Kulturë
Fatmir Halimi: Zërat nga nënrrënoja
E merkure, 25.12.2019, 07:50 PM
Ma. Sc. Fatmir HALIMI
Tregim
ZËRAT NGA NËNRRËNOJA
Deti
u trazua, valët shkumë lëshonin në brigjet e shkëmbinjve. Tallazet e valëve u
ngritën lart, deri te muret e kalasë së lashtë të Durrësit.
Mbrëmje
e bukur e nëntorit. Është natë, në qytet ra qetësia e ditës së zhurmshme. Ora
21.16 minuta e natës. Qyteti i bukur shkëlqen edhe më shumë nga dritat e
neoneve shumëngjyrësh, është koha e përgatitjeve për festën e madhe të 28
nëntorit – Ditës së flamurit tonë kombëtar. Njerëzit tashmë janë në
apartamentet e tyre, në dhomat e pushimit e të ndejës, disa pranë televizionit,
disa duke luajtur me carrokët e tyre e disa pranë tavolinave të bukës duke
ngrënë.
Qyteti
për çudi sonte ka shumë qetësi, por nga perëndimi i tij që përballet me detin
është shumë i trazuar, valët prapë edhe në këto momente ngritën thikë përpjetë,
sikur dëshirojnë ta përpijnë qytetin tonë, sikur duan ta zhdukin, por kalaja e
lashtë dhe muret rrethuese të qytetit janë shumë të larta dhe nuk lejojnë
assesi që deti të futet brenda. Njerëzit brenda qytetit dhe brenda pallateve
shumëkatëshe sikur janë të mësuar me trazimet e detit, me shkumën e valëve që
përplasen mureve të thepisura, sikur janë mësuar me zhurmën dhe oshtimën e tij.
Sonte kjo zhurmë është më ndryshe, është shumë e fuqishme dhe sikur lëshon zëra
nga thellësia e tij, por prapë njerëzve nuk u la përshtypje. Në këto momente
pallatet e mëdha dhjetëra katesh të Durrësit u lëkundën, u dridhen pak. Me
dhjetëra mijëra njerëz brenda mureve u hamendën, disa menduan mos vallë është
termet, disa të tjerë nuk menduan fare për tërmetin, sepse me gjenerata të tëra
nuk mbahet mend që Durrësin do ta ketë goditur tërmeti, e disa të tjerë ndalën
kafshatën e bukës në gojë, mbajtën veshët hapur, të tjerët ndërprenë lojën e
fëmijëve, të tjerët ndalën bisedën, muzikën, leximin dhe shikimin në televizor.
Dhe
plasën zërat; tërmet, tërmet, tërmet...
Durrësi
u lëkund prapë, kësaj radhe me lëkundje fatale. Vërtetë është tërmet. Mijëra
njerëz të pallateve u ngritën në këmbë, u ngritën në këmbë i madh e i vogël.
Zërat u shumëzuan në mijëra duke thirrur; tërmet, tërmet, tërmet. Britmat e
mëdha të njerëzve shkuan deri në kupën e qiellit. Këto zhurma e britma kurrë më
parë nuk i kishte dëgjuar as deti, as kalaja e lashtë, as amfiteatri antik i
ndërtuar para dy mijë vjetëve. Njerëzit vrapuan të shpëtojnë, ose më mirë të
them, provuan të vrapojnë, të ikin dikah, por tërmeti qe fatal, lëkundjet qenë
tepër, tepër të forta. Krejt kjo zgjati vetëm 30 sekonda, jo ndoshta 40
sekonda, ndoshta ka mundur të zgjat edhe një minutë, jo, jo nuk zgjati kurrsesi
më shumë se 50 sekonda. Brenda kësaj kohe, pra që është sekondash, mijëra
njerëz përveç britmave, ulërimave, oshtimave, dhe fjalëve tërmet, tërmet,
tërmet, ndihmë, ndihmë, që shkuan deri
në qiell, provuan të bëjnë diçka, provuan ta marrin fëmijën në grykë, babai ta
futë ndër krah vajzën, djali të hidhet si mburojë, mbi nënën, gjyshen, po ashtu
edhe gjyshi provoi të hidhet si mburojë me trupin e tij mbi nipin. Vetëm 30
sekonda, ndoshta 50 sekonda tërmet dhe Durrësi ra, u shemb krejt qyteti i
bukur, u bë gërmadha. U shuan dritat e bukura fluoreshente nëpër rrugë dhe
dyqane, u shuan shkëlqimet e apartamenteve dhe të dhomave, u shkëput rrjeti
elektrik, rrjeti i internetit. Qyteti u bë një gërmadhë e madhe. Qytetin e
mbuloi errësira. Për një moment nuk dëgjohen më zhurma, as britma, as ulërima.
Qytetin e mbuloi heshtje varri. Në qytet u shua gëzimi, loja, hareja, bisedat,
thirrjet telefonike, thjesht këtu u shua jeta. Heshtje, vetëm heshtje,
errësirë, errësirë shumë e madhe. U ndal
frymëmarrja e njerëzve, u ndal koha, planeti nuk lëviz, as hapësira më nuk
është e kufizuar. As mendja pa frymëmarrje nuk punon më. Fryma është shpirti,
dhe fryma mbeti nën rrënoja, pra edhe shpirti i njerëzve është aty nënrrënoja,
ende nuk ka shkuar në qiell.
Kaluan
50 sekondat e kohës, kaluan sekondat e vdekjes, e zërave dhe të zhurmave,.
Fryma e njerëzve, shpirti i tyre filloi të dalë nga nënrrënojat e qytetit. Tash
zërat, britmat nuk vijnë nga hapësira, nga qielli, tash zërat vijnë nga
nënrrënojat. Dëgjohen zëra të mekur, që thërrasin për ndihmë. Nga nënrrënojat
dëgjohen zëra që thërrasin nënën, vëllain, babanë, motrën, gjyshin e gjyshen,
por edhe shokun e mikun. Durrësi nuk është më, janë vetëm njerëzit e tij,
shumica ende me shpirt, se u dëgjohet zëri si nëpër labirint, por edhe pa shpirt se nga disa
rrënoja nuk dëgjohet as një zë.
Nën
gërmadha paska ra edhe Thumana, qenka dridhur nga tërmeti edhe Kruja, edhe Tirana, edhe Laçi, edhe Lezha. Nga
tërmeti është dridhur e gjithë Shqipëria. Zërat për ndihmë dëgjohen gjithë
andej nga Lezha, Thumana e nga Durrësi. Thërrasin vëllezërit e tyre.
Dhe
ndihma u erdhi.
-
Ja ku jam, - ishte zëri i vëllait nga Prishtina, i vëllait nga Gjakova,
Prizreni, Podujeva, Mitrovica. Në Durrës, në Thumanë erdhën të gjithë
vëllezërit nga Tetova, Gostivari, Struga, Shkupi,, erdhën edhe nga Ulqini.
Qyteti
gjëmon nga plagët, nga vajet e fëmijëve, e të nënave për ndihmë. Nga nënrrënoja
dëgjohet zëri i gjyshit, - ‘ma shpëtoni nipin’. Djali nga Prishtina thotë, -
‘unë futem nëpër zgavra dhe do e shpëtoi nipin tënd’, por nuk e lë ai nga
Drenica, - ‘unë futem i pari unë do t’ia shpëtoi nipin’.
Të
gjithë burrat, të gjithë djemtë e rinj e trima nga e tërë shqiptaria me
mjeshtëri, e forcë, ngritin shkëmbinj të betonit, hapin kanale, hapin rrugë të
ngushta nëpër gërmadha të Durrësit, të Thumanës dhe shpëtojnë nga vdekja nënën,
gjyshin e gjyshen, shpëtojnë edhe babanë e
kësaj vajze që vajton mbi nënrrënoja.
Shqipëria
u dridh, u lëkund, u shkatërruan qytetet, por nuk ra Shqipëria, nuk ra as
shqiptaria.