Mendime
Florim Zeqa: Pika nga e cila mund të ngritet dhe rrëshqas LDK-ja!
E hene, 07.10.2019, 07:06 PM
Pika nga e cila mund të ngritet dhe rrëshqas LDK-ja!
Shkruan:
Florim Zeqa
Shikuar
nga pozicioni i pavarur analitik, përfshirja e themeltarëve të LDK-së në listën
zgjedhore, jo vetëm që nuk ishte në nivelin e duhur, ishte e mangët dhe
diskriminuese.
Pas
vdekjes së liderit shpirtëror të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, asnjëherë nuk ka
pasur vëmendje të duhur ndaj themeluesve, aktivistëve dhe veprimtarëve më të
devotshëm të këtij subjekti politik.
Në
vend të afrimit, ndodhi injorimi dhe largimi me përbuzje i tyre. Kjo erdhi si
rezultat i ambicieve të sëmura për pushtet, inateve personale dhe egoizmit
njerëzor, të shprehura në forma dhe përmbajtje të ndryshme, varësisht prej
rrethanave të kohës dhe momentumit politik.
Infiltrimi
dhe kyqja e elementeve destruktive në partinë e besës dhe shpresës së
shqiptarëve të Kosovës, krijimi i klaneve dhe grupeve të interesit, përveq
lëndimit të imazhit të subjektit politik, e ka dëmtuar në masë të madhe të
ardhmen e vendit dhe ka thyer shpresat e qytetarëve.
Angazhimi
i familjarëve të veprimtarëve të vrarë në LDK, pa bërjen asgjë për zbardhjen e
vrasjes së prindërve të tyre, më duket se është pak më tepër se hipokrizi dhe
abuzim, është lojë për përfitimin e votës së elektoratit e jo më shumë se kaq.
Infuzioni i gabuar,
rrezikon shëndetin e partisë
Subjekti
politik forcohet me reforma të thella dhe përmbajtësore e jo me
"infuzione" të çastit, sa për të kapërcyer një momentum politik,
përkthyer në gjuhën shëndetësore, i sëmuari kronik nuk shërohet me një
"antibiotik", por me një analizë të thellë dhe kurim permanent.
Thënë
ndryshe, kujdesi ndaj themeluesve të LDK-së, ndaj veprimtarëve të gjallë dhe
familjarëve të veprimtarëve të vrarë duhet të jetë permanent dhe i sinqertë, e
jo vetëm kur dikujtë i duhet për vota për arritjen e qëllimeve personale të
grupeve të interesit në këtë subjekt politik.
Çelësi
i suksesit të LDK-së, është i lidhur ngusht me çasjen ndaj angazhimit të
themeluesve dhe veprimtarëve që aktualisht ndodhen në Diasporë dhe rifreskimit
me kuadro të reja, të pastra, të padjallëzuara dhe të pa infektuara nga
sindromi kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
"Kurbani nuk mbahet
natën e Bajramit"
Kritikat
e mia të buta për kandidaten e LDK-së për kryeministre, nuk ishin personale por
parimore, dhe kishin të bënin kryesisht me kohën dhe mënyrën e emërimit
(kandidimit) të zonjës Vjosa Osmanit për kryeministre të vendit.
Kandidimi
i zonjes Vjosa Osmani vetëm 5 minuta para orës 12-të, nuk erdhi nga
gjeneroziteti dhe dëshira e kryetarit dhe as e kryesisë qendrore, por erdhi nga
frika e ndëshkimit nga elektorati për shkak të procesit të deformuar zgjedhor
të partisë.
Kandidimi
i zonjes Vjosa Osmani dhe emërimi i disa të tjerëve për deputet nuk ishte bërë
për të mirën e LDK-së, sa ishte bërë për shpëtimin e klanit të Isa Mustafës nga
ndëshkimi në zgjedhje.
Mjafton
të shiqohet renditja e deputetëve në listën zgjedhore, ku i gjithë klani i Isa
Mustafës janë vendosur në fillim, pastaj të tjerët janë ranguar më poshtë,
shumë për t'i djegur sesa për të fituar.
Edhe
diçka, mospërfshirja në listën zgjedhore dhe joshja e Donika Gervallës për post
qeveritar ishte me prapavijë, jo për ta nderuar, por për ta neutralizuar atë
gjatë fushatës zgjedhore.
Lideri
aklamacionist Isa Mustafa me klanin e tij, në kërkim të përmirësimit të imazhit
të tij dhe të LDK-së së dërmuar nga procesi i brendshëm partiak, shpëtimin e
kërkuan tek Vjosa Osmani, duke nxjerrë atë nga vendi i 81-të nga zgjedhjet e
kaluara në pozitën e nënkryetares së partisë dhe kandidate për kryeministre.
Bazuar
nga rezultatet preliminare, fitorja e LVV-së dhe pozicioni i dytë i LDK-së nga zgjedhjet
e 6 tetorit, shënon një momentum të ri politik dhe një pikë të re nga e cila
LDK-ja nuk mund të ngritet më shumë se kaq, por që rrezikon të rrëshqas shumë
më thellë në humnerë me një rival politik, me të cilin jo vetëm që nuk u
dakorduan për koalicion parazgjedhor, kanë dallime të mëdha konceptuale,
programore dhe ideologjike.
Ashtu
sikurse lideri i PDK-së, që e pranoi humbjen dhe kaloi në opozitë, edhe LDK-ja
duhet ta pranoi humbjen dhe të qartësoi pozicionin e saj në raport me VV-në,
përkatësisht, se a e do më shumë pushtetin në prehrin e VV-së apo preferon
ngritjen e saj si parti politike e qendrës së djathtë, që synon zhvillimin e
vendit në staza të gjata sipas linjave programore dhe në përputhje me
profilizimin e saj politik.
07.10.2019