Kulturë
Fatmire Duraku: Maçoku mbi çati
E shtune, 04.01.2020, 01:18 PM
Maçoku mbi çati
Recension për librin
“Maçoku mbi çati” të Shaip Grabovcit, botoi Shtëpia Botuese “Fad”Prishtinë 2019
Nga
Fatmire Duraku
Mjeshtër
i shkrimit të tregimit të shkurtër, mahnitës në leximin e psikologjisë së
fëmijës, të lojës e të ëndrrës, të imagjinatës e të mësimit të tij, Shaip
Grabovci me përkushtim thur ngjarje, çaste, tablo brilante nga jeta e puna e
përditshme e të vegjëlve edhe në librin më të ri “ Maçoku mbi çati”, të cilin
lexuesi do ta ketë në duar... E tërë aftësia e shkrimtarit për të krijuar e për
të ndërtuar në vetëdijen e fëmijës, të nxënësit, figura të mrekullueshme dhe ide të reja, vjen në shprehje dhe në këtë libër, duke i
lidhur, ndryshuar, shndërruar e përfytyruar sendet, dukuritë, njohuritë e
fituara që të krijojë, të zbulojë, të shpikë diçka të re nga përvoja e pasur –
e fituar gjatë gjithë punës e jetës...
Mjeshtër sidomos në trajtimin e tregimit të dramatizuar, me ç` rast ia del të shpërfaq krejt atë që jeton me
fëmijën, me zemrën dhe dëshirën e tij, krejt atë që jeton për fëmijën, siç
është syri i zogut, krahu i tij, siç është kënga e tij, siç është fshehtësia e
zogjve. Ai, me një përkujdesje të veçantë,
bën përpjekje t`i bëjë kureshtarë lexuesit e vet me shpendët e kafshët,
me bimët – drunjtë, me lulet... I afron ata kaq shumë me njëri tjetrin sa zënë
të bisedojnë ndërmjet veti. Fëmijët, përveç që kënaqen me zogjtë, ata pak nga
pak fillojnë edhe t`i kuptojnë cicërimat
e tyre, fillojnë t`i kuptojnë çfarë duan, ku u dhemb, çfarë dëshirojnë, çfarë
ëndërrojnë... Po kështu, me kohë fillojnë dhe zogjtë t`i duan fëmijët, t`u
afrohen pa frikë, t`ua bëjnë çastet e lumtura me këngët e tyre të bukura.
Kështu, ta zëmë ai shtjellon detaje, ngjarje, çaste, që e mahnitin lexuesin, të
cilit i dedikohet shkrimi. Për çfarë ta zëmë bisedojnë mësuesja në “Tregimin
për zogjtë”, apo si e gjen shkrimtari motivin për tregimin, të cilin ai duhet
ta shkruajë, në mënyrë që të nesërmen atë tregim ta kenë fëmijët në dorë, ta
lexojnë në gazetën e tyre.
Ja,
ta zëmë se si mund të ilustrohet e tërë kjo, duke e bartur këtu vetëm një copëz
të tregimit të autorit “Tregimi për zogjët“.
“Mësuesja
fliste me fjalë të zgjedhura, ndërsa fëmijët ishin bërë sy e vesh! "Ata,
miq tanë të vegjël, tregonte mësuesja, na ndihmojnë shumë... Ata i luftojnë
insektet e dëmshme... Sikur mos të ishin ata, frutat që na i ka ënda aq shumë,
do të zhdukeshin nga krimbat! Mirëpo, në një ditë dimri, acari i madh i kishte
detyruar këta miq të strukeshin nën një çati dhe ashtu të uritur me vështirësi
i bënin ballë të ftohtit."
Në
fytyra e fëmijëve, mësuesja, vërejti një brengë të madhe... Ajo u ndal ca e
mandej vazhdoi tregimin e saj... "Annamorea, e cila ishte prekur shumë,
nga shtëpia u kishte sjellë një copë bukë të thërrmuar e ua kishte hedhur
zogjve. Ata me të shpejt ishin tubuar rreth vajzushës për të ngrënë thërrimet.
Sapo qenë ngopur serish qenë strehuar nën çati, me ndonjë cicërimë në shenjë mirënjohjeje !”.
Nga
fytyrat e fëmijëve treti zymtësia, ata tash të gjithë ishin të gëzuar, ashtu
sikur Annamorea kur i kishte gostitur miqtë e vegjël”
Shaip
Grabovci – dramaturg, tregimtar, humorist, edhe në këtë libër i bartë të njëjtat ngjyra, veçse që
reflektojnë ndryshe, i bartë të njëjtat buzëqeshje, që shpërndahen pakufi në
jetën e punën e fëmijës, i bartë të njëjtit ylber magjikë. E, në këtë rrjedhë,
në këtë mënyrë, shkrimtari ka shkëputur inserte nga jeta dhe i ka vendosur në
libër, kaq të njëmendta, kaq besnike, të afërta e të ngrohta, sa ndonjë herë
lexuesi do të ketë përshtypje se ato që
i lexon – në të njëjtën kohë ndodhin me të, në të njëjtën kohë i përjeton vetë.
Kështu, ai bëhet bashkë-personazh me maçokun i cili rri mbi çati, bëhet një me
heronjtë e librit, me bëmat dhe përjetimet e tyre, që është veti e shkrimtarëve
me përvojë të madhe, me njohuri të madhe, e cila gjë domosdo për produkt ka
libra të mrekullueshëm, siç është dhe ky i fundit “Maçoku mbi çati”.