Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: U ngrit drejt qiellit një Zanë Perëndie
E hene, 30.12.2019, 03:49 PM
Me z. Agim Shehu dhe bashkeshorten e tij fisnike znj. Zana Shehu
U ngrit drejt qiellit një Zanë Perëndie
Ndahet nga jeta në
Zvicër bashkëshortja e Poetit të shquar Agim Shehu, Zana Kokoshi Shehu, emrin e
së ciles e pagëzoi Ali Asllani, një burrë i ndritur i Kombit
Nga
Keze Kozeta Zylo
Një lajm i trishtë më pushtoi shpirtin në këtë fund dhjetori në New York. Dhimbshëm e lexova statusin e Poetit të shquar të Kombit z.Agim Shehut për ndarjen nga kjo botë të gruas së tij gojëmjaltës dhe fisnikes Zana. Një shqiptare dritëdhënëse dhe një emigrante më pak…
Ndërsa
kujtoj takimin e fundit që kemi pasur me Kryepoetin tepelenas Agim Shehu dhe
bashkëshorten e tij Zanen në Amerikë, loti më pikon me tingull si vaj labeje në
kartë, në këto orë të vona njujorkeze.
Ishte një takim i ngrohtë, i dielltë, sepse nga sytë e kadifenjta të
Zanës shihja rrezet e arta dhe ndjeja shpirtin e saj aq të butë dhe prej fëmije
siç i thur poezi i dashuri i saj i perjetshëm Agimi. Një jetë bashkë na fliste plot krenari rreth
tryezës miqësore dhe unë sa më shumë kalonin orët aq më shumë më dukej se ishja
duke darkuar me një perëndeshë të vërtetë.
O Zot them në këto momente se: “Ku do t’i gjejmë këto Hyjnesha të arsimit kombëtar të atij brezi që po ikin dhe nuk e di kur do kthehen prapë… Zana kishte shumë ç’të tregonte kishte mbi supe një jetë të tërë në arsim, edhe pse fati e rëndoi shumë si mbesa e Kudret Kokoshit nga Vlora dhe nje nga intelektualet dhe patriotët e shquar të Kombit i cili u persekutua nga regjimi diktatorial. Por Zana ishet gati si krijesë mitologjike si vetë emrin e bukur që kishte, dhe i ruajti me fanatizem emrin e familjes së saj po aq dhe të poetit bashkëshort që vuajti dënimin duke e çuar të punonte punë krahu në Elbasan. Emri i Zanës është një histori e bukur pagëzuar nga atdhetari i zjarrtë dhe poeti Ali Asllani. Po sjelle në këtë homazh disa fragmente nga kujtimet e z.Shehu titulluar “Dy orë me Ali Asllanin” dhe ja se si: “Në fillim të dashurisë i thashë sime shoqeje se ke emër shumë të bukur, prerë nga legjenda hyjnore e zanave në mitologji. Harmonizon me “Agimin”...’! Më tha me gëzim të çiltër e disi krenare: “Ma ka vënë poeti i hollë lirik, njeriu ynë, Ali Asllani...” Biseda vazhdoi gjatë dhe e bukur nga jeta e tij të cilën e dashura ime e mbante të gjallë në kujtesë.
…Trokitëm
e hymë ngadalë si te një tempull në konakun e tij. Një grua me lëvizje të
përmbajtura tërë mirësi na drejtoi brënda. Ishte e shoqja, Qanieja. Në tërë
fytyrën e saj kish një mirësi të butë përpunuar nga mundime e fatkeqësi. Rudhat
e holla e bënin më të dhëmshur (nëpër ato rudha kish përcjellur në botën tjetër
të birin që vdiq në varfëri nga tuberkulozi, pasi s’kishin mundësi për mjekimet
e duhura). Na përqafoi të dyve. Zanën e
mbajti gjatë, thua nuk i mbaronte dot tërë ato fjalë dashurie me kujtimet që
kish në zemër për të.
…I shoqi tanimë i moshuar u ngrit lehtë, tërë mirësjellje fisnike, përqëndroi vështrimin të na njihte. Mua më kaloi lehtë, si të panjohur. Sytë i ndali te ime shoqe të cilën ende s’po e njihte saktë. “Jam Zana, Zana Kokoshi...” iu drejtua ajo dhe e përqafoi duke u përlotur mbi të. Ai mbeti i hutuar si te legjenda e rinjohjes. “Zana...Zana ime...” foli ai tepër i prekur dhe po e përqafonte duke mërmëritur rrokje fjalësh të pakuptueshme.
“Se
të harruam! Si të kam, floriri im?! Ismail Beu e çmonte shumë xhaxhain tënd, të
ndjerin Qazim. Atë e caktoi përfaqësues të tij në Memorandumin e Gërçës. Në Deklaratën e Pavarësisë jo rastësisht
hodhi firmën krah Ismail Beut...” “Ia kanë shuar emrin” foli me gjysmë zëri ime
shoqe. “Pema kur krasitet bëhet më e shëndoshë” shtoi ai duke vënë buzën në
gaz. Zanës i qe bërë fytyra krejt e
purpurt, pa gjetur dot fjalë të saktë t’i përgjigjej më tej. Ai vazhdoi me një
mirësi të ëmbël si prej perëndie: “Nuk e harroj, kur ishe në Pedagogjike këtu,
vija të merrja çdo të shtunë e të ktheja të dielën. Në orën e caktuar ty të
gjeja te vëndi para portës ku më prisje.
Sa më shihje turreshe më hidheshe në qafë e të mirrja për dore si një
keçe Vlore...” E shihja me adhurim se si tërë fytyrën ia mbulonte një gëzim i
brendshëm gati si prej fëmie. Befas kaloi në pyetje tjetër: “Si kalon tani”?
“Shumë mirë - iu përgjigj ime shoqe, - kam dy binjakë të vegjël, m’i mban në
prehër vjehrra, një nënë labe e rrallë...” Atij iu mbush fytyra me dritë, e
vështroi …Zanën me sy të qeshur si ta ledhatonte, e foli si nga thellësia e
vetes së tij: “..Keçe Vlore kryeneçe/ që hutoje një krahinë...” Heshti me sy të
qeshur mbi të duke menduar vazhdimin e vargjeve e shtoi: “...Sot si nuse 20
vjeçe/ po e mbush me zogj shtëpinë...”. La përshtypjen se u gëzua që e gjeti
saktë e bukur dhe të dy të qeshur po shiheshin gëzueshëm në sy sikur njiheshin
për herë të parë.
…Qeshi
përsëri tërë mirësi. Thamë fjalët e fundit e u ngritëm. “Më eja nganjëherë se
më gëzon zemrën - i tha sime shoqeje. - Kam nevojë të më vish...Më tha Perëndia
që të vura emrin! E mbase jetën e kalon gjer në fund si Zanë. Kima kujdes - më
tha mua në fund si me zë lutjeje. Do të ta shpërblejë Perëndia se është vajzë
Perëndie”. U përqafua me të i përlotur, e u ndamë. Doli te dera e sytë i mbante
nga Zana, si nga një pëllumb që i largohej e nuk do ta takonte më kurrë...
Natyrisht
ajo ka qenë një grua besnike, e mençur dhe e bukur në krah të poetit, ndaj dhe
pena e tij brilante i shkruan Zanës: Ledhaton vajzën, përkëdhel birin/ Më sheh
dhe hesht/ mendon pazarin/ Te thinjat zë të lëmoj hirin/ dhe më merr malli për
zjarrin…
Në
moshën e trete ata janë emigrantë azilantë në Zvicër dhe doemos kjo është
tronditëse të lesh Atdheun dhe të shkosh në një vend tjetër, por kushtet e
helmëta i detyruan të iknin sa më parë.
Pena e Poetit duket se i shërben dhe më mirë Kombit në një vend të lirë
siç është Zvicra, është një shërbim nga atdhetar soji, i një race virgjine
Shehu dhe Kokoshi…
Por
sot dua të ndalem tek metaforat tejet të holla dhe fine që na dhuron poeti
Shehu për Zanën gojë sheqeren do te thoshnin nga anët tona dhe çfarë mjeshterie
sjellë me paralelizmin figurativ midis borës që s’pushon në Alpet e bardha të
Zvicrës dhe shpirtit të ngrohtë të saj si në këto vargje në : « Dimër zvicre” Bie dëborë e hollë, e hutuar/ vellon e bardhë
në dritare ma shtriu/ Kërkonte nusen/ Pa gruan time të thinjur dhe shkriu!...
Dashuria
e çiftit bashkëshortor ngeli e pastër si velloja e bardhë e Zanës e cila ecën
si në balada dhe i lexojmë në këto vargje brilante si: “Vellua e bardhë e
nuses/ kujtimet na erdhën pranë/ nga lëndina e bregdete/ një mjegull, mbi Vjosë
matanë/ vellon e kish marrë me vete.
Për
vellon poeti do të tregonte: “Në bisedat tona intime, e pyes një ditë, pse
adhuron vetëm Vellon? Ma ktheu, se vetëm ajo na mbeti e bardhë, e paprekur nga
fati i zi!? Heshta në botën time dhe vazhduam shetitjen te vendi ynë buzë
liqenit”.
Dhe
shetitja e tyre s’do te ndalet kurrë, sepse është historia dhe jeta e pazakontë
e një cifti bashkëshortor të kapur dorë për dore perjetësisht. Zana, kjo hyjneshë e Poetit dhe e lexuesve të
shumtë u ngrit drejt qiellit me vellon e bardhë si vetë shpirti i saj që fali
vetëm mirësi e dashuri në botën e egërt ku jetoi dhe punoi. Ajo ndrit nga lart
si nje nuse e bukur me shkelqim nga fijëza Hëne Progonati dhe mjaltos hojëzat e
nje shpirti poetik.
Dritë
të pastë shpirti mësuesja jonë dritëdhënëse!
Lamtumirë
Zanë Perëndie!
30 dhjetor, 2019
Staten Island, New York