E hene, 15.04.2024, 07:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Jakup Xhafa, bajraktari që la emër

E merkure, 28.12.2016, 10:11 AM


Jakup Xhafa, bajraktari  që la emër të madh e vepra fisnike

Nga Gjekë Gjonaj

Sivjet janë mbushur 141  vjet prej kur erdhi në jetë  Jakup Xhafë Gjeloshi nga   fshati  Kravar i Anës së Malit , Komuna e Ulqinit.  . Ky burrë fisnik njëheri mbante edhe titullin  bajraktar i Kravarit , që ishte edhe qendra e vetme e bajraktarëve në Anë të Malit .

Prejardhja

Lindi në vitin 1875. Rrjedh nga   një familje me origjinë nga Malësia e Madhe, ku u ruajtën të paprekura traditat e lashta ilire-shqiptare.  Ka qenë  djali i parë i  familjes së  Xhafës .   Ka patur   një vëlla - Oson  dhe dy motra.  U rrit dhe u edukua në gjirin e madh të familjes  së tij  bujare me afro  5o anëtarë  në kullën e  njohur të  Gjeloshajve. Mësimet e para i mori    odën  fisnike të burrave  të fisit. Shkolla ku ndoqi mësimet ishte  votra mikëpritëse. Mësuesit e tij  ishin prindërit,    kurse librat e vetëm ishin  kanuni dhe kallëzimet e pleqëve. U rrit dhe u brumos me tharmin shqiptar. Nga aspekti ekonomik familja e tij  konsiderohej e pasur për kohën, sikurse edhe treva  që quhej   „ Vojvodina e vogël“ .

Pamja fizike

Nga gojëdhëna popullore mësojmë  se ka qenë një  burrë  thatanak.I gjatë  mbi dy metër. Sy kaltër. Flok  zi.  Me vetulla të  trasha.  Mbi kokë mbante kësulën e zezë. Në trup vishte  xhamadanin ( jelekun), orën ( sahatin)  e xhepit  prej  sermi dhe pantollët. Me thënë të vërtetën e cilësojnë si fort të pashëm. Si ai ma. Një Jakup Bajraktar! Përveç kësaj thonë se  ka qenë shumë komunikativ. I afërt me të gjtha grupmoshat, me burra e gra, fëmijë  e të rinj… Siç thonë të tjerët  kishte një zgjuarësi natyrore, demonstronte një shkathtësi të admirueshme. Nga mendja ishte një  „ kompjuter“  i Anës së Malit. Një burrë i vërtetë i traditës sonë popullore i cili për kohën  bëri emër të shquar në trevën ku jetoi, por edhe  në zonat e   tjera shqiptare  fqinjë.

Jeta në mërgim

Jakup Xhafë Gjeloshi  ka emigruar në moshë të re në Turqi.  Atje ka punuar 18 vjet.  Në Stamboll për disa vite ka qenë truprojë  i   një pashai të  njohur.  U shqua   për besnikëri, trimëri, drejtësi, bujari    dhe mençuri.  Falë këtyre virtyteve  dhe vlera të larta  njerëzore pashai mori vendim  që t’i ofrojë një post ushtarak në oborrin e tij dhe ta  shpërblej  me një bajrak ( flamur).  Jakupi nuk deshti   të jetë pjesë e pushtetit turk. Por pranoi   me autorizimin e pashait dhe të pushtetit e qeverisë së atëhershme  të marrë bajrakun( flamurin) dhe të kthehet në vendlindjen e tij në Kravar për t’i shërbyer me dinjitet popullit të vet. U zgjodh, sikur të gjithë bajraktarët e kohës,   me pëlqimin e   autoriteteve osmane dhe të  banorëve  (  21 krerëve – pleqve e kryepleqve )  të Anës së Malit.  Prej atëherë e deri sa   ishte gjallë, në moshën 85 vjeçare  me nder e faqe të bardhë   e kreu detyrën e vështirë dhe me përgjegjësi të  prijësit të Kravarit dhe të Anës së Malit, të cilën e filloi dhe e përfundoi në  kohë luftërash, me erë baroti dhe me aromë flamuri e lirie.

Familja

Jakup Xhafa  ishte beqar ( i pamartuar) derisa u kthye nga Turqia. U martua  me Fatimen nga rrethi i Shkodrës. Jeta e  re e këtij çifti  filloi me zakonet, traditat e bidatet e bukura të jetës  në Anë të Malit. Këngëtari popullor   ka thurë shumë këngë për  ardhjen e nuses anamalase në shtëpi ( konak) të ri. Po citoj disa vargje popullore, me qëllim që lexuesi të njihet me ritin e martesës në këtë  krahinë.

“ Kur t’këndoj nuse, gjeli i parë,

Gjumi nuse me të dalë,

Kur t’këndojë, moj, gjeli i dytë,

Ti’ nisë  me e lidhë kryet,

Kur t’këndojë gjeli i tretë,

Nuse kafet  me na i pjekë.

Kur të shkrepin dielli n’mal,

Nuse drutë me kënë n’oborr,

Kur të bjerë dielli në fushë,

Nuse ujnat me na i mbushë,

Atëherë çohen robt e shpisë,

U ndihmon n’punë t’bagëtis.

Kur t‘shksh te bagëtia,

Merre me vedi kova e kusia,

Mjelin tamlin, n’shpi e çojnë,

U ndimon bagëtitë t’i l’shojnë“.

Menjëherë pas martesës së  Jakupit me Fatimen u  lindi djali – Aliu, fëmiu i tyre i vetëm.  Gëzimi  familjar nuk kishte kufi. Menjëherë u shpërnda lajmi i gëzuar se Bajraktarit të Anës së Malit i kishte lindur trashëgimtari. Për fatin e hidhur të tyre, ky gëzim u kthye në ankth , tragjedi e lot në momentin kur humbën përgjthmonë  në rrethana të pazbardhura  në lulen e rinisë djalin e vetëm Aliun,  dritën e syve dhe shpresën e jetës së tyre. Kjo humbje e pazëvendesueshme që ua thau zemrën dhe shpirtin për së gjalli  u ka ndodhur në kohën kur Aliu  ndodhej në shërbimin ushtarak    Suboticë në vitin 1936 .   Çdo  tragjedi thonë  ka edhe një të mirë mbrapa. Aliu, kur kishte shkuar ushtar kishte lënë bashkëshorten shtatëzënë. Pas vdekjes së bashkëshortit  të saj lindi djalin  - Xhaferin.  Gjyshi Jakup   ia ndërron atij  emrin  në Ali për t’ia ruejtur emrin djalit të vet. Emrin e tij e trashëgon  me krenari  pinjolli i kësaj familje Jakup Alia , i cili jeton në Tivar. Për të thonë se për nga pamja fizike   i ngjanë shumë bajraktarit.

Falamurtar ( bajraktar) i popullit e jo i pushtetit

Roli i Jakup Xhafës me krerët e tjerë të Anës së Malit ka qenë i madh  në të gjitha  periudhat historike në të cilat ka jetuar dhe vepruar në mbrojtjen dhe shpëtimin e kësaj krahinë nga luftimet dhe shkatërrimet. Është meritë e tij dhe e bashkëluftëtarëve vullnetarë  anamalasë që në kohën e tyre popullata vendase nuk pësoi dëme më të mëdha nga ushtritë okupuese të  kohës. Me një fjalë ishte Ora e Anës së Malit,  shprehen bashkëvendasit e tij.

Me emrin e Jakup Xhafës   është e lidhur një periudhë e gjatë kohore. Dallohej në mes të krerëve  për pozitën e tij ekonomike, shoqërore dhe për besimin që gëzonte te autoritetet qeveritare.U printe anamalasve ilirë  në jetën e tyre shoqërore dhe „shtetërore“.  Në çdo rast rreziku nga pushtuesit e ndryshëm   për popullatën e vet qëndronte në krye të vullnetarëve.

„ Pa qitë unë pushkë i pari ,  as ju mos qitni. Pas meje mund të  qitni ju”, u thoshte  vullnetarëve të tij të cilët kishin respekt e nderim të madh për prijësin e tyre. Këto fjalë  dëshmojnë se sa  ai përkujdesej    për jetën e secilit anamalasë vullnetarë  në mbrojtje të trevës së tyre.

Bajraktari Jakup Xhafa ishte i gatshëm  të sakrifikojë  çdo gjë deri në sublim, nëse është nevoja,  e jo të jepë thjeshtë  urdhëra   “ushtarake”. Thënë shkurt  e qartë  ishte bajraktar ( flamurtar) i popullit e jo i pushtetit. Ishte njeri i paqes dhe i pajtimit.  Atë vendasit e mbajnë mend si njeri që në shumë raste e ka ruajtur nga belaja ( e ka  shpëtuar)  Anën e Malit nga lufta dhe plaçkitjet e shpeshta   gjatë Luftës    Parë dhe të Dytë Ballkanike, Mbretërisë  Jugosllave  dhe  Luftës së   Parë dhe    Dytë Botërore.  Ai thoshte se  për luftë kurrë nuk është vonë, por do të ishte mirë që edhe konfliktet midis popujve të zgjidhen me marrëveshje. Ai nuk dëshironte që në luftërat e pakuptimta të  humbin njerëzit.  Prandaj para se të  fillohej të luftohej duhej të mendohej shumë mirë dhe me maturi, në mënyrë që të mos bëheshin dëme të mëdha në popull. Dhe vërtet ai ishte vizionar i llojit të veçantë, një strateg i pashoq i ruajtjes së  popullatës vendase,  që e deshti dhe e adhuroi aq shumë.

Janë shumë domethënëse  fjalët e tij drejtuar pushtuesve shekullorë sllavë:

“ Populli ëm i don të  gjitha të drejtat si popujt e tjerë. Ne nuk bajmë ujdi (marrëveshje)   me kurrkan    dëshiron zaptimin e tokave shqiptare. Këtu pa  derdhë  gjak  nuk ka vend asnji pushtues. Dera jonë ashtë e hapun gjthmonë vetëm për miq e dashamirë. Të tjerët mund të kthehen prej nga kanë ardhë”.

Njeri i dashur e mikpritës

Jakup Xhafa ishte njeri i dashur dhe i sjellshëm  në familje dhe shoqëri. Nuk i dhimbsej asgjë nga pasuria e tij për pjesëtarët e familjes, sespe në fund të fundit thoshte , pasuninë e kem vu me djesën e tyne, prandaj edhe duhet ta gëzojnë.  Ka pasur kalin e bardhë të  shalës, qe, lopë, dhi, dele etj.Të gjtha këto atij i mundësonin  një jetë të mirë ekonomike.  Këtë pasuri shtëpiake e ndante  me shokë e miq të shumtë, të cilët ishin mysafirë të shpeshtë të Jakup Xhafës. Pra, ishte shumë bujar.  Mikpritës e dorëdhënë.  Sofra e tij çdo herë ishte e shtruar për  miq e dashamirë ngado qofshin ata. E, nuk mund të ishte ndryshe  pritja sojnike  në Kullën e Gjeloshajve, ku Jakupi i mësoi vlerat më të mira e më pozitive që trashëgoi dera e tyre famëmadhe. Ai nuk kursente asgjë të vetën për t’u ndihmuar të tjerëve.

Fjala e tij ishte e fundit

Ai përveçse  merrej me drejtimin dhe organizimin e jetës familjare merrej edhe  me drejtimin e bajrakut, me pleqërimin e gjaqeve e konflikteve të ndryshme.Si figurë qendrore e Anës së Malit bashkëpunonte me   kryepleqët  dhe pleqët e Anës së Malit,  Jonuz Peraj ( Shas), Kasem Isenin ( Kravar), Musa Llollën ( Rashtishë), Selim Metën ( Rashtishë), Brahim Lilën ( Kllezën), Halil Salën dhe Tahir Çapriqin ( Krythë) e të tjerë. Ai në takimet e ndryshme me burrat e urtë të kësdaj krahinë , në asma, morte, fe, festa familjare e tubime të tjera  jepte këshilla të nevojshme për të mirën e vendit të vet.  Nuk kishte pleqëri në Anë të Malit pa pjesëmarrjen e tij. Fjala e tij   kishte peshë  të madhe dhe ishte vendimtare.

Ja një rast.

Një burrë  anamalas të cilit bashkëbiseduesit e mi nuk ia dinë emrin e ka pasur një vajzë të vetme. Thonë se ka qenë shumë e bukur dhe shumë e kërkuar.  Për të  interesohej  edhe Bajarm Gramushi nga rrethi i Shkodrës. Ai  dëshironte me e marrë këtë vajzë për grua  me çdo kusht. Madje  edhe babait të sajë i cakton ditën se kur do të vijë  ta marrë atë,  qoftë edhe pa vullnetin e tij. Babai i vajzës i shqetësuar për fatin e vajzës dhe nderin e familjes i fton kryepleqët e Anës së Malit në krye me bajraktarin e tyre Jakup Xhafën ditën kur Bajram Gramushi kishte caktuar ditën  e ardhjes për të marrë  bijën e tij.  Pleqtë mbërrijtën  të parët. Pas tyre edhe  Bajram Gramushi. Bisedën e fillon kush tjetër veç  bajraktari Jakup Xhafa. Ai e pyeti të zotin e shtëpisë: Kush ashtë ky mik i panjoftun dhe për çka ka ardhë sot këtu?

- Asht “mik” i pathirrun. Ka ardhë me na e  marrë  vajzën pa qefin tonë”, përgjigjet  kryefamiljari.  A doni me ia dhanë vajzën këtij burri”? - i pyeti prindërit e saj Jakupi.

Ndërsa vajzës i thotë: “ A ia ke dhanë fjalën  kujt ?

- Jo! - përgjgjen ata.  Pas këtyre fjalëve Jakupi i drejtohet “myasafirit” me zë të lartë e hidhërues:”

- Atëherë ,  çka don ti sot nga kjo familje?  Prej tash  e mbrapa  këtë vajzë kërkoje te unë. Sa ma parë ktheju  prej nga ke ardhë!

Bajram Gramushi e kuptoi siç thotë populli sa ashtë sahati.  Ai kthehet i nervozuar e i turpëruar në shtëpi, pa  patur guxim  të interesohet më për këtë vajzë.

Shembuj të tjerë nga pleqëritë e shumta të Jakup Xhafës  ka shumë. Sikurse edhe   jo pak ngjarje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tij. Edhe  fjalë të urta nga ai. Edhe këshilla të tij që janë aktuale edhe në ditët e sotme.

Pararojë në mbrojtjen   e popullatës vendase

Jakup Xhafa  bashkëpunonte me   kryepleqët  dhe pleqët e Anës së Malit: Jonuz Perajn ( Shas), Kasem Isenin ( Kravar), Musa Llollën ( Rashtishë), Selim Metën ( Rashtishë), Brahim Lilën ( Kllezën), Halil Salën dhe Tahir Çapriqin ( Krythë) e të tjerë. E donin dhe e respektonin shumë bashkëkohësit e tij deri në atë masë sa që kurrë nuk e thërrisnin në emër por me epitetin “Bajraktar”.

Nuk ka qenë njeri hakmarrës. Megjithatë për çështje nderi, prestigji etj.  nuk falte njeri.  Ishte i rreptë. Trim si zana. Për trimërinë e tij flitej  përtej Anës së Malit. Ia kishin frikën edhe ata që në popull njiheshin si vrasës të disafishtë. Edhe eprorët e ushtrive të kohës, të cilët disa herë  tentuan  pa ndonjë sukses të madh të plaçkisin  familjet anamalase, e ti nësnhtronin ato.  Gjithmonë me vullnetarët e tij qëndroi pararojë në mbrojtjen   e fshatarëve dhe  fshatrave të Anës së Malit.

Dekoratë nderimi

Për ta përfituar për vete këtë  figurë  popullore  e shoqërore të kohës në të cilën jetoi mbreti Aleksadnri i Parë  në Beograd , më 25 nëntor të vitit 1925 e dekoron  atë me Dekoratën e argjendtë.  Veç kësaj  ushtria e  Mbretërisë  Jugosllave  i jep Jakup Xhafës mëhyrin ( vulën) , një revole të markës “ Lagant    “ dhe  dy  truproje të tij:  Kasem Isa  Lleshin dhe Hys Tahir Bishën ,të cilët  i kanë shërbyer atij   prej vitit 1925 deri në vitin 1938. Ai kshte edhe përkthesin, Osman Cucën nga Sukubina. Megjithë tentimeve të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene që ta “ thyejnë” Jakup Xhafën,  ky   simbol i qëndresës, burrërisë dhe urtisë  nuk ra pre e  qëllimeve  mbretërore. Nuk u mposht. As nuk u gjunjëzua.  Mbeti i pathyeshëm. Besnik  ndaj popullit të vet derisa është mbajtur në këmbë dhe kishte frymë.

Përfundim

Jakup Xhafa bëri emër.  La emër.  Mbeti emër i mirë . I paharruar. I respektuar. Zë madh për vepra fisnike  në të  mirë të  popullatës së Anës së Malit. Si i tillë do të mbetet kujtimi më  bukur i një njeriu të nderuar në Anë të Malit në brezat që do të vijnë. Ai do të rrezatojë gjithmonë tek brezat fisnikëri, paqe, respekt e dashuri njerëzore. Ai do të mbetet gjithmonë mishërim e vlerave më të larta  njerëzore midis fiseve të Anës së Malit. Aq e respektonn figurën e tij saqë kravarasit  deri vonë ndërsa uronin nënën për lindjen e djalit i thonin: „ U bëftë si bajrakatari Jakup Xhafa!“

Me vdekjen e tij  në vitin 1960 u shua edhe institucioni i bajraktarit në Kravar  dhe në Anë të Malit. Njerëz të këtillë në këtë krahinë nuk ka shumë. Ata janë të rrallë. Për këtë arsye  anamalasit edhe sot  mburren  dhe ruajnë kujtime të mira  për  prijësin – flamurtarin e tyre të dikurshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora