Kerko: a
Idriz Zeqiraj: Koha për t'i hapur letrat
E merkure, 16.10.2019, 09:00 PM
KOHA PËR T`I HAPUR LETRAT
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Rrugëtimit
të LDK-së i shkon për shtat anekdota, për kafshimet e ujkut, në prapanicën e
gomarit dhe ngushëllimin e këtij të fundit: "Inshallah jam në
ëndërr!" Kanë ndodhur dhe vazhdojnë të
ndodhin prapësira individueale e klanore, gjithnjë në dëm të LDK-së.
Dhe, megjithatë, kalohen në heshtje, si normnale, të zakonshme, sikur nuk ka
ndodhur asgjë!
Vlerësimi
i nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliut, për zgjedhjet e 6 tetorit, është sa
paushall, ireal, aq edhe inatçor e skandaloz! Sipas Veliut Vjosa humbi
zgjedhjet dhe ajo duhet të japë llogari për humbjen. Shkrimin "Klani dhe
SHIK-u zbehin fushatën e LDK-së", botuar më 5 shtator, e nismova:
-
Ekziston opinioni se LDK-së nuk i bëhet vonë as humbja. Këtë mendim e përforcon
edhe çarshia. Sepse klani ngushëllohet me dështimin e Vjosës!-
Me
keqardhje, parashikimi im i atëhershëm, po rezulton të jetë i saktë, edhe sot,
mjerisht!
Vërtet,
ka ardhur koha, për t`i hapur letrat, për ta vënë pikën mbi -i- Dhe, nëse i
hapim letrat, dëshmohet, madje, bindshëm, se humbjen e 6 tetorit e shkaktoi
klani brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së, tashmë, i prirë nga nënkryetari Agim
Veliu. Pritjet e reformës, ndryshimit, i amortizoi klani, me "avazin"
aklamativ dhe Konsensuesin paradoksal, në "Kuvendin" e 9-të Zgjedhor
të LDK-së, që përbën anakronizëm e regres për LDK-në 30 vjeçare.
Mashtrueshëm
u proklamua se Kuvendi do të përshkohet nga fryma rugoviane, duke rikthyer
praktikën e votës së fshehtë demokratike, për të gjitha strukturat e LDK-së.
Përkundrazi, u vazhdua me shkeljet flagrante, si: mungesën e debatit,
konkurrencën hiçe, votimin deklamativ, duke e devalvuar Kuvendin në maskaradë
"zgjedhore", i barasvlershëm me nulitetin, zerrësinë, hiçmbajtjen.
Klani,
brenda Kryesisë Qendrore, avancoi zvetnimin, deri në sabotim të fitores së
pritshme, kur nënkryetarët Veliu dhe Haziri, injoruan me mos pjesëmarrje, në
mbledhjen, kur do të zgjidhej Kryesia e ngushtë, përkatësisht, nënkryetarët,
sekretari si dhe kandidati për kryeministër-e të Kosovës. Por, nuk arritën ta
pengonin kandidaturën e Vjosë Osmanit, ngaqë kryetari Isa Mustafa kërcënoi se
nëse pengon Kryesia, zgjedhjen do ta bëjë Këshilli i Përgjithshëm.
Rikthimi i debatit në
LDK-e, hiçson shantazhin dhe ndarjen
Megjithatë,
shantazhimi ngulmues i binomit Agimi-Luta, për të qenë, përkatësisht,
nënkryetarë të parë dhe të dytë, u realizua, imponueshëm e dhunshëm, nën
slloganin "e ruajtjes të unitetit në partisë!" Dhe, kjo vulosi
bindjen në opinion se klani, veç pengesave në përzgjedhjen e kuadrit qeverisës,
në rast fitoreje, mund ta kthejnë bigën nga koalicioni me bandën-PDK-e. Këtë e
përforcojnë edhe dyshimet, në shtim e sipër, të tyre, për koalicionin me
Lëvizjen Vetëvendosje.
Një
tregues domëthënës janë edhe të 7.000 votat të munguara për Vjosë Osmanin, në
Prishtinë. Do të ishte e pazakontë sikur të ishin edhe 70 vota diferencë, në
mes të subjektit LDK-e e Vjosës dhe lëre më shifra shumëfolëse 7 mijë! Klani,
brenda LDK-së, ka funksionuar, zellshëm e ngulmueshëm, për denigrimin dhe
zvetnimin, deri në devalvim të kandidaturës Vjosë! Dhe, ky fakt flet bollshëm
edhe për atë - pse jo LDK-e e parë?!
Rrjedhimisht,
koha për t`i hapur letrat, nuk duhet humbur. Kjo nënkupton hapjen e debatit në
Nëndegët, Degët e LDK-së e deri ke mbledhjet, konventat e Këshillit të
Përgjithshëm, pa anashkaluar as mbledhjet e kryesive të Nëndegëve, Degëve dhe
të Kryesisë Qendrore të LDK-së.
Futja
në votën e fshehtë demokratike, për të gjitha vendimet dhe zgjedhjet, të çfardo
niveli qofshin ato, brenda strukturave të partisë, do të ishte zbatim praktik i
rugovizmit në LDK-e. Demokracia nuk bëhet me pallavra, ajo realizohet me veprim
praktik dhe përgjegjësi të lartë politike e morale.
Koalicioni LDK-VV, nuk
ka alternativë
Është
normale që kandidaturat, madje, për të gjitha nivelet drejtuese të qeverisë, të
diskutohen brenda strukturave të LDK-së. Por, assesi jo vetëm brenda Kryesisë
Qendrore, sepse Kryesia aktuale nuk ka legjitimitet, ngaqë është zgjedhje
aklamative, subjektive, imponuese.
Dhe,
si e tillë, nuk do të jetë funksionale. Veç kësaj, me fanatizëm, është ruajtur
monopoli mbi atë, pra, Kryesinë dhe, qëllimshëm, dominohet, jo në numër, por,
në pozicione vendimmarrëse, nga klani! Kjo është shumë domëthënëse, e
rrezikshme, për unitetin e LDK-së. Dhe, skajshëm, turpëruese për klanorët
kalkulues.
Përkujtesë,
Kryesisë aktuale, Këshillit të Përgjithshëm dhe anëtarësisë së gjerë të LDK-së:
Ishte po ky klan, tani, me disa mungesa dhe ndoca shtesa, që ndau LDK-në,
dikur. Edhe sot, LDK-në mund ta rrezikojë vetëm klani i stazhionuar, brenda
Kryesisë Qendrore të saj.
Këshilli
i Përgjithshëm, që pa hamendje, është një përzgjedhje e pranueshme, në shtrirje
gjeografike përfillëse dhe mbulesë partiake proporcionale, duhet të jetë fort i
angazhuar, për qeverisje profesionale, larg diletantizmit, mediokritetit,
militantizmit e banditizmit kriminal PAN-istë.
Ky
Këshill duhet të insistojë ta këtë një ekip përfaqësues në mbledhjet partiake,
për të mos e lënë të vetmuar Vjosë Osmanin, në përballjet me klanin, i cili, me
keqardhje, po shpërshfaqë destruktivitet, madje, edhe mujshi e agresivitet, në
kundërshti të hapur, me orientimin dhe përcaktimin rugovist të anëtarësisë.
Kryesia Qendrore duhet
ta pranojë realitetin e ri në LDK
Dhe,
krejt në fund, edhe një përgjigje direkte, për nënkryetarin e imponuar të
LDK-së, Agim Veliun, me shokë:
Zotëri
Agimi thotë se LDK-ja nuk ka fituar, LDK-ja ka humbur; se LDK-ja nuk ka vota të
shtuara, përkundrazi, të munguara, pra, Vjosa, me ekipin e saj, janë humbës të
zgjedhjeve të 6 tetorit!?
Në
shkrimin titulluar - Pse jo LDK e parë?, - më 10 tetor, kam analizuar shkaqet
pse LDK-ja u rendit e dyta në fitore, andaj, dua të shmang tautologjinë,
përsëritjen shpjeguese e arsyetuese. Por, po shtoj se po të mos ishte grupi i
deputetëve rinorë, në zgjedhjet paraprake, si dhe Vjosë Osmani, me ekipin
fushatorë rinorë, sot, LDK-ja nuk do të ishte fituese e dytë, me një diferencë
simbolike nga fituesja e parë.
Saktësisht,
në mungesë të Vjosës dhe ekipit të saj numerikë e shumë simpatik, që nuk marrë
guximin t`i citoj me emër, nga frika e harresës të ndocave syrësh, sot, LDK-ja
do të përpëlitej në garim me AAK-në-bandë, për vend të 3-të apo të 4-të.
Përgjegjësia,
gjithësesi, bie mbi klanin tuaj, që ka asfikksuar, ngulfatur, ndër vite të tëra
LDK-në. Bëhu burrë e pranoje këtë të vërtetë sipërore, nënkryetar Agim Veliu.
Sepse, je djalë i një babe të mirë, të zëshëm në Llap, Gollak e më gjerë në
Kosovë.
Ju
ka hije ta pranoni realitetin e ri, të krijuar, së fundi, ta ndihmoni LDK-në
dhe Kosovën, duke bashkëpunuar, miqësisht e prindërisht, edhe me brezin e ri
rugovistë, si garanci e një LDK-je kryezonjë dhe të një Kosove, sot, keqas të
përtokur, nga bandat PAN-iste, për ta bërë të lirë e demokratike, nesër. Liria pa demokraci, është një përrallë dimri.