Mendime
Adil Fetahu: George Fred Williams - Shqiptarët / The Shkypetars
E marte, 15.10.2019, 07:02 PM
“Miku njihet mik, kur je ngusht e në rrezik”
GEORGE FRED
WILLIAMS: ”SHQIPTARËT/THE SHKYPETARS”
(Botoi:
“Argeta-LMG”, Tiranë, 2003)
* Nuk ka
përpjekje më fisnike për njeriun se ajo
për lirinë kombëtare, prandaj shqiptarëve iu mbetet një kusht: të bëjnë
bashkimin e brendshëm dhe organizimin kombëtar
* Që Europa
e ka marrë më qafë Shqipërinë kjo as mund të vihet në diskutim, por që të
ndreqen këto gabime duhet drejtësi
Nga Adil FETAHU
Është e gjatë lista e emrave dhe
veprave të miqve amerikanë për Shqipërinë dhe shqiptarët që janë shfaqur në
shekullin e kaluar deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore, pa i përmendur
edhe ata të shumtë të historisë më të
re, të cilët ndihmuan çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës . Nga ata më të parët, duhet të veçojmë çiftet Kenedi dhe
Erickson (1908), Xhorxh Fred
Williams (1914), Margaret Williams, Presidenti Wodurow Wilson, Roza Wilder
Lane, etj. Këtë shkrim ia kushtoj një miku të veçantë të shqiptarëve, të
Shqipërisë dhe të kauzës shqiptare. Fjala është për diplomatin e
karrierës,George Fred Williams (1852 –
1932). Williamsi ishte ambasador i ShBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi, dhe vëzhgues i Komisionit
Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë, në vitet e zeza për
shqiptarët (1913-1914). Në Shqipëri kishe ardhur për herë të parë, në Vlorë
(1914), ku kishte parë krime dhe masakra të llahtarshme mbi fëmijë, gra e pleqë
të popullsisë shqiptare, që kishin kryer shovinistët grekë. Kishte parë me sytë
e tij mbi 100 mijë refugjatë shqiptarë
të ikur nga viset jugore të Shqipërisë, të cilët ishin mbledhur në Ullishtat
e Vlorës, e që ishin në gjendje të mjeruar: të plagosur, të sëmurë, me epidemi, të uritur, deshë e dathë, pa pa
ushqime, pa shtrojë e mbulojë. Gjendja
që kishte parë në mesin e refugjatëve shqiptarë, e kishte trazuar shpirtin
demokrat të Williamsit, i cili sapo u kthye në Athinë, protestoi te zyrtarët më
të lartë grekë, e njoftoi qeverinë e tij
në Amerikë dhe dha dorëheqje nga karriera diplomatike. Pas dorëheqjes kishte deklaruar: “Më dukej
detyrë njerëzore, për të çjerrë haptazi maskën që mbulonte diplomacia europiane
dhe për të ekspozuar fytyrën e saj të vërtetë, të lyer me gjak patriotësh dhe
shikimin e saj të dobët mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U
ktheva në Athinë dhe mbasi qesh i shtrënguar, e tregova këtë panjerëzi dhe këtë
padrejtësi të fuqive europiane dhe dhash dorëheqjen si ministër i Amerikës në
Greqi e Mal të Zi, sikurse patjetër qesh i shtrënguar ta bëja. Drejtësia dhe e vërteta nuk mbrohen në sallat
e diplomacisë. .. Ky veprim më hapi rrugën për t’iu lutur popullit të
lirë të Amerikës, t’i ndihmojë shqiptarët që
po mundohen me luftë e me vdekje për lirinë dhe pavarësinë e tyre…”.
Pas dorëheqjes nga karriera
diplomatike, Williams iu përkushtua
kauzës shqiptare, duke folur në radio dhe në tubime, duke shkruar e
botuar në gazeta amerikane e të hueja,
ndër të cilat edhe në ato shqiptare, për padrejtësitë që diplomacia europiane u
ka bërë shqiptarëve. Në një fjalim të mbajtur në Boston, më 7 nëntor 1915, të organizuar për mbrojtjen e të
drejtave të kombit shqiptar, Williamsi thotë: “…Nuk vij të flas si mik i
njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj
Shqipërinë, dashuroj burrat e Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën,siç dashuroj
burrat që i kanë dhënë lirinë Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shiqipëria
i ka dhënë pesë imperatorë Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e
tjera. E lashë Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës,
e cila tani po lanë gjynahet e saj (e ka fjalën për Luftën e Parë Botërore,
v.j.). Unë protestova kundër paudhësisë së Europës kundrejt Shqipërisë, lash
vendin tim zyrtar dhe ju siguroj që unë besoj se ajo ditë që protestova për Shqipërinë, ishte dita më e
lumtur e jetës sime…Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e
Shqipërisë, edhe me jetën time”.
Çka mund të thuhet pas këtyre fjalëve të një diplomati që e braktisi
karrierën zyrtare, nga brenga për gjendjen
dhe nga vullneti, dëshira e gadishmëria për të ndihmuar Shqipërinë dhe
shqiptarët, përveçse një FALEMINDERIT të përjetshëm!
LIBRI “SHQIPTARËT/THE SHKYPETARS” I WILLIAMSON-IT
Fjalimet dhe shkrimet e botuara në
gazea të ndryshme, autori i ka përmbledhur në librin e tij me titull “The
Shkypetars”, të cilin e botoi në vitin 1918, në vigjilje të Konferencës së
Paqes së Parisit, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Libri është me
një vëllimi të vogël (origjinali 43 faqe), me artikuj të shkurtër, të ndarë e sistemuar në pesë kapituj: 1)
Shqipëria dhe shqiptarët; 2) Punët e liga të Fuqive të mëdha; 3) Shembja e qeverisë
së Vidit; 4) Përpjekjet për liri; dhe 5) Ç’mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara?
Në kuadër të këtyre kapitujve, autori i njohton lexuesit amerikanë dhe të
tjerë me: Trojet dhe prejardhjen, fisnikërinë dhe zakonet e shqiptarëve,
pozitën e grues shqiptare, dhe i lavdëron shqiptarët si racë e fortë. Jep një përshkrim gjeografisë
së trojeve shqiptare, duke theksuar se kanë pozitën më të lakmueshme gjeografike në Europë;
pasuritë ujore, tokësore e nëntokësore, të cilat mundësojnë që Shqipëria të
jetë shteti më i zhvilluar i Ballkanit, por që Europa e ka lënë në mjerim dhe
shkret. Thotë se në Epirin e sotëm ku jetojnë në mjerim 600 mijë njerëz, në
kohën e paqes romake aty banonin 4 milionë veta dhe jetonin në begati. Nuk është natyra, por veprimet djallëzore që
e kanë rrokullisur këtë vend nga
lartësitë e lavdisë së lashtë, në një shkretëtirë të vajtueshme, thotë autori
(fq.11-12).
Prejardhjen e shqiptarëve nga Pellazgët e lashtë dhe Ilirët, autori e
shpjegon me argumente dhe thotë se ata ishin këtu kur grekët e Homerit ende nuk
kishin ardhur në këtë jetë. Eposet e tyre grekët i kanë huazuar nga Pellazgët.
Ç’pasuri e madhe dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e
historisë së Pellazgëve, thotë Williamsi. Shqipja ka qenë gjuha amtare e Aleksandrit të Madh dhe e Pirros së
Epirit. Është tragjedi tej çdo
përfytyrimi, që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandisej në këtë
gjendje, e cila e meriton të quhet skandali i qytetërimit europian (fq.14). Në
vazhdim pasqyron gjendjen e shqiptarëve në pushtimn otoman, pranimin e fesë muhamedane, por si një fe e
praktikuar ndryshe nga ajo e Stambollit. Gjatë pushtimit otoman, pa shkolla në
gjuhën e tyre shqiptarët u edukuan në një atmosferë dhune dhe grabitje, por
është popull fisnik, me shumë virtyte:
besa është institucion i shenjtë, mikpritja, bujaria, trimëria e pa
kufi, nuk durojnë turpin, shpifjen as fyerjen, nderimi për moshën është veçori
e shqiptarëve. Në asnjë vend të botës gruaja nuk ndihet më e sigurt nga fyerja.
Ajo mund të udhëtojë skaj më skaj Shqipërinë, pa frikë se e cenon kush, bile
edhe burri në shoqërinë e gruas ka mbrojtje të sigurtë. Gjuhën e sharjeve nuk e njohin as edhe kur
bëjnë shaka. Ndër zakonet e këqia e përmend gjakmarrjen, e cila ka shtrirje të
gjërë, por për këtë e fajson sundimin e Turqisë, e cila nuk vendosi drejtësi,
por nxiti armiqësi dhe ndasi në popull,
për ta mbajtur nën zgjedhë. Duke i quajtur shqiptarët racë e fortë, autori
thotë: kjo racë i ka dhënë Turiqisë shumë nga gjeneralët dhe
vezirët më të mirë, ndërsa vëllezërit e tyre toskë në Itali hodhën themelet e
Romës; pesë perandorë të saj kanë qenë djemë të ilirëve. Shqiptarët dhanë emrat
më të shquar për lirinë e Greqisë. Përgjithësisht janë një racë e panënshtruar.
Në kapitullin Punët e liga të fuqive të mëdha (fq.20-27), Williamsi
shpjegon ambicjet e Rusisë me satelitët e saj sllavë në Ballkan për të zotëruar
tokat shqiptare dhe Adriatikun, si portë e depërtimit prej Perëndimit kah
Lindja. Në këtë plan ekzistonte një
rivalitet edhe midis Italisë dhe Austrisë, për zotërimin e porteve shqiptare.
Prandaj, zotërimi i tokave shqiptare ka qenë strumbullari i luftës së
kontinentit europian dhe i diplomacisë së fuqive të mëdha, qysh prej Shënstefanit, Kongresit të
Berlinit, Konferencës së Londrës e deri te Konferenca e Paqes në Paris.
Pasi i bënë një vështrim kritik planit dhe dispozitave të marrëveshjes së
Konferencs së Ambasadorëve në Londër për Shqipërinë, nxjerr përfundimin se me
një plan e marrëveshje të tillë Shqipëria ishte bërë vetëm një arenë e
ndikimeve heterogjene të gjashtë fuqive të mëdha, të cilat tërheqin sa nga
njëri sa nga tjetri krah. Propaganda, intrigat dhe shpifjet mbulonin gjendjen e
vërtetë. Me caktimin e princ Vidit dhe të Komisionit Mbikëqyrës për qeverisjen
e Shqipërisë (1914), pa i dhënë atij një forcë ushtarake e financiare për ta
zbatur programin, ishte një diplomaci e pa mend, që veçsa shkaktoi rrëmujë e
gjakderdhje, nga e cila tokat shqiptare u ndanë copë-copë midis fqinjëve
veriorë, jugorë e lindorë, ndërsa Shqipëria dergjej me kocka të dërmuara e
plagë që kullonin gjak, dhe kjo ishte viktima më e madhe dhe më e pafajshme e
diplomacisë së fuqive të mëdha. Në situatë të tillë, s’ka pasur gjasa
funksionimi i shtetit, prandaj princ Vidi iku si një qyqar. Këtë situatë
Williamsi e ka njohur me themel, sepse edhe vet ishte vëzhgues i Komisionit
Mbikqyrës “të pushtetit të Vidit”. “E lash këtë skenë gabimesh, akuzash të
ndërsjellta, uzurpimi dhe gjakderdhje, e cila më ngjallte krupën në zemër për
krimet e Europës dhe simpatinë për popullin të cilin e detyronin të derdhte
gjak për ta ruajtur shtypjen e tij, një nga padrejtësitë më skandaloze në
historinë e Europës. Tre muaj pas kësaj, Princi, familja, oborri, kabineti i
tij dhe komisionerët ua mbathën nga Durrësi duke e lënë Shqipërinë siç është
tani, pa qeveri”, thotë autori (fq.35).
Dorëheqjen e tij nga detyra e ambasadorit në Greqi e Mal të Zi e shpjegon
me dëshirën për të ngritur zërin ndaj padrejtësisë që po i bëhej Shqipërisë. “Më
qëlloi fati ta ngritja unë perdën e kësaj farse të vogël, e cila shërbente si një hyrje në tragjedinë më të madhe të vënë
në skenë nga dora e njeriut. Ishte ky akt i cili e justifikon thirrjen time
drejtuar poullit të lirë amerikanë t’i ndihmojë shqiptarët që po përpiqen për
liri e pavarësi…”. Më tutje, në përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi,
citon ish-kryeministrin britanik Goldstone, i cili (1880) në kohën e sundimit
turk kishte thënë: ”Çdo popull i shtypur ka të drejtë ta shkundë zgjedhën e
robërisë. Në qoftë se shqiptarët janë të lodhur nga qeverisja e keqe e Turqisë
dhe duan të jenë të pavarur, dëshirat e mia më të mia janë pro tyre. Vërtetë që
nuk mund të bëj gjë drejtërdrejtë për ta, por kur plani që ke bërë të dalë
faqebardhë, flamuri turk të jetë hequr qafe dhe të shpallet pavarësia e
Shqipërisë, atëherë le të shpallet zyrtrisht edhe qeveria e përkohshme dhe
Anglia do të jetë fuqia e parë që njeh Shqipërinë e pavarur. Do të bë çmos të
ndikoj tek të tjerët të ndjekin këtë shembëll” (fq.38).
Në vazhdim të librit të tij, autori përshkruan Shqipërinë si një vend të
pasur me fuha, male, lumenjë, porte të bukura që janë nyje lidhëse me botën, të
cilat po të shfrytëzohen mirë mund të mbajnë miliona banorë. Por këtë vend e
kishin degraduar e rrënuar sundimi turk dhe pushtuesit e tjerë, duke
shfrytëzuar vetëm për vete pasuritë dhe djemtë e Shqipërisë si burim kryesor i
rekrutimit të djemëve trima për ushtritë e tyre. Europa i dënoi shqiptarët të
mbeteshin në skllavërim dhe izolim të mallkuar, me shkatërrime të pasurisë,
harrësë të industrisë, me rritjen e padijes, të besimeve të kota fetare e të
varfërisë. Diplomacia europiane e mbajti Shqipërinë shekuj nën sundimin
poshtërues të Turqisë, e qoi atë në varfëri. Kur më në fund Turqia u copëtua,
Europa u vërsul mbi këtë popull heroik (shqiptar, v.j.), i shkëputi disa nga
pjesët më të mira të territorit të tij dhe më tej mori përsipër t’i impononte
një qeveri aq despotike nga natyra,
si edhe vet Port e Lartë nuk do
ta kishte parafyturuar. Në vend të kartës së lirisë, Europa solli një princ,
një komision dhe një polici për qeverisjen e Shqipërisë, pa e vra mendjen se ky
popull duhet ta ketë një zë në qeverinë e vet. Ishte kjo tirani e pastër, deri
në palcë …, e Amerka heshtë, sepse populli amerikan akoma nuk i di faktet që
sot e kam marrë penën për t’i shpalosur para tij për historinë e dhimbshme të shqiptarëve trima, të cilët
luten për lirinë dhe pavarësinë për vete, për fëmijët e tyre dhe fëmijët e
fëmijve… Që Europa e ka marrë më qafë mizorisht Shqipërinë kjo as që mund të
vihet në diskutim, por që të ndreqen këto gabime duhet drejtësi. Shqiptarët
mund të kërkojnë nga Europa jo vetëm drejtësi, por edhe reparacione. Europa e
krishterë mban përgjegjëi për skllavërsimin dhe varfërimin e këtij populli të
pafajshëm.
Duke kundërshtuar tezat shpifëse e dashakeqe të qarqeve të ndryshme për
shqiptarët si racë e paaftë për të qeverisur vetveten, autori thotë askush
nuk mund të thotë se shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen, sepse fuqitë
e mëdha nuk e kanë lejuar një provë të tillë për shekuj me radhë. Në këtë
kontekst citon fjalët ministrit të jashtëm italian, markezit San Gjuliano i
cili me penën e tij e ka theksuar
trimërinë dhe aftësinë e këtij populli, dhe ka thënë se “është një forcë akoma
e pa njohur për vete dhe për të tjerët”. Autori citon edhe fjalët e anëtarit të
Bordit Amerikanë, Erikson, i cili për tridhjetë vjet të punës së tij si
misionar në Shqipëri, punoi e veproi bashkë me vuajtjet e këtij populli, ka
thënë: “Nuk ka popull më bujar dhe më fisnik në Europë. Tek ata i gjenë të
ndërthurura aq bukur elementet e forcës, të energjisë dhe të kurajos, me
përkushtimin më të madh”.
Me qenë se libri është botuar në vigjilje të Konferencës së Paqes në mbarim
të Luftës së Parë Botërore, duke elaboruar të drejtat e një kombi, qoftë i madh
apo i vogël, që të jetë i lirë, i pavarurtë ndërtojë formën e
qeverisjes dhe të zhvillimit kombëtar të zgjedhur në liri të plotë, Williams
thotë se “shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të plotëslojnë një kusht: të bëjnë bashkimin e brendshëm dhe
organizimin kombëtar…Në qoftë se dëshmojnë para Konferencës së Pasqes se dijnë
ta drejtojnë vetë vendin e tyre, atëherë lutjet e Shqipërisë për integritet dhe
liri do të dëgjohën me drejtësi dhe madje me përparësi. Opinioni publiki
ShBA-ve do t’i mbështesë dukshëm përpjekjet e Shqipërisë, prandaj mund të themi
se shqiptarëve u është hapur dera e lirisë. Mendimi im është se ata e kuptojnë
rastin që u ka ardhur tek dera, por janë të varfër dhe kanë nevojë për ndihmë.
Nuk do të ketë punë më fisnike për popullin amerikan se të ndihmojë shqiptarët
të vendosin qetësinë dhe rendin në vend…(fq.51). Nuk mendoj se mund të
ketë ndonjë vjend tjetër në botë me shanse më të mëdha se Shqipëria për
ndërmrrjet fitimprurëse, kur pasuritë e saj të kenë ndjerë prekjen magjike të
vetëqeverimit dhe dyert e qytetërimit të jenë hapur sa gjatë e gjërë, të cilat
shtriga europiane i ka mbajtur mbyllur”, konkludon Williams në thirrjen e
tij për “Shpëtimin e një kombi” (fq.56).
Nga prezantimi I një pjese të përmbajtjës së librit të Xhorxh George
Williams ”Shqiptarët/The Shkypetars”, lexuesi mund të vërejë se me sa dashamirësi shprehet autori për shqiptarët dhe të drejtën e tyre
për liri e pavarësi, zhvillim e përparim, dhe i bënë thirrje popullit amerikan
që t’i ndihmojë shqiptarët në këtë drejtim.
E vërteta e thënë në kohën dhe në vendin e duhur ka vlerë të madhe.
Williamsi ishte një mik i ngushtë i Presidentit Willson, prandaj nuk ka fije
dyshimi se do të ketë ndikuar tek presidenti i tij, i cili në Konferencën e
Paqes në Paris e shpëtoi Shqipërinë nga
copëtimi i mëtejshëm. Natyrisht, nuk duhet harruar se diplomati Williams,
sikurse edhe të gjithë miqët e tjerë amerikanë,
ka pasur një bashkëpunim të mirë me Mërgatën shqiptare në Amerikë, në
përpjekjet e pareshtura për të ndihmuar Shqipërinë.
Temat e trajtuara në librin e Williamsit “Shqiptarët/The Shkypetars” janë
trajtuar shkurt e qartë dhe thelbësisht. Përmes shkrimeve të tij, të cilat më
përpara ishin botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme, tregojnë
personalitetin e njeriut me integritet, dinjitet e ndërgjegje liridashëse, për
të cilët ka nevojë çdo popull dhe çdo
kohë. Libri, sado me vëllim të vogël, është me vlerë të madhe dokumentuese dhe
njohjeje për diplomacinë europiane të padrejtë kundrejt Shqipërisë dhe
shqiptarëve. Koha, vitet, ngjarjet dhe situatat kalojnë e ndryshojnë, por miqët
dhe dashamirët e sinçertë mbesin të paharruar në kujtimin e popullit, veçmas
ata që u angazhuan me përkushtim, punuan, kontribuan dhe lan vepra, siç shte
Xhorxh George Williams e të tjerë.
Përkthimi dhe botimi i parë në
gjuhën shqipe i librit të Williamsit u bë në Tiranë (1934), nga përkthyesi
Shaban Balla, i cili e ka bërë edhe një Parathënie të botimit shqip. Botimi i
dytë: “Argeta-LMG”, Tiranë 2003, të përkthyer nga Akil Bubëri, me redakatim të prof.Xhevat Lloshit,
u bë 70 vjet pas botimit të pare, dhe atë në një tirazhi të vogël, 500 copë,
thuase nuk i intereson kujt, e unë them se është libër që ia vlenë ta lexojëçdo
shqiptar.