Kulturë
Jetë si në filma
E diele, 17.08.2008, 01:24 AM
![]() |
Steve Reeves |
Ishte vetëm 12 vjeç. Kishte një pasion të çuditshëm - së paku për ne sot - por asokohe gati gjithë fëmijët ishin të prirur të koleksiononin gjëra dhe objekte nga më të ndryshmet. Kush pulla poste, kush shishe apo kuti “të jashtme”... ndërsa ai mblidhte copat e prera me aktorët si dhe shiritat negativë e filmave të huaj. “E mendoja sa herë që shikoja filma në kinema sikur t’i kisha ato pjesë negativësh. Asokohe jepeshin shumë filma me tema historike, të Lashtësisë, por edhe të periudhës së Mesjetës, me aktorin Steve Reeves”, thotë 50-vjeçari Petrit Malliku. Rikujton më pas filmin “Trimëritë e Herkulit”, që në kinematë angleze qëndroi për tre vite rresht, ndërsa në Indi për plot pesë vjet. “Temat e atyre filmave ishin “mbrojtja e të vobektëve”, ndërsa sot tema kryesore është “pengmarrja”. Filmat klasikë të kohës nuk e kanë humbur kurrë koherencën. Filmi “Helena e Trojës” u realizua sërish rreth 3 vite më parë nga e njëjta kompani – “Warner Bros.” – por nuk ishte aspak i ngjashëm me filmin e viteve ‘50. Gjithçka dukej false, madje edhe figurantët, që asokohe kanë qenë rreth 32.000, në këtë të fundit ishin rreth 3000 syresh. Gjithçka realizohet sot me anën e efekteve kompjuterike. Nga filmi i dikurshëm arrita të gjeja në koshat e plehrave më shumë se 500 sekuenca të shkëputura celuloidi, që nga momenti i titrave të filmit dhe deri në fund. Arrita së paku të mblidhja një akt, nga 12-15 akte apo bobina që kishte filmi”, shton Titi.
Adhuruesi i klasikes
Petriti tashmë është te të ‘50-tat. Kati i parë i apartamentit të një pallati të ndërtuar në kohën e komunizimit pranë Gardës së Republikës është thesari i vetëm i tij. Aspak për perimetrin që zë ajo shtëpi, për djalin e tij apo gruan, por për vetë pasurinë e filmave që ai ka: më shumë se 1500 kaseta VHS dhe 1500 DVD. Nxjerr nga dollapi i kuzhinës dy albume të stërmëdha të modifikuar nga tabelat e emulacionit taktiko-teknik me fotografi aktorësh dhe aktoresh, të krijuara në fillim-vitet ’75. Është ende i shpërqendruar për të na treguar negativët e filmave, pasi gjithë dollapët e shtëpisë gati-gati janë mbushur vetëm me CD, kaseta video dhe DVD. Mania e tij për filmat klasikë bëri që të regjistrohej si kino-operator në Shtëpinë e Pionierit, ndërsa ndiqte shkollën 8-vjeçare. Por ngjarjet rrodhën ndryshe. Pasi ra nga mësimet, prindërit e çregjistruan, për t’ju rikthyer pasionit të tij sërish në fillimin e viteve ’90.
Poza aktorësh? Agjitacion dhe propagandë!
Të gjithë në lagjen e Petritit e dinin që ai mblidhte foto aktorësh të huaj, kërkonte në koshat e plehrave shirita negativë të dëmtuar filmash, ku shumë prej tyre i nxirrte edhe në letër fotografike me 10 lekë tek ish-foto “Natyra”. “Ishim fëmijë dhe nuk e mendoja shumë... Një ditë në derën e shtëpisë do trokiste Kryetari i Frontit. Kjo ndodhi rreth vitit ’74. S’kam për ta harruar kurrë atë ditë kur u fut brenda në shtëpi dhe më tha t’i tregoja albumin me aktorë. Si gjithë fëmijët naivë, ia nxjerr dhe... pasi i hodhi një sy, i drejtohet tim ati, duke i thënë se, po të isha më i madh me moshë, do më kishin dënuar për agjitacion dhe propagandë. M’i mori albumet që kisha krijuar dhe së bashku me disa pjesë negative të filmave dhe m’i hodhi në liqenin artificial. Një miku im, disa vite më vonë, do të dënohej pikërisht për këtë gjë dhe, ndërsa vuante dënimin, e dënuan për herë të dytë”, rikujton Titi ato vite.
Jeta e tij
![]() |
Petrit Malliku |
Njohu më pas Luljetën, gruan e tij të ardhshme. Për familjen e re i duhej të kryente punë nga më të ndryshmet, duke filluar nga hekurpunues, kasap dhe në vitet ’90 si pjatalarës. Aventurat e jetës së tij filluan t’i përngjanin roleve të filmave me aktorin Jean Marais. Aq shumë e adhuronte atë, sa që tentoi të kishte disa sekuenca të filmuara përmes kamerës së një miku të vet në Francë. Më 8 nëntor 1998 Jean Marais dha shpirt në moshën 84-vjeçare në një spital të Kanës, ndërsa takimi ishte lënë për një ditë më pas. Në shtëpinë e Titit, si kujtim, ka ngelur në një kasetë VHS ceremonia mortore e aktorit të madh të skenës franceze. Megjithatë, arriti të realizonte një intervistë me aktorin Jean Paul Belmondo. “Gjeja veten tek filmat e tyre. Ishin të fortë në karakter, sfidantë të paepur. Lidhjen paralele e gjeja përherë, me ushqimin e paktë dhe nga ana tjetër kalitjen që i bëja trupit”. I shpëtuar për fije të perit plot dy herë në kohën e komunizmit, Titi arriti të siguronte në vitet e para të demokracisë kasetat me shirit të filmave historikë: “Një ndodhi e lashtë”, “Beteja e Maratonës”, “I biri i Spartakut”, “Legjenda e Eneas”, “13 Herkulët”, “Kali i Trojës” apo muzikalët “Kastadiva”, “Burri me pantallona të shkurtra”, “Dëgjoni këngën time”, “Shtëpia Rikordi”; romantikët klasikë, si: 3 produksionet e ndryshme të filmit “Romeo dhe Zhuljeta”, “Dashnorët e Veronës”, “Qielli i lumturisë”, “Hajduti i biçikletave”, “Makinisti” etj. Kohën e lirë e kalon duke interpretuar në piano – ndonëse nuk di asnjë notë muzikore – kolonat zanore të filmave “Zhos Profesionisti”, “Oktapodi”, “Kumbari”...
Summar
“Asokohe temat e filmave ishin “mbrojtja e të vobektëve”, ndërsa sot tema kryesore është “pengmarrja”.
Gjatë gjithë natës Petriti preu fotografitë e Ndrekë Lucës, Margarita Xhepës e shumë aktorëve të tjerë shqiptarë, për t’i ngjitur më pas me kujdes në vendet e ish-pozave.