Kulturë
Milazim Kadriu: Poezi që i këndojnë jetës
E diele, 07.01.2018, 11:26 AM
POEZI QË I KËNDOJNË JETËS, LULES, AGUT, DRITËS, BUZËQESHJES ...
Rexhep Halimi “Rreze e thyer”, botoi SHB “FAD”- Prishtinë, 2017
Nga Milazim F. KADRIU
Rexhep Halimi krijimtarinë e vet poetike e ka filluar qysh në bankat e shkollës fillore, duke derdhur energjinë e vet me ide, tema e motive të ndryshme duke gërshetuar ndjenjat subjektive të tij në një realitet objektiv. Ndërsa prirjen dhe frymëzimin e ka shpalosur gjatë kohës kur ishte nxënës i shkollës së mesme, pastaj si student e për të vazhduar pa ndërprerë duke i botuar poezitë e tij nëpër gazeta e revista letrare. Poezia e tij disa herë mori mirënjohje dhe shpërblime në manifestime të ndryshme dhe konkurse letrare. Po ashtu është i përfaqësuar në disa libra përkushtuese të autorëve tjerë, e tash për të ardhur para lexuesve me librin e tij të parë të titulluar “Rreze e thyer”]
Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ku i ka hedhur farën dhe grumbulluar nektarin krijimit të tij poetik, duke mos e harruar që t’i këndojë me respekt vendit, të afërmve, atdhedashurisë, shkollës, nxënësve, dashurisë, etj. Halimi në këtë libër shfaq një botë të madhe, sjell dhe përcjell në çdo poezi metaforën e jetës gjithnjë me shpresën për të mos humbur ëndrrën, kërkon gjithçka që është e mundur. Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e Halimit ndonëse është libri i parë i tij, shohim mjaftueshëm se përpos shijes së fjalës artistike, padyshim dhe vlerave estetike duke e vlerësuar vargun si ''magji'' në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike artin e fjalës.
Libri është i ndarë në katër cikle : Dritë, Gjurmë, Qëndresë dhe Rreze e thyer
Në poezitë e këtij libri shohim se poeti Halimi për temë ka realitetin në kohë, realitetin social, njerëzor apo fatet e kombit gjithandej, ku përmes vargut të tij të larmishëm e forcon identitetin, qëndresën dhe dashurinë.
Me vargje të lehta, të kuptueshme nga çdo lexues e sidomos nga fëmijët për të cilët shkruan më së shumti sepse ata tash e shumë vite janë pjesë e punës dhe aktivitetit të tij të përditshëm në procesin edukativ e arsimor.
Në poezinë “Nxënësit e mi” autori ndër tjera thotë:
Nxënësit e mi
Janë lule në livadh
Nxënësit e mi
Janë gjelbërim në mal
Në disa poezi sjellë dashurinë dhe respektin ndaj vendit të lindjes, ndaj natyrës, ku në poezinë “Pamje fshati “ shprehet :
bariu me fyell
melodinë e nxjerr
sa ëmbël sy sorkadhja
këngës ia merr
ose në poezinë “Në fshatin tim” thotë:
Atje lartë mbi kodrinë
Në atë faqe mali kam shtëpinë
Këtu më poshtë në rrafshinë
Lulëkuqet me aromë mbijnë
Në këto poezi shprehet dashuria për çdo gjë që ka vendlindja si dhe kërkesa që ajo të duket edhe sa më mirë.
Më të dashurve të tij u ka kushtuar disa poezi që i ka vendos në ciklin e dytë të librit. Poezi u kushton prindërve, fëmijëve, nipit, mësuesve të tij etj. Ai shkruan për prindërit që asnjëherë nuk mund të harrohen se ata janë prindër, duke ua përmendur vuajtjet e tyre. Në poezinë kushtuar babit ku i përkujton vuajtjet dhe mundin e tij të asaj kohe për të rritur fëmijët që nuk ishte punë e lehtë, ndër tjera thotë :
Babai im në mulli
E pret rendin gjersa akulli
Nisë të shkrijë
Në mulli vinte me natë
Thyente akullin me lopatë
Për t’i bluar ca kokrra misri
Fëmijëve të vetë për darkë
Ose poezinë kushtuar nënës
Në buzëqeshjen tënde
Shoh dashurinë për jetë
Në sytë tuaj të thellë
Shoh jetën time në vijim
Po ashtu poezi u kushton edhe fëmijëve ku ai nëpërmes vargjeve i këshillon fëmijët që çdo herë të ecin rrugës së drejtë dhe të mos rrëshqasin e të bien në rrugët jo të mira, të ecin drejtë rrugës së dritës e diturisë. Me respekt të lartë i kujton edhe mësuesit e tij dhe mjekun që iu gjend në një kohë të rëndë. Të gjitha poezitë e këtij cikli janë shkruar me mall.
Autori i këndon jetës, historisë dhe figurave të ndryshme kombëtare dhe apelon që të mos harrohet e kaluara por të punohet më shumë për të tashmen dhe të ardhmen që ajo të jetë sa më e ndritur.
Në poezinë kushtuar Heroit të kombit Zahir Pajaziti ndër tjera autori thotë:
Sa shumë lakmi
Ta patën vdekjen.
Amanet
Brezave që vijnë
Kombin
Flamurin
Lirinë!
Ndërsa në poezinë “Nëntori i kuq” shprehet
Ne e ju
Ata e ato
Lindim dhe vdesim
Njëmijë herë
Për këtë flamur
Ai na sjell vargje me zemër e aromë trëndafili, na sjell diellin me rrezet që dritë e ngrohtësi i falin botës në tokë dhe në qiell.
Poezitë e këtij vëllimi lidhen fuqishëm me trupin, artin e jetës dhe kohën nëpër të cilën shtegtuam.
Mërgimit, kësaj teme dhe këtij fati nuk ka mundur t’i shpëtojë gati asnjë krijues. Nuk i shpëtoi as autori i këtij libri i cili për një kohë e shijoi kurbetin ku mallin për atdheun e paraqet edhe në poezitë e tij që ua kushton bashkatdhetarëve të cilët i takonte në ato kohë në kurbet që atje ndodheshin jo me dëshirën e tyre.
Në poezinë “Mërgimtarët …” ndër tjera thotë:
mërgimtarët e vendit tim
vijnë verës me nxitim
ata marrin me vete
një pjesë, të vendit tim
Rexhep Halimi është poet i lules, i agut, i dritës, i buzëqeshjes dhe pikëllimit të njerëzve që e rrethojnë, është poet i syrit të fëmijës, i syrit të trimit, i ëndrrës së gjatë për liri ...
Ja disa vargje nga poezia “Vashat në luginë”
Lulet në livadh shtohen
Vashat kuvendojnë
Për gjelbërimin e barit
Sa bota ëndërrojnë
Yllin e jetës me krahoshë
E dekorojnë !...
Ose disa vargje nga poezia “ Dita jonë ”
valle mbi valle
hedhin vashat si sorkadhe
vallëzoni,vallëzoni
se kjo është një ditë e madhe!
Festonim ne
festohej edhe në lagje
ditë e bekuar,o të uruar!...
Inspirimin për krijimin e poezisë e merr përgjithësisht nga jeta, nga e kaluara dhe e tashmja për një rrugëtim të sigurt në të ardhmen.
Andaj në përgjithësi mund të themi se poeti Rexhep Halimi , me përmbledhjen e tij të parë me poezi “ Rreze e thyer” para lexuesit vjen i suksesshëm duke treguar ndjesinë e veçantë në poezitë e shtjelluara. Ai rrëfehet lirshëm dhe bindshëm, duke na ofruar poezi të lehta dhe të kapshme për komunikim.
Ai është poet i ndjenjave depërtuese ku nga brendësia e tij artikulon vlera origjinale dhe na i sjell ashtu si i ndjen, por që janë me mesazhe edukative. Shpresojmë se pas kësaj përmbledhje poeti Halimi së shpejti do të sjell në dritë edhe libra tjerë, për çka i dëshirojmë suksese të reja.