Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Quo Vadis Çmimi Nobel
E diele, 13.10.2019, 08:09 PM
QUO VADIS ÇMIMI NOBEL
Nga Xhelal
Zejneli
Vendimi i Akademisë Suedeze që Çmimi Nobel për letërsi për vitin 2019 t’i
jepet shkrimtarit austriak Peter Handke, ngjalli reagime të shumta në botën e
qytetëruar. Kur Çmimi Nobel për paqe u ndahet politikanëve, shpërthejnë reagime
të shumta. Në vitin 1973, Nobeli iu nda Henri Kisingerit, i cili në atë
kohë ishte këshilltar i presidentit amerikan Riçard Nikson. Bashkë me
të, u nderua edhe politikani dhe diplomati vietnamez Le Duc Tho, i cili
e refuzoi me arsyetimin se “në vendin e tij ende nuk sundon paqja”. Ky
është i dyti në historinë e Nobelit që e refuzon çmimin. Para tij këtë e kishte
bërë Zhan-Pol Sartri, i shpërblyer për letërsi në vitin 1964. Në vitin
1994 Nobeli iu nda liderit palestinez Jaser Arafatit dhe dy politikanëve
të Izraelit – Jicak Rabinit (Jitzhak Rabin) dhe Shimon Peresit.
Në vitin 2008, Çmimi Nobel për paqe iu nda ish-kryetarit të Finlandës, Marti
Ahtisarit, për ndërmjetësimet shumëvjeçare në zgjidhjen e konflikteve,
midis tyre edhe të konfliktit në Kosovë. Në vitin 2009 Çmimi Nobel iu dha
presidentit të ShBA-së Barak Obamës. Obama ishte i katërti president
amerikan që shpërblehej me këtë çmim. Për të gjithë të lartpërmendurit, përpos
për Le Duc Tho-në dhe për Marti Ahtisarin, ka pasur reagime të ashpra.
Me ç’kritere ndahet Çmimi Nobel për letërsi?! Me kritere estetike apo me
kritere politike, ideologjike dhe gjeografike?! Mos vallë Çmimi Nobel po
shndërrohet në ndarje të Oscarit?! Shesh ndodh që Nobeli për
letërsi t’i ndahet një shkrimtari apo poeti që është shumë pak i njohur në
qarqet letrare të botës dhe të anashkalohet një shkrimtar si Ismail
Kadareja, i përkthyer në 45 gjuhë të planetit. Në vitin 2016, Çmimi Nobel
për letërsi iu nda Bob Dilanit (Bob Dylan, 1941-). Shpërblimi
Dilanit shkaktoi reagime të ashpra në qarqet letrare të rruzullit. Kishte të
tillë që thoshin se nuk është në rregull që një kantautor të shpërblehet me një
mirënjohje kaq të rëndësishme. Vetë Bob Dilani refuzoi të bëhet nobelist.
Çmimin e mori pas shumë kohësh, pa ndonjë ceremoni glamuroze. Ky muzikant e ka
hequr nga sajti i vet shënimin se është fitues i Nobelit.
Duke e anashkaluar Ismail Kadarenë, Akademia Suedeze i bën atij një
padrejtësi të pashpjegueshme. Padrejtësi i bëhet gjuhës shqipe, letërsisë
shqiptare, shtetit shqiptar dhe kombit shqiptar në Ballkan. Vepra e I. Kadaresë
i zbulon qytetërimit perëndimor një botë të re – atë të Perandorisë
Osmane, me të gjitha karakteristika e veta. Vepra e këtij gjiganti të letrave
ia zbulon njerëzimit ideologjinë e totalitarizmit, me të gjitha
karakteristikat e veta – tiraninë, despotizmin, autokracinë, autoritarizmin, bolshevizmin
dhe diktaturën. Vepra e I. Kadaresë ia zbulon njerëzimit botën orueliane
në një cep të Evropës. Vepra e I. Kadaresë ia zbulon Perëndimit mitin
ballkanik dhe legjendat e lashta homerike. Anashkalimi i I.
Kadaresë paraqet shpërfillje të shqipes, gjuhë kjo me lashtësi legjendash
antike. Asnjë shkrimtar në Evropën Lindore, përfshi edhe dy krijuesit
sovjetikë, laureatë të Çmimit Nobel - Pasternakun dhe Sollzhenjcinin,
nuk e ka goditur për vdekje arkitekturën e totalitarizmit, tiraninë, despotizmin dhe filozofinë bolshevike, si I.
Kadareja, me veprën grandioze të tij, të shkruar në shqip. Duke i shpërblyer
krijuesit letrarë pa integritet, Komiteti i Nobelit vë në dyshim, jo vetëm
nivelin e vet profesional, por edhe vlerat e veta etike.
Peter Handke nuk është i vetmi shkrimtar, laurimi i të cilit e bën të
diskutueshëm vendimin e Komiteti i
Nobelit. Në vitin 1961, Nobelin për letërsi e mori shkrimtari serb Ivo
Andriq, i njohur si një prej hartuesve të projekteve për dëbimin e
shqiptarëve nga trojet historike të tyre, siç ishte elaborati i akademikut
serbomadh, Vaso Çubrilloviq, që e lexoi para akademikëve serbë në Klubin
kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937.
S’ka sesi të mos shtrohet pyetja: A i ka parasysh Akademia Suedeze vlerat
etike të krijuesit artistik, kur merr
vendim për laureatin?! Ndarja e Nobelit, nuk është ndarje e Oskarit. In ultima
linea, vlerat etike merren parasysh edhe me rastin e ndarjes së Oskarit
në Holivud. Një shkrimtar i përmasave botërore konsiderohet ndërgjegje e
epokës. Rrjedhimisht, është e pamundur që krijimtaria letrare dhe
artistike e tij të ndahet nga vlerat etike të tij. Mesazhe humane njerëzimit
mund t’i dërgojë vetëm poeti që ka virtyte njerëzore dhe jo ai që mbjell
urrejtje midis popujve dhe që mbron kryerësit e gjenocidit.
Homeri, Eskili, Virgjili, Danteja, Shekspiri, Servantesi,
Molieri, Gëteja, Balzaku, Dostojevski, Bodleri, Xhojsi, Kafka kanë jetuar pa
Nobelin, por kjo nuk u ka penguar që veprat e tyre të jetojnë ndër dekada,
shekuj dhe mijëvjeçarë. Në kohën kur ndahej Nobeli, autori i “Ana
Kareninës”, Tolstoi, ishte gjallë, sikundër Xhojsi dhe Kafka.
Askujt s’i shkoi ndërmend t’i shpërblente. Letërsia botërore nuk
mund të paramendohet pa këta klasikë modernë. Shumë kritikë letrarë të
botës I. Kadarenë e konsiderojnë nobelist të pashpërblyer.
Sot banaliteti është bërë kategori estetike, thotë filozofi
francez Zhan Bodriar (Jean Baudrillard, 1929-2007). Vendimet
kontraverse dhe të pamatura të Komitetit të Nobelit pashmangshëm shkaktojnë
debate morale. Kush qëndron pas vendimeve të tilla dhe çka fshihet pas tyre?!
* * *
Ndarja e Çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019 shkrimtarit austriak me
prejardhje gjermano-sllovene Peter Handkes shkaktoi reagime të ashpra në
shumë anë të botës. Në arsyetimin e Akademia Suedeze thuhet se Çmimi Nobel i
ndahet Handkes “për veprën influente e cila me invencion gjuhësor e
hulumtoi periferinë dhe specifikën e përvojës së njeriut”.
Handke ka lindur në Grifen në vitin 1942. Është rritur në Berlinin
lindor dhe në Grifen. Nëna e tij sllovene i ka dhënë fund jetës me vetëvrasje.
Për këtë shkruan në romanin “Tmerri i zbrazësisë” të botuar më 1972. Më
1965 i ndërpret studimet e drejtësisë në Gracë për t’iu përkushtuar shkrimeve. Përpos në Gracë, ka
jetuar edhe në Dyseldorf, në Berlin, në Paris, në Kronenberg, në ShBA. Kohët e
fundit jeton në Shavil të Francës. Në vitin 2006 qyteti i Dyseldorfit ia ndau
çmimin “Hajnrih Hajne”. Ky vendim u kundërshtua nga disa politikanë
gjermanë. Handke u mor në mbrojtje të shoqatës së shkrimtarëve, me arsyetimin
se politika nuk duhet të përzihet në lëmin e kulturës. “Vunderkindi” gjerman,
siç cilësohej në qarqe të caktuara, refuzoi ta pranonte. Kur në vitin 2014
qeveria e Norvegjisë ia ndau “Çmimin Ibsen” , në shenjë kundërshtimi,
Handke u prit nga publiku me fishkëllima dhe me ofendime. Në vitin 2014, me
arsyetimin se Nobeli shkakton “kanonizim të gabuar”, Handke kërkoi
suprimimin, d.m.th. shuarjen e Çmimit Nobel. Në qarqe të caktuara e kanë
cilësuar si “shkrimtar gjenial, si poet të madh, si një ndër poetët e fundit
të vërtetë”.
* * *
Handke ka miqësi me serbët. Më 1996 vajti në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe
shkroi esenë “Drejtësi për Serbinë”.
Shkrimi hasi në kundërshtimin e fuqishëm të publikut. Në këtë ese autori i
sulmon vendet e Perëndimit për arsye se krejt fajin për luftërat në Jugosllavi
ua paskan veshur vetëm serbëve. Pas kësaj eseje, Handke sakaq u dëbua nga
bashkësia intelektuale globale. Në fillim të ndërhyrjes së NATO-s kundër
forcave pushtuese serbe në Kosovë, Handke shkoi në Serbi. Ndërhyrjen e Aleancës
Veri-Atlantike e krahasoi me Aushvicin. Në shenjë proteste, e ktheu “Çmimin
Bihner” dhe u çregjistrua nga Kisha katolike. Nga ministri gjerman Rudolf
Sharping kërkoi që t’ia kthejë librat që ia kishte dhuruar. Në esetë e veta për
Serbinë, Handke i kritikon mediumet e vendeve perëndimore për “shtrembërimin
e së vërtetës”. Deklaron se “myslimanët e Bosnjës kanë vrarë veten për
të thënë më pas se vrasjet i kanë bërë serbët”. Ngre lartë figurën e
kriminelit të luftës Radovan Karaxhiqit. “Ndonjëherë më shkon mendja të
bëhem klerik ortodoks serb i cili lufton për Kosovën” – thotë nobelisti i
sivjetmë. Ua zë për të madhe shkrimtarëve të tjerë të Perëndimit për arsye se
nuk e mbështetin Serbinë si ai. Në vitin 2012 zgjidhet anëtar i huaj i ASShA.
Në vitin 2015 shpallet qytetar nderi i Beogradit. Në mars të viti 2006, merr
pjesë në varrimin e S. Millosheviqit në Pozharevac. Në fjalimin që e mban para
pjesëmarrësve, e mbron dhe e ngre lart figurën e kasapit dhe të zjarrvënësit të
Ballkanit.
* * *
Vendimi i jurisë së Stokholmit për t’ia ndarë Çmimin Nobel Handkes është
absurd. Një vendim i këtillë e diskrediton dhe e komprometon Nobelin. Fituesi u
këndon himne arkitektëve të krimeve kundër njerëzimit. Krimet e pushtuesve
serbë në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe në Kosovë i di gjithë bota. Sot, në
skenë veprojnë forcat demonike, djallëzore që duan t’i ringjallin dhe t’i
rehabilitojnë kryerësit e gjenocidit. Forcat satanike, të territ, të errësirës,
të ferrit duan t’i japin shpirt përbindëshit dhe murtajës së zezë të
gadishullit.
Katër-pesë anëtarë të jurisë së Stokholmit, të mbyllur nëpër kabinetet e
tyre, duhet ta dinë se po të mos ndërhynte Aleanca Veri-Atlantike kundër
forcave serbe të krimit, lufta në ish-Jugosllavi do të vazhdonte pafundësisht,
ndërsa krimet si ato në Srebrenicë do të shtriheshin kudo në këto hapësira.
Pikëpamjet se vepra e shkrimtarit s’ka të bëjë me biografinë e tij, sa
bizare po aq janë edhe groteske. Në rastin e BH-së dhe të Kosovës kemi të bëjmë
me një tragjedi përmasash të papara në Evropën e pasluftës.
Shkrimtarë me ide dekadente ka pasur gjatë gjithë historisë, por jo edhe të
shpërblyer me çmime. Poeti futurist italian D’Anuncio (Gabriele
D’Annunzio, 1863-1938) ishte embrioni ideor i fashizmit italian si dhe ati
shpirtëror i Musolinit. Kjo anë e zezë e jetëshkrimit nuk i bën nder këtij
poeti. Poeti dhe kritiku amerikan, promotor i imazhizmit dhe i vorticizmit - Ezra
Paund (Ezra Pound, 1885-1972), me t’u vendosur në Itali, u bë ithtar
veprues i fashizmit ndërsa më 1941 u vu në shërbim të propagandës
antiamerikane. Në ShBA u akuzua për tradhti të lartë. Më 1946, si “i sëmurë
psikik” u lirua nga akuza. Ndenji 12 vjet në spital ku vazhdoi të shkruajë.
Si mbështetës i mbretërve të vdekjes, “vunderkindi” gjerman meriton, jo
shpërblim por denoncim. Asnjëherë ndarja e Nobelit nuk ka hasur në reagime kaq
të ashpra si kjo e fundit. Në platformën Change.org u ndërmor një nismë
që Handkes t’i merret çmimi “për shkak të mbështetjes pa rezervë të
Millosheviqit i cili ishte përgjegjës për vdekjen e qindra mijë njerëzve të
pafajshëm dhe të dhjetëra mijë femrave të përdhunuara”. Brenda pak orëve
peticioni është nënshkruar prej 100.000 vetëve.
Vendimin e Komitetit të Nobelit e kritikoi ashpër edhe PEN qendra amerikane.
Kryetarja e PEN-it Xhenifer Igan thotë: “Jemi të befasuar me zgjedhjen e një
shkrimtari i cili me zërin e tij publik e rrënonte të vërtetën historike duke u
ofruar servilizëm publik kryerësve të gjenocidit, siç ishte ish-kryetari i
Serbisë S. Millosheviqi si dhe lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqi”.
“Në çastin e rritjes së nacionalizmit, të liderizmit dhe
të dezinformatave të përhapura gjithandej, komuniteti letrar i botës meriton
diçka më të mirë se kjo. Ndjejmë keqardhje të thellë për zgjedhjen e Komitetit
të Nobelit” – thuhet në komunikatën e PEN-it.