E shtune, 12.10.2024, 01:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Sejdi Berisha: Sipër shtratit tënd të çmendur

E premte, 04.10.2019, 10:00 PM


Sejdi BERISHA:

Cikël poezish:

SIPËR SHTRATIT TËND TË ÇMENDUR

KUR TA MBYLL KËTË LIBËR...

1.

Rri

Rri larg meje

Mos më trego as ku gjendesh

Të gjitha kujtimet mbylli diku

Edhe ato fjalët e shikimet e zjarrta

Se është duke rrëshqitur koha

Mbi akrepat e ndryshkur të orës

Kurse unë jam duke shfletuar

Atë librin e jetës

Gati i kam rënë në fund

2.

Kur ta mbyll këtë libër

Atëherë

Ato lule që t’i kam dhuruar nëpër vite

Hidhi mbi mua

Edhe nëse janë vyshkur

Aroma e tyre edhe më shumë çmend

3.

Dhe në atë moment

Mos u tremb nëse dorën ta zgjas

Për të përqafuar

Pa buzë

Pa sy

Pa ato shtrëngimet e shpirtit

Se tani bën acar

Vetëm kujtimet përcëllojnë

Vetëm etja

Me ata lotët e vjetër qull na bën

4.

Kur në mëngjes të zgjohesh

Të gjitha këto

Do i shohësh në pikturën e vjetër

Sipër shtratit tënd të çmendur...

5.

Pra rri

Rri larg

Se vetëm atëherë je afër meje

Gjithmonë me mua

Pa tik-take ore

As pa ato drithërimat

Që gjithmonë na bashkonin...

(S. B.)

HYNI NË DHOMËN TIME

...Një ditë
Dhoma ime muze
Pa asnjë dokument
As pa foto të fëmijërisë
As pa ditar të rinisë
As pa tapi të atdheut
Të cilat
Pa u lind unë
Babait ia kishin vjedhur
Por
Ndoshta zëri im
Do t'i lus kujtimet
Të mos shlyhen ato nga dhoma ime
Të cilat i ngjajnë edhe barkës
Kurrë pa ia ditur asaj
Cakun as rrugëtimin

Mos hezitoni
Hyni në dhomën time
Edhe nëse aty nuk më gjeni...

PRANË PORTËS SË KALASË...!

Një ditë kishte ardhur
Edhe një ditë tjetër erdhi
Por edhe një ditë ka ardhur
Pas tërë kësaj përralle shkoi
Askush nuk e kishte rrahur mendjen
Se kah kishte ikur
Në një mëngjes herët
Pranë Portës së Kalasë
Vetveten e kishte varrosur
Mbi varr
Në vend të luleve
Me dhembjen krenarinë lumturinë
Edhe me kënaqësinë e zhgënjimin
Edhe me mjegullinë e ëndrrave
Një vazo deri në qiell
Sa bukur e kishte stolisur...

(E martë, 01 tetor 2019)

RRAPËLLIMË JETE...

Në këtë kohë të sert
A kush mund t’i ndalë
Gjethet të mos ikin
Edhe ngjyrën e dylltë
Në gjelbërim për t’ua kthyer

Një gjethe aq me ironi më shikoi
Me lotin e vjeshtës sytë m’i spërkati...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora