Kulturë
Rreh veten, që të mos e rrihte gruaja në shtëpi
E shtune, 23.08.2008, 05:52 PM
Shkruar nga Aurora Foto - TO
Një austriak përfundoi në spital, sepse rrahu veten që të dukej sikur ishte grabitur, pasi kishte shumë frikë të kthehej në shtëpi e t’i thoshte gruas se kishte humbur mijëra paund në kazino. Josef Reiner, 26-vjeçar, nga Vjena, theu hundën, nofullat dhe krahun, sepse goditi veten me një shufër hekuri që grabitja e rreme të dukej sa më origjinale. Por duhet të shtrohej në spital, sepse dhimbja e lëndimeve që i kishte shkaktuar vetes ishte e madhe për t’u mbajtur. Kur policët u njoftuan nga doktorët e spitalit, Reiner pranoi se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Zëdhënësi i policisë thotë: “Duhet të ketë pasur shumë frikë nga gruaja, përderisa i shkaktoi vetes kaq shumë dhimbje, në vend që t’i rrëfente të vërtetën”.
Britani
Mesazhi në shishe udhëton për 300 milje në 23 vite
Një person, që hodhi një mesazh në shishe në det kur ishte fëmijë, është ribashkuar me të pas 23 vitesh. Donald Wylie, atëherë 11 vjeç, hodhi shishen në ujin e plazhit Sandside, Deerness, në Orkney. Shishja u gjet gjatë pastrimit veror në West Sands, St. Andrews, Fife dhe atëherë nisi kërkimi për të gjetur të zotin. Donald Wylie u gjet në Orkney dhe u ftua në St. Andrews të shihte se ku kishte përfunduar shishja.
Britani
Llamba 70-vjeçare që vazhdon të ndriçojë
Një grua nga Surrey ka një llambë që ende vazhdon të ndriçojë, edhe pse kanë kaluar 70 vite. Llamba e markës “Swann-Edison” ëshë blerë nga njerku i bashkëshortit Mo Richardson, Jim, në Redhill, Surrey, në vitin 1938. Kur ai vdiq, familja u zhvendos në ishullin Wight, duke e marrë llambën besnike me vete. Mo thotë: “Nuk më besohet që ende vazhdon të ndriçojë, është po kaq e fortë sa ka qenë gjithmonë”. Mo, 60-vjeçare, thotë: “Më kujton burrin Jim, prandaj e mbaj gjithmonë në ndezur se duket sikur ai më sheh”.