E diele, 28.04.2024, 01:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Ardian Ndreca: Migjeni, ai që na mungon tash 70 vjet

E enjte, 21.08.2008, 05:46 PM


Migjeni
Migjeni, ai që na mungon tash 70 vjet

Nga Ardian Ndreca

(Shkodër 13/10/1911 – Torre Pellice 26/08/1938)

Migjeni pat kuptue nevojën e urgjencës së ndryshimeve rranjësore në shoqninë shqiptare, dhe me forcën e artit të tij mbërrijti me i ba nji diagnozë të saktë gjendjes sonë, edhe pse zgjidhja e tij terapeutike parashikonte vdekjen e të sëmurit dhe lindjen e nji njeriu të ri.

Në veprën e tij gjejmë në doza të forta filozofinë përmbytëse të Nietzsche-s, misticizmin e Dostojevskit, pesimizmin e Schopenhauer-it. E gjithë kjo peshë në gjoksin e nji djaloshi të brishtë nuk kishte sesi me u ruejt e paprekun, e kështu, mes dyshimesh, dhimbjesh, ngashnjimesh, vdiq 70 vjet ma parë në nji sanatorium valdez në Torre Pellice afër Torinos poeti Millosh Gjergj Nikolla.

Tue qenë se realizmi socialist nuk mbërrijti me e paraqitë me aq tragjicitet dhe art jetën shqiptare, atëherë ideologët e kësaj lëvizjeje u munduen me e pagzue Migjenin në burimin e kuq të asaj rryme, por doli nji ndërmarrje sa çnatyruese aq edhe e pafrytshme.

Migjeni asht i papërshtatshëm për dogmatizmin e çfarëdolloj ngjyre, e këtë gja duhet ta kenë kuptue të parët ata që drejtonin seminarin ortodoks të shën Joan Theologut në Monastir.

Ai nuk ka qenë kurrë as bolshevik e as komunist por nietzschean (niçean), ai nuk donte me ndërrue nji regjim me nji tjetër tue iu afrue horizontalisht shelbimit (shpëtimit), nuk donte me u përkundë në andrrën e rrejshme të nji mesianizmi toksor, ai donte me shpërthye, donte me fitue qiellin e tokën së bashku e me e ndrrue këtë qiell e këtë tokë me nji tjetër, që ai ruente thellë në gjoks.

Në fund të fundit ç’ndryshim do të kishte para syve të tij të qenunit ûnshëm në kohën e Zogut e të qenunit ûnshëm nën regjimin e Enver Hoxhës? Nji mjeran asht mjeran e kaq, s’ka ndryshim mes ushtrisë së mjeranave kudo që të ndodhen e nën cilindo regjim të marrin frymë!

Mjerimi kthehet në veprën e tij në nji antivlerë universale që bren njerzimin. Kjo antivlerë asht morale dhe landore, ajo gozhdon në pragjet e helmueme të jetës, në hymjen e në daljen e saj, të pasunit dhe të vorfnit. Nji lum të mjerësh, të mirë e të këqij bashkë, fajtorë e të pafajshëm për gjendjen e tyne, nji lum që përdridhet përgjatë historisë tue përshkue nji rrugë pafund - ky ishte obsesioni i poetit shkodran. Përballë këtij mjerimi ai ven mbinjeriun, atë që do të lindet nji ditë.

Njeriu që andrronte Migjeni asht pra mbinjeriu i Nietzsche-s (Uebermensch), nji qenje e huej dhe e re në këtë tokë. Vetë poeti ishte si i mërguem dhe nuk kishte miq të mëdhaj përposë letërsisë.

Shpirtvogëlsia borgjeze e neveriste, mjerimi shpirtnor i të vorfënve e trondiste, indiferenca e shtresave të tjera e trembte.

Pak gjana e tërhoqën gjatë jetës së tij të shkurtë. Migjeni mbet i mrekulluem prej krenisë së malsorëve. E tronditi vuejtja e tyne e paskaj, vetmia dhe braktisja e tyne mes maleve të kufizueme prej nji ligji të rreptë mesjetar, i cili në fillimin e shekullit XX përballej me krizën e bukës e me “dhimbën krenare” që rroposte nji epokë të tanë.

Poezia e Migjenit ka diçka prej Kurt Tucholsky-t dhe prej Karl Kraus-it, bashkëkohës të tij, vargjet e tija janë të shkrueme me sodë kaustike dhe me lot të mbajtun mbrenda vetes.

Ai nuk nuk mund t’i shërbejë kurrë asnji ideologjie, ai mbetë i vetvetes, i përket trajtave të mbinjeriut që dijti me pikzue me art në thellësitë e veta.

Trishtimi, dhimbja, e ndoshta edhe parandjenja se ishte e kotë me ngrit zanin në nji shoqni të kalbun e pa jehona shpirtnore si shoqnia shqiptare e çuen pak nga pak në shtratin e sanatoriumit ku dorzoi shpirtin e lodhun nji ditë fundgushti të vitit 1938.

Vdekja e tij kaloi në heshtje si nji «melodi e këputun».

Menjiherë mbas marrjes së pushtetit prej regjimit komunist, në mungesë artistash të mirëfilltë, nisën spekullimet. Botuesit e tij të parë, si mistifikatori Skënder Luarasi, i shtuen tragjedisë natyrale të poetit shkodran farsën e përkatësisë së tij protokomuniste dhe të konflikteve me regjimin nën të cilin kishte jetue.

Nuk e dijmë nëse Migjeni do të kishte vdekë në mënyrë natyrale prej tuberkulozit edhe nën regjimin komunist, por e kemi të qartë se ai s’do ta kishte përkrahë kurrë nji regjim që mbyste çdo lloj lirie.

E kështu në vitet ’50-‘60, Migjeni i vdekun me tuberkuloz, ishte ma shëndoshë dhe ma gjallë se gjithë redaktorët dhe botuesit e tij tjetërsuesa.

Sa qe në jetë, e vetmja e përkohshme e denjë për artin e tij ishte revista «Illyria».

Qe se çka i shkruente me 4 nandor 1935, redaksia e «Illyrisë», asokohe e drejtueme prej Ernest Koliqit, shkrimtarit të ri shkodran:

“Shkrimet e Z. S’Uaj, të cilat me një herë kemi vrojtë se kishin një thekësi ndiesije për t’u shënue e sidomos një tingull njerzuer drejtue kah vuejtjet e të vogjëlvet, jemi përpjekun t’i qesim sa mâ në shesh në faqen e të rinjve.

Për me Ju dhânë zêmër të vijoni sa mâ me zell n’udhën letrare qi aq me serjozitet qëllimesh keni kapë, këshilli i Redaksisë i Fletores s’onë vendoi me botue mbas sodit vjershat dhe copat proze të Jueja në faqen e tretë. Si e dini, në faqen e tretë shkruajnë vetëm njata autorë qi mirë o keq e kanë marrë nji farë shugurimi nga publiku. Shpresojmë se edhe mbas sodit Z. e Juej keni me bashkëpunue në mënyrë sa mâ t’afërme në Fletoren tonë e cila, ndërmjet të qëllimeve të tjera, ka edhe atê t’i përkrahi të rijtë me vlerë e me ndjenja bujare. Vendimi i Këshillit të Redaksisë për sa u përket Jue, asht një dëshmi e qartë e ksajë përkrahje.

Tue Ju uruem suksese sa mâ të gjalla për dobin e artit dhe të letërsisë shqipe, Ju lutemi të na dërgoni sa mâ parë shkrime në mënyrë qi së paku krye dy javësh êmni Juej të dali në faqen e tretë.

Si titull shpërblimi, këso here Drejtori dau me Ju dërgue fr. ari 10 (dhjetë) me mandapostë d. e sotme».

E përkohshmja «Illyria» nuk përfaqsonte zanin e regjimit të atëhershëm; Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Anton Logoreci, Karl Gurakuqi, Odise Paskali, Ismet Toto, nuk ishin njerzit e Zogut, ata ishin krijuesa dhe intelektualë që tue pasë dallue talentin letrar të Migjenit donin që ai të shndriste në yllsinë e letrave shqipe. Por ai e përshkoi qiellin shqiptar si meteor, tue u djegë i vetmuem në nji natë gushti.

Migjeni, pati fatin e keq me jetue pak, por na la nji vepër letrare të shkrueme me nji gjuhë të fortë, dinamike, të pandieme deri atëherë në poezinë tonë. Fisnik dhe i palumtun deri në fund, ai u hakmor tue i zbulue botës mjerimet e saja, tue i krue leskrat e holla me të cilat maskonte çmimin e naltë të mizerjes dhe marrisë së përditshme.

Në gjinin e letrave shqipe Migjeni asht ma realist se i gjithë “realizmi socialist” marrë së bashku, e çudia asht se ai mbërrin me e ba ketë gja pa qenë pjestar i asnji rryme apo partie politike.

Në shekullin e kaluem, pak natyra me sëmundjet e saja të bollshme e pak njerzit me egërsinë e tyne të paskaj, mbërritën me zhduk shpirtat e bukur e mendjet idealiste shqiptare, tue e lanë qiellin tonë të verbët e ndjesitë tona të përfjetuna.

Sot, atë që mund ta bante Migjeni me artin e tij në vitet ’30, nuk mund ta bajë as edhe nji grusht shtetit. Kjo asht arsyeja që Migjenin e kanë frikë të gjithë, pse nji rruzë e kuqe e tija asht ma e fuqishme se tonelata bojë të zezë që derdhet mbi letër çdo ditë.

Prej shtëpisë ku pat banue familja e tij në Shkodër asht zhdukë edhe pllaka që kujtonte këtë gja. Asnji botim i denjë për të, asnji tubim, asnji studim për të qenë, asnji fjalë.

E me mendue se nuk kemi pasë gjatë këtyne 70 viteve edhe nji shkrimtar të vetëm që të ketë qenë revolucionar si Migjeni, e kur them “revolucionar” nuk kam parasysh as Revolucionin e Tetorit dhe as atë fashist të vitit 1922. Revolucionar domethanë i gatshëm me sakrifikue vetveten për nji ide, i gatshëm me jetue idenë për të cilën jepet edhe jeta.

Revolucionarët trembin ndërgjegjet, shqetsojnë gjumin, prandaj ai sot asht i harruem, bile edhe prej qytetit të tij të lindjes, që buzë vorrit, atje ku prehet, në shenj nderimi i ofron sakrifica tue djeg plehnat e veta dhe tue i blatue coftinat e qelbta. Si gjithmonë tek ne nderi me vendet e nderit nuk përkon aspak.

E ai, poeti i mjerimeve të pasosuna të kësaj toke, si dikur, prej vorrit anonim ku prehet, u flet atyne që kanë ma shumë nevojë për zanin e tij gjëmues: plehnave dhe coftinave që na kanë mbulue gjithkah:

“Në vendin tonë / kudo valojnë / flamujt e nji melankolije / të trishtueshme / dhe askush s’mund të thotë / se këtu rron / nji popull që ndërton / diçka të re” (Nën flamujt e melankolisë).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora