E diele, 28.04.2024, 12:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Amaneti

E merkure, 20.08.2008, 06:06 PM


Teodor Keko
Të vërtetat mund t‘i gjesh në rreshtat e fundit. Në orët që duken se ikin aq shpejt, dhe ti vetëm me fjalë mund t‘i ndalësh. Teodor Keko besoi te fjalët. I rritur me to, ai e dinte se ato do të jetonin përgjithmonë dhe atëherë kur ai të kish ikur diku larg. Por, a mjaftonin ca muaj për t‘i thënë të gjitha?

Nëse lexon librat e lënë pas nga Keko, kupton se ai ka jetuar më shumë se vitet që jetoi. Ka jetuar aq sa për të lënë të plotë një kolazh stinësh në një letërsi që vazhdon të jetojë dhe pas tij. Sot mbushen gjashtë vjet nga ndarja e tij nga jeta. Një ikje që u ka dhembur jo vetëm miqve dhe të afërme të tij, por dhe mijëra lexuesve që gjithnjë rendin në librari për të lexuar librat e rinj të Kekos.

Këtë vit, shkrimtari do të kujtohet jo vetëm sot, në këtë ditë që të kujton lajmin e trishtë të ndarjes së tij nga jeta, por dhe më 2 shtator në ditën e lindjes së tij. Këtë fillim shtatori Teodor Keko mbush 50 vjeç. Miqtë e tij do të mblidhen në "Piazza" për të kujtuar kohët kur Dori ishte mes tyre. Por, nuk do të jenë vetëm bisedat me copëza kujtimesh nga fjalë të mbetura thellë në kujtesë nga kohët me Dorin, por dhe një kujtim mes librash. Shtëpia botuese "Toena" do të hedhë në treg më 2 shtator tre libra të rinj të shkrimtarit. Një përmbledhje me poezi të zgjedhura, të quajtur "Kryqëzim", një përmbledhje me tregime me titull "Curriculum vitae" dhe një libër me 12 tregime të pabotuara ndonjëherë, me titull "Amaneti". Këto tregime janë shkruar në periudhën prill-korrik 2001, para se ai t‘i nënshtrohej terapisë. Ato janë lënë në dorëshkrim nga shkrimtari me amanetin për t‘u redaktuar nga miku i tij, Andi Bejtja. Gjashtë vjet më vonë, në këtë fillim shtatori, kur Keko mbush 50 vjeç, Bejtja i sjell këto tregime për lexuesin, duke përmbushur kështu dhe amanetin e Kekos. Kopertina e këtij libri është ideuar nga një tjetër mik i Kekos, artisti Vladimir Myrtezai.

Por çfarë kanë në thelb këto 12 tregime? Ja si shkruan në esenë e tij në fund të librit Andi Bejtja." …Kur mora në dorë këto dymbëdhjetë tregime, disa mund të quhen pa frikë dhe tregimthe, vura re se shumica e tyre, si titull provizor, nuk e di të vënë nga Dori apo nga dikush tjetër, kishin kryesisht emra femrash. Dhe në fakt, pavarësisht nga ngjarjet dhe nga peizazhi social i tranzicionit, shumica e këtyre tregimeve në qendër kanë të skalitur portretin e një femre, femra të cilat janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe që, në fund të fundit, mund të thuhet me plot gojën se ato janë portreti më i gjallë i femrës shqiptare të viteve ‘80-‘90. Kjo femër lëviz në një peizazh të egër tranzicioni, mes meshkujsh apo zyrtarësh epshorë, me dilemën e madhe për të qëndruar apo ikur nga Shqipëria, herë-herë e përulur përpara kësaj bote të egër, duke përfunduar me vetëdije, por pa dëshirë, në ndonjë motel në periferi të Tiranës dhe, herë-herë, arrogante dhe rebele, por gjithsesi pa rezultat...

…Kjo ishte një botë që Dori jo vetëm e njihte mirë, por, ndryshe nga shumë shkrimtarë (të ashtuquajtur shkrimtarë të viteve ‘80), e përshkruante pa stisje, pa artifice, aq drejt dhe thjesht, saqë vetëm një fije e hollë e ndan atë nga naivizmi. Letërsia shqiptare ka një boshllëk të madh në trajtimin e temave e personazheve të viteve 1980-2000, ndaj dhe vepra e Teodor Kekos është një gur me peshë në gjithë këtë boshllëk…".

Ashtu siç shprehej vetë Keko, me këto tregime ai donte të mbyllte të ashtuquajturin cikël i tranzicionit. Dhe librat e lëna pas nga ai tregojnë se Keko ia doli për të rrëfyer jetën me një stil tjetër, nga ai që ishim mësuar të lexonim deri në vitet ‘90-të. Në librat e Kekos historitë duken se rrëfehen aq thjesht, duke vërtetuar thëniet e vjetra në letërsi se të shkruash thjesht është më vështirë. Por, për Kekon, të shkruarit ishte gjëja që deshi më shumë.

12 tregimet e fundit, të shkruara prej tij, janë dhe një mënyrë për të depërtuar thellë brenda Kekos, në një moment jo të mirë të jetës së tij, që si një shkrimtar i vërtetë diti ta ndante jetën nga letërsia.

Teodor Keko u lind më 2 shtator 1958, në një familje kineastësh. Qysh në fëmijëri, ai shquhej për humorin e hollë dhe shpirtin rebel, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve. Në vitin 1979, në moshën 19-vjeçare, boton poezitë e para në gazetën letrare të kohës "Drita". Pas mbarimit të studimeve për Gjuhë e Letërsi, punon në organet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, fillimisht në gazetën "Drita" e më pas në revistën "Nëntori". Gjatë këtyre viteve, ai mbetet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të shtypit të kohës, veçanërisht revistës "Hosteni" dhe gazetës "Zëri i Rinisë", ku përmes penës së tij të hollë trajtoi probleme të mprehta të politikës kulturore dhe tema "tabu" për kohën. Në korrik të vitit 1990, thirret në takimin e ish-presidentit Ramiz Alia me intelektualët e vendit. Po atij viti, në tetor, thirret në Konferencën e Talenteve të Reja në Korçë, ku shquhet edhe antikonformizmi i tij në diskutimin që më pas tërhoqi vëmendjen e qarqeve zyrtare. Në dhjetor bashkohet me Lëvizjen Demokratike.

Në vitin 1991 zgjidhet anëtar i këshillit botues të së parës gazetë opozitare në Shqipëri, gazetës "Rilindja Demokratike" dhe në të njëjtën kohë deputet i Partisë Demokratike. Shkrimet e tij të shumta gjatë këtyre viteve në gazetat "Rilindja Demokratike", "Koha Jonë", "Aleanca Demokratike", "Poli i Qendrës", "AKS", "Albania" e "Korrieri" apo revistat "Spektër" e "XXL", si dhe fjalimet e mbajtura në parlamentin shqiptar gjatë dy legjislaturave që ai ishte deputet, shkrime e fjalime që kishin postulat kredon e tij. "Ka ardhur demokracia dhe ne nuk jemi demokratë, apo nuk ka ardhur ende demokracia për ne demokratët"..., mbeten edhe sot modele të publicistikës dhe oratorisë si për guximin qytetar, thellësinë e mendimit, ashtu dhe për forcën e fjalës.

Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë si intelektual, përmes fjalës në shtypin e shkruar. Në 1999 thirret nga Kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, për të punuar si këshilltar pranë tij, detyrë që vazhdon ta ushtrojë dhe më pas në kohën e kryeministrave Pandeli Majko e Fatos Nano. Angazhimet si qytetar, intelektual e publicist, nuk do ta shkëpusin nga letërsia, pasioni i vjetër. Pas botimit të vëllimit të parë me poezi në vitin 1983, "Pas provimeve", në harkun kohor të 19 viteve, Teodor Keko do të botojë 13 libra. Në vitin 1987 boton vëllimin poetik "Fjala fishkëllen", në 1990 poezitë "Zemra nuk është këmishë" dhe romanin "Loja". Një vit më pas, vëllimin me tregime e novela "Lajmëtarja e vdekjeve", në 1994 romanin "Pretenca", në 1995 romanin "Shënimet e një gruaje", në 1996 vëllimin poetik "Unë të kam dashur, por...", në 1997 poemën satirike "E të tjera, e të tjera..." dhe vëllimet me tregime e novela "Prostituta" e "12 shenjtore, një profet dhe disa njerëz", në 1998 tregimet dhe novelat "Made in Albania" dhe në 2002, po një vëllim të tillë të quajtur "Hollësira fatale".

Më 20 gusht 2002, ndahet nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 44-vjeçare. Deri në fund të jetës, ai mbeti një antikonformist, një intelektual me kontribut të veçantë në proceset demokratike të vendit dhe një bohem i papërsëritshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora