E diele, 01.12.2024, 08:54 PM (GMT)

Mendime

Adil Fetahu: Kaçaku trim, lotë vaku

E merkure, 11.03.2020, 08:51 PM


KAÇAKU TRIM, LOTË VAKU

“Po ua lë  amanet: nëse vritem – nuk ka dert, por nëse më duan të gjallë – më qëlloni me plumb në ballë”!

(Ibrahim Kadriu: “Na ishte njëherë Lotë Vaku”, roman, botoi ShB “Faik Konica”, Prishtinë,2019)

Nga Adil FETAHU

Syzheu i romanit historik, me ngjarje të vërteta, është ky: Kojica Papoviq, malazez nga fshati Marocë i Medvegjës,   kryekriminel  dhe prijës (vojvodë) i një aradhe prej 120 çetnikësh, ndër krimet e shumta që bënte ndaj shqiptarëve, në vitin 1915,  kishte grabitur dy vajza shqiptare: Ajshen, nga fshati Kranidell dhe Hamiden nga Kremenata. Me atë rast çetnikët kishin vrarë katër veta dhe djegur  dy shtëpi në fshatrat e përmendura. Për të treguar absolutizmin e tij, ditën e pazarit (panairit), kur kishte shumë njerëz në qytet,  organizon aheng  në oborrin e xhamisë në Gjilan, ku i detyron të marrin pjesë edhe shqiptarë dhe imami i xhamisë. Në mesin e më se 50 çetnikëve të armatosur, dhe disa xhandarëve, ishte edhe popi, i cili duhej të kryente celebrimin e konvertimit fetar dhe ndërrimit të emrave të vajzave të grabitura.  Vajzat e grabitura shqiptare i kishin veshur me rroba malazeze. Ajshës ia ndërruan emrin në Sllavica, ndërsa Hamidën që kundërshtoi energjikisht konvertimin,  me urdhërin e Kojicës e morën një grup çetnikësh dhe vranë te Ura e Petrilës, së cilës ia humbën  kufomën pa shenjë. Pas dy vjetëve që Ajsha ishte mbajtur me dhunë në shtëpinë e Kojicës, Lotë Vaku me shokë shkojnë në shtëpinë e kriminelit, mbysin tre roje, vrasin Kojicën dhe vajzën e tij Gjurgjën. Lota me trimat e tij, e marrin Ajshën e qojnë të prindët e saj,  por i ati (Haliti) nuk guxon ta pranojë vajzën e vet, nga friga se  se çetnikët do të vinin ta kërkonin dhe do ia vrisnin  të gjithë familjarët e tjerë. Për të mos e lënë vajzën rrugëve, me pëlqimin e të atit, e për motive fisnike, Lota e merr Ajshën në shtëpinë e tij, martohet me te dhe bëhën të pandashëm tërë jetën, ndërsa dhjetë vjet i kalojnë  kaçak nëpër male. Personazhi kryesor i romanit është Lotë Vaku, kaçak trim, emri i të cilit u bë legjendë dhe makth për çetnikët dhe xhandarët serbë. Edhe kur kaçakët e tjerë vritnin ndonë çetnik apo xhandar, njerëzit mendonin dhe thoshin se Lota i ka vrarë.

*

Lotë Vaku u lind në vitin 1896, në Lagjën Vakaj, të fshatit Poliçkë, rrethi i Kamenicës. Emri i tij i vërtetë ishte Ismail, por nga një ngjarje që e përjetoi kur ishte në moshën pesëvjeçare, i mbeti përgjithmonë emri Lotë. Ja si i mbeti ky psudonim. Ismaili (Lota) po lozte me fëmijët tjerë të lagjës para shtëpisë së tij. Një plak i varfër i fshatit  hecte rrugës i ngarkuar me një dëng shkarpash të druve. Dy ushtarë (nizam) të Turqisë, hipur në kuaj po kalonin asaj rruge. Një rremb i shkarpave të dengut e prekë kalin e njenit ushtar, kali kërcen befasishëm dhe ushtari rrëzohet për tokë. Fëmijët  ia plasin së qeshuri. Ushtarit i vjen inatë dhe e rrahë keq plakun e gjorë. Ismaili (Lota) pesëvjeçar e kapë ushtarin për këmbe për ta “shpëtuar” plakun. Ushtari e shtynë  dhe e rrëzon çunin përtokë. Ky shkon në shtëpi duke qarë e dënesë pa pushuar, jo vetëm se ishte përgjakur vet, por edhe se i dhimbsej plaku i gjorë.  Duke e përkëdhelur, i ati mundohej  ta pajtonte, duke i thënë: “Mjaft më o Loti i babës”, dhe që prej atij momenti e tërë jetën i mbeti emri Lotë.

Lota në moshën 16 vjeçare shkon ushtar (bedel), në vend të vëllait më të madh, Dulahut,  por pas një viti  arrinë të dezertojë,ikë prej ushtrie dhe kthehet në vendlindje. Nga prindët dhe fshatarët tjerë merr vesh se çetnikët po bënin zullum të madh, duke vrarë, rrahur e plaçkitur shqiptarët. Nga frika se do ta kapnin ushtria turke, Lota qëndronte më shumë në male dhe nëpër miqë, kështu që u bë kaçak, i cili sa dukej – sa zhdukej.  Për të thuhej: “kaçaku,të hyn për oxhaku”.

*

Pas Kongresit të Bërlinit (1878), kur fuqitë e mëdha të Europës ia dhanë Serbisë territoret shqiptare të Jabllanicës deri në Smederevë, pushteti serb i dëboi me dhunë të gjithë shqiptarët nga trojet dhe pronat e tyre. Viset nga të cilat ishin dëbuar shqiptarët, mbetën demografikisht të shkreta, prandaj Principata e Serbisë bëri thirrje që në ato vise të vinin serbë e malazezë nga viset e tjera. Thirrjes iu përgjigjën shumë serbë e malazezë, me familjet e tyre, nga Hercegovina dhe Mali Zi ku kushtet e jetesës ishin të vështira, ndërsa në pronat e shqiptarëve të dëbuar ato ishin shumë më të mira.  Në mesin e kolonëve të ardhur ishte edhe familja e Kojica Papoviqit, nga rrethi i Nikshiqit. Kolonët serbë e malazezë pushteti i vendoste  në brezin e kufirit me Turqinë, i ndihmonte të stabilizohen e mëkëmbën ekonomikisht, u jepte armë, i mbronte me ushtri e xhandarmëri. Me ndihmën e pushtetit kolonët formuan aradha e çeta komitësh, të cilët i quanin çetnikë dhe “kërstashi” (kryqtarë). Udhëheqës të çetave të tilla caktoheshin harambashë të shquar si kriminelë. I tillë ishte edhe  Kojica Papoviq.

Pas pushtimit (edhe) të Kosovës (1912), Kojica Papoviqi me çetën e tij, dhe njësitë e tjera të çetnikëve, në bashkëveprim me xhandarmërinë, bënin zullum të paparë, duke vrarë, djegur shtëpi, rrahur, maltretuar e plaçkitur shqiptarët në rrethin e Medvegjës, Gjilanit dhe Kamenicës deri thellë në fshatrat e Gollakut. Kojica i kishte grabitur dy vajza shqiptare për t’i martuar me dy djemë të tij.  Familjet e vajzave të grabitura, që nuk dinin më asgjë për fatin e tyre, e kishin çelë të pamen për ngushëllime, sikur për të vdekura. Për vajzat e rrëmbyera thureshin gjithëfarë rrëfimesh, si nga ana serbe ashtu edhe nga ajo shqiptare, ndërkohë që njëna ishte  vrarë,  tjetra mbahej me dhunë në shtëpinë e Kojicës, derisa i biri (Radovani) ta kryente ushtrinë e të marohej me Ajshen as.Sllavicën.

Lotë Vaku, me dy kushërinjë të tij, Latifin dhe Shutin po prenin  dru në mal. Papritmas ia beh roja e pyllit, me pushkë në dorë, duke  ua sharë nënën shqiptare. Lota e godet rojën  në bërryl, me çykë të sëpatës, me ç’rast  pushka bie  në tokë, Lota ia rrëmben pushkën dhe e lidhin rojën për një lisi, ia mbyllin gojën dhe  e lënë ashtu të lidhur. Që nga ai moment Lota vendosë të bëhet kaçak, ta vrasë Kojicën dhe çetnikë tjerë të cilët po bënin zullum mbi shqiptarët. Edhe dy kushërinjtë i premtojnë se nuk do t’i ndahën, madje do të marrin edhe të afërmë e shokë tjerë të besueshëm.  Në vendin e caktuar për takim, të nesërmën u bënë tetë veta me Lotën. Lota i shikoi të gjithë me radhë, duke u thënë:”Nëse ndonjëni është me dy mendje, le të heqë dorë që tash”. Të gjithë ishin të vendosur dhe njëzërit u betuan: “Betohem se … do të hakmerrëm kundër çetnikëve për çdo pikë gjaku të derdhur të vëllezërve tanë dhe motrave shqiptare, dhe se do t’i përmbahëm rregullit luftarak – një për të gjithë, të gjitë për një. Zoti na nfihmoftë”! Pastaj, Lota iu tregoi planin e aksionit. Së pari ta likuidonin Kojicën e ta çlironin Ajshën e grabitur para dy vjetëve, pastaj do vijnë në rend kriminelët e tjerë më të njohur për zullumet e bëra. Kështu, pas dy vjet qëndrimi me dhunë në shtëpinë e shkaut, Lota me shokë arrijnë ta vrasin në shtëpinë e tij Kojicën, tre roje dhe vajzën Gjurgjën e ta marrin Ajshën.  Por Lota me shokët vranë edhe kriminelë tjerë çetnikë e xhandarë, të njohur si zullumçarë ndaj shqiptarëve. Ajsha që u bë gruaja e Lotës, gjatë dhjetë vjetëve duke jetuar  kaçake, i lindi tre fëmijë: Hasanin (1918), Feridën  (1921) dhe Veselin (1923), kurse të katërtin (Selmanin 1937) e lindi  sa ishin në Shqipëri,në periudhën 1928 – 1941.

Lota me shokët e tij mbanin lidhje edhe me çetat e tjera kaçake të Karadakut, Llapit e Gollaku. Por, me kalimin e kohës, pas stabilizimit të pushtetit serb, pas Luftës së Parë Botërore, me ndjekjet që iu bënin kaçakëve ushtria dhe xhandarmëria serbe, të ndimuar nga çetnikët si paramilitarë, çetat e kaçakëve u pakësuan. Jeta e tyre ishte në rrezik, prandaj Lota në korrik të vitit 1928, përmes lidhjeve me njerëz të besueshëm iku në Shqipëri. Ndonëse regjimi i Zogut kishte një qëndrim negativ ndaj kaçakëve, Lota ishte me fat se atij, për shkak të famës që kishte për trimëritë e bëra, i dhanë shtëpi e 10 dynym tokë në fshatin Arapaj të Durrësit. Më në funt ishte i lirë dhe bënte jetë normale. Por atë idilë jetësore ia prishi pushtimi italian i Shqipërisë. Me qenë se në kohën e pushtimit italian e gjerman pjesa më e madhe e Kosovës ishte e bashkuar me Shqipërinë,  në vitin 1941 Lota me familje kthehet në vendlindje, ku e gjenë shtëpinë të shkretë, pasi prindët i kishin vdekur.    dhjetor 1944 Lota iu bashkangjitet ardhave vullnetare të Mulla Idriz Gjilanit, për ruajtjën e kufirit nga pushtimi bullgar dhe partizano-çetnikët jugosllavë.  Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Lota dorëzohet në milici (1947), dënohet me 12 vjet burgim, prej të cilave i vuan 8 vjet në Burgun e Nishit,  derisa në vitin 1955 lirohet, në bazë të një aministie të përgjithshme. Gruaja, Ajsha, kishte vdekur në vitin 1952. Për t’iu siguruar fëmijëve një jetë më të mirë, Lota shpërngulet prej Poliçke dhe vendoset në Velekincë, afër Gjilanit. Aty vdiq në vitin 1960.

Për meritat e tij të veçanta, në vitin 1993 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi Lotë Vakën (pas vdekjes) me Urdhërin për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë.

Djali më i vogli i Lotës, Selmani, i lindur në vitin 1937 në Arapaj të Durrësit, pasi kreu Shkollën e Muzikës në Prizren e Prishtinë, u bë një dirigjent i njohur, shkroi 44 poema me 14000 vargje dhe dy libra tjera. Vdiq në vitin 2010.

* * *

Ibrahim Kadriu është i pranishëm në letërsinë shqipe të Kosovës dhe më gjërë që prej vitit 1969, dhe deri tash ka botuar më se 60 vepra letrare, të llojeve dhe zhanreve të ndryshme: poezi, prozë, novela, tregime, monografi, romane, drama. Disa vepra, ose pjesë të tyre, janë përkthyer e botuar në gjuhë të hueja: serbe, turke, rumune, italiane, gjermane, franceze, angleze, norvegjeze, suedeze, arabe.  Në disa vjetët e fundit ka botuar disa romane historike të kontekstit kombëtar shqiptar, me tema e personazhe interesante për fatet dhe përvojat e hidhura dhe tragjike të njerëzve, në një dimension të gjërë kohor, historik dhe hapsinor. I tillë është edhe ky roman, i titulluar si fillimi i përrallave: “Na ishte njëherë…”, pas të cilit lexuesi pret të zbulohet ndonjë mister, por në të vërtetë na paraqiten ngjarje e personazhe reale, të cilat i njeh historia, ndërsa në roman autori bënë një rikonstruim të së vërtetës historike, duke e mbështjellë me kategori estetike-letrare. Nga sa kam lexuar romanet e tij, kam vërejtur se Ibrahim Kadriu e ka për qejfi zhanrin e romaneve historike, si model narrativ të pasqyrimit të ngjarjeve, kohërave, personazhet, fateve dhe fatkeqësive të njerëzve. Ky zhanër i letërsisë kërkon njohje dhe hulumtim të së vërtetës historike, dhe akoma më tepër mjeshtri artistike-letrare të rrëfimit. Ibrahim Kadriu, me zellin, përvojën dhe talentin që ka, në romanet e tij ka arritur me sukses ta kombinojë mirë karakterin shumëdimensional: historik, politik, kombëtar, social, etik, etnik e  ndëretnik, me letërsinë. Paqja dhe liria “nuk banuan kurrë” në Kosovë, deri në vitin 1999, prandaj tema për romane historike ka me bollëk.

Romani “Na ishte njëherë Lotë Vaku”, në tërësinë e tij është i tillë, por është prekës dhe mbresëlënës: grabitja dhe konvertimi fetar e kombëtar i vajzave shqiptare;  vrasja e Hamidës që kundërshtoi konvertimin; qëndrimi i Ajshës dy vjet në shtëpinë e grabitësit; refuzimi i babait për ta pranuar vajzën që ia ktheu Lota,  nga frika se çetnikët do t’ia vrasin tërë familjen; martesa e Lotës për arsye altruiste e fisnike me vajzën e çliruar; dhjetë vjet jete kaçake nëpër male, me tre fëmijë të lindur e rritur mes jetës dhe vdekjes, dhe shumë ngjarje e personazhe tjera, janë shtjelluar me sens  të prekshëm psikologjik e social. Secili nga personazhet  i kanë  karakteret dhe historitë e tyre, me shumë miningjarje, në vargun e gjatë të ngjarjeve që shtjellohen në roman.

Me botimin e këtij romani, autori jo vetëm se i ka begatuar bibliotekat tona  dhe  letërsinë shqipe me një vlerë të shtuar,  por edhe ka kryer një obligim moral  dhe human ndaj trimit legjendar, Lotë Vaku, për të cilin deri më tash nuk ishte botuar asnjë vepër dhe padrejtësisht ishte lënë në harresë.

Për dijeni lexuesve të  këtij shkrimi, të shtojmë këtu se krimineli Kojica Papoviq,  personazhi më negativ i romanit,  ka qenë gjyshi  Radivoje Papoviqit, ish-rektorit  famëkeq të Universitetit të Prishtinës në periudhën  1991 – 1998, në kohën e masave të dhunshme serbe në Kosovë, kur u përjashtuan prej objekteve të Universitetit të gjithë studentët dhe profesorët shqiptarë dhe kur në Kampusin e Universitetit u ndërtua kisha ortodokse sllave me objekte tjera përcjellëse për banesa dhe zyra të klerikëve,  që edhe sot e kësaj dite qëndron aty si përmendore e turpit të një kohe dhe politike klero-fashiste serbe.

Për veprat e tij, Ibrahim Kadriu është shpërbyer shumëherë me çmime letrare e mirënjohje të ndryshme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora