Editorial
Prend Buzhala: Kah Evropa apo kah orienti?!
E hene, 27.05.2019, 05:45 PM
ENDE QENKEMI NË USHËKRYQ: KAH EVROPA APO KAH ORIENTI?!
(Nga ligjërimet për të vërtetën)
Ne
mund ta madhërojmë Evropën duke e madhëruar vetveten si komb modern, po qe se
kemi ideal evropianizmin e kombit shqiptar. ...jo vetëm për shkak të faktit që
kjo Evropë na e largoi Serbinë prej Kosovës...
Nga
Prend BUZHALA
1.
Duhet
të formohemi e sillemi kësisoj, për hir të krejt gjeneratave të së kaluarës: të
gjeneratës së Marin Barletit (që kjo Evropë i strehoi, u dha punë, i shkolloi,
ua botoi veprat, ua ruajti ato e ua ruajti emrat me kujtesë arbërore); të
gjeneratës së Buzukut, Budit e Bogdanit (që ua shtypi veprat, ua ruajti së
bashku me emrat e me kujtesë e shkrimit shqip); të gjeneratës së rilindësve, në
krye me Naim Frashërin e Madh, të cilët, në frymën e iluminizmit evropian,
ideuan diellin "që lind andej nga perëndon"... deri te gjenerata e
Jusuf Gërvallës, të cilën, po ashtu, e strehoi po kjo Evropë, dhe po kjo Evropë
u dha zë idealeve e kërkesave të tyre për liri...
Kështu
është edhe sot.
E
di që Rusia gjatë shekullit 19 pati arritur ta përhapë moton antievropiane
"Evropa shtrigë", që depërtoi edhe në Ballkan... Sikur një "Nanë
Turqi", të kishte qenë e tillë, si Evropa, ne do ta kishim adhuruar atë pa
dallim, por ajo na e dhunoi identitetin shqiptar, na e tjetërsoi kulturën,
lëshoi mallkime kundër librit shqip e shkrimit shqip dhe kundër çdo gjëje
shqiptare...dhe babës Sulltan i besuan paria e vendit, në atë Kongres Berlini,
kur i thanë: Perandori, ne jemi me ty, ne nuk ka nevojë të paraqesim kërkesa
për pavarësi. Mbrona! Dhe Nana Turqi ua dha copat e trojeve shqiptare Serbisë e
shteteve përreth, se vetëm ajo ishte legjitime të na përfaqësonte në Kongrese e
konferenca ndërkombëtare, mbasi shqiptarët nuk kërkonin pavarësim!!!
E
di që Evropa na i ka gjynahet e veta! Por, qe pra, po heqim dorë prej këtij
ideali barletian, buzukian, rilindas e modern... dhe, hiq të mos kemi
"merak", këtë ideal evropian tashmë dissa qarqe me ndikim në Kosovë,
kanë zënë ta zëvendësojnë me idealin për neo-otomanizëm...
Nëse
të gjithë nuk duam të jemi pjesëtarë të këtij ideali oriental, të asaj dashurie
neo-otomane, s'ka gjë: deri tash kemi qenë bashkëvuajtës, SI SHQIPTARË me
shqiptarinë... te neo-otomanizmi, ka vetëm një betim: nuk do të jemi kurrën e
kurrës bashkë!!! As si komb! Madje, nuk do të gjendemi kështu as në ato
integrime evropiane!
2.
Ende
disa koka tonat Evropën e quajnë armike. Evropën e kemi mik, Turqinë e kemi
mike të tashme për aq sa e respekton pavarësinë tonë e identitetin tonë.
Pikërisht për atë fakt që e pohojmë: që ta duam vetveten! Nuk është Evropa që
zyrtarisht kërkon ndërrime të historisë, por është dikush tjetër, që kërkon
heqjen e emrit të Skënderbeut, ndërrimin e historisë etj. Madje, Davutogllu që
i prin kësaj fushate të ideologjisë së neo-otomanizmit, e thotë haptas se me
shqiptarët "jemi vllazën", se shqiptarët janë pjesë e kombit të madh
otoman! Dhe jo pak emra e qarqe (intelektuale, politike e fetare madje) në
Kosovë i bashkëngjiten Davutogllut (ideolog i neo-otomanizmit), duke u bërë
"ma turk se turku", duke shkuar edhe më larg se ai: duke sulmuar e
mohuar jo vetëm Skënderbeun, po edhe Bogdanin, Nënën Tereze etj. e nga Perandoria
otomane trashëguam copëtimin nga ajo në katër drejtime, në katër vilajete, në
katër besime... dhe mungesën shqiptare të vetëpërgjegjësisë...
Nëse
mospajtimi ynë me këto theqafje identitare shfaqen në vetëmbrotje të
identitetit tonë, kjo nuk do të thorë se ne shfaqim turkofobi a urrejtje ndaj
saj. Assesi!
Atëherë
si ta shohim qëndrimin e urrejtjen turke kundër Skënderbeut e kombit shqiptar?
Dështuan dofarë komisionesh për rishqyrtim të historisë, spe reaguan intelektualët,
reagoi populli.
Turqit,
kuptohet, për shjak të besimit të përbashkët me “vllaznit myslimanë” (nuk na
quan shqipoatrë, por myslimanë, se nuk na e njeh kombësinë), nuk kanë kërkuar
ndryshime për sa i përket figursë së Adem Jasharit, por asaj të Skënderbeut e
të periudhës së pushtimit otoman...
Shtrohet
pyetja: a ka shqiptar me pak mend në krye që, bie fjala, ta mohojë Adem
Jasharin? Pati edhe këso kokash të krisura që ligjëruan edhe kundër Adem
Jasharit, ligjëruan jo nag guximi i ytre, por nga ligësia e qyqarllëku i
shpirtit të tyre të varfër...
3.
Për
detyrat e shtëpisë si thotë "Brukseli zyrtar", sikur nuk po kryhen,
ndërkohë që detyrat antikombëtare që na i japin "vëllezërit” nga orienti,
po kryhen shkëlqyeshëm, duke e ntrashur baltën mbi vetveten, duke ia dorëzuar
krejt pasurinë e Kosovës tjetërkujt, së bashku edhe me trashëgiminë e
historinë! Edhe politikën!!! Sepse orienti nuk është ngushtë a ka korrupcion a
jo, a ka papunësi a jo! A ka standarde evropiane a jo!
Këto
qenkan "detyra"!?
Tashmë
janë realizuar disa nga qëllimet neo-orientale, tejet të dëmshme ... këto
qëllime sikur e kanë blerë shpirtin e kësaj hapësire! Sikur nuk na bëjnë
përshtypje këto sulme brendashqiptare me frymë të tillë. Prandaj “sovrani i
jashtëm” i ka të lehta për t'i paraqitur ato urdhra ideologjikë, sepse nuk ka
kushedi çfarë kundërshtimesh brenda nesh, por përkundrazi, dakordimesh! Kurse
Turqia sillet me ne, sikur të jemi ne pjesë e saj... sillet si tutor, me
politikën e vjetër të mohimit!
Ne
nuk e kemi për detyrë ta sqarojmë, përse, bie fjala, nuk mund të pranohen në BE
Turqia e Qiproja turke, por pranohen Greqia e Qiproja greke... Shqipëri e
Kosovë jemi ku jemi! Është shansi historik t'i kthehemi vetvetes, dhe, si
thuhet shpesh ndër ne, ta duam vetveten!
Brukseli
e Stambolli!
Por
francezët e gjermanët nuk pranojnë të hyjnë nën ombellën otomane as
neo-otomane, e nderojnë njëri-tjetrin, se kane të njëjtin identitet evropian,
por e ndihmojnë dhe e nderojnë edhe Turqinë.... Sigurisht, asnjë njeri normal
nuk është kundër marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit me të tjerët, madje
qeveritë tona të deritashme kanë propaganduar e propagandojnë marrëdhënie të
mira edhe me Serbinë (bile në aspektin ekonomik, marrëdhëniet më të mira të
Kosovës duket se ishin pikërisht me Serbinë)! Ishin! Deri sa u krijua një
realitet i ri politik!
(Prend Buzhala, 22 maj 2019)