E enjte, 03.10.2024, 10:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Drita Lushi - Dashuria lulëzon gjithë vitin

E marte, 27.12.2016, 04:07 PM


DRITA LUSHI: “DASHURIA ÇEL NË PRILL” DHE LULËZON GJITHË VITIN…

Nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.

Nuk është rasti i parë, që po shkruaj për një krijuese, e cila i ka fiksuar frymëzimet e veta, jo vetëm në vargje poetikë, por edhe në tregime ose romane. Kësaj here, e kam fjalën për Drita Lushin, e cila me profesion është farmaciste, nga qyteti i Librazhdit dhe me banim familjarisht në kryeqytet, por që u ka dhënë lexuesve tre libra. I pari, për të cilin po ndalem shkurtimisht këtu, e ka titullin “Dashuria çel në prill”(Tiranë, 2013). Ai përmban 18 tregime, të cilat trajtojnë tema të ndryshme nga jeta. Ashtu siç shprehet në hyrjen e tij, Demir Gjergji, redaktori i këtij libri, “Drita merr prej vjershërimit dhe e i futë në prozë: ndjenjën, emocionin, ritmin e të rrëfyerit,sinqeritetin e komunikimit me lexuesin, kulturën e të shkruarit, ritmin e frazës dhe, sidomos, sinqeritetin e të shprehurit të ndjenjave”.

Sigurisht, interesi i lexuesit është të dijë, nëse titulli i këtij libri, pra “Dashuria çel në prill”, është marrë nga ai i ndonjë tregimi ose jo. Por, në fakt, nuk është kështu, pra ai sikur mbledh të gjithë përmbajtjen e tregimeve të këtij vëllimi. Në tërësi, autorja ua ka kushtuar librin prindërve të saj. Kështu, tregimin e parë, me titullin “Vals, me të bardha” ia ka kushtuar babait. Vëmendjen e lexuesit e tërheq tregimi vazhdues, “Shtatë ditë”, pra sipas ditëve të javës: “Dita e parë” etj. Ngjarjet e tregimit, “Gjerdani më i bukur”, Drita i ka vendosur në qytetin e Gjakovës (Kosovë).

Duke e shfletuar më tej këtë libër, gjejmë tregimin “Vendim i vështirë”. Që në fillim, lexojmë këto radhë grishëse të autores: “Kishte ditë që s’po mundja të flija krejt e qetë. Një ndjenjë, që s’e kisha provuar më parë, më kishte bërë  të mendoja thellë dhe shpesh nuk e linte gjumin  të më afrohhej. Pavarësisht se ishte diçka e bukur, më kishte pushtuar aq shumë, sa më dukej vetja “e mbytur”  në gëzim. Po kështu, kishte përfshirë dhe mendimet e arsyetimet e mia, shpeshherë të tepëruara…”.

Vallë, për çfarë tregon autorja e këtij tregimi? Fjala është për një vajzë mbi 30-vjeçare, që ishte mbyllur në “guasskën” e saj  dhe nuk i interesonte se çfarë bëhej për rreth.Nuk ia tërhiqte vëmendjen asnjë mashkull. Të gjithë i dukeshin njëlloj?! Por ngjarjet të tërheqin, me rrjedhën e mëtejshme të tyre. Atë e dërguan me shërbim në një qytet tjetër dhe atje, pa e paramenduar, gjeti shokun e jetës, Gjergjin. Ndjenjat e tyre u bashkuan dhe në pragun e vitit të ri, vajza e dikurshme “indiferente”, iu përgjigj propozimit të tij, që festën ta kalonin së bashku…

Tërheqës janë dhe tregimet tjerë, si: “Trëndafilat”, “Adhurimi”, “Sekreti”, “Shi”, “Sytë”, “Sara” dhe deri te më i fundmi i këtij vëllimi, “Dy etyde”(Baticë dhe zbaticë”). Pra, asnjë tregim nuk është me titullin, që ka tërë ky libër, “Dashuria çel në prill”?!

2.

Krijuesja Drita Lushi njihet më tepër nga lexuesi, me krijimtarinë poetike të saj. Për këtë fakt dëshmon vëllimi i parë me poezi, “Ëndërr…”(Tiranë, 2012), si dhe tjetri, “Flirt”(Tiranë,2014). Të parin ajo ia ka kushtuar së bijës, Jenlës.

E lindur në një qytet të vogël, edhe pse me detyrën e farmacistes, pra që nuk ka studiuar për letërsi, Drita thurë vargje të bukur. Ajo e ka gjetur frymëzimin e saj në jetën familjare, në natyrën e magjishme, te ndjenjat e çiltëra njerëzore të dashurisë  etj.. Prandaj, poezitë e vëllimit të parë kanë, kryesisht, këtë tematikë. Të tilla mund të përmendim: “Pikat e shiut”, “E dielë shkurti”, “Flokët e dashurisë” ose “Trokitje pranverore”, ku ajo shkruan: “Dhe tre,/dhe katër/dhe dhjetë cicërima zogjësh;/ pranvera qenka rrugës:/Po dal ta pres,/eja  dhe ti me mua!” Ndërsa, në një poezi tjetër, lexojmë këto radhë: “Sot u putha me pranverën,/shëëëët, ju lutem, mos tregoni,/kur t’na shihni sërish bashkë,/lojën tonë do ta kuptoni…”.

Pa u zgjatur më tej, në poezitë e këtij vëllimi, na tërheqin e na mbeten në mendje edhe ato kushtuar gjyshes, babait e nënës ose së bijës. Të tilla janë edhe ato me titujt: “Planetet e dashurisë”, “Dikush më besoi zemrën”, “Dy buzë”, “Do t’ më mungosh”, “Dashuri tokësore” e “Valët e shpirtit”, por dhe “Në zërin tënd”, “Do të dua përsëri”, “Natën e mirë, qyteti im” dhe “Puthmë!”.

Pa bërë ndonjë analizë të poezive të vëllimit tjetër të autores Drita Lushi, “Flirt”, mund të themi se, në periudhën kohore dyvjeçare, ndërmjet dy botimeve, vërejmë një ngjitje të cilësisë, në 114 poezitë, që përmban ai. Për këtë gjë janë shprehur me fjalë dashamirse edhe Ndue Lazri (gazetar, Bolonjë-Itali), Timo Mërkuri (studiues e poet) dhe gazetari e poeti Demir Gjergji.

…Në mbyllje të këtyre radhëve modeste, e përshëndesim dhe e përgëzojmë krijuesen Drita Lushi, për botimet e deritanishme! Gjithashtu, jemi të bindur se përsëri do të lexojmë prej saj krijime të tjerë, gjithnjë e më të arrirë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora