| E diele, 24.08.2008, 04:33 PM |
Zina ZDRAVA: Ndërtimi i këngëve popullore kërkon një lloj kualifikimi, një lloj shkolle për ti kënduar
Zina Zdrava me te bijen
Endrra ime ka qënë Ansambli Popullor
Nga Albert Zholi
Një grua e qetë, e ëmbël, e sinqertë. E nisi rrugën e bukur të këngës në qytetin karakteristik të Elbasanit, për të arritur majat në skenat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Studioi për kanto, por asnjëherë nuk la pas dore këngën popullore. Përkundrazi kjo këngë i dha famën në gjithë hapësirat globale e populluar me shqiptarë. Por Kosova ka qenë dhe mbetet vendi i preferuar i saj, vend ku ka dhe fansat më të shumtë. Herë e zhgënjyer, herë e përkëdhelur nga fati, Zina ka një eksperiencë të veçantë në skenat shqiptare dhe ndjehet e realizuar pasi rrugën e saj e ka trashëguar vajza. Kjo e lumturon shumë dhe ndjehet e çliruar, mbasi boshllëqet apo mosrealizimet e saj është e bindur që do ti bëjë realitet vajza e saj e cila studion në Itali për kanto. Huazimet e këngës popullore shqiptare ajo i quan të përkohshme pasi koha do ti çoj në vend luhatjet apo dallgëzimet që e kanë shtremëbruar këtë këngë që në themel ka ndjenjën dhe shpirtin e pastër të popullit.
Jeta është e mbushur me tipa dhe karaktere. Zina një emër interesant në skenën shqiptare në çtipa hynë, në të vështirët, apo në të shoqërueshmit ?
-Unë jam tip i shoqërueshëm. Në shoqëri jam shumë tolerante dhe kjo është një e metë e imja.Unë jam tip që të ndihmoj dhe mosha më ka bërë pak që në momente të caktuara edhe jam zhgënjyer. Në fëmijëri unë kam kaluar shumë mirë me shokët dhe mësuesit.
Si jeni lidhur me këngën. E gjetët ju apo ju gjeti kënga ?
Se di. Kam kënduar që 7 vjeçe. Në klasë të parë kur u futa në shkollë, kishim mënsimin e këngës dhe mësuesja thotë se kush do të këndojë një këngë. Dal në dërrasë të zezë dhe fillova një këngë “Genci i vogël në dërrasë të zesë”. Kjo ka qenë kënga ime e parë.Kur shkova në klasë të tretë në Elbasan në shkollën “Jeronim De Rada” udhëheqësi artistik që kishte shkolla, zgjidhte nxënësit se kush këndonte. Ndër ato nxënës isha edhe unë. Gjatë kësajë kohe merresha edhe me aktivitete të shkollës. Më vonë futem në shtëpinë e pionierit dhe aty filloj të marr pjesë në koncertet e ndryshme të rrethit. Marr pjesë në një festival për pionier me këngën e “ushtarit trim”. Kjo ishte këngë për fëmijë. Këngë popullore në këtë moshë nuk kam kënduar.Me kalimin e kohës filloi të më kultivohej brenda vetes kënga popullore.
Nga familja juaj a ka pas kënduar dikush më parë ?
Në shtëpinë time kam pasur nënën që këndonte. Ka pasur një zë të bukur. Këndonte në mënyrë shumë natyrale dhe në momentin që ajo këndonte unë e dëgjoja me ëndje. Ndjeja një gëzim të madh..
Vijmë tek kënga popullore. Kur keni filluar ta kultivoni këtë lloj kënge?
Këngën popullore e kam kënduar vonë. Kam qenë në vit të parë të shkollës së mesme.Herë herë më dukej sikur ngjasoja me zërin e Zeliha Sinës.Kur shkova në shtëpinë e Pionierit mu duk se rruga mu hap. Në vit të parë të shkollës së mesme shkoj për violinë.Në një koncert të këngës popullore Alfons Balliçi, bëri një sugjerim për mua duke më thënë se ti nuk duhet të vazhdosh për violinë por për kanto, se ti je e prerë për të kënduar dhe më ofron kompozimet e tija.Unë menjëherë iu përgjigja idesë së tij duke mësuar për kanto dhe duke kënduar njëkohësisht këngë popullore. Pashë se këngën popullore e këndova pa asnjë lloj vështirësie.
Kur keni qenë nxënëse në Elbasan cilat kanë qenë aktivitetet tuaja ?
Aktivitetet kanë qenë të shumta. Ne herë pas here shkëputeshim nga shkolla. Kanë qenë festivalet e muzikës së lehtë dhe ato popullore. Kam marrë pjesë në ansamble të ndryshme dhe takimet e rretheve që zhvilloheshin në Durrës, në koncertet me rastin e festave dhe në premierat e estradave dhe të shtëpisë së Kulturës. Prania ime ka qenë kudo. Ndjehesha shumë mirë, e mbushur dhe nuk kisha kohë për pushime.Edhe sot e kësajë dite unë jam e pranishme në aktivitetet e Elbasanit. Për këtë falenderoj shumë drejtuesit artistik të qytetit.
Kur mbaruart shkollën e muzikës për kanto në Elbasan, erdhët në Tiranë për të filluar Akademinë e Arteve.?
- Shkollën e mesme e mbarova në vitin 1977. Këtu iu nënshtrova një konkursi. Konkuruan 27 veta për kanto dhe fituam vetëm dy. Unë u ndjeva e vlerësuar për atë që isha e pregatitur. U bëra këngëtare me emër qysh në shkollë të mesme. Fitova një emër falë punës sime, por nuk lija mënjanë muzikën klasike. Të dyja nuk i ndaj dot. Në Akademinë e Arteve kam studiuar për kanto, por këngën popullore nuk e ndava sërishmi. Por nuk është e lehtë të këndosh këngë popullore.Ndërtimi i këngëve popullore kërkon një lloj kualifikimi, një lloj shkolle për ti kënduar, sepse kanë brenda frazën e gjatë, frymëmarrjen e madhe, notat e vogla dhe këto janë gjëra shumë profesionale.
Pra bashkë me Akademinë ju u shkëputët nga qyteti juaj i dashur i Elbasanit. Si vazhdoi udha juaj e këngës?
Në vitin 1977, unë jam shkëputur nga Elbasani. Por edhe në shkollë në Akademi aktivitetet kanë qenë të shumta. Kam marrë pjesë në aktivitetet e dekadave të Majit dhe ndjehesha mirë. Kur mbaroi shkolla më dërguan në Ansamblin e Ushtrisë. Këtë vend pune nuk e kam pasur shumë dëshirë, sepse nuk isha shumë afër asaj që unë kisha për të dhënë apo ndjeja. Por ashtu, ishte koha atëherë.Dëshira ime ka qenë gjithmonë Ansambli Popullor, ëndërr apo dëshirë që nuk mu realizua.
Sa kohë qëndrove tek Ansambli i Ushtrisë?
Kam qëndruar 12 vjet. Por edhe aty aktivitetet dhe turnetë kanë qenë të shumta. Nqs e falënderoj këtë punë, ishte ajo se më dha mundësinë që ta shikoja Shqipërinë nga veriu në jug, ku shumë njerëz nuk e kishin këtë mundësi.Ka shumë njerëz që kanë dëshirë të madhe të lëvizin(sidomos në atë kohë), por nuk u është dhënë mundësia si ne për të lëvizur
Pas 12 vitesh, kur u larguat nga Ansambli i Ushtrisë, si vazhdoi jeta juaj skenike ?
Më pas ngela pa punë. Ansambli u shkri. Ka qenë viti 1993. Për të gjithë qe periudha e tranzicionit. U mundova që të gjej veten në mësimdhënie. Pavarësisht se unë isha e re, mendoj që isha në një periudhë shumë frytdhënëse dhe mund të jepja edhe më shumë në fushën e këngës. Atëherë aktivitetet ishin shumë të pakta. Pikërisht, kur mendoja se isha në udhëkryq, më ndihu fati të futesha në Liceun Artistik si mësuese. Edhe në kohën që unë kam qenë në Ansamblin e Ushtrisë kam dhënë mësim si pedagoge e jashtme. Kisha një dëshirë të brendëshme që, atë që ndjeja, doja t’ua transmetoja edhe të tjerëve. Dhe kjo u realizua nga momenti që unë u shkëputa nga Ansambli dhe u vendosa atje ku jam edhe sot.
Si janë marëdhëniet me nxënësit tuaj apo me kolegët në këtë stinë të veçantë tranzicioni të shoqërisë shqiptare?
U bëmë 15 vjet. Ne nuk kemi klasa kolektive. Klasat janë një orë mësimi me një nxënës, dhe krahas mësimdhënies, kemi edhe marëdhëniet prindërore. Kjo lloj moshe ku jap mësim është pak delikate, sepse është një moshë adoleshente. Ne duhet të japim mësim, por dhe të marrim kënaqësi. Mundohemi që të futemi edhe në botën e brendëshme të nxënësve. Marëdhëniet i kam të mira, korrekte me respekt të ndërsjelltë. Kam patur edhe raste që edhe jam zhgënjyer, pasi unë me nxënësit qëndroj 4 vjet dhe jam jo vetëm pedagoge por edhe prind për ta. Por kam vënë re se ka nga ata që, nuk më përshëndesin qoftë edh një 7 mars apo një përshëndetje me telefonatë, kur janë larguar. Ka mënyra të ndryshme për të shprehur mirënjohjen. Ka edhe nga ata që vërtetë më vlerësojnë. Unë edhe sot kur shkoj në Elbasan e takoj profesorin tim Faik Peçin dhe e falenderoj për atë që ai ka bërë për mua. Dhe në shkollën e lartë përshëndes profesorët e mi. Ata më kanë hapur rrugën e jetës.
Një jetë në skenë me këngën popullore, a ka bërë ndonjë album Zina ?
Jo se është turp për mua që nuk kam bërë një album.Janë mundësitë ato që nuk më kanë lejuar deri tani. Një ditë po dëgjoja një intervistë të Miron Kotanit në Radio Tirana dhe më pëlqeu dhe thoshte se këngëtarët duhet të ndihmohen edhe pak nga shteti, apo edhe nga shtëpitë diskografike. Pa patur këtë lloj mbështetje këngëtarët ndjehen të vetmuar. Unë nuk kam se si e marr inisiativën të nxjerr me të ardhurat e mia një album, sepse çmimet janë në stratosferë. Rrogat tona jnë tepër modeste në krahasim me ato që kërkojnë shtëpitë diskografike.Shumë këngë të repertorit tim janë në radio.
Muzika popullore ka kaluar një krizë dhe vazhdon të jetë akoma në krizë, këtë gjë po e vuajnë shumë këngëtarët profesionistë siç jeni edhe juve. Kjo jo vetëm se ka huazime, por edhe se dalin këngëtarë anonimë që nuk kanë lidhje me këngën por me lëvizjet.
Por niveli është për tu dëshiruar. Ka shumë pseudo këngëtarë që marrin një guxim të madh.Nuk nisen për të bërë një art të mirëfilltë po nisen për të bërë komercializëm. Albumet tani janë kthyer në biznese.Biznesi ka lidhje me shtëpitë diskografike gjë që është për të ardhur keq. CD sot mund të bëjë një femër e bukur. Një këngëtar i ri që ka para. Ato që kanë hedhur themelet e këngës popullore shihen me mospërfillje. Unë i thashë një shtëpie diskografike se a mund të më ndihmosh për të bërë një album si fillim, jo më thanë se mua më ngelet cidia aty dhe nuk më shitet më thanë, unë shikoj interesin, dhe deri atë moment unë hoqa dorë.
-Do të ndalemi pak tek vajza juaj që e keni studente në Itali dhe ka shkëlqyer atje ku ndoshta është konkurenca më e fortë dhe nuk jepet vlerësimi si këtu në Shqipëri por dinë të japin vlerësim.Na flisni pak për të?
Vajza ime është në Itali në Bolzano. Këtë vit mbaroi degën e kantos, pra ma trashëgoi zanatin. Këtu e kam pasur prej shtatë vjetësh nxënëse. Nuk dua që të rinjtë që vërtetë kanë talent të zhgënjehen pa e nisur jetën mirë, siç ndodh rëndom këtu në Shqipëri. Jam munduar që vajzës time tia jap mundësitë e ndryshme për të marrë atë lloj kënaqësie që se shijova vetë.Ka patur momente që më ka thënë se unë nuk jam për këtë gjë. Unë i kam vënë një pikëpyetje vetes.Sa më tepër këngëtari del në skenë aq më i pjekur dhe më i mirë bëhet.Faktori moshë ka të bëjë shumë tek këngëtarët. Gjërat akumulohen dhe piqen në tërësi.Janë shumë faktorë që të formojnë si artist. Unë këtë gjë e kam parë tek vajza ime. Unë e them me krenari aty ku unë pretendoja që ajo do të arrijë thuajse ka mundur ta realizojë. Ndjehem shumë mirë. Ajo ka shkuar në konkurse të
ndryshme, është vlerësuar shumë mirë, dhe është vlerësiar edhe me çmime.Këto i kanë dhënë një lloj mbështeteje dhe mund të them se edhe aty ku është ajo ndjehet shumë e vlerësuar. Tani në shtator ajo ka një opera në teatrin kryesor të Bolzanos.Kjo mendoj se është një lloj hapje e dyerve për të në qoftëse ajo do ta justifikojë ashtu siç duhet.
A ka patur gjatë gjithë jetës artistike tuajën ndonjë moment të vështirë që ju e kujtoni?
Në vitin 1989 është bërë koncerti i këngës popullore që e organizoi Vera Grabocka (regjizore), ku në listën e emrave të këngëtarëve isha dhe unë. Prisja nga puntata në puntatë që të merrja pjesë dhe një ditë në puntatën e fundit mar vesh që isha hequr nga lista. Sinqerisht u ndjeva shumë keq. Në atë kohë unë kisha qenë në Kosovë ku në të vërtetë emri im ishte bërë shumë i njohur, aty ndjehesha shumë e vlerësuar. Nga heshtja u detyrova të marr në telefon. Më del Ylli Pepo dhe i them si është e mundur që nuk jam në listën e këngëtarëve për koncertin.Ata në moment marrin vendimin dhe më thonë se je dhe hajde. Në vetvete ndjeva një emocion dhe thashë se përse duhet ta kërkoj unë këtë gjë.Dal në katërshen më të mirë të koncertit dhe më pas dal e para.
Po momenti më i bukuri i juaji në skenë kush ka qenë?
Momenti më i bukur mund të them se ka qenë në Angli kur unë isha para dy vjetësh me një ansambël popullor ku zhvillphej një festival shumë i madh dhe ishte audicioni i 60-të nën kujdesin e princit Carl dhe zhvillohej në Llango Llen.Aty kishte nga të gjitha rrymat e muzikës që nga ajo folklorja dhe nga ajo klasikja.Në klasiket mori pjesë dhe vajza ime.Ne si grup marrim çmimin e katërt, ndërsa vajza merr çmimin e parë.Atëherë atë kënaqësi që kam kam ndjerë them se nuk do ta ndej më asnjëherë. Atë gëzim e ndjemë jo vetëm ne por edhe ata anglezë që ne na shoqëronin.Ishin një çift anglez që shoqëronin vajzën dhe në momentin që vajza ka kënduar dhe ka fituar çmimin e parë ai më ka ngritur në krah dhe më rrotullonte .Unë kam nxjerrë vetëm lot gëzimi.Vajza më thoshte se nuk e besoj, pasi ka pasur shumë nga shtete të ndryshme.Ata thonin se në këtë skenë kanë kënduar këngëtarë të mëdhenj që nga Pavaroti e shumë të tjerë. Kjo skenë thonin është një ogur i mirë për një këngëtare që merr çmimin e parë. Them se do të jetë fat i mirë për të ardhmen e vajzës time.
Çfarë vendi zë politika tek Zina?
Nuk merrem me politikë.Politika ime është vetëm muzika.
Si e keni kaluar këtë verë të nxehtë dhe ku do ti kaloni pushimet këtë verë bashkë me familjen tuaj?
Pushime për këtë verë kanë qenë ditët sa kohë qëndroi vajza për pushime. Ndjej kënaqësinë që me të vërtetë ti shërbej asaj.
Po udhëtimet jashtë të pëlqejnë dhe cili ka qenë vendi që të ka lënë më shumë përshtypje nga bukuria?
Më pëlqen shumë të dal. Kam dalë shumë falë zanatit që kam.Çdo vend ka bukuritë e veta.Më është dhënë mundësia që të shikoj shumë gjëra të bukura, antikitete, gjëra që kanë një histori për çdo lloj vendi. Me vendin tim nuk vendos asnjë vend tjetër.Më pëlqen edhe ajo e shëmtuara në vendin tim.Mua më pëlqejnë njerëzit kur unë pi një kafe dhe bisedoj në gjuhën e nënës.