E shtune, 27.07.2024, 02:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Monografi me vlera të qëndrueshme

E merkure, 28.12.2016, 10:47 AM


FJALA E REDAKTORIT

MONOGRAFI ME VLERA TË QËNDRUESHME SHKENCORE

Para disa muajsh, mësimdhënësi i gjeografisë, miku im, Lush Ahmeti, nga fshati Ramun i Lugut të Leshanit, komuna e Pejës, tek po pinim kafe bashkë, më  shpalosi idenë se ishte duke mbledhur material të fushave të ndryshme, e sidomos etnogjeografike, nëpër fshatra të krahinës Lugu i Leshanit. Pasi e përgëzova për këtë ide mjaft të qëlluar dhe të dobishme, Lushi kërkoi nga unë që t’ia siguroj disa nga veprat e mia, me theks të posaçëm ato të fushës së toponimisë dhe ato monografike, por, edhe të tjera!

Duke u ndjerë mirë për këtë ide të mikut tim, jo vetëm që i sigurova literaturë të mjaftueshme, por ia dhashë edhe një Pyetësor për punë në terren, të cilin e përdor edhe vetë dhe e kurajova që të mos i ndahet punës së filluar, me premtimin tim se në çdo kohë do të jem i gatshëm të bashkëpunoj me të, me këshilla e sugjerime mbi bazë të përvojës sime, sidomos për metodologjinë e punës në terren, për vjeljen e materialeve nga tradita, etj.

Koha kalonte. Kur takoheshim me Lushin e pyesja se si i shkojnë punët në terren? Ai, me modesti, më thoshte: “Po, po punohet diçka, mirë shkojnë punët…” Vertet më vinte mirë që punonte në të mirë të shkencës. Ndërkaq, në fillim të shkurtit të këtij viti, Lushi më thirri në telefon që të takohemi e të pimë kafe. Pranova me kënaqësi. U takuam. Pas përshendetjeve rutinore, miku im m’u drejtua:”Profi, sipas mendimit tim, punën në terren e kam kryer. Materialin për Lugun e Leshanit e kam të gatshëm ta bëj libër. Dëshiroj që redaktor i këtij dorëshkrimi të jesh ti!”

Dhe, unë, pa hezituar, i thashë se me kënaqësi do ta bëj punën redaktoriale të këtij dorëshkrimi.  … Dhe, e bëra. Dorëshkrimi u përgatit për shtyp, të bëhet libër, ndërsa për titull vendosëm të jetë: “LUGU I LESHANIT – monografi etnogjeografike”.

Kapitujt e librit janë të sistemuar sipas një rregulli hulumtues e shkencor: Katunde të Lugut të Leshanit në dritën e shkrimeve dhe hartave të vjetra; Veçoritë natyrore – gjeografike, Relievi, Kushtet klimatike, Ujërat, Bota bimore e shtazore…

Ndërsa te popullsia janë sintetizuar çështje të rëndësishme, si: Struktura sociale e popullsisë, Migrimet e popullsisë, Kolonizimi dhe rikolonizimi i Lugut të Leshanit me sllavë, Fillet e arsimimit në ketë krahinë, etj.

Në kapitullin Nga Tradita Popullore e Lugut të Leshanit, autori jep të dhëna tradicionale për: ritet e fejesave, duke u ndalë në mënyrë të detajuar tek ceremonitë e dasmave, pastaj mikpritjen tradicionale si një nga vlerat që e karakterizon popullin shqiptar, ku përmend edhe thënien nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, se “Shpija e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.” Ndërkaq, ceremonitë e vdekjes përshkruhen që nga e kaluara e deri në ditët e sotit.

Po ashtu, duke e trajtuar Besën Shqiptare, si një virtyt të kombit tonë, autori thotë se ishte simbol i shenjtë nëpër kohë edhe ndër banorë të kësaj krahine të Rrafshit të Dukagjinit. E, në anë tjetër, shpjegon se në dekada të fundit, Besa,  sikur ka filluar të humbë rolin dhe përdorimin praktik të saj.

Lojërat e vjetra të barinjve dhe të fëmijëve që janë luajtur dikur në Lugun e Leshanit, zënë vend të rëndësishëm në përpjekjen e autorit që t’i prezantojë ato ashtu si kanë qenë, sipas ruajtjes në kujtesë, sepse shumë prej atyre lojërave nuk luhen më – janë në zhdukje e sipër, apo, janë zhdukur tërësisht, si lojërat: “Kali – koz”, “Gurapeshi”, “Guxhaz’,  “Mshef a çok”, “Vizak”, “Me bahër”, etj.

Tek Veshjet Popullore, autori Ahmeti përkujton se cilat ishin veshjet e pleqve, të burrave, të grave, të vajzave, dikur, në këtë krahinë etnogjeografike, duke e shoqëruar edhe me ilustrime të punuara me pasion nga piktori Daut Atashi.

Gjithashtu, kullat si vlerë e kulturës sonë material, që ka pasur shumë sosh në Lugun e Leshanit, e që me kalimin e kohës edhe këto, pothuaja, tërësisht janë zhdukur, janë paraqitur si arkitekturë por, dhe si objekte strategjike banimi e qëndrese.

Në vazhdim autori ka dhënë, në mënyrë përimtuese, pasqyrë komplekse për 17 vendbanimet e Lugut të Leshanit, si: të dhëna për vjetërsinë e secilit vendbanim dhe popullatën e tyre, sipas defterëve mesjetarë, burimeve të ndryshme shkrimore, legjendave të ruajtura në traditë të këtushme, etj. Këtë studim autori e begaton edhe me përshkrime të pozitës gjeografike, shkollimin nëpër  breza, pastaj vëllazëritë, gjenealogji familjesh, zhvillimet bujqësore ngase Lugu i Leshanit është zonë rurale dhe se popullata këtu, kryesisht, jeton nga bujqësia e blegtoria, etj.

Toponimia dhe mikrotoponimia e fshatrave të Lugut të Leshanit, e vjelë në terren dhe e sistemuar me kujdes, ia shton vlerat kësaj përpjekjeje studimore të L. Ahmetit.

Kështusoji, të dhënat për secilin fshat përmbyllen me shënimet për Luftën e viteve 1998 – 199 në Kosovë, vuajtjet, përjetimet e rënda, qëndresën, sakrificat e popullatës, dëshmorët, etj.,  paraqesin një pjesë të historisë më të re të kësaj krahine.

Në fund, do thënë se vepra “Lugu i Leshanit – monografi etnogjeografike” e Lush Ahmetit është vepër e ndërtuar sipas modeleve të veprave monografike të tipeve të ndryshme, etnografike, gjeohistorike, etografike, onomastike, etj., dhe se përmban vlera të qëndrueshme studimore – shkencore.

Mr. SKËNDER R. HOXHA

12 nëntor 2016,

Në Gllaviçicë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora