Kulturë
Shefqet Dibrani: Nazmi Rrahmani - Malësorja
E hene, 06.01.2020, 12:02 PM
“Karakteri dhe arketipi” i personazheve në romanin «MALËSORJA» të Nazmi Rrahmanit
Shkruan
Shefqet DIBRANI
Romani
“MALËSORJA”, i Nazmi Rrahmanit, si asnjë vepër tjetër letrare, e ka pasur
ndikimin e vet në letërsinë shqipe, veçmas ka ndikuar në edukimin dhe formimin
intelektual të gjeneratave të tëra tek shqiptarët në Kosovë dhe hapësirën e ish
Jugosllavisë. Ky roman që nga botimi i parë në vitin 1965, është preferuar si
lekturë shkollore për nxënësit e shkollave fillore, për klasat e larta, si dhe
nëpër shkollat e mesme, qofshin ato gjimnaze apo të karakterit profesional.
Këtë
roman kam pasur fatin ta lexoj gjatë shkollës së mesme, diku në vitin 1978.
Padyshim, ky kontakt, me këtë vepër letrare, ka ushtruar ndikimin e vet, ashtu
siç ka mundur të ndikojë edhe tek të tjerët, në varëshmëni me situatat dhe
rrethanat kur kjo vepër është lexuar dhe si referat është komentuar. Romani
“MALËSORJA”, është roman i karakterit social, por si vepër e këtij zhanri e ka
kryer misionin e vet shembullor, në planin edukativ, në aspektin pedagogjik dhe
në konceptin patriotik, sepse nuk ka patriotizëm më të madhe se sa me edukuar
dhe arsimuar një shoqëri të tërë. Pavarësisht kësaj, nuk mund të përjashtohet
mundësia se tek autori mund të kenë ushtruar ndikim rrethanat shoqërore e
politike të asaj kohe, por si vepër letrare romani është i zhveshur tërësisht
nga ndikimet e politikës, sikurse edhe nga frymëzimet tjera patriotike.
Të
gjitha ndikimet e mundshme të kësaj natyre lidhen me formimin intelektual të
autorit, me atë frymëzimin e asaj kohe, për edukim dhe emancipim të shoqërisë,
e cila në masë të madhe ishte analfabete. Kjo vetëdije dhe ky frymëzim
intelektual, u përket atyre viteve kur një shoqëri e tërë ngarendte për tu
shkolluar, për tu emancipuar dhe për tu ndryshuar, madje si vetëdije kolektive
në Kosovë kemi përjetuar një lulëzim kulturor i cili prekte ndryshime edhe në
rrafshin kulturore, arsimore, edukative dhe pedagogjike nëpër zona rurale dhe
të lënash anësh nga kujdesi shtetëror.
Në
tekstin e shtruar brenda romanit, gjarjet e asaj kohe, rrethanat sociale e
patriarkale, autori i ka përshkruar në mënyrë brilante. Thjeshtësia dhe
modestia e shkrimit letrar, janë edhe një shtytje tjetër, një vlerë tjetër
letrare, që manifestohet si një përshkrim i detajuar, prandaj qasja jonë ka të
bëjë edhe me përkushtimin e atij brezi në aspektin edukativ e arsimor, në ndikimin
e tyre në vetëdijen kombëtare, duke i apostrofuar aspekte të pabarazisë
shoqërore, (edhe pse nuk është theksuar aq), dihet se në ato vite ekzistonte
një vullnet dhe ishte ngulitur një vetëdije qytetare e cila ndikoi në ato
ndryshime, e kjo kishte ndodhur fslë përkushtimit të atij brezi i cili përmes
angazhimit kulturor i dha këto porosi të fuqishme, kurse autori i ka përcill
përmes formës së shkrimit letrar.
Jeta
në fshatin rural në Kosovë, gjithmonë ka qenë e vështirë, arkaike dhe e ashpër
për tu jetuar. Kurse për femrat, (duke i ditur zakonet arkaike e patriarkale),
ka qenë edhe më e ashpër për tu jetuar,
për të punuar, për të përparuar dhe për tu emancipuar. Në romanin “MALËSORJA”,
ajo jetë është përshkruar me të gjitha karakteristikat e asaj kohe, madje kjo
vepër tregon se njohja e autorit me doket dhe zakonet e trevës paska qenë shumë
e fuqishme, lidhja shpirtërore edhe më shumë, e kjo njohje e mentalitetit ka nxjerr një përshkrim letrar
të detajuar të këtij niveli, për ngjarje dhe ndodhi, andaj përshkrimi i veprës
bëhet kaq i thellë, kaq përjetues, logjik dhe mjaftë përmbajtjesor. Zakonisht
këto vlera e bëjnë romanin “MALËSORJA” të dalluar, të dashur dhe si vepër
letrare më të respektuar. Sigurisht, janë këto vlera letrare e estetike, të
cilat kanë ndikuar që romani “Malësorja” të përzgjidhet si lektyrë e
detyrueshme shkollore, si lektyrë e preferuar, lexim i sugjeruar, që iu
dedikohej nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme kudo në hapësirën
shqiptare, kuptohet më shumë në ato treva që kishin mbetur jashtë Shqipërisë
Socialiste.
Gjatë
hulumtimit kemi ndeshur në informacione të shumta, dhe sigurisht interesante e
mjaftë inkurajuese, për përdorimin e këtij romani në të gjitha nivelit
shkollor, pra që nga klasat e larta të fillores, nëpër shkollat e mesme e deri
në universitete, në të cilat shihet ndikimi i pashmangshëm i këtij romani dhe i
autorit në përgjithësi. Natyrisht nuk kemi ndeshur studime të shumta e
shteruese, edhe pse as ato nuk mungojnë, por me sa kam kuptuar mungesa e një
përpjekje për një bibliografi më të kompletuar është evidente. Librat
bibliografik, sado të vështirë për tu bërë, janë tabela rrëfyese për studiuesit dhe
hulumtuesit, nga ku zakonisht dalin porosi të vyeshme, ide të caktuara për një
vepër e cila arriti t'i përballoj edhe ndikimet politike, mjaftë të ashpra, që
i prodhonin situata dhe ndikime nga politika komuniste e sistemit rozë
jugosllav. Gjatë këtyre hulumtimeve kemi hasur në informacione, në të cilat
shihet se romani “MALËSORJA”, është pjesë e programeve shkollore edhe nëpër
universitete të tjera, aty ku mësohet Albanologjia, ku janë marrë fragmente për
nevojat e mësimit akademik të shqipes, po ashtu fragmente nga ky roman gjejmë
edhe nëpër libra “Gjuha shqipe”, për klasat e larta të shkollës fillore ose nëpër
ato të mesme. Nëpër ato tekste shihet se si në mënyrë profesionale analizohen
aspekte letrare të këtij romani. Pastaj e kemi ndeshur edhe si pyetësor nëpër
testet e maturës dhe formave të tjera të matjes së inteligjencies. Çka do të
thotë se nëse dikush do të merrej me këto aspekte, jo se do t’i sillte
letërsisë shqipe një vepër të mirë bibliografike, por historisë së romanit
shqiptar në Kosovë do t’i bënte një shërbim të madh, veçmas nëse do të trajtoheshin edhe aspekte
pedagogjike dhe ndikimi i këtij romani në planin profesional.
Kritiku
letrar dhe studiuesi i letërsisë shqipe, akademiku dhe profesori universitar
dr. Sabri Hamiti, ka bërë një studim të përmbledhur për romanet e Nazmi
Rrahmanit, duke përfshirë edhe romanin “Malësorja”, por dr. Sabri Hamiti, edhe
më vonë në kontingjentin e gjerë të kritikës letrare, nëpër disa fragmente do
t’i rikthehet këtij romani dhe do ta citojë në kontinuitet prozën e Nazmi
Rrahmanit. Ndërsa një studim më të kompletuar, për romanin “MALËSORJA”, vite më
parë, e ka botuar profesori universitar dhe ligjëruesi i teorive letrare dr.
Zejnullah Rrahmani, “MALËSORJA E NAZMI RRAHMANIT OSE ARTI I INTERPRETIMIT”, në
të cilën janë analizuar në mënyrë të spikatur disa aspekte letrare e estetike
të këtij romani. Por për t’iu rrekur një studimi më të kompletuar për romanin
në fjalë, përveç këtyre njohjeve dhe përgjegjësisë profesionale, janë edhe
njohjet e drejtpërdrejta me autorin, të cilin për vite me radhë e kam pasur
redaktor dhe botues të librave, poetik e publicistik...