E marte, 30.04.2024, 05:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Zina Zdrava: Ndërtimi i këngëve popullore kërkon një lloj kualifikimi, një lloj shkolle për ti kënduar

E diele, 24.08.2008, 04:33 PM


Zina Zdrava me te bijen
Zina ZDRAVA: Ndërtimi i këngëve popullore kërkon një lloj kualifikimi, një lloj shkolle për  ti kënduar

Endrra ime ka qënë Ansambli Popullor

Nga Albert Zholi

Një grua e qetë, e ëmbël, e sinqertë. E nisi rrugën e bukur të këngës në qytetin karakteristik të Elbasanit, për të arritur majat në skenat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Studioi për kanto, por asnjëherë nuk la pas dore këngën popullore. Përkundrazi kjo këngë i dha famën në gjithë hapësirat globale e populluar me shqiptarë. Por Kosova ka qenë dhe mbetet vendi i preferuar i saj, vend ku ka dhe fansat më të shumtë. Herë e zhgënjyer, herë e përkëdhelur nga fati, Zina ka një eksperiencë të veçantë në skenat shqiptare dhe ndjehet e realizuar pasi rrugën e saj e ka trashëguar vajza. Kjo e lumturon shumë dhe ndjehet e çliruar, mbasi boshllëqet apo mosrealizimet e saj është e bindur që do ti bëjë realitet vajza e saj e cila studion në Itali për kanto. Huazimet e këngës popullore shqiptare ajo i quan të përkohshme pasi koha do ti çoj në vend luhatjet apo dallgëzimet që e kanë shtremëbruar këtë këngë që në themel ka ndjenjën dhe shpirtin e pastër të popullit.

Jeta është e mbushur me tipa dhe karaktere. Zina një emër interesant në skenën shqiptare në çtipa hynë, në të vështirët, apo në të shoqërueshmit ?

-Unë jam tip i shoqërueshëm. Në shoqëri jam shumë tolerante dhe kjo është një e metë e imja.Unë jam tip që të ndihmoj dhe  mosha më ka  bërë  pak  që në momente të caktuara edhe jam zhgënjyer. Në fëmijëri unë kam kaluar shumë mirë me  shokët dhe mësuesit.

Si jeni lidhur me këngën. E gjetët ju apo ju gjeti kënga ?

Se di. Kam kënduar që 7 vjeçe. Në klasë të parë kur u futa në shkollë, kishim mënsimin e këngës dhe mësuesja thotë se  kush do të këndojë një këngë. Dal në dërrasë të zezë dhe fillova një këngë “Genci i vogël në dërrasë të zesë”. Kjo ka qenë kënga ime e parë.Kur shkova në klasë të tretë në Elbasan në shkollën “Jeronim De Rada” udhëheqësi artistik që kishte shkolla, zgjidhte  nxënësit se kush këndonte. Ndër ato nxënës isha edhe unë. Gjatë kësajë kohe merresha edhe me aktivitete të shkollës. Më vonë futem në shtëpinë e pionierit dhe aty filloj të marr  pjesë në koncertet e  ndryshme  të rrethit. Marr pjesë në një festival për pionier  me këngën e “ushtarit trim”. Kjo ishte këngë për fëmijë. Këngë popullore  në këtë moshë nuk kam kënduar.Me kalimin e kohës  filloi të më kultivohej brenda vetes kënga popullore.

Nga familja juaj a ka pas kënduar dikush më parë ?

Në shtëpinë time kam pasur nënën që këndonte. Ka pasur një zë të bukur. Këndonte në mënyrë shumë natyrale dhe në momentin që ajo këndonte unë e dëgjoja me ëndje. Ndjeja një gëzim të madh..
 
Vijmë tek kënga popullore. Kur keni filluar ta kultivoni këtë lloj kënge?

Këngën popullore e kam kënduar vonë. Kam  qenë në vit të parë të shkollës së mesme.Herë herë më dukej sikur ngjasoja me zërin e Zeliha Sinës.Kur shkova në shtëpinë e Pionierit mu duk se rruga mu hap. Në vit të parë të shkollës së mesme shkoj për violinë.Në një koncert të këngës popullore Alfons  Balliçi, bëri një sugjerim për mua duke më thënë se ti nuk duhet të vazhdosh për  violinë por për kanto, se ti je e prerë për të kënduar dhe më ofron kompozimet e tija.Unë  menjëherë iu përgjigja idesë së tij duke mësuar për kanto dhe duke kënduar njëkohësisht këngë popullore. Pashë se këngën popullore e këndova pa asnjë lloj vështirësie.

Kur keni qenë nxënëse në Elbasan cilat kanë qenë aktivitetet tuaja ?

Aktivitetet kanë qenë të shumta. Ne herë pas here shkëputeshim nga shkolla. Kanë qenë festivalet e  muzikës  së lehtë dhe ato popullore. Kam marrë pjesë në ansamble të ndryshme  dhe takimet e rretheve që  zhvilloheshin në Durrës, në koncertet me rastin e festave dhe në premierat e estradave dhe të shtëpisë së Kulturës. Prania ime ka qenë kudo. Ndjehesha shumë mirë,  e mbushur dhe nuk kisha  kohë për pushime.Edhe sot e kësajë dite unë jam e pranishme në aktivitetet e Elbasanit. Për  këtë  falenderoj shumë drejtuesit artistik të qytetit.

Kur mbaruart shkollën e muzikës për kanto në Elbasan, erdhët në Tiranë  për  të filluar  Akademinë e Arteve.?

- Shkollën e mesme e mbarova në vitin 1977. Këtu iu nënshtrova një konkursi. Konkuruan 27 veta për kanto dhe fituam vetëm dy. Unë u ndjeva e vlerësuar për atë  që isha e pregatitur. U bëra këngëtare me emër qysh në shkollë të mesme. Fitova një emër falë punës sime, por nuk lija mënjanë muzikën klasike. Të dyja nuk i ndaj dot. Në Akademinë e Arteve kam studiuar për kanto, por këngën popullore nuk e ndava sërishmi. Por nuk  është e lehtë të këndosh këngë popullore.Ndërtimi i këngëve popullore kërkon një lloj kualifikimi, një lloj shkolle për  ti kënduar, sepse kanë brenda frazën e gjatë, frymëmarrjen e madhe, notat e vogla dhe këto janë gjëra shumë profesionale.

Pra bashkë me Akademinë ju u shkëputët nga qyteti juaj i dashur i Elbasanit. Si vazhdoi udha juaj e këngës?

Në vitin 1977, unë jam shkëputur nga Elbasani. Por edhe në shkollë në Akademi  aktivitetet kanë qenë të shumta. Kam marrë pjesë në aktivitetet e  dekadave të Majit dhe ndjehesha mirë. Kur mbaroi shkolla më dërguan në Ansamblin e  Ushtrisë. Këtë vend pune nuk e  kam pasur shumë dëshirë, sepse nuk isha shumë afër asaj që unë kisha për të dhënë apo ndjeja. Por ashtu, ishte koha atëherë.Dëshira ime ka qenë gjithmonë Ansambli Popullor, ëndërr apo dëshirë që nuk mu realizua.

Sa  kohë qëndrove  tek Ansambli i Ushtrisë?

Kam qëndruar 12 vjet. Por edhe aty aktivitetet dhe turnetë kanë qenë të  shumta. Nqs e falënderoj këtë punë, ishte ajo se më dha mundësinë që ta shikoja Shqipërinë nga veriu në jug, ku shumë njerëz  nuk e kishin këtë mundësi.Ka shumë njerëz  që kanë dëshirë të madhe të lëvizin(sidomos në atë kohë), por nuk u është dhënë mundësia si ne për të lëvizur

Pas 12 vitesh, kur u larguat nga Ansambli i Ushtrisë, si vazhdoi jeta juaj skenike ?

Më pas ngela pa punë. Ansambli u shkri. Ka qenë viti 1993. Për të gjithë qe  periudha e tranzicionit. U mundova që të gjej veten në mësimdhënie. Pavarësisht  se unë isha e re, mendoj që isha në një periudhë shumë frytdhënëse dhe mund të jepja edhe më shumë në fushën e këngës. Atëherë aktivitetet ishin shumë të pakta. Pikërisht, kur mendoja se isha në udhëkryq, më ndihu fati të futesha në Liceun Artistik si mësuese. Edhe në kohën që unë  kam qenë në Ansamblin e Ushtrisë kam dhënë mësim si pedagoge e jashtme. Kisha një dëshirë të brendëshme që, atë që ndjeja, doja t’ua transmetoja  edhe të tjerëve. Dhe kjo u realizua nga momenti që unë u shkëputa  nga Ansambli  dhe  u vendosa atje ku jam edhe sot.

Si janë marëdhëniet me nxënësit tuaj apo me kolegët në këtë stinë të veçantë tranzicioni të shoqërisë shqiptare?

U bëmë 15 vjet. Ne nuk kemi klasa kolektive. Klasat janë një orë mësimi me një nxënës, dhe krahas mësimdhënies, kemi edhe marëdhëniet prindërore. Kjo lloj moshe ku jap mësim është pak delikate, sepse është një moshë adoleshente. Ne duhet të japim mësim, por dhe të marrim kënaqësi. Mundohemi që të futemi edhe në botën e  brendëshme të nxënësve. Marëdhëniet i kam të mira, korrekte me respekt të ndërsjelltë. Kam patur edhe raste që edhe jam zhgënjyer, pasi unë me nxënësit qëndroj 4 vjet dhe jam jo vetëm pedagoge por edhe prind për ta. Por kam vënë re se ka nga ata që, nuk  më  përshëndesin  qoftë edh një 7 mars  apo një përshëndetje me telefonatë, kur janë larguar. Ka mënyra të ndryshme  për  të shprehur mirënjohjen. Ka edhe nga ata që vërtetë më vlerësojnë. Unë edhe sot kur shkoj në Elbasan e takoj profesorin tim Faik Peçin dhe e falenderoj  për atë  që ai ka  bërë  për mua. Dhe  në shkollën e  lartë përshëndes  profesorët e  mi. Ata më kanë hapur rrugën e jetës.

Një jetë në skenë me këngën popullore, a ka bërë ndonjë album Zina ?

Jo se është turp për mua që nuk kam bërë një album.Janë  mundësitë  ato që nuk më kanë lejuar  deri tani. Një  ditë po dëgjoja një intervistë të Miron Kotanit në Radio Tirana dhe më pëlqeu dhe thoshte se këngëtarët duhet të ndihmohen edhe pak nga shteti, apo edhe nga shtëpitë  diskografike. Pa  patur këtë lloj mbështetje këngëtarët ndjehen të vetmuar. Unë nuk kam se si e marr inisiativën të nxjerr me të ardhurat e mia një album, sepse çmimet janë në stratosferë. Rrogat tona jnë tepër modeste në krahasim me ato që kërkojnë shtëpitë diskografike.Shumë këngë të repertorit tim janë në radio.
Muzika popullore ka kaluar një krizë dhe vazhdon të jetë akoma në krizë, këtë gjë  po e vuajnë shumë këngëtarët  profesionistë  siç  jeni edhe  juve. Kjo jo vetëm se ka huazime, por edhe se dalin këngëtarë anonimë që nuk kanë lidhje me këngën por me lëvizjet.
Por  niveli  është për tu dëshiruar. Ka shumë  pseudo këngëtarë që marrin një guxim të madh.Nuk nisen për të bërë një art të mirëfilltë po nisen për të bërë komercializëm. Albumet tani janë kthyer në biznese.Biznesi ka lidhje me shtëpitë diskografike gjë që është për të  ardhur  keq. CD sot mund të bëjë një femër e bukur. Një këngëtar i ri që ka para. Ato që kanë hedhur themelet e këngës popullore shihen me mospërfillje. Unë i thashë një shtëpie diskografike se a mund të më ndihmosh për të bërë një album si fillim, jo më thanë se mua më ngelet cidia aty dhe nuk më shitet  më thanë, unë  shikoj  interesin, dhe deri atë moment unë hoqa  dorë.

-Do të ndalemi pak tek vajza juaj që e keni studente në Itali dhe ka  shkëlqyer  atje ku ndoshta  është konkurenca më e fortë dhe nuk jepet vlerësimi si këtu në  Shqipëri  por  dinë të japin  vlerësim.Na flisni pak për të?

Vajza ime është në Itali në Bolzano. Këtë vit mbaroi degën e kantos, pra ma trashëgoi zanatin. Këtu e kam pasur prej shtatë vjetësh nxënëse. Nuk dua që  të rinjtë që vërtetë kanë  talent të zhgënjehen pa e nisur jetën mirë, siç ndodh rëndom këtu në Shqipëri. Jam munduar që vajzës time tia jap mundësitë e ndryshme për të marrë atë lloj kënaqësie që se shijova vetë.Ka patur momente  që më ka thënë se unë nuk jam për këtë gjë. Unë i kam vënë një pikëpyetje vetes.Sa më tepër  këngëtari del në skenë  aq  më i pjekur  dhe më i mirë  bëhet.Faktori moshë ka të bëjë  shumë tek këngëtarët. Gjërat akumulohen dhe piqen në tërësi.Janë shumë faktorë që të formojnë si artist. Unë  këtë gjë e kam parë tek vajza ime. Unë e them me krenari  aty ku unë  pretendoja që ajo do të arrijë thuajse ka mundur ta realizojë. Ndjehem shumë mirë. Ajo ka shkuar në konkurse të
ndryshme, është vlerësuar shumë mirë, dhe është vlerësiar edhe me çmime.Këto i kanë dhënë një lloj mbështeteje dhe mund të them se edhe aty ku është ajo ndjehet shumë e  vlerësuar. Tani në shtator ajo ka një opera në teatrin kryesor të Bolzanos.Kjo mendoj se është një lloj hapje e dyerve për të në qoftëse ajo do ta justifikojë ashtu siç  duhet.

A ka patur gjatë gjithë jetës artistike tuajën ndonjë moment të vështirë  që ju e kujtoni?

Në vitin 1989 është bërë koncerti i këngës popullore që e organizoi  Vera Grabocka (regjizore), ku në listën e emrave të këngëtarëve isha dhe unë. Prisja nga puntata në puntatë që të merrja pjesë dhe një ditë në puntatën e fundit mar vesh që isha hequr nga lista. Sinqerisht u ndjeva shumë keq. Në atë kohë   unë kisha qenë në Kosovë ku në të vërtetë emri im ishte bërë shumë i njohur, aty ndjehesha shumë e vlerësuar. Nga heshtja u detyrova  të marr në telefon. Më del Ylli Pepo dhe i them si është e mundur  që nuk  jam në listën e këngëtarëve për koncertin.Ata në moment marrin vendimin dhe më thonë se je dhe hajde. Në vetvete ndjeva një emocion dhe thashë se përse  duhet ta kërkoj unë këtë gjë.Dal në katërshen më të mirë të koncertit dhe më pas dal e para.

Po momenti më i  bukuri i juaji në skenë kush ka qenë?

Momenti më i bukur  mund të them se ka qenë në Angli kur unë isha para dy vjetësh me një ansambël popullor ku zhvillphej një festival  shumë i madh dhe ishte audicioni i 60-të nën kujdesin e princit Carl dhe zhvillohej në Llango Llen.Aty kishte nga të gjitha rrymat e muzikës që nga ajo folklorja dhe nga ajo klasikja.Në  klasiket mori pjesë dhe vajza ime.Ne si grup marrim çmimin e katërt, ndërsa vajza  merr çmimin e  parë.Atëherë  atë  kënaqësi që kam  kam ndjerë  them se nuk  do ta ndej më asnjëherë. Atë gëzim  e ndjemë jo vetëm ne por  edhe ata anglezë  që ne na shoqëronin.Ishin një çift anglez që shoqëronin vajzën dhe në momentin që  vajza  ka  kënduar  dhe ka  fituar  çmimin e parë  ai më  ka  ngritur  në krah dhe më rrotullonte .Unë kam nxjerrë vetëm lot gëzimi.Vajza më thoshte se  nuk e besoj, pasi ka pasur  shumë  nga shtete të ndryshme.Ata thonin se në këtë skenë kanë kënduar këngëtarë të mëdhenj që nga Pavaroti e shumë të tjerë. Kjo skenë thonin është një ogur i mirë për një këngëtare që merr çmimin e parë. Them se do të jetë fat i mirë për të ardhmen e vajzës time.
 
Çfarë vendi zë politika tek Zina?

Nuk merrem me politikë.Politika ime  është vetëm muzika.

Si e keni kaluar këtë verë të nxehtë dhe  ku do ti kaloni pushimet këtë verë bashkë me familjen tuaj?

Pushime për këtë verë kanë qenë ditët sa kohë qëndroi vajza për pushime. Ndjej kënaqësinë që me të vërtetë ti shërbej asaj.

Po udhëtimet jashtë të pëlqejnë  dhe cili ka qenë vendi që të ka lënë më shumë  përshtypje nga bukuria?

Më pëlqen shumë të dal. Kam dalë shumë falë zanatit që kam.Çdo vend  ka bukuritë e veta.Më është dhënë mundësia që të shikoj shumë  gjëra të bukura, antikitete,  gjëra  që kanë një histori për çdo lloj vendi. Me vendin tim nuk vendos asnjë vend tjetër.Më pëlqen edhe ajo e shëmtuara në vendin tim.Mua më pëlqejnë njerëzit kur unë pi një kafe dhe bisedoj në gjuhën e nënës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora