E shtune, 27.04.2024, 11:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Arshi Pipa, Zbulohet letra e studiuesit, ku mbronte Kadarenë

E hene, 18.08.2008, 07:50 PM


Arshi Pipa (1920 - 1997)
Përmes kësaj letre të gjatë, e cila botohet për herë të parë, zbulohen qëllimet e vërteta që Arshi Pipa ka pasur ndaj shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Pipa, botuesit anglez: “A keni kërkuar lejen e autorit për të publikuar veprën e tij të gjymtuar? Ja gabimet e pafalshme të redaktorit…”

Kjo është e vërteta e historisë së famshme mbi botimin e parë në gjuhën angleze të shkrimtarit Kadare, sipas përkthimit të Arshi pipës. “Kronikë në gur”, e përkthyer nga Pipa dhe e pajisur me një parathënie të gjatë plot shpjegime prej tij, nuk u botua sikurse deshi vetë përkthyesi dhe studiuesi. Botuesi anglez e theu kontratën që kishin nënshkruar. Ai e hoqi parathënien e librit me gjithë shënimet e Pipës. Redaktori kishte ndërhyrë në mënyrë të tejskajshme në tekst duke e deformuar atë, madje kishte hequr edhe epilogun e romanit. Kjo gjë e kishte inatosur Arshi Pipën, i cili kërkonte shpjegime. Më 27 Tetor 1986, ai i shkruan këtë letër të gjatë botuesit John Hampson. Letra e pabotuar kurrë më parë, na zbulon detaje mjaft kurioze, mbi të gjitha për qëllimet e vërteta të Arshi Pipës mbi Kadarenë dhe veprën e tij. Letrën e plotë, na e siguron botuesi i Arshi Pipës, Myftar Gjana, i cili prej pak vitesh ka nisur botimin e plotë të veprës së studiuesit të mirënjohur, nën logon e shtëpisë së tij botuese “Princ”. Gjana na shpjegon edhe detajet pse u shkrua kjo letër prej Pipës në vitin 1986, duke saktësuar se origjinalin e saj e ka gjetur në arkivin familjar të Pipës.

Z. Gjana, çfarë na zbulon kjo letër e Arshi Pipës, dërguar botuesit anglez që po përgatiste botimin e “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë në vitin 1986?

Arshi Pipa ishte marrë vetë me përkthimin e romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë, për ta promovuar në Amerikë, meqenëse ishte i vetmi shkrimtar i realizmit socialist që vlente të botohej dhe pranohej në Perëndim. Pasi hyri në marrëveshje me shtëpinë botuese “Serpentt’s Tail”, ra dakord që ta shoqëronte përkthimin e tij me një parathënie, për t’i sqaruar lexuesit perëndimor se çfarë është në të vërtetë vepra e Ismail Kadaresë dhe si ka mundësi që një vepër e tillë shkruhej me atë lloj lirie, brenda një regjimi totalitar siç ishte ai në Shqipëri.

Botuesi i kësaj vepre, duke shkelur kontratën që kishte me Arshi Pipën, e boton duke ndërhyrë në tekst, siç pasqyrohet edhe në këtë letër (që është letra e fundit që ata këmbejnë bashkë. Nuk ka komunikuar më me të) dhe nuk i boton parathënien e përgatitur nga Arshi Pipa, e cila është botuar më vonë te revista “Telos”, një revistë kritike amerikane, ndër më të njohurat që dilte në Kaliforni.

A ka lidhje ky konflikt që shprehet në letër, me replikat e mëvonshme të Kadaresë kundër Pipës?

Pas kësaj ka pasur disa replika. Duke mos ditur thelbin e komunikimit midis Arshi Pipës dhe botuesit anglez, Ismail Kadare në shtypin shqiptar ka thënë që ky lloj botimi bëhej me qëllim nga Arshi Pipa, që të goditej autori, pra Ismail Kadare. Por Kadare është tërhequr më vonë nga këto deklarata, sepse nuk ka qenë ky qëllimi i vërtetë i Arshi Pipës. Pipa kishte qëllim të promovonte në botën perëndimore një roman shqiptar. Fakti që merr një iniciativë të tillë, që të përkthente një roman nga shqipja në anglisht, gjë që ishte shumë e vështirë dhe nuk e merrte askush përsipër, (vetëm përkthimet e Kadaresë nga shqipja në frëngjisht, që i bënte Jusuf Vrioni, janë marrë në konsideratë), pra kjo tregon që ishte një angazhim dashamirës i tij. Ai përpiqej që me anë të asaj parathënieje, që është një studim kritik i plotë, të tregonte vlerat estetike dhe artistike të këtij romani të shkruar nën diktaturë, ku brenda aluzion për qytetin e vet Gjirokastrën, për diktatorin dhe për gjithë marrëdhëniet social-politike që kishin ndodhur.

Më vonë, këto gjëra kanë rënë, por tek kjo letër ju mund të shihni edhe një pjesë të thelbit të komunikimit midis Arshi Pipës dhe këtij botuesi anglez, dhe qëllimit të vërtetë të botimit të kësaj vepre në gjuhën angleze.

Në të vërtetë, në këtë letër Pipa e mbron Kadarenë…

Fakti tregoi që vepra e botuar në anglisht me ndërhyrjen e botuesit dhe redaktorit të tij, ka pasur deformime në teksturë. Vetë redaktori që e ka marrë përsipër të ndërhyjë në tekst, nuk e njihte psikologjinë e shqiptarëve të kohës, dhe psikologjinë tradicionale të Gjirokastrës. Kjo vihet re në vërejtjet që Pipa i bën botuesit në letrën e tij të gjatë. Aty, Pipa del edhe si mbrojtës i Kadaresë, duke këmbëngulur që botuesi dhe redaktori duhet t’i marrin leje Kadaresë për këto ndryshime në tekst.

Por kjo histori u mbyll këtu. Pipa mund edhe ta hidhte në gjyq, për ndërhyrjet që kishin bërë në tekst. Sepse bëhej fjalë për botim tejet të rëndësishëm për të.

Pse e cilësoni të rëndësishëm?

Kjo ishte hera e parë që Ismail Kadare përkthehej në anglisht. Ishte hera e parë edhe që u botua në këtë gjuhë, pavarësisht ndërhyrjeve deformuese të tekstit që bëri ky botues. Por më vonë, ky tekst është ribotuar sipas përkthimit të saktë të Arshi Pipës. Një shtëpi botuese angleze, pas vdekjes së tij e botoi në variantin origjinal, siç e kishte përgatitur për botim Pipa.

27 Tetor 1986

John Hampson
Serpentt’s Tail Publishing
26 Westbourne Grove
London W2 5RH

I dashuri Xhon,

Ismail Kadare
M’u deshën disa ditë për të punuar për bocat, të cilat po t’i kthej të korrigjuara. Ju pyetët për shpjegimet e mia. Ja ku i keni, bazuar në korrigjimet e mia dhe shpjegimet në bocat.

F. 9 (Faqe 9), “Një Shënim për Shqiptimin”. - Redaktori jep ekuivalentin anglez të 8 shkronjave shqiptare, duke lënë jashtë gjithë gamën e zanoreve, a, e, ë, i, o, u, y, si edhe katër bashkëtingëllore dhe grup bashkëtingëlloresh, dh, ll, nj, r, rr, të gjitha të shqiptuara ndryshe nga homologet e tyre angleze. Nga tetë shkronjat shqiptare të cituara, 2, q dhe gj, janë shpjeguar gabimisht. Unë korrigjova dhe shtova atë çka mungonte. Një Shënim për Shqiptimin ishte vërtet i nevojshëm, nisur nga numri i madh i emrave tipik dhe gjeografik që ndodhen në roman. Një shënim për shqiptimin është pjesë e “Një Shënim për Përkthimin” {e mbyllur}.

F. 24, “Gjyshja përmbysi filxhanin e kafesë”, - Ajo e bën këtë për ‘të lexuar’ konfigurimet e mbetjeve të kafesë si një horoskop. Unë e shpjegoj këtë në shënimin tim numër 8. Redaktori ka lënë jashtë shënimin, duke e lënë kështu lexuesin në errësirë në lidhje me domethënien e veprimit të saj. Një minus lidhur me folklorin.

F. 28, “Burgjet janë bërë për njerëzit”. Duhet të jetë” . . . për burrat” Redaktori ka harruar ngjyrimin psikologjik të ‘burrë’ ‘man’, siç është shpjeguar në shënimin tim numër 9. Një minus lidhur me psikologjinë e novelës.

F. 29, “Të krishterët e vegjël”. Teksti ka ‘Kiços’, Kiço duke qenë një diminuitiv i ‘i krishterë’. Por zonjat muslimane quajnë fshatarin e Krishterë Kiços në mënyrë përçmuese, që do të thotë ‘të krishterë të ndyrë’, siç bëhet e qartë nga kjo që pason “kërkoj ndjesë për emrin”. ‘Të krishterë të vegjël dhe ‘të krishterë të ndyrë’ janë shprehje shumë të ndryshme. Shënimi im 11 për këtë është lënë jashtë. Një tjetër minus lidhur me psikologjinë e karaktereve.

f. 30, - Një kapele Borsalino është varianti italian i kapeles Fedora. Autori ka përdorur qëllimisht epitetin ‘Borsalino’ sepse Enver Hoxha mbante këtë lloj kapele. Epiteti del në episodin që fëmija tregimtar dhe shoku i tij vizitojnë ‘thertoren’ e qytetit, qyteti është Gjirokastra, qyteti i lindjes së Hoxhës. Episodi i thertores është një alegori e parashikuar e masakrave njerëzore që ndodhën gjatë luftës civile {varja e studentit komunist dhe dy vajzave partizane, vrasja e tre Karllashëve, përfshirë një grua, etj}. Therja e deleve dhe therja e njerëzve janë episode korrelative {që unë i quaj rimë e largët}. Shënimi im 14 është një aluzion i asaj që bëj të qartë këtu. Redaktori ka lenë jashtë shënimin. Një minus në lidhje me

politikën e romanit.  F. 37, “Arcivokale”. Teksti ka ‘Arxhivokale’, Redaktori ka ndryshuar drejtshkrimin. Ai nuk e di që ‘arxhi’ do të thotë ‘gypsy’ në Shqip, ‘Arxhivokale’ duke qenë e barazvlefshme me ‘njërin me emër Arxhiu’. Duke e quajtur komandantin e garnizonit Italian me këtë emër, autori përçon protestën popullore kundër pushtimit Italian të vendit. Nuk ka shënim për këtë dhe redaktori është deri diku i justifikuar për atë çka ka bërë. Por ‘Arxhivokale’ është shkruar katër apo pesë herë e shkruar kështu. Nëse redaktori do të ishte treguar më i vëmendshëm në leximin e tekstit ai do ta kishte kuptuar se këtu kishte arsye që unë t’i shkruaja emrat kështu. Një minus në redaktimin me zgjuarsi.

F. 41. - Në këtë faqe autori diskuton impotencën e Maksutit. Djali tregimtar “kureshtar” ka kuptuar se çifti i kundërt lidhur|zgjidhur ‘tied-up|untied’ ka kuptim seksual. Redaktori mund të mos ketë pëlqyer interpretimin tim të termave. Dhe ai mund të ketë të drejtë. Por këtu unë do të doja që ai të gjente një shprehje më të mirë anglisht, një që të sugjeroj ‘potencë|impotencë’ pa e lexuar rrokje për rrokje, siç ka bërë; “Jo shumë vonë unë e kuptova se Maksuti ishte bërë i paaftë për të kryer detyrën e tij bashkëshortore”. Fjalia nuk ekziston në tekst; redaktori është ngushëlluar me një improvizim të rastit për të shprehur atë që autori vetëm sa bën aluzion. Për më tepër, “kryerja e detyrës bashkëshortore” bie erë Viktorianizëm - - gjuha e një puritani. Kjo gjithashtu prish atmosferën e kërshërisë {‘kureshtar’ është rrokjezuar dy herë në tekst} që informon teksti. Patosi seksual kthehet në rënie seksuale. Sërish, gruaja Xhexho e quan Maksutin “një djalë i fuqishëm {potent}, jo një djalë ‘të pashëm’, siç e ka redaktori atë. Mos është femër redaktori? Sidoqoftë, në Angli, gjithashtu, ka gra që mund ta quajnë një lopatë një lopatë dhe një penis një mik. Një minus i dyfishtë në redaktim.

F. 42, “plaka të këqia”. - Teksti ka ‘plakat e jetës’, letrar, ‘the old women of life’. Dersi sa këtu ka një shprehje të dyfishtë ‘zonjat e jetës’ ‘the ladies of life’, unë e përktheva shprehjen me ‘matrons of life’. Redaktori përkthen me “plakat e keqia” — gjektë, “plakat e këqia të jetës”. {f. 254}. Por ‘plakë e keqe’ do të thotë edhe ‘shtrigë’, fjalë që rrjedh nga frëngjishtja charogne, ‘qelbësirë’. Autori, përkundrazi, flet për to me respekt. Disa nga pasazhet e tij më të fuqishme janë për këto gra që qëndrojnë në tregim si personifikim i jetës së përjetshme {në sensin Gwtian të ‘Die Mutter’}. Një tjetër minus në redaktim.

F. 55, “Më e fuqishme nga të gjitha ishte ajo pjesë e qytetit . . .” Përkthimi im është “ . . .ajo lagjie . . .” Unë parapëlqeva përkthimin tim më të shkurtër, nga ai i redaktorit duke qenë se “ . . .that that” ishte më shumë kakofonik.

F. 59, “really-jashtëzakonisht”. Teksti ka ‘extraordinary-i jashtëzakonshëm’ një fjalë që përsëritet tri apo katër herë më shumë, me të njëjtin ton fëminor. Përse atëherë të ndryshohet?

F. 61, “. . . britma të vogla frike dhe habie,” Teksti ka ‘surprize’ dhe ‘habie’, por jo frike, gjë që nuk ka kuptim në kontekst.

F. 74, “Kur ajo hoqi rrobat e saj dhe nisi të heqë të brendshmet nga krevati . . . .” Jo “nisi” por ‘u përkul’, teksti duke pasur “u përkul” {frëngjisht përkthyer, 1973; “elle se pencha}. Redaktori nuk e ka kuptuar {apo mos është kjo një instancë tjetër puritanizmi?} që duke parë të ndenjurat lakuriqe të një gruaje kur ajo përkulet është më ndryshe eksituese sesa kur ajo qëndron në këmbë. Dhe novela përmbytet nga seksi.

F. 77, “ora e madhe e gjyshit”. - Nuk ka ‘gjysh’ në tekst. Dhe fjala as nuk është gjetur në përkthimin frëngjisht, që supozohej të testonte përkthimin tim {letër e 18 dhjetorit 1985}. Një tjetër minus, kësaj radhe për fjalë të tepërta në redaktim.

F 90-91. Lexuesi nuk do të kuptojë asnjë gjë në dy paragrafet që Kadareja jep djalin tregimtar që interpreton fjalë për fjalë shprehjet idiomatike, nëse këto të mos jenë shpjeguar. {Në rileximin e tekstit dhe nga krahasimi i tij me shënimin tim 39, gjeta se mungojnë dy shprehje; kokëkungull ‘pampkin head’ dhe ‘më vjen koka vërdallë ‘my head spins’.} Lënia jashtë e shënimit mund të justifikohet nëse redaktori mund të gjejë idioma korresponduese që sugjerojnë atë çka djali interpreton fjalë për fjalë. Lereni atë ta bëjë këtë dhe unë do të tërheq minusin tjetër për redaktim të pakujdesshëm.

F.92, “Dicka që kishte ‘publike’ në të”. - Shembulli i dhënë, ‘librari publike’, është të sugjerojë ‘shtëpi publike’. Por ‘shtëpi publike’ do të thotë bar në anglisht, ndërsa shqip shtëpi publike do të thotë ‘brothel’. Pra baret janë shtëpi publike jo më shumë sesa janë kokat kunguj, apo anasjelltas. Lexuesi do ta kap me vështirësi kuptimin e shtëpi publike pa shënimin tim 41 — që si gjithmonë mungon.

F. 93, “vuri dorën në gojë për të mbajtur një të qeshur.” Teksti ka “ . . . dhe qeshi me zë”, përkthimi Fr., pouffa de rire”}. Një minus për shtrembërimin e tekstit.

F. 96, “rreth asaj kohe ata kishin ushtrimet e para të sulmit ajror”. Kush kishte ushtrimet? Nuk ka referencë për “ata” në faqen paraprirëse. Unë e korrektova “rreth asaj kohe ndodhën ushtrimet e para të sulmit ajror.”
F. 155, “in lieu -në vend të kronikës”. —Unë kam ‘in place of-në vend të kronikës’. Çfarë nuk shkon me ‘in place of-në vend të’? Një rast i panevojshëm {dhe raste si ky janë mizëri} i zëvendësimit të një fjale me një tjetër. Ta quajmë snobizëm anglez? E pranoj që redaktori është shumë i mirë në këtë lojë.

F. 167, “booldog”. - Teksti ka ‘bulldog’, përkthimi im ka gjithashtu ‘bulldog’, një fjalë që në shqip shkruhet njësoj si në anglisht dhe tingëllon gjithashtu njëlloj. Atëherë pse “booldog”? Redaktori duhet të ketë lexuar në ndonjë gramatikë shqipe që u-ja shqiptare tingëllon si foot-këmbë o o në anglisht, i pavetëdijshëm se ka fjalë angleze si ‘bull’, ku u-ja shqiptohet si u-ja shqiptare. Nuk ka minus kësaj radhe, vetëm një këshillë “Shtriji këmbët sa ke jorganin”, siç është në fjalën e urtë shqiptare.

F. 177, “pije të forta, ëmbëlsira . . . .” Teksti ka ‘hashure dhe salep i ngrohtë’ {unë shpjegova kuptimin e fjalëve turke në shënimet e mia 53 dhe 54}. Hashure është një pjatë ëmbëlsirë, karakteristike e sektit të Shia Bektashinjve — në Gjirokastër ka shumë bektashinj {përshirë dhe të atin dhe xhaxhanë e Enver Hoxhës} dhe ka gjithashtu një tempull bektashian, një teqe. Fjalët turke i shtojnë novelës deformim folklorik dhe intrigë. Përkthimi frëngjisht siguron ekuivalente: “lokooms!” “Halva!” {p. 203}. Redaktori ka eliminuar efektin ekzotik duke e përgjithësuar: “pije të forta, ëmbëlsira”. Një rast tjetër redaktimi mjeran.

F. 178, “Por disa familje ishin strehuar në kështjellë. Në pjesën më të madhe, ato ishin familje në zi apo pjesëtarët e tyre kishin diçka për të fshehur”. Përkthimi im ka; ‘Shumë familje nuk kishin ardhur në kështjellë. Këto ishin zakonisht familje që kishin qenë të turpërura në njëfarë mënyre apo kishin ndonjë sekret për të fshehur.” Redaktori e ka kthyer tekstin kokëposhtë.

F. 215, “ ‘Dadadada! Tatatata!” - Unë kam shpjeguar {shënimet e mia 61 dhe 67} që dërdëlitjet e dy fëmijëve imitojnë ritmin e sloganeve më në zë, ato të Partisë Komuniste dhe ato të Ballit Kombëtar. Redaktori ka parapëlqyer të tij “dadadada”, që tregon sesi e ka kuptuar ai Kadarenë.

F. 229, “Balli Kombëtar”. - A pret lexuesi të mësojë çfarë është Balli Kombëtar pa një shënim përkatës? E njëjta mund të thuhet për shumë emra të personave politikë që dalin në tekst. Redaktori i ka hequr gjithë këto shënime historike. Sidoqoftë novela është edhe një novelë historike, veçanërisht drejt fundit të saj. Me lënien jashtë të shënimeve historike, redaktori ka treguar se ai {ajo} është i interesuar në histori jo më shumë sesa janë Stalinistët shqiptarë.

F. 242, “. . . .’Mensat komuniste të një lloji si’, komenton hallë Xhemo zhytur në mendime” - Unë e fshiva fjalën e tepërt “të një lloji si” dhe ndryshova “komunist” me “të përbashkëta”, për ta bërë rimën e frazës me “mensa të përbashkëta” {shiko} në faqen 93, sepse e njëjta frazë, mensa të përbashkëta’ shfaqet këtu si atje. Hallë Xhemo nuk i do fashistët italianë {mensa është një fjalë italiane me ngjyrim të theksuar fashist} ashtu siç nuk i do as komunistët {i përbashkët ‘common’}. Për të fashistët dhe komunistët janë dy anë të së njëjtës monedhë. Sigurisht Kadare nuk pajtohet me Xhemon. Ai jep, megjithatë, identifikimin nga ana e saj të dy ideologjive përmes një rime të largët, i. e., ajo lidh dy ideollogjitë kur në të njëjtën kohë i largon ato — një teknikë letrare e fshehtë me anë të së cilës ai përçon mospëlqimin e tij për totalitarizmin në përgjithësi. Unë nuk përfshijë një shënim për këtë rimë të largët për të mos mbingarkuar dorëshkrimin. Dhe po e shtoj atë këtu për ta bërë redaktorin të kuptojë se çfarë ka harruar, këtu si edhe gjetiu, duke tredhur kështu mesazhin politik të novelës.

Bocat përmbajnë korrigjime të tjera, gjithashtu. Por kjo është, mendoj unë, më shumë seç duhet për të konkluduar që redaktimi është i pakujdesshëm dhe më tepri, gjuha e tij puritane dhe me pretendime. Redaktori ka një mani për të ndryshuar, shpesh krejt në mënyrë të panevojshme. Shembuj: “Qyteti nuk mund të falë njeriun që e kishte turpëruar atë” nuk përmirëson ‘Qyteti mori hakun ndaj sfiduesit të tij’ dhe “ . . . . ata vrapuan në shtëpi me ne me të njëjtën shpejtësi të tërbuar’, është më e dobët se imja ‘ atëherë ne të gjithë vrapuam në shtëpi me shpejtësi të rrezikshme’. Nuk duhen mohuar pak përmirësime stilistike dhe gjuhësore, lidhur me punën e redaktorit dhe kompetencën. Ndonëse ai e tepron këtë si zakonisht. Redaktimi tregoi gjithashtu keqkuptime të psikologjisë së novelës, folklorit dhe politikës ndërsa dështoi gjithashtu të vepronte në përputhje të plotë me aluzionet që bën autori dhe argumentet e tij të shkëlqyera gjuhësore. Ndonëse redaktori ishte pajisur me një listë prej 73 shënimesh shpjeguese gjuhësore dhe historike, prej të cilave ai ka shfrytëzuar vetëm një {shënimin 20} për të shpjeguar kuptimin në shqip të emrit Italian Muti, ‘shit-mut’. Edhe ky është djallosur nga puritanizmi i tij, duke zëvendësuar ‘shit’ me ‘jashtëqitje njerëzore’. Redaktori gjithashtu ishte pajisur me një ese prej 28 faqesh, 12 prej të cilave trajtonin veprën Kronikë në Gur, ku unë shtjelloj historinë e krijimit të novelës {dy botime para këtij përfundimtarit}, psikologjinë e karaktereve, dhe folklorin e qytetit në të cilin novela është zhytur, kur gjithashtu është shqyrtuar bashkëkomunikimi i dy temave kryesore, seksit dhe politikës, i.e., seksi i ndyrë dhe terrori stalinist. Unë gjithashtu kam identifikuar teknikat subversive të përdorura nga Kadare për të përçuar mesazhin e tij. Kam përshtypjen se redaktori as që e ka lexuar esenë time, që është, do të guxoja të thosha, studimi i parë serioz për Kadarenë deri tani. Nëse redaktori do t’i kishte kushtuar vëmendje asaj që unë kam shkruar në esenë time, ai nuk do të binte në gabimet e mungesave të shpjeguara. Një përkthim prej dijetari është kthyer kështu në një komercial që jo vetëm tradhton shpirtin e tekstit, por nuk i shërben mirë as trajtimit si një mall i thjeshtë. Pa shënimet, lexuesi nuk do të kuptojë shumë hollësi dhe pikat e errëta mund të bëjnë të pakëndshëm tërë librin.
Ju do të kujtoni që, kur ju takova në Londër për të diskutuar publikimin e dorëshkrimit tim, nuk e përmenda çështjen e honorareve. Ajo që ishte dhe është e rëndësishme për mua, është që dorëshkrimi të botohej, novela e Kadaresë meriton të bëhet e njohur në botë për arsye të meritave të tij artistike dhe domethënieve politike, siç është treguar nga eseja ime dhe shënimet. Fjalori Enciklopedik Shqiptar {1965} përshkruan veprën si një që “kritikon psikologjinë provinciale dhe traditën e prapambetur”. Sidoqoftë, kritika e psikologjisë provinciale dhe tradita e prapambetur shërben për të mbuluar metodat mizore të Stalinizmit shqiptar për të kapur pushtetin nën drejtimin e një prej bijve më të dashur të Gjirokastrës, Enver Hoxhës. Një kriticizëm i tillë nuk mund të përçohet, veçse në një mënyrë të tërthortë, të drejtuar me një gjuhë entendre-me kuptim të dyfishtë duke ndërtuar sistemin e levave mbi teknikat si alegoria, simbolizmi, karikatura dhe grotesku, teknika që duhet të identifikohen për lexuesin, për të vlerësuar plotësisht kryeveprën narrative të Kadaresë. Në letrën time të 12 dhjetorit 1985, unë shkruaja: [Unë e kuptoj që] redaktimi do të rezultojë në disa ndryshime bërë ndaj tekstit të përkthyer. Unë e kuptoj që kjo do të jetë e tillë që të mos dëmtojë kuptimin e tekstit origjinal. Kadareja luan me gjuhën në një mënyrë kaq të hollë, saqë nganjëherë ndryshimi i një fjale, madje edhe i një presjeje, mund të ndryshojë tërësisht kuptimin e asaj që ai dëshiron të përçojë”. Përgjigja juaj {e 18 dhjetorit 1985} ishte: Siç e dini, të dy, Xhoni dhe unë ishim përfshirë në publikimin e veprave, në përkthimin për një numër vitesh tashmë dhe ne mendojmë që jemi shumë të ndjeshëm për nevojat specifike të teksteve të tilla . . . . Siç e keni nxjerrë ju në pah, ka finesë të madhe në shkrimin e Kadaresë dhe ne synojmë të garantojmë se asnjë nga këto aspekte të shkrimit të tij të mos humbasë në përkthim”.
A keni mbajtur fjalën? Nuk e keni mbajtur. Për më tepër, ju keni përdorur mënyra të tërthorta në përballjen me mua. Pas një heshtjeje të zgjatur, ju më shkruajtët një letër, në të cilën më prezantuat me fait açompli të një botimi të dorëshkrimit tim, nga i cili, eseja ime hyrëse dhe shënimet ishin shuar. Titulli i dorëshkrimit tim, “Ismail Kadare: Kronikë në Gur. Përkthyer nga shqipja: Parathënia dhe Shënimet nga Arshi Pipa”, nuk lë dyshim se unë synoja që dorëshkrimi të botohej siç ishte, i.e., me parathënien time dhe shënimet. Ju i keni eliminuar ato. Gjithmonë kam pasur bindjen se dorëshkrimi duhej të botohej siç ishte. Dhe ju nuk ma përmendët kurrë, me gojë apo me shkrim, që ju do të vepronit siç bëtë. Unë nuk do ta kisha pranuar kurrë ofertën tuaj, po të kisha ditur që ju synonit të mos pranonit veprën time prej dijetari siç keni bërë.
Mënyra si jeni sjellë me mua, është manipuluese në shkallën më të lartë. Por unë e kuptoj se manipulimi shkon më tej. Ju gjithashtu keni lënë jashtë epilogun e novelës. A keni kërkuar lejen e autorit për të publikuar veprën e tij të gjymtuar? Nuk duket kështu nga teksti i letrës tuaj. Por, “Në vend të një Epilogu”, tregon jo vetëm sesi ka marrë rrugë novela, por ajo gjithashtu përmban poetikën e autorit. Qartë, ju nuk jeni i interesuar për takëme të tilla, interesi juaj ka qenë vetëm sesi të bëni para me një vepër që pa diskutim do të bëhet një bestseller. Më lejoni t’ju bëj të qartë pozicionin tim në lidhje me epilogun e novelës. Edhe sikur autori ju garanton lejen për ta përjashtuar epilogun, ju nuk e kini lejen time. Sepse kjo do të më bënte mua bashkëfajtor duke ju ndihmuar të trajtoni si një mall diçka që është një vepër arti.
Vërtet, unë pata një dyshim për natyrën e publikimit tuaj, kur ju më thatë se ju do të donit të kishit një popullaritet të shkruanit një parathënie. Megjithatë, unë nuk mund ta imagjinoj që ju mund të vepronit siç bëtë.
Unë tani po e përfundoj letrën time.
Ju nuk keni miratimin tim për të publikuar dorëshkrimin tim siç shfaqet në boca. Për të pasur miratimin tim, në pajtim me kushtet kërkohet:
1. Eseja ime hyrëse duhet të përfshihet, të paktën 17 faqet e para të saj, ku unë paraqes dhe shtjelloj veprën “Kronikë në Gur”. E bëj këtë, pasi pashë atë numër faqesh të librave të tjerë të shfaqeshin në seritë e Serpent Tail- Bishti i Gjarprit, duke kuptuar që ju do të donit ta mbani sasinë e numrit të faqeve poshtë treqindës.
2. Shënimet e mia gjithashtu duhet të përfshihen, të paktën ato si të rëndësishme dhe shpjegimet mbi bocat.
3. Përfshi “Në vend të Epilogut” {pp. 252-55 te ms.}.
4. Përfshi një falënderim të shkurtuar në lidhje me personat që kanë kontribuar në përkthimin dhe redaktimin e dorëshkrimit

Është e kuptueshme që ju do të më dërgoni një seri të bocave të dyta, bazuar në korrigjimet e mia të bocave të para, duke përfshirë bocat e artikujve 1, 2, dhe 3, si të botuara nga ju.

Sinqerisht
Arshi Pipa

Përktheu nga anglishtja: Çapajev Zëra



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora