Kulturë
Cikël me poezi nga Hamit Taka
E diele, 07.01.2018, 10:23 AM
Hamit Taka
NJE LEXUESEJE
Ju më pyesni, zonjë, për jetën intime,
Atë do ta gjeni nëpër vargjet e mia,
Atje jam i tëri me ndjenja e mendime,
Shpirti dhe zemra gjetiu janë të dyja;
Në librin e parë, si rëndom, autobiografik,
Me titullin e thjeshtë siç është edhe fati,
U ndiet ndoshta papritmas skeptike,
Kur lexuat: “Ç’doni t’ju bie nga fshati?”
Gjithësesi, ju thatë, fshatar ka mbetur,
I palatuar në jetë, i pagdhendur në vargje.
Strofat me gjalmë të trashë i ka qepur
Siç qepin opingat këpucarët në lagje;
Dhe thoni se shkruaj për fshatin natyral,
Për vajza të virgjëra e ara të mbjella,
Për livadhet e dëlira e burimet kristal,
Për hamshorët hergjele e pelat e pjella;
Vargje të rëndomta me figura pa grin,
Me strofa klasike, pa thyerje, pa sharm,
Pa shampanja promovimesh, gati anonim,
Mes poetësh VIP-a ngjaj si sharlatan;
Se nuk lëvroj poezinë moderne, qytetare,
Thelbin koncentrik të jetës sociale,
Në vargje ndihet trishtimi i hënës mbi varre,
Por jo drithërimat nga prekjet sensuale...
S’ka gjë se nuk shkëlqej në takime galante,
Në se zemra ime gënjeshtrën s’e njeh,
Por thellë në të ju s’i shihni ylberet brilante
Dhe dashurinë si dyzim prej poeti ma sheh…
S’ka gjë në se s’ia zbus dot zemrën një zonje,
Shpirtin e saj të krimbur nga paraja …
Asnjë mëngjes prilli me rreze pranverore
Nuk e zgjon dot blerimin te Saharaja…
KIARA
-mbesës sime-
Konstelacione yjesh se ç’po ndrisin
Në fund të mjegullës ku un’endem,
Me hap të lehtë zemrës shetisin
Nga këngë dasmash mos përmendem...
Konstelacion nipash edhe mbesash
Zgjerohet, rritet nuk njeh kufi,
Më shumë se kaq ç’farë mund të kesh
Kur në sytë e tyre sheh veç magji!
Një tjetër yll zbriti nga qielli
Në një hark ylberi prej shiu e rezesh,
Shpirtrat deh me gas prej dielli
Si bilbil i brishtë në kohë mëngjezesh!
O ëngjëll i dlirë plot gas e dritë
M’i prek ti sytë me njomështirën
E dorës së kaltër për çdo ditë
Të ma fshish syve gjith’errësirën!
Je dritë e mallit të zemrës sime
Si zjarr e vesë prillit praruar
Me të të ngrohem në ngashërime,
Kur rrëshqet lot’ i sumbulluar!
Mes nipash, mbesash mbushur jetë
Vetëm gëzime mund të gjesh,
Veç prush e zjarr zemra do ketë
Më shumë se kaq çfarë mund të kesh!
MUZES
Në sytë e tu sot herët kam parë
Drithërimat e flakëve ngjyrë blu
Dhe mëndjen pa mëdyshje e kam ndarë
Të loz me atllaset mbi gju;
Nga ky zgjim, kjo flakë turbullimi
Të dridhet zemra, të zë frika
Se ndoshta mbetesh vetëm te fillimi
Si një vallzim, kur prishet harmonika;
E mrekullueshme kjo alkimia e lojës
I bashkon dy skajet, ekstremet
Si buzëqeshja në cepat e gojës
Që me fjalë s’e thonë dot poetët;
Zemrën s’mund ta bëj unë qivur,
Fole bari të kujtimeve të hershme,
Gjersa bilbili te varret, mbi gurë
Këndon ende këngën e hareshme;
MANEKINET
Po endem i krekosur nëpër udhëkryqet e Tiranës,
I qetë e buzagaz vështroj bashkëkombasit e mi.
Tungjatjeta, o njerëz, kam ardhur këtu nga ana e anës
Për të gjetur midis jush pak famë dhe ngrohtësi!
Jam i pari dhe ndoshta i fundmi poet i fshatit
Që bujqësisë e blegtorisë i këndova si Naimi,
Nesër, kur të mos më keni, do t’i faleni ju fatit
Për një talent me kullaro e flokë ngjyrë ibërshimi!
Oh, ç’njerëz shtatlartë me veshje elegante!
Njerëzisht më vështrojnë këta, pa tituj e ofiqe:
Tungjatjeta, o bukuroshë, me buzëqeshje pikante!
Kam plot porosi nga fshati nëpër tregje e butiqe.
Ha-ha-ha! Qesh një shitëse e bukur-zonjushe:
Nuk janë prej vërteti, janë prej allçie-manekinë!
Ah, ashtu! Po u këndoj ca vargje, moj lule fushe
Këta duhet t’ma kuptojnë e ndiejnë poezinë!
Falë reagimit të tyre, kujtova qëllimin e vizitës,
Për ca punë poetike në administratën e shtetit.
Trokisja, s’ma varnin, më mirë hyja pa trokitur…
“këtu po, thashë, gjënden manekinë prej vërteti;
Manekinë prej mishi të ngjyer e të llangosur,
Zonja gjirehedhur me dy mbërthecka zbërthyer;
Me Ajfonë e Facebook-ca të qeshur, ca të inatosur
Flokët bisht palloi me ngjyra ylberi e vjeshte përzier;
Zonjushë, poezitë e mia ju sigurisht i keni lexuar!
Jam kryepoet i Facebook-ut me ngjyra e me zë!...
Po, tha, por më çudit një fakt, ende s’e kam kuptuar:
Një emigrante në Amerikë natën boton e ditën flë!
Më fal, zonjushë, që s’jam kompetent në astronomi,
Ndonëse vargje kilometrikë për yjet unë kam shkruar.
Por , me sa duket, përgjigjen e pyetjes tuaj e di:
Kur zë e djeg dielli këtu, në Amerikë nata ka filluar…
Me leshra ngjyrë platini, me krem e zmalt fytyra,
Më shikoi si UFO-çfarë idiotësie prej poeti:
Unë këndoj e brohoras për partitë tona ngjyra-ngjyra
Triumfatore pastaj hyj- punonjëse në zyra shteti;
Këmbë mbi këmbë ulem në kafe e mbi karrige,
Rrubinetat ia hap Facebook-ut, qejfit e ryshfetit…
Bejlerët e dikurshëm shaj nëpër vila e çifligje,
Le t’ua shohin hajrin vargjeve poetët!...