Kulturë
Albert Zholi: Flet këngëtari i mirënjohur i Skraparit Dule Malindi
E premte, 27.12.2019, 11:14 AM
Flet këngëtari i mirënjohur i Skraparit Dule Malindi: Vlerësoj poetët Xhevahir Spahiu, Arben Duka dhe Jorgo Papingjin
Nga Albert Z. ZHOLI
Një artist korrekt,
kërkues dhe shumë njerëzor. Fillesat e tij si këngëtar përkojnë tek
Shtëpia e Pionierit Skrapar, kur ishte rreth 12-13 vjeç, Këngët e para ishin
ato patriotike, polifonike. Kur mbushi 20 vjeç, shkoi në një kurs për klarinetë
dhe kështu filloi aktiviteti i tij artistik në zonën e Skraparit. Ndërsa
fillimi i këngës solo përkon me vitin 2002-shin. Albumin e parë e ka bërë
me 10 këngë të vjetra të Skraparit, në vitin 2003. Aktualisht ka 5 albume
me nga 10 këngë të cilat thuajse janë përpirë nga fansat e tij të cilët e
vlerësojnë shumë.
Kur e ka filluar
veprimtarinë e këngës Dulja dhe kush ju zbuloi si talent në këngë?
Këngën e kam filluar që
fëmijë, ose si i thoshim atëhere që pionier. Zëri është dhuratë nga Zoti. Pra
atij ja dedikoj fillimin tim si këngëtar në grup. Mirëpo varet, kush e përpunon
këtë zë. Unë në fakt pasi fillova të këndoja, fillova gjithashtu të dashuroja
fizarmonikën, klarinetën. Kam pasur kunatin, burrin e motrës nga Përmeti. Ai I
binte klarinetës, unë fizarmonikës. Më pas shkova në një kurs 6 mujor në vitin
1984 dhe pas përfundimit të kursit kam punuar me rininë gjithë kohës me
shfaqet artistike të rinisë, me koncertet që organizonte rrethi i Skraparit.
Pra në sistemin monist unë isha i lidhur vetëm me artin, festivalet, koncertet,
këngët polifonike, etj.
-Cila ishte shtysa juaj
në këtë rrugë të bukur por dhe të vështirë?
Mbi të gjitha unë
vlerësoj cilësimin “bilbilin e Skraparit”, Demir Zikon, Ai ishte nxitësi
im. Sa herë e dëgjoja më jepte kurajë, forcë. Ishte hyjnor. Sot shumë më thonë
se i ngjaj shumë, por vetë nuk e them këtë kurrë pasi për mua është i
paarritshëm, i pazëvendësueshëm. Por vlerësimet duke më krahasuar me të
janë një shtysë e madhe në rrugën time. E cilësoj në fillimet e mia kam kënduar
në grup, polifoni dhe si nxitës për të dalë solist ka qen i madhi Demir.
-Ju pas rënies së sistemit
monist shkuat në Turqi, përse?
-Për disa arsye, e para
doja të shikoja botë me sy. Pastaj aty kam pasur dikur shumë njerëz nga fisi
im. Në Stamboll, ndenja gati 12 vjet atje. Atje kam punuar me muzikë me gjithë
shqiptarët e diasporës. Filluam me koncerte, aktivitete, dasma, festat e
flamurit çdo vit. Gjatë kohës si emigrant në Stamboll kam punuar dhe punë të
tjera, por kryesorja ishin këto aktivitete. Aty donin më shumë këngët e vjetra
dhe të para, të viteve 1900-1944. Pra kam kënduar në grup edhe si instrumentist
aty.
Kur e keni kënduar
këngën e parë solo?
Këngët solo i kam
filluar kur kam ardhur në 2002, nga emigracioni në Stamboll.
Përse u kthyet?
Eh, emigracioni mbetet
emigracion. Këtu kisha miqtë shokët të afërmit. Pra me vete kisha mallin për
atdheun. Por e theksoj që nxitje për mua që të kthehesha u bë Ilir Meta. Pra në
vitin 2001 kur u bë Ilir Meta kryeministër, , unë kam qenë në Stamboll. Kur
dëgjova për këtë lajm se besova. Pra një djalë i ri 30-vjeçar nga Skrapari
bëhet kryeministër i Shqipërisë. Një ndjenjë krenarie më mbërtheu Në këto
momente emocionesh që Dule edhe ti aty e ke të ardhmen. Guri i rëndë në vend të
vet. Ai u bë nxitës. U ktheva dhe bëra mirë. Ndoshta fitoj më pak por jam es
njerëzve, jam me miqve, këndoj këngë shqiptare, këndoj për atdheun tim.
Kur e kini realizuar
kripi juaj i parë dhe me ç’ngjarje të jetës suaj përkon?
Këngën e parë klip e kam
bërë në 2002, kur jam kthyer. Pas saj fillova albumin e parë, në fillim të
vitit 2003, kryesisht me këngë të vjetra të Skraparit.
Sa këngë kishte ky
album?
Kishte 10 këngë.
Tekstet e këngëve kush i
ka bërë në përgjithësi?
Tekstet e këngëve i kam
bërë në fillim me Xhevahir Spahiun, ndërsa shumicën e repertorit të teksteve e
kam me Arben Dukën dhe Jorgo Papingjin.. Për muzikën kryesisht kam punuar me
Klodian Qafokun Alban Hoxhën dhe me kompozitorë të tjerë.
Sa albume keni realizuar
deri më sot?
Deri më sot kam 4-5
albume me nga 10 këngë. Në YouTube janë 17 këngë të miat.
Keni marrë pjesë në
festivalet e Gjirokastrës?
Në festivalin e
Gjirokastrës kam marrë pjesë dy herë, në dy festivalet e fundit.
Në ç’vende keni shkuar
për të dhënë koncerte?
Duke filluar që nga
Australia e largët, në Amerikë, në Angli, Itali, Gjermani. Emigrantët pëlqejnë
më shumë këngën e kurbetit.
Keni ndonjë peng deri më
sot nga muzika?
Jo, absolutisht jo.
Do të mund të jetoni pa
muzikë?
Unë me muzikë kam
jetuar, e them se do e ngrys me muzikë.
– Ju keni qenë në shumë
vende të botës, cilat kanë qenë momentet më prekëse në këto vende dhe cilat këngë
duan emigrantët?
Janë
shumë momentet orekse. Por unë do veçoj dy: Kur isha njëherë në Itali me Mirush
Kabashin dhe zëri i tij magjik u kombinua me këngën time. Pashë një artist të
rrallë dhe një atmosferë të ndezur. Njerëzit me vlera të japin kurajë dhe të
nxisin për rezultate. Më emocionoi recitimi i tij dhe nën atë shembull dhe unë
u mundova të këndoj bukur. Së dyti nuk harroj diçka që jetova në një koncert me
bashkatdhetarët në Australi. Emigrantët aty janë shumë të malluar. Duan vetëm
këngë malli, këngë të vjetra, këngë atdhetarie. Në atë koncert siç mora
vesh erdhi për të më dëgjuar, një i moshuar i cili para disa
vjetësh, i kishte rënë një paralizë. Kur isha në mes të shfaqjes dikush nga
sall shkëputet dhe më thotë shko te ajo tavolinë. Pra tek ajo tavolinë ndodhej
emigranti i paralizuar. Pranë tij unë këndova me zërin e zemrës këngën
legjendë të Skraparit “Mbeçë more shokë, mbeçë”. Për të respektuar invalidin
këngën e këndova në versionin e Demir Zikos, vençe. Invalidi dëgjonte dhe lotonte.
Bashkë me të lotonin të gjithë. Ai kishte vite që nuk fliste. Unë herë pas here
nga instinkti i afroja mikrofonin dhe atij. Ai mundohej por....Kur unë isha nga
fundi i këngës dhe ja afroj sërish mikrofonin ndodhi e pabesueshmja. Invalidit
i erdhi zëri. Salla u emocionua së tepërmi. Të gjithë lotonin. Një moment ia
paparë.
Kënga është pasion,
talent, thjeshtësi por më shumë punë
– Për të arritur majat e suksesit nuk mjafton vetëm pasioni
e talenti i lindur. Aspak. Ai është vetëm fillimi. Muzika do sakrificë duhet
pasi dhe realizimi i vidioklipëve, nuk është i lehtë. Që të arrija deri këtu
shpesh herë më ka zënë gjumi duke kënduar, duke krijuar ndonjë melodi, ndonjë
ide, tekst, vijë melodike. Pra jetoj vetëm me muzikën pasi aktualisht tregu
muzikor në Shqipëri është shumë i fortë, i ashpër, konkurrenca është e madhe.
Dihet që ka raste që të ulin moralin të sulmojnë padrejtësisht. Por tek
kjo konkurrencë gjej forcën e shpirtit për të bërë një punë më të mirë,
më me vlera, më me nivel. Ndaj që të shmang gojët e liga keqdashëse unë
gjithnjë këndoj live. Kam besim te zëri im, te forca ime për të parë përpara.
Gjithmonë kam parasysh që të jesh artit i mirë në radhë të parë duhet të jesh
njeri i mirë. Mendjemadhësia, shpirtngushtësia, e deformojnë natyrën e
artistit. Artisti duhet të jetë artist në të dy dimensionet si në skenë edhe në
jetë. Kam njohur shumë njerëz që kanë talentin e lindur, por kanë ngecur, nuk
kanë carë pasi nuk kanë njerzillëkun, nuk kanë respektin për njerëzit në
tërësi. Si çdo njeri kam kaluar situata të vështira ku edhe kur dikush është
munduar të më gjuajë me gurë, unë ia kam me pambuk. Në konceptin tim jetësor
secili duhet të shpalos vlerat e veta. Mos të bjer pre e provokimeve, mos të
bjerë pre e mashtrimeve dhe njerëzve që kanë ligësi në vetvete. Paqe, punë,
kulturë dhe art.