Mendime
Dom Gjergj Meta: Qeveritari sapunin, mjeku këshillën ...
E shtune, 14.03.2020, 03:17 PM
Qeveritari sapunin,
mjeku këshillën ...
Nga
Dom Gjergj Meta
Po
përjetojmë dy trauma njëra pas tjetrës: tërmeti dhe koronavirusi.
Në
këtë pikë, përveç asaj trupore, ka shumë rëndësi higjena psiko-shpirtërore.
Prandaj,
duke ndjekur me kujdes se si po administrohet situata nga mediat, por edhe nga
ana e qeverisë, kam dy sygjerime modeste për mediat dhe për qeverinë që mund të
rregullohen pa shumë mund.
Ju
lutem mediave të transmetojnë sa më pak rrugë bosh, lokale të mbyllura, njerëz
të frikësuar, sa më pak fjalë që shkaktojnë panik e terror. T'i japin sa më pak
hapësirë polemikave në këto momente. Ndikojnë negativisht në psiken dhe në humorin
e njerëzve që janë tashmë të rënduara.
Ju
lutem mediave gjithashtu mos i jepni hapësirë kërcënimit verbal qoftë edhe kur
vjen nga qeveritarët, sepse panikut tashmë ekzistues i shtohet një lloj
agresiviteti psikologjik i gjuhës. Nuk e keni idenë se sa negative është tek
njerëzit dhe sa rëndon.
Ne
nuk jemi një popull kriminelësh që nuk merr vesh. Po sillemi me shumë dinjitet.
Pak të papërgjegjshëm nuk janë gjithë populli dhe këta mund të izolohen pa
pasur nevojë të kërcënohen të gjithë.
Jepuni
hapësirë të dashur gazetarë këshillave të mjekëve duke i ftuar apo duke i
intervistuar ato sa më shumë. Nuk mund të improvizohemi të gjithë mjekë as unë
që jam prift e as qeveritarët.
Qeveritarët
të marrin masa që të mos mungojë sapuni dhe uji, kurse mjekët të japin këshilla
se si dhe pse të lahen duart.
I
ftoj ata që udhëheqin: Merrni vendime zotërinj shtetarë, por pa pasur nevojë
t'i komentoni me mimikë apo me fjalë boshe apo më keq akoma kërcënuese. Masa
flet vetë nuk ka nevojë ta komentosh apo më keq akoma t'i shtosh kërcënimin
verbal. Është edhe antijuridike, përveçse rëndon situatën psiko-shpirtërore të
atyre njerëzve që janë të mbyllur e të izoluar nëpër shtëpitë e tyre.
Duhet
të dini se njerëzit po e përballojnë me dinjitet situatën, por mund të krijohet
një kolaps psikologjik i pariparueshëm nëse nuk kemi kujdes se çfarë
transmetojmë e si flasim.
Tani
kemi nevojë të ndjehemi një komb e të ndjehemi bashkë. Kemi nevojë për fjalë
inkurajuese dhe që na japin shpresë dhe jo për propagandë. Nëse shkojmë edhe
drejt kolapsit psikologjik do të jetë e vështirë më pas koha e rimarrjes. Ta
kalojmë të gjithë bashkë.
Është
koha për shpresë e përgjegjësi!
Kurajo!