e familjes që merret me këtë punë Prandaj para tre ditësh kur bëra furnizmin e radhës isha
me vajzën dhe ajo më kishte treguar disa pika ku mund të merrja
ato që më duheshin. M’u kujtua shitësja
e agrumeve dhe vendosa ta nis blerjen nga ajo. Ajo zonja në fakt nuk është se m’u kujtua fare kot. Kur isha me vajzën padashje u bëra dëshmitar i një bisede të
pazakontë mes asaj dhe të birit. Djali i saj këmbëngulte që të rrisnin çmimet e agrumeve dhe sidomos
të limonave dhe portokalleve. Zonja e
kundërshtoi prerë duke i thënë se mjaft
i kishin ngritur. Mua nuk m’u durua dhe e falenderova për qytetarinë e treguar.
Prandaj edhe për respekt të atij gjesti
, u drejtova në fillim atje. Por u
befasova. Çmimi sot ishte ai që I kishte kërkuar djali.
- I paskeni ngritur? – e pyeta me
keqardhje.
- Gruaja uli kokën sepse siç duket ju kujtova dhe tha me gjysmë zëri:
- Nuk kisha çfarë të beja!. Edhe këta të
shumicës i kanë ngritur cmimet. I kanë rritur të gjithë
edhe këtu në treg dhe unë nuk mund ta mbaj cmimin aq sa e kisha.
Mjaftuan
ato fjalë për të kuptuar shumë. Presioni I djalit, por edhe i të gjithëve rreth
saj , e kishin detyruar edhe atë grua të bënte si ata që ajo I quante “të
gjithë”. Nga ato fjalë kuptova se forcat
e të keqes me të cilat Durrësit tim I duhet të përballet, nuk janë
vetëm ato që përmenda më lart , nuk janë vetëm tërmetet, nuk janë vetëm viruset misterioze, por janë edhe këta
“të gjithë” që kjo tokë i lind me shumicë. Ata kanë qenë këtu që nga Demetër
Fari dhe pas tij deri më sot. Por
këta “të gjithët” kanë harruar
diçka ose me atë shpirtin e tyre katran
edhe ndoshta nuk e kanë ditur kurrë. Që
ky qytet ka parë shumë. Ka parë romakë, hunë, vandalë, gotë e ostrogotë,
normanë e bizantinë, anzhuinë e venecianë, turq e sllavë, italianë e gjemanë.
ka parë dreqin dhe të birin. Dhe këta “të gjithët”tanë në çdo kohë i kanë bërë dëm qytetit duke I ndihmuar sundimtarëve
të radhës. E kanë zhvatur sa kanë mundur dhe me çdo mënyrë. Por qyteti ka
qëndruar. Ndoshta edhe është lëkundur ndonjëherë por ka qëndruar. Ka patur edhe
humbje, ka patur edhe pasoja por I ka mbyllur plagët dhe ka vazhduar. Dhe jeta
ka vazhduar prej mijëra vjetësh dhe do të vazhdojë edhe me mijëra të tjera. Ky
qytet do të qëndrojë ashtu si ka qëndruar gjithmonë!
Të
gjithë ne do të qëndrojmë bashkëqytetarët
e mi!
S.K.
Durrës pasdite
15 mars 2020