Mendime
Kastriot Myftaraj: A paralajmëron “Nobeli” për Handke të ardhmen milosheviçiane dhe karaxhiçiane të Europës?
E diele, 13.10.2019, 08:00 PM
A paralajmëron “Nobeli” për Handke të ardhmen milosheviçiane dhe karaxhiçiane të Europës?
Nga
Kastriot Myftaraj
Juria
e “Nobelit” është shndërruar tashmë në një institucion kulturor europian dhe
madje global, kështu që qëndrimet e saj përmbajnë kumte paralajmëruese të
forcave të cilat vijëzojnë shtegun e së ardhmes së kontinentit tonë.
Ndonëse
juria e Çmimit “Nobel” thotë se e bën përzgjedhjen e fituesve duke u nisur nga
vepra e tyre letrare dhe jo nga veprimtaria e tyre jashtëletrare, shiihet qartë
megjithatë një prirje për të qenë politikisht korrekt. Çmimi nuk iu jepet
autorëve me bindje fashiste apo islamofobe. Vërtet dikur u është dhënë disa
autorëve nga Bashkimi Sovjetik, por këta kanë qenë ose disidentë në praktikë,
si Pasternaku dhe Brodski, ose të tillë që i përkisnin një vije reformatore në
pushtet, si Shollohovi. Ndonjë autor me bindje komuniste nga pjesa tjetër e
botës, të cilit i është dhënë çmimi, ka pasur një vepër të tillë të dyzuar që
nëse do të kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik, do të ishte damkosur herët a
vonë si disident.
Vepra
letrare e Z. Handke nuk është aspak e llojit që juria e “Nobelit” të arsyetohet
se kjo vepër është më e vlefshme se anët e errta të veprimtarisë së tij
jashtëletrare. Në të vërtetë, Handke-shkrimtar është bërë i njohur për
qëndrimet e tij politike, të cilat mund të quhen ekstremiste sipas standardeve
të sotme në fuqi në Europë. Z. Handke është një islamofob, madje më tepër se
kaq, një islamocid. Ai ka miratuar dhe ka mbështetur veçanërisht luftërat serbe
në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar në Bosnjë dhe në Kosovë për
spastrim etnik me shfarosje dhe dëbim të muslimanëve boshnjakë dhe shqiptarë.
Është e qartë se arsyeja për të cilën Z. Handke adhuron Milosheviçin, Karaxhiçin
dhe Mlladiçin është se ata kanë guxuar të bëjnë atë gjë që ai do të kishte
dashur që ta bënin liderët europianë, pra spastrimin e Europës nga muslimanët,
gjë për të cilën Handke e ka të qartë se në rrethanat e tashme nuk mund të
bëhet veçse me gjenocid.
Protestat,
ndaj dhënies së Çmimit Nobel në letërsi austriakut Peter Handke, që më së
shumti vijnë nga Bosnja dhe Kosova, janë të tilla, a thua se juria e këtij
çmimi të famshëm përbëhet nga ekstremistë paranojakë, njerëz të papërgjegjshëm,
me të dhëna publike islamofobe, adhurues të gjenocidit ndaj boshnjakëve dhe
shqiptarëve të Kosovës.
Por
Juria e Çmimit “Nobel” përbëhet nga akademikë suedezë me mendje të
barazpeshuar, të vetëdijshëm për atë që bëjnë dhe të përgjegjshëm për veprimet
e tyre. Anëtarët e jurisë së “Nobelit” e kanë të qartë se cili është Handke dhe
çfarë është veprimtaria e tij jashtëletrare. Duke ditur se çfarë shkrimtari
është Handke mund të thuhet se Çmimi “Nobel” atij iu dha, më tepër se për
veprën e tij letrare, për veprimtarinë e tij politike jashtëletrare.
Në
këtë rast juria e “Nobelit” u përdor në luftën mes Europave po ndeshen në
kontinentin tonë prej disa dekadave. Nga njëra anë është Europa që i ka hapur
dyert për muslimanët në atë masë sa rrezikon ta bëjë kontinentin një Bosnjë-Herzegovinë
të Madhe. Përballë saj qëndron Europa e cila e shikon islamizimin e shkallëzuar
të kontinentit si rrezik jetik dhe kërkon të përmbysë gjendjen e tashme, me çdo
mënyrë dhe mjet, pa përjashtuar luftën. Pikërisht në emër të kësaj Europe të
dytë kundërislamike, milosheviçiane, karaxhiçiane dhe mlladiçiane, iu dha Çmimi
“Nobel” Handke.
“Nobeli”
për Handke paralajmëron se në të ardhmen Serbia do të nxitet që të ndërmarrë
luftra të reja në Bosnjë dhe Kosovë për t’ i spastruar këto vende etnikisht nga
muslimanët. Gjithashtu do të nxitet Kroacia për të ndërmarrë fushata kundër
muslimanëve në Bosnjë. Nëse nis spiralja e dhunës kundër muslimanëve në
Ballkan, do të përfshijë edhe Maqedoninë e Veriut, ku do të ndërhyjë edhe
Bullgaria në ndihmë të sllavo-maqedonëve të krishterë. Shqipëria nuk mund të
mbetet jashtë kësaj spiraleje dhune. Atë që në Kosovë do ta bëjë Serbia, në
Shqipëri do ta bëjë Greqia, me shumë gjasë edhe në aleancë me Serbinë.
Çfarë
do të bëjmë ne shqiptarët? E vetmja rrugë shpëtimi është që të kryejnë një
proces deislamizimi dhe t’ i paraqiten Europës, në mos si të krishterë, së paku
si tërësisht laikë. Nuk kam shpresë se muslimanët shqiptarë në Kosovë e aq më
pak ata në Maqedoni, thellësisht të arabizuar dhe të turqizuar, do të bëjnë
diçka përveç që të presin ndihmë më kot nga Allahu dhe Turqia.
Në
pyetje është vetëm një gjë, se si do të reagojnë shqiptarët e Republikës së
Shqipëri, ku ka një përqindje relativisht të lartë të popullsisë së krishterë,
si dhe ku mes popullsisë së përbërë nga pasardhësit e atyre që janë kthyer me
dhunë në Islam, në kohën e pushtimit osman, është e lartë përqindja e afetarëve
dhe laikëve (shekullaristëve). Këta së bashku janë ata të cilët nuk e
praktikojnë Islamin, nuk kryejnë ritualet e tij, si dhe që e shohin fenë si
diçka personale në jetën e njeriut, që nuk duhet të cënojë laicizmin, si fjala
vjen bëhet me megafonët që nga minaret e xhamive bëjnë thirrjen e ezanit në
arabisht.
Republika
e Shqipërisë gjendet para sfidës jetike të deislamizmit, që mund të realizohet
me një aleancë të afetarëve dhe laikëve me prejardhje nga familjet muslimane,
si dhe të krishterëve.