E diele, 28.04.2024, 11:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Seminari i Albanologjisë në Prishtinë

E premte, 22.08.2008, 06:04 PM


Begzad Baliu
INSTITUTI ALB-SHKENCA
Prishtinë-Shkup-Tiranë
Seksioni i Albanologjisë

BIBLIOGRAFIA
PËRMBAJTËSORE E SEMINARIT Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 1974-2007
Recensues
Prof. dr. Shefki Sejdiu
Prof. dr. Zymer Neziri
Prishtinë
2008

SEMINARI NDËRKOMBËTAR PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE – INSTITUCION I POPULLARIZIMIT TË ALBANOLOGJISË

Nga Begzad BALIU

Parathënie

Përgatitja e këtij vëllimi me bibliografi përmbajtësore të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare kishte tri synime paradigmatike - historike, kërkimore dhe zotuese:
-së pari, në traditën historike të studimeve albanologjike, Seminari NGJLKSH ka nxjerrë tridhjetë vëllime të njëzetë e pesë vjetëve të tij dhe është në nderin e këtij institucioni që themeluesve, tashti të shtyrë në moshë, frekuentuesve të tij nga bota, dikur pëshpëritës të pakë fjalëve të shqipes, e tani albanologë me përmasa ndërkombëtare, t’u ofrojë një pasqyrë të plotë të zhvillimeve të tij;
- së dyti, në kërkimet e mia ka disa vjet që synoj të vë bazat e një metode të re shkencore në fushë të bibliografisë, e cila si model kërkimor u mungon botimeve të gjertanishme në fushë të studimeve bibliografike kombëtare dhe ndërkombëtare ; dhe
- së treti, njëri prej premtimeve të theksuara në takimin e parë të Seminarit (1974), nga drejtori i tij Profesor Idriz Ajeti, ishte zotimi për përgatitjen e një bibliografie të përgjithshme të studimeve albanologjike, e cila do t’u vinte në ndihmë studiuesve të kulturës shqiptare . Madje, sikur shprehej Profesor Pajazit Nushi, Seminari është institucion që përmban burimin e gjallë bibliografik.
Prej vitit 1966 e deri në vitin 1975 në Kosovë janë themeluar një varg institucionesh kulturore, arsimore dhe shkencore. Themelimi i tyre gjithsesi është rezultat i përpjekjeve të asaj kohe për avancimin politik të Kosovës, në kuadër të një liberalizimi politik e ideologjik, që bëhej përgjithësisht në ish – Jugosllavi. Kjo është periudha e një Lëvizjeje tipike iluministe në shoqërinë shqiptare të asaj kohe jo vetëm në Kosovë, por edhe në hapësirat e tjera shqiptare: Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi. Në vitin 1967 u rihap Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe u themelua Enti i Historisë së Kosovës (tash Instituti i Historisë), ndërsa më 1968 u organizua Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. Po në këtë vit, krahas revistës “Gjurmime albanologjike” (në tri seri: filologji, folklor e etnologji dhe histori,) filloi dalja e revistës shkencore “Kosova”, ndërsa vetëm tri vjet më vonë themelohet Akademia e Shkencave dhe e Arte! ve e Kosovës, si dhe revista e saj shkencore “Studime”.
Në këto rrethana të përshtatshme është themeluar edhe Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare , i cili do të merret jo vetëm me mësimin intensiv të gjuhës shqipe nga të huajt, por edhe me hulumtimin, vjeljen, studimin dhe popullarizimin e albanologjisë. Seminari do të bëjë të mundur krijimin e një qendre integrimi për shumë breza të albanologëve nëpër botë, të ndërprerë për shumë vjet me rrethimin politik dhe ideologjik të Shqipërisë.
Tri dekada më vonë, njëri prej themeluesve të këtij institucioni, dr. Fazli Syla, kujton se asnjëri prej institucioneve të themeluara në Kosovë “nuk është përcjellë me rezistencë më të madhe dhe me pengesa të ndryshme nga ana e Serbisë dhe e Jugosllavisë sesa themelimi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i këtij Seminari, me arsyetimin se këto institucione duhet t’i kenë vetëm shtetet” , e Seminari fillimisht punonte “sipas analogjisë së skemave ekzistuese të seminareve të Kroacisë, të Sllovenisë, të Maqedonisë dhe atij të sllavistëve të Serbisë.” Ideja e një projekti të tillë me karakter nacional mund të shihet edhe prej temave të planifikuara nga njëri seminar në tjetrin.
Prej programeve të viteve të para mund të shihet se Seminari ishte ideuar mbi dy koncepte pragmatike: mësimin fillestar të shqipes standarde nga të huajt përmes ligjëratave intensive në Fakultetin e Filologjisë, si dhe me hulumtimin, vjeljen dhe studimin e kulturës shqiptare. Fillimisht, kërkimet shkencore ishin të hapura dhe përfshinin një numër të madh fushash të albanologjisë: gjuhën, letërsinë, historinë, etnologjinë dhe kulturën e popullit shqiptar në zhvillimet e brendshme dhe krahasuese të saj, ndërsa gjendja aktuale shoqërore dhe politike e shqiptarëve trajtohej vetëm brenda “arritjeve” të tyre në ish-Jugosllavi. Pra, tri vjetët e para, të gjitha kumtesat organizoheshin si një strukturë historiko-kulturore e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, që në të vërtetë ishin sinteza të hulumtimeve dhe arritjeve më të reja të studiuesve shqiptarë në ish-Jugosllavi: Idriz Ajetit, Ali Hadrit, Rexhe! p Qosjes, Mark Krasniqit, Pajazit Nushit, Anton Çettës, Zef Mirditës, Gani Lubotenit, Shefqet Pllanës, Isak Shemës, Hasan Kaleshit, Jashar Rexhepagiqit, Engjëll Berishës etj. Ato organizoheshin si një tërësi e projektuar për dijen mbi shkencën e albanologjisë, sa të përgjithshme po aq edhe kulminante, që të huajt duhej ta zotëronin për popullin shqiptar.
Mbi këto parime ishte projektuar një pamje e shenjave themelore historike të lëvizjeve nacionale të popullit shqiptar dhe përfaqësuesve të tij. Në vitin e parë të Seminarit ishte ligjëruar: tema e madhe e etnogjenezës së popullit shqiptar, rëndësia historike e Lëvizjes Çlirimtare në Epokën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, lufta e popullit shqiptar për autonomi në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, letërsia e romantizmit shqiptar dhe e romantizmit europian, dramaturgjia shqiptare, arkitektura dhe familja shqiptare në Kosovë, pozita e Kosovës në RSFJ etj. Në vitin e dytë, objekt studimi ishte bërë pozita materiale dhe shpirtërore e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, prandaj trajtoheshin temat: për zhvillimin e gjuhësisë shqiptare në Jugosllavi, për këngët popullore të Tanzimatit në Kosovë, për epikën popullore shqiptare mbi luftën e Kosovës, për gdhendjen artistike të drurit në fshatrat e Kosovës etj . ! Në vitin e tretë qarku i temave të mëdha shqiptare shihej edhe në kontekst të kulturave të tjera ballkanike dhe evropiane, prandaj ishin lexuar kumtesat: për gjallërimin e studimeve gjuhësore ballkanike dhe për disa huazime shqiptare në të folmet serbokroate; për turqizmat në gjuhën shqipe, për trajtimin e problemit të etnogjenezës së popullit shqiptar në shekullin XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX, për disa të dhëna mbi zhvillimin struktural të baladës shqipe, për zhvillimin e shkollave shqipe prej Lidhjes së Prizrenit deri më 1912, për strukturat demografike në Kosovë, për zhvillimin e muzikës artistike shqiptare etj. Sikur mund të shihet, qëllimi i organizatorëve ishte që brezit të rinj të albanologëve t’ua prezantojë një traditë të pasur të këtyre studimeve, kryesisht nga shekulli XIX e këndej, rezultatet e institucioneve vendëse dhe perspektivën e tyre në kontekst të zhvillimeve shkencore ballkanike. N?! ? të vërtetë, synimi afatgjatë ishte më se pretendues: t?! ? përdo reshin edhe studiuesit e huaj për “thyerjen e tendencave të përvetësimit të miteve, me anë të të cilave tentohej të krijohej një lloj primati në trajtimin e temave në raport më të gjerë midis popujve të Ballkanit.”
Në vitet e para të punës së Seminarit ligjërues dhe kumtues të studimeve të tyre ishin vetëm një numër i kufizuar i profesorëve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa pas pak vjetësh ata do të vijnë nga institucionet e tjera vendore dhe sidomos nga institucionet shkencore të Gjermanisë, Bashkimit Sovjetik, Bullgarisë, Polonisë etj, si: Agnia Desnickaja, Bojka Sokollova, Wilfried Fiedler, Julija Ivanova, István Schütz, Aleksandër Rusakov, Oda Buchholz, Alvina Zhugra, G. D. Nehring, Eric P. Hamp, Jolanta Mindak, Catalina Vatasescu, Konstantin Mizis, Gertruda Ejntrej. Nga viti 1978 numri i kumtuesve dhe i ligjëruesve do të zgjerohet në mënyrë të veçantë me profesorët dhe studiuesit që vijnë nga Shqipëria: Qemal Haxhihasani, Jorgo Bulo, Androkli Kostallari, Mahir Domi etj. Një angazhim më vete që nga fillimi kishin seminaristët që vinin nga krahu i arbëreshëve të Italisë: Antonio Belusci, Francesco Altimari. Italo Fortino, Skiro di! Maxho etj.
Seminari, fillimisht ishte menduar si një aktivitet i ndarë në dy pjesë: në ligjërata akademike dhe në kurse për mësimin e gjuhës shqipe (1, 2, 3), pastaj për dy vjet me radhë studimet akademike u ndanë në dy pjesë: në Ligjërata dhe në Kumtesa (4, 5), për t’iu kthyer më tej ndarjes së kumtesave në Ligjërata për kursin e lartë të gjuhës (6, 7, 8, 9, 10) dhe në Ligjërata për kursin e lartë të letërsisë (6, 9, 10). Ky proces i krijimit të një aktiviteti të përhershëm dhe standard të Seminarit zgjati për dhjetë vjet me radhë, derisa u krijua një program i përhershëm me të cilin puna e Seminarit ndahet në tri pjesë: Ligjërata të përditshme dyjavore, Kurse të përditshme dyjavore për mësimin e gjuhës dhe Sesioni shkencor i ndarë në dy pjesë: Sesioni shkencor i gjuhës dhe Sesioni shkencor i letërsisë. Tash së fundi, krahas ligjëratave dhe sesioneve shkencore, po projektohen edhe tryeza shkencore me tema të caktuara,! çka na bën të mendojmë se Seminari po vazhdon ta pasurojë përvojën e tij, për të mos thënë se Seminari ende nuk po arrin të krijojë identitetin e tij!
Të shikuara jashtë kronologjisë së organizimit të tyre, tryezat janë projektuar kryesisht për përvjetorë shkrimtarësh, por janë organizuar edhe për tema më të përgjithshme, sikur janë tryezat me temë për arsimin në Kosovë, apo edhe për tema më të veçanta, sikur është ajo për përkthimet letrare. Në këto tryeza janë organizuar konferenca përkujtimore për Zef Seremben, për Azem Shkrelin, për Faik Konicën, për Ernest Koliqin, për Ismail Kadarenë dhe Rexhep Qosjen, për “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe për Sami Frashërin. Do theksuar se tryezat shkencore, përgjithësisht kanë qenë të kufizuara për nga numri i referuesve.
Ndryshe nga kumtesat e tryezave, të cilat janë të kufizuara si për numrin e autorëve ashtu edhe për gjerësinë e temave kërkimore, sesionet shkencore kanë përmbajte shumë më të plotë dhe numër shumë më të madh studiuesish të angazhuar në hulumtimin e temave të ndryshme. Fjala është për reflektime sintetizuese me përmbajtje të gjerë kërkimore dhe hapësinore, por dhe për tema me përmbajtje të kufizuar, në të cilat objekt studimi bëhen kryesisht autorë dhe vepra të caktuara. Në sesionet shkencore të Seminarit është trajtuar kontributi i albanologëve të huaj në studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, marrëdhëniet e gjuhës shqipe e të letërsisë me gjuhët e tjera ballkanike në rrafshin diakronik dhe sinkronik, zhvillimi i kritikës letrare shqipe dhe periodizimi i letërsisë shqipe, gjuhësia shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX, letërsia shqipe dhe moderniteti, gjuhësia shqiptare e gjysmës së dytë të sh! ekullit XX, terminologjia dhe fjalëformimi në gjuhën shqipe, kërkimet albanologjike në botë, studimet albanologjike në ish-Jugosllavi, Kongresi i Manastirit dhe alfabeti i gjuhës shqipe, sistemi foljor i shqipes, epika popullore shqiptare dhe e popujve të tjerë të Ballkanit, marrëdhëniet kulturore shqiptare me kulturat e tjera europiane, Gjon Buzuku dhe tradita e shkrimit të shqipes, Naim Frashëri dhe vepra e tij midis Perëndimit dhe Lindjes, gjuha shqipe në kontekstin ballkanik, vepra letrare e Gjergj Fishtës si njohje dhe si rizbulim, shqipja dhe gjuhët e Ballkanit - ngjashmëritë dhe ndryshimet në rrjedhat e standardizimit, veprimtaria shkencore e Eqrem Çabejt, përdorimet publike të shqipes standarde sot, letërsia shqipe e shekullit XX, letërsia shqipe dhe letërsia e Evropës Juglindore, letërsia arbëreshe, të folmet arbëreshe etj.
Po kështu mund të thuhet edhe për trajtimet, në dukje të parë më të vogla, si: Jeronim de Rada dhe veprimtaria e tij, Naim Frashëri në kulturën shqiptare, krijimtaria letrare e Esat Mekulit, veprimtaria e De Radës, vepra e Konstantin Kristoforidhit, gjuha e tregimit tonë të sotëm, vepra letrare dhe gjuhësore e Ndre Mjedës, romani shqiptar, drama shqipe, vepra e Pjetër Bogdanit, shqipja 2000, foljet në gjuhën shqipe, miti në letërsinë shqipe, përkthimet dhe analiza e kontrasteve, krijimtaria e Hivzi Sulejmanit, problemet e kulturës së gjuhës etj., por që sjellin interesim të madh të studiuesve dhe kërkime të gjera e të thella shkencore me interes për historinë e albano¬logjisë dhe për gjuhësinë bashkëkohore shqiptare.
Duke sjellë tema të tilla për ligjërim, kërkim dhe diskutim, Seminari i albanologjisë ka bërë të mundur hulumtimin dhe vlerësimin e kontributit të institucioneve albanologjike në vend dhe në botë për gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën materiale e shpirtërore të popullit shqiptar, duke iu qasur këtyre kontributeve në aspektin sinkronik dhe diakronik, si dhe në kontekstin ballkanik, europian e botëror.
Sikur ka ndodhur edhe me shumë institucione, të cilat kanë trajtuar përgjithësisht traditën shqiptare, edhe Seminari ka pasur fatin e tij të ngritjes dhe të rënies. Pas demonstratave të vitit 1981 Beogradi ndaloi aktivitetin e tij, duke urdhëruar që të mos ftoheshin albanologët nga bota, prandaj për këtë vit seminari pushoi aktivitetin e tij. Ndërsa në emër të të ashtuquajturit “realizim i të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi,” në vitin 1982 përsëri u bë i mundur vazhdimi i organizimit të tij, por nuk shkuan shumë vjet dhe më 1989 u kërkua anulimi i aktiviteteve të tij. Kësaj here bashkë me Seminarin po mbylleshin të gjitha institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, prandaj rikthimi i tij nuk pritej as pas organizimit paralel të institucioneve arsimore dhe shkencore në Kosovë gjatë viteve 1990-1999. Edhe nëse mund të mblidheshin kumtesat e studiuesve, ishte e pamundur sjellja dhe gjetja e hapësirës për seminari! stët nga bota, të cilët eventualisht do të pranon të vinin në atë situatë në të cilën gjendej Kosova.
Vetëm në vitin 1995 organizatorëve të vjetër dhe të rinj iu shkoi për dore që Seminarin ta organizonin në Tiranë. Atje kishte hapësirë, kapacitete shkencore dhe kushte të përshtatshme për studiuesit e albanologjisë nga bota. Ndonëse nuk u arrit të organizoheshin seminare të përvitshme, konferencat e organizuara dhe materialet e botuara janë të një cilësie të veçantë.
Pas mbarimit të luftës së Kosovës rifilloi organizimi i rregullt i Seminarit në Prishtinë, duke e sjellë më vete jo vetëm Këshillin e Prishtinës po edhe Këshillin e Tiranës, fillimisht të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e pastaj të Universitetit të Tiranës.
Prej vitit 1974, kur është organizuar për herë të parë Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, e deri më sot, janë bërë shumë ndryshime, shumë rishikime dhe plotësime, por përgjithësisht ai ka ruajtur synimin e tij fillestar: popullarizimin e albanologjisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora