Kulturë
Dorian Koçi: Kadare oficer i Legjionit të Nderit
E merkure, 01.01.2020, 04:02 PM
Kadare oficer i Legjionit të Nderit
Nga
Dorian Koçi
Ky
vit filloi mbarë për kulturën shqiptare. Shkrimtari ynë, Ismail Kadare,
nderohet me dekoratën më të lartë të shtetit francez “Legjioni i Nderit”.
Studimet mbi tranzicionin dhe ndryshimet politike që përfshinë Europën
Juglindore në kapërcyellin e viteve ’90 janë fokusuar kryesisht në vektorët
politikë dhe ekonomikë, duke lënë paksa mënjanë vektorin kulturor dhe
përfshirjen e elementeve kulturore në këto transformime politike të rëndësishme
që shënuan rënien e komunizmit dhe triumfin e demokracisë liberale.
Shqipëria
dhe rasti shqiptar nuk bën përjashtim nga kjo përqasje analitike ndaj
tranzicionit në Europën Juglindore, por duke qenë se rasti i saj është më
specifik se shtetet e tjera të ish-kampit socialist, analizimi i vektorit
kulturor meriton një vëmendje të veçantë. Studimi mbi fushën e kulturës dhe të
ligjësisë tregon se në shoqërinë qytetare marrëdhënia mes moralit dhe
zgjedhjeve individuale dhe norma prodhon shumë më shumë sugjerime për t’i
përkthyer në ligje dhe programe politike.
Tranzicioni
politik në Shqipëri, i filluar në dhjetor 1990 me pranimin e pluralizmit
politik, e ka një histori dhe eksperiencë të filluar së pari në shndërrimin e
kulturës shqiptare në një katalizator të ndryshimeve në vend. Pa dyshim një
figurë e rëndësishme e shndërrimit të kulturës shqiptare nga një kulturë
socialiste e fokusuar në rolin e saj meseanik rreth Njeriut të Ri, në një
kulturë ku spikaste liria individuale si liri personale dhe liri krijuese për
të përçuar mesazhe humane dhe rrjedhimisht një liri më të madhe mendimi të
audiencës, është figura dhe personaliteti i Ismail Kadaresë. Në vazhdimësinë e
veprave të shumta të Ismail Kadaresë ka me qindra mesazhe humane që tejkalonin
“Perden e hekurt” dhe tregonin një Shqipëri të pazakontë, që vuante nën
totalitarizëm, por me njerëz normalë të cilët përpiqeshin të ishin po aq
europianë sa dhe kombet e tjera europiane.
Në
vitin 1987, pas një sorollatjeje të gjatë nëpër zyrat e shtetit, u botua romani
i shkrimtarit Ismail Kadare “Koncert në fund të dimrit”, ku autori bënte një
autopsi të komunizmit kinez, korrente të të cilit kishin fryrë dhe në Shqipëri.
Për lexues të kualifikuar nuk ishte e vështirë të kuptoje përmes faqeve të tij
aparatin e dhunës, si dhe represionin në jetën e përditshme të qytetarëve të
thjeshtë. Në vepër mungonte një personazh kryesor pozitiv, i cili përçonte një
mesazh pozitiv për të ardhmen. Romani mbyllet me personazhin e plakës Hasije, e
cila ngatërron pushtuesit osmanë me kinezët, duke lëshuar një alegori të fortë
se Shqipëria kish qenë e mbetej e përhershme dhe jo ideologjitë që vinin e
iknin. Për më tepër, për herë të parë në një vepër artistike hidhej dritë mbi
anën njerëzore të ngjarjeve të përgjakshme të të ashtuquajturit puç ushtarak në
vitin 1974, tema tabu për opinionin shqiptar të kohës që ishte i detyruar të
lexonte vetëm variantin politik në orët e gjata të edukimit politik.
Në
përgjithësi, regjimi komunist nëpërmjet hierarkëve më të lartë në kulturë,
pjesa më e madhe e të cilëve ishin prodhim i drejtpërsëdrejti i shkollave
sovjetike dhe atyre kuadrove të krijuar gjatë të ashtuquajturit revolucionit
tekniko-shkencor, një përpjekje mjerane e komunizmit shqiptar për t’iu
kundërvënë revolucionit hi tech dhe dijeve të thelluara në Perëndim, u përpoq
që të ringjallte një frymë liberalizimi të kontrolluar përmes levave dhe
forumeve të Partisë së Punës. Në këtë kontekst, koncepti i kritikës së drejtë
dhe autokritikës i zhvilluar rreth viteve ’70 nga diktatori Hoxha u rimor
sërish në formën e pluralizmit të mendimeve për t’ia kundërvënë konceptit të
pluralizmit politik, që do të sillte dhe ndryshimin e sistemit monopartiak. Në
këtë kohë kemi edhe inflacionin e termit intelektual, që do të luante një rol
të rëndësishëm në ligjërimin publik shqiptar gjatë tranzicionit. Regjimi
komunist e nënvlerësoi rolin e kulturës dhe aftësive të saj për të mobilizuar
një mesazh të ndryshëm nga ai zyrtari.
Kështu
ikja e Ismail Kadaresë në Francë në tetor të vitit 1990 e vendosi shtetin
shqiptar në situatën kur një nga përfaqësuesit e letërsisë së realizmit
socialist do të duhej t’i ndalohej vepra dhe të shpallej armik. Situata ishte e
ngjashme me dënimin e Pasternakut në Bashkimin Sovjetik më 1958-n pas marrjes
së çmimit “Nobel”, por nëse Pasternaku në kuadër të Luftës së Ftohtë nuk mund
të shërbente si model për të inspiruar ndryshime politike, ikja e Kadaresë bash
në momentin kur diskutohej ideja e pranimit të pluralizmit politik, ishte një
shembull që përshpejtoi disa nga ndryshimet politike të pritshme.
Franca,
Europa nderoi një figurë e personalitet që shpeshherë ka shkruar për të
shkuarën dhe të ardhmen e saj, por Shqipëria ka më tepër nevojë se kurrë për
mesazhe që përforcojnë të tanishmen e saj europiane.