E merkure, 09.10.2024, 01:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: 'Zdrajshi' një histori lokale

E premte, 04.10.2019, 09:38 PM


“ZDRAJSHI” NJË HISTORI LOKALE

NGA QAZIM SHEHU

Libri ‘Zdrajshi’ i  Ferit Fixhës , mbetet një përpjekje e suksesshme  dhe një realizim dinjitoz, me vlera të spikatura shkencore, letrare dhe poetike;një  enciklopedi për Zdrajshin.Autori nuk i është futur kësaj teme, thjesht,  për të shuar një kuroizitet eventual të lexuesit, por që të zhbirojë në thellësi të shekujve dhe në shtigjet e historisë,  duke ardhë gjer te bashkëkohësia, për të na dhënë një tekst  që u qaset me kompetencë ngjarjeve apo të ndodhurave kulmore të historisë së këtij fshati dhe më gjerë.Nga ky pikësynim i është dashur të hulumtojë materiale, libra të botuara, rrëfime e gojëdhëna,  dhe t`u referohet mjaft autorëve, duke i ftuar edhe ata në sofrën e dijes për këtë fshat, e duke sjellë gjithnjë në vështrimin e tij një fluks pamjesh nga më të ndryshmet, të cilat e krijojnë panoramën e librit.Zdrajshi  i Çermenikës, nuk shihet i shkëputur prej saj, po si pjesë përbërëse,  që ka historinë , burrat dhe gratë e tij, por edhe si pjesë integrale e Çermenikës, Librazhdit dhe Elbasanit, e kjo e bën vështrimin e autorit mjaft të qartë dhe me objektivitet.Autori ka arritur të ndërtojë një enciklopedi jetësore, kontinuitive, larg qasjeve të ngushta,  gjithnjë duke e parë lëndën brenda hullinjve tematikë e duke iu shmangur përsëritjeve apo gjërave të rëndomta.Për  të, çdo gjë që jep informacion, mbetet e rëndësishme, dokumenti historik, gojëdhëna, rrëfimi, poezia si akt krijimi, kënga popullore, njerëzit si dëshmitarë të historisë, çdo burim mbetet pikë referenciale dhe i dobishëm, për vetë faktin se ai i shërben mjaft mirë njohjes dhe e ngop me bindje përfytyrimin tonë dhe të drejtën për të besuar se ashtu ka qenë.Qëllimi i autorit ka nisur, jo vetëm si  i menduar, por edhe si natyrshmëri shtjelluese,  të na japë popullin shpirtbukur të Çermenikës me dëshirën e madhe për liri, me krenarinë dhe  dashurinë për tokën, truallin, të parët, me mikpritjen proverbiale dhe njëherit me traditat, këngët, vallet, ritet e dasmës dhe të  akteve të tjera kulmore të jetës.Natyrisht, nuk bie në panegjirizëm, as në romantikë verbuese të vështrimit, ai , parim kryesor,  ka objektivitetin dhe të vërtetën, por,  përmes saj,  del pikërisht kjo, dhe tehut të  së vërtetës zbulohet trimëria dhe mençuria e zdrajshanëve dhe e çermenikasve në përgjithësi.Përfytyrojmë se sa e rëndësishme do të ishte të kishim një libër të tillë të shkruar para njëqind apo dyqind vjetësh, dhe sa i vlershëm do të jetë ky libër pas sa kohe;kështu,  Fixha kryen një detyrë, lë një dëshmi të shkruar, e cila edhe mund të plotësohet, dhe,  krahas detyrës si akt shkencor,  ai kryen edhe  aktin shkrimor, duke lënë një bazament të rëndësishëm për studiuesit e rinj që do të vijnë më vonë.Krahas përshkrimit gjeografik, toponimik dhe  përvijimeve të tjera, është se zdrajshanët dhe çermenikasit në përgjithësi,  nuk u kanë ndenjur skiç ngjarjeve madhore të historisë kombëtare , përkundrazi , me intuitën e tyre dhe vetëdijen patriotike,  kanë marrë pjesë në të to, duke dhënë një kontribut të çmuar,  që nuk ka pse t`i mbetet harresës, as neglizhencës dhe apatisë, ai duhet të dalë në dritë me vlerat e veta,  dhe ato  nuk janë të pakta.

Autori e përshkruan  luftën kundër turkut, trimërinë e zgjuarsinë e çermenikasve, përpjekjet për pavarësi dhe lidhjet e  tyre me Aqif Pashë Elbasanin, për të ardhë te momenti tjetër mjaft i rëndësishëm:Lufta NAÇL, që, padyshim,  është një nga faqet më të ndritura në historinë e Çermenikës,  ku,  kjo krahinë,  jo vetëm me luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët që dha, por ajo u bë bazë e rëndësishme e kësaj lufte dhe nuk i tradhtoi idealet e lirisë e të dëshirës për ta parë një ditë  sa më afër atë.

Kujtesa dhe respekti për dëshmorët reflekton ndjenjën e mirënjohjes për gjakun e  derdhur.Pavarësisht nga ndonjë interpretim i ndonjërit që kërkon ta shohë Luftën përmes aureolës së saj komuniste, ajo ishte një luftë çlirimtare, edhe pse u udhëhoq nga komunistët; kjo e fundit nuk merr rëndësi të madhe, po të kemi parasysh se  në këtë luftë u derdh gjak dhe dëshmorët kurrësesi nuk duhen parë në paradigmat e asnjë ideologjie.Ata ishin dëshmorë, dhe ky martirizim i tyre, pavarësisht nga përmasat e kësaj lufte, nuk mund të shihet tjetër,  veçse si një pikë kulmore e urrejtjes ndaj pushtuesit.Brenda kësaj linje të shtjellimit qëndron Fixha dhe drejt e jep atë periudhë.

Edhe më vonë , pas Luftës,  Zdrajshanët e përqafuan të renë,  dijen, pëparimin dhe zhvillimin, por njëherit me shpotinë dhe ironinë e tyre vunë në majë të satirës të metat e sistemit.Ata punuan në sektorë të ndryshëm, dhe dhanë ndihmesë në ndërtimin e vendit, me dhjetra e dhjetra kuadro dolën nga ky fshat, arsimtarë, oficerë, nënoficerë, njerëz të punëve e profesioneve të ndryshme  duke dëshmuar vitalitet dhe sukses.Dhe sot, me dhjetra janë biznesmenët nga Zdrajshi.

Ajo që të bën përshtypje është kultura e këtij populli, shpirti artistik që shprehet në kodet e lashta zakonore e të burrnisë, në respektin dhe mirënjohjen, në gjithë atë gamë të gjerë të manifestimit të jetës përmes çasteve të ndryshme.Kjo është shprehur në veshjen popullore,  ku ndërthuret një larmi ngjyrash dhe ornamentesh që shprehin një fantazi trallisëse, në këngët e dasmave(Dielli tuj prenu/nusja tuj afru) që janë aq të bukura dhe mbresëlënëse, në këngët e trimërisë(Selman Lleshi  yll i dritës/zbardhe faqen e Çermenikës;/ Erdh haberi në Manastir/Çermenika theu zinxhir), në ceremonitë e dasmave , të cilat mbajnë një përkujdesje të hijshme aristokratike dhe plotësohen me detaje aq të bukura dhe të vendosura  në vendin e tyre,   të denja për penën e Balzakut, në ritet e mikpritjes dhe të miqësisë, në kodet e nderit dhe të besës.Çermenikasi nuk është lavdëruar, sepse ai,  atë që e ka pasur nuk ka tentuar të joshë me dëshirën  ta tregojë, përderisa e ka pasur pjesë të integritetit të tij moral dhe artistik. Një popull aristokrat,  dhuron, të tjerët e vënë re.Kjo mund të merret edhe si dobësi e tij, por, në fund,  është pjesë e qenësisë së vet, dhe vjen dita që del në dritë; ajo është element qytetarie dhe vetëbesimi në atë tokë ku jetuan Aranitët e lashtë me Prijësin e Madh Gjorg Golemi.Është shenjë e rritjes së vazhdueshme dhe e zgjerimit të konceptit për jetën,  dhe e pakënaqësisë me çfarë është arritur , për të ecur gjithnjë përpara.Si një popull me qytetari të hershme , kjo merret si shenjë e personalitetit të tij të spikatur.

Feriti,  për ta plotësuar dhe për ta zgjeruar e ngritur më mirë arkitekturën e librit ,  ka ftuar në të edhe një grup autorësh, vendas dhe nga krahina të tjera,  ata që kanë shkruar për Çermenikën.Kjo është një mënyrë dhe gjetje domethënëse.Studiuesit vendas si: Prof.Dr.Ferit Balla, Shahin  Zharri, Avni Alcani,  Sadi Halili, ”Artist i Merituar”, Sami Hyka, Shaban Gjura, Ilmi Leka, Rrahman Gjorga, ”Mësues i Merituar’, por edhe të tjerë si Prof. Shuteriqi,  Prof.Rrok Zojsi, Prof.Neritan Ceka,  Prof.Mark Tirta, Ruzhdi Mata, Ylber Merdani,   Kujtim Boriçi etj,  etj, japin me shkrimet e tyre portrete e të dhëna, plotësojnë një  kuadrat që do të mbetej bosh , po të mos ishin vënë mendimet e tyre të çmuara.Kjo,  vetëm i jep larmi librit ,   zgjeron frymëmarrjen tematike dhe e pasuron lëndën, duke sjellë  mundësinë e zgjerimit të koncepteve dhe vështrimeve.

Lexojmë për jetën e Hasan Kacës, këtij burri të shquar të Zdrajshit,  që kërkonte  rritjen e personalitetit të çermenikasit,  duke u ndeshur me burokratët e kohës pa pasur frikë;jetën e Qazim Xherrit, si një telenovelë e trishtë dhe  me një fund të imponuar nga sistemi i kohës, mund të lexojmë për Xhafë Sinanin, burrin e urtë e mendjendritur, për Bim Hoxhën, ndihmësmjekun e talentuar, për Destan Lekën që luftoi kundër serbit;për Abaz Fixhën,  partizanin trim të LANÇ- it; për Tahir Hoxhën,  burrin fisnik që diti të ruajë balancat dhe kuptoi  se mbi marrëzinë e kohës qëndronte bamirësia  që iu shpërblye një ditë etj. etj. Lexojmë për Gani Hoxhën dhe Shaqir Xherrin, këtë “Oso Kukë” të Çermenikës  me kokë të prerë nga predha,  që dhanë jetën në lule të djalërisë. Jeta e një fshati matet gjithnjë nga burrat e shquar, nga njerëzit që e drejtuan në situata kruciale, dhe Çermenika, Zdrajshi, Orenja, Kostenja, Neshta,  që Feriti e quan Çermenikë e Zezë prej veshjeve popullore, por do  ta  shpjegoja këtë se ajo u quajt e Zezë se ia nxiu jetën pushtuesit të huaj dhe nuk u nënshtrua;përmes metaforës shkohet  në një realitet që shkruhet me shpirtin e atyre malësorëve të lirë e besëvendosur.

Libri i Ferit Fixhës është shkencor divulgativ, ai mbështetet në fakte e dokumente dhe i përmbahet interpretimit racional, por,  aty ku fakti ka munguar, autori i referohet kujtesës dhe rrëfimit gojor, toponimisë dhe legjendës(Taramët, historia e tyre, ose emri i fshatit,  Izranish).Edhe legjenda është një fakt,  krijon besim për të shkuar dhe për të besuar një  të ndodhur, përderisa ka mbijetuar nga motet e shkuara dhe i gjen gjurmët e saj të kyçura në një emër, toponim apo diku tjetër.Kështu, Fixha i afrohet asaj me guxim dhe krijon, pa shfaqësim,  mundësinë për ta përqafuar si të vërtetë.

Libri është shkruar me tone ligjërimore të shtrira dhe herë herë të ngjyrosura emocionalisht dhe kjo përbën aspektin poetik dhe letrar të tij, atëhere kur ai ndërfut në kapitujt të veçantë thënie të mençura, episode e ndodhi, por edhe poezitë e veta.Kjo e bën  më tërheqës dhe krijon freski, origjinalitet dhe çlodhje leximore.I shkruar rrjedhshëm, me kapituj të shkurtër dhe në masën e duhur, libri e lejon mundësinë e gjithëpërfshirjes së shumë aspekteve, ose nga kjo mundësi dhe dyndje e pasurisë lëndore ka ardhë ky konceptim.

Libri “Zdrajshi” është një punë e kujdesshme hulumtuese e autorit, disavjeçare, dhe ai ia ka arritur që,  përmes tij,  të dalë përtej qëllimit të vet në mënyrë të natyrshme,  duke folur për Zdrajshin, të flasë edhe më gjerë, jo të shkruajë një tekst të kufizuar dhe brenda caqeve të ngushta tematikë.Shpresojmë se kjo monografi   do mirëpritet dhe do shërbejë si një nxitëse  dhe model frymëzues për t`u shkruar  edhe libra të tjerë për fshatrat e Çermenikës, sepse historia e saj është e lavdishme dhe e pafundme.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora