E marte, 30.04.2024, 09:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Granit Zela: Vetmia, Vuajtja dhe (Mos)Vdekja e Havzi Nelës

E diele, 24.08.2008, 02:54 PM


Havzi Nela
Vetmia, Vuajtja dhe (Mos)Vdekja e Havzi Nelës

Nga Granit Zela

“Kur kërcënohet liria, poetët vdesin”, – ka thënë poeti kilian Pablo Neruda. Mirëpo kur liria jo vetëm kërcënohet dhe prangohet, por edhe vritet ditën për diell sikur të mos kishte qenë kurrë, atëherë çfarë bëjnë poetët? Sigurisht ata dhe jo shpirtrat e përkulur, ndërgjegjet e topitura, vullnetet e thyera, skllevërit e rënë në gjumin e mortshëm letargjik që pandehin se terri është dritë dhe drita është terr. Sigurisht poetët dhe jo ata që i thonë liri robërimit të tyre. Atëherë duke sjellë ndër mend sakrificën më të fundme të poetit Havzi Nela ne mund të themi me plot gojën se poetët ashtu si shenjtorët që flijohen për popullin dhe kauzën e tyre, varen.

Neruda ka shkruar një poezi për Shqipërinë megjithëse nuk i ka shkelur kurrëndonjëherë këto troje, porse Shqipëria së cilës i këndon Neruda është romantike, e përbërë e tëra prej bukurisë dhe, jo prej poshtërimit të saj.

S’kam qenë ndonjëherë në Shqipëri
n’atë tokë të ashpër e të dashur
n’atë dhé malor barinjsh
sot shpresoj të vij si për një të kremte të re dasmë mbi tokë (1)

Duke lexuar me vëmendje kronikat e tmerrshme të kronikanëve që i shpëtuan gulagëve të tmerrit diktatorial, duke ndjerë sadopak atë kob që Havzi Nela dhe sa e sa bashkëvuajtës të tij që u shuan duke mbetur tempullarë të tempullit të fjalës së lirë, ne shohim tashti dhimbshëm se si këta murgjër të së vërtetës nxorën ç’prej tuneleve të nëndheshme, dëshmi, histori, rrëfime për fate njerëzish dhe për më tepër një fytyrë tjetër të qenësisë tonë kombëtare. Nisja prej nëntokës dhe jo prej mbi tokës ku krijohej përshtypja mirëfilli mashtruese e një “dasme mbi tokë” parajsa e rrejshme socialiste të jep mundësinë të këqyret kësisoj ana tjetër e medaljes, ajo që përbënte boshtin e shoqërisë shqiptare në kohën që poeti e quan “sot”, por që fatlumërisht njëherë e përgjithmonë është e djeshmja jonë, një e kaluar e frikshme, që shtyp sot e kësaj dite shpatullat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Historia e jetës së këtyre njerëzve, njëri prej të cilëve është edhe poeti Havzi Nela, dëshmitë e tyre, u ngjajnë personazheve të romaneve të shkretëtirta të Dino Buxatit, labirinteve të terrta të Kafkës, perandorive parake, faraonike që përshkruan pena Kadareane, fatkeqësisht kësaj radhe histori të vërteta, aspak trillane, askurrgjë nuk është fantazuar në rrëfimet e tyre tronditëse që të mbajnë frymën pezull.

Ndërkohë një nga dëshmitarët mungon. Ai nuk mundet të shkruajë librin e tij të burgut, të një burgu që kurrë nuk ishte i tij. Nuk është sot në një tjetër kohë, për të përshkruar dridhërimat e shpirtit, duke zgjedhur kësisoj mënyrën e vet të të qenurit duke lënë si testament disa poezi, letra që dikur u çoi njerëzve të dashur, dhe mbi të gjitha, historinë e jetës së tij, e cila e zhbën boshin e mungesë fizike emblemë e gjithçkaje kundër çka s’u bind. E vërteta është se tempulli për të cilin ai u flijua është në duart tona, i njëmendtë. Ne mund ta prekim ndërkohë që kjo është si të prekësh atë. E shihni: ai është gjallë!

Në studimin që i bën bashkësive dhe konkretisht në kreun që i kushtohet analizës së bashkësisë totalitare Robert Nisbet gjen tek Tocqueville një nga profecitë më të habitshme të literaturës politike që merret me katrakterin e totalitarizmit. Sipas Nisbet, analiza e Tocquevil-it është sipërane në llojin e vet pasi ajo nuk kapet pas tiparit dukshëm irracional, dukshëm të neveritshëm e grotesk për ta përshkruar si thelb të totalitarizmit, nuk mbetet në caqet e brutaliteteve të strukturës së totalitarizmit, por shënon drejtpërdrejt thelbin e saj -masat, masat e gjera që përndryshe janë joshur, përkëdhelur, nxitur nga sundimtarët; e që janë shkatërruar vazhdimisht, janë bërë copë e çikë në muret e njerëzimit. Pra, thelbi, vazhdon këmbëngulshëm Nisbet, është në marrëdhëniet me masat, kur udhëheqësit nuk ua paraqesin marifetet e tyre satanike të dhomave të torturës apo shfarosjeve në kampet e përqendrimit.

Në një shoqëri si ajo shqiptare ku njeriu nuk ishte zot as i lirisë individuale, as kolektive, përkundrazi i duhej të gjallonte në shoqëri totalitare, diktatura shembullzon atë që Erich From e ka quajtur “IKJE NGA LIRIA”.

Havzi Nela është shembulli tipik i njeriut dhe qytetarit që nuk pranon kurrsesi të ikë prej lirisë së tij, asnjëherë, gjithmonë. Ai duke protestuar realizonte dëshirën e gjithkujt që nuk gjente guxim për ta bërë këtë. Në një kohë që po vërtetohej profecia se po prishej “bota shpitërore e qenies shqiptare” (Trebeshina), ai zgjodhi rolin e rebeluesit të hapur e të vendosur. Asnjëherë nuk shfaqi për këtë më të voglën mëdyshje. Ai besonte te bashkësia e qytetërimit modern si qenie morale e pavarur që nuk pranon t’i nënshtrohet tjetërsimit masiv të shoqërisë, identitetit, historisë. Duke artikuluar hapur mendimet e veta ndërkohë që atëherë pothuajse kurrgjë nuk ndodhte mbi tokë, por shumëçka ndodhte në tokë, atje te pavetëdija në terr, duke këmbëngulur që çdo gjë të quhej me emrin e vet, duke ruajtur personalitetin e tij si njeri atëkohë kur asgjësimi i personalitetit dhe i marrëdhënieve ku ai zhvillohej ishte ngritur në një sistem shkatërrimtar, poeti ynë jeton sipas postulatit se “njeriu në jetë duhet të ketë nji qëllim që të përbajë arsyen e qenies së saj e që do t’i vlejë si kriter i veprimtarisë që ushtron” (E. Koliqi)

Vetmia dhe çburgimi i vazhdueshëm i vetvetes në letrat e burgut

Nga letrat e burgut që kemi sot në dorë, ndërkohë që shumë prej tyre kanë humbur, ai bën vetvetishëm autoportretin e njeriut që nuk e ndjen mungesën e lirisë, sepse e ka të brendshme atë. Brenda rrethojës së mureve të shurdhëta e të verbëta në letrat që i dërgon të shoqes nuk shfaq kurrfarë lëkundjeje, kurrfarë dëshpërimi, por një vijimësi të përhershme mendimesh që të habisin për qëndrueshmërinë prej martiri.

Ndërkohë që fati ia kishte marrë me kohë rrokullimën ai ia del të qëndrojë në apogjeun e gjykimit të mprehtë e të kthjellët. Nga letra në letër poeti mbush kohën e të të qenurit, realizon shkëlqyeshëm çburgimin e vazhdueshëm të vetvetes.

Letërkëmbimi i burgut, një dialog i gjatë e i dhimbshëm me të shoqen përshkohet tejendanë nga një nerv dramatik që pulson dhimbshëm papushim. Një lumë i çuditshëm dashurie vrullon në shpirtin e një burri të kryqëzuar prej urrejtjes. Brenda hapësirës së kufizuar të qelisë mëson se si lindin e vdesin njerëzit jashta mureve duke kqyrur gjithmonë thellë vetvetes për t’i mos i tradhëtuar idealet e tij. Në luftën mes jetës dhe vdekjes nuk ndryshon asfare dhe pa u vënë re boshti i shqetësimit të tij bëhet fati i njerëzve të dashur, të së shoqes me të cilën ka një “shtëpi të lënë përgjysmë”.

Janë tridhjetë e nëntë letra që shpërfaqin të gjitha cilësitë e karakterit të tij prej njeriu që respekton traditën, çmon mbi gjithçka familjen, nuk jepet para vështirësive dhe trysnisë së vazhdueshme.

Me ty kam lidhë jetën e nderin, me ty mendoj të kem krijue nji familje të shëndoshë, të pastër e të fortë, që të më kenë lakmi bota dhe të jemi shembull edhe për të tjerët. (Vlonë, 15.7.1968)

Nderi, besimi tek vetja, shpresa, jeta, dashuria, etja për liri dhe dije, këto janë fjalët e kodit që zbërthejnë mikrokozmosin e tij të të jetuarit.

Ndërrohen stinët, ndërrohen stinët e jetës edhe brenda qelisë së të shoqes, edhe jashta në Shqipërinë e burgosur në burgun gjigand të Evropës Lindore, ndërrohen stinët, por ai jeton gjithmonë në stinën e lirisë dhe dashurisë për njeriun. Ashtu si njeriu i legjendës i jep copa prej trupit tij shkabës mitike, ai i jepte ëndrrës së tij për liri shpirt nga shpirti i vet, pak dritëz nga flaka që e digjte brenda zemrës. Në zemrën e tij “të drobitun”

Unë i kam vu vetes për detyrë të ruej nderin dhe dinjitetin tim si njeri, të ruej pastërtinë e shpirtit dhe të zemrës dhe fytyrën e papërlyeme, ashtu si dje jashtë, edhe sot këtu brenda, të rrojë si njeri dhe të vdes si njeri. (Vlonë, 15.7.1968)

Me një fëmijëri të vuajtur, pa ngjyra në vogëli ai e ka marrë vesh se vdekja mund ta rrethojë njeriun nga të gjitha krahët. Ajo mund të vijë prej ujit se “Drini gjithmonë i ka hangër njerëzit”. Vdekja mund të vinte prej orteqeve që zinin përfund e shembnin shtëpitë, prej të ftohit, prej holokaustit të mjerimit, por në të ri atëherë kur ishte më i pjekur e i sprovuar në tallazet e jetës ai e kupton se vdekja vinte edhe prej shtetit të burgët e të egër. Duke e quajtur vdekjen si diçka të zakonshme dhe cikël normal të jetës poeti e zhvesh nga pushteti që i jep frika, madje arrin ta çmitizojë kryekrejet për ta fituar edhe këtë betejë me të.

Vdekja asht nji ligj i natyrës shumë e zakonshme, prandaj as nuk duhet ta fshehim kur na ndodh, as nuk duhet të pikëllohemi sepse na ndodh …(Vlonë, më 16.9.1968)

Bir i një populli fatkeq ai s’mund të jetë më fatbardhë se populli i tij. Demokrat në një regjim antidemokratik, njeri i lirë në një kohë robërimi, tragjedia e tij është vetjake, familjare, pjesë e tragjedisë shoqërore. Ai ishte poeti që donte të ngrente ura qytetërimi nën diktaturë. Filloi të mësojë frëngjisht ndërkohë që po rendte marramendshëm kah fundi i krijimit të arkitekturës së tij të rebelimit kundër kulçedrës së frikshme dalë prej përrallave të kobshme krimi që po helmonin gjymtyrët e kombit shqiptar duke zënë burimin ushqyes, paravajtës të qytetërimit, e që po paralizonte një pjesë të njerëzimit.

Kam nisë me mësue gjuhën frëngjisht vetë pa ndihmën e ndonjenit dhe jam tue e mësue mirë e shpejt, librat i kam sigurue por jo plotësisht. (Elbasan, 30.11.1967)

Vuajtja e poetit

Një gjë bie në sy, vuajtja e poetit. Pamundësia e komunikimit dhe kuptimit të asaj çka besonte, të parimeve që përbënin boshtin e jetës së tij. Këto rrathë viciozë moskomunikimi e shtrëngojnë paprajshëm deri në fund. Po të kqyret depërtueshëm në botëpërceptimin dhe botëpërjetimin e Havzi Nelës ai i ngjan njeriut që nuk jeton dot pa atë që përbën arsyen e tij madhore të të qenurit pra është qytetari që nuk jeton dot pa qytetarinë, atdhetari që nuk jeton dot me antiatdheun.

Përballë një propagande gjithherë shtypëse ai shumëherë e përdor artin e tij për të bërë antipropagandë duke jetuar kështu në pikën më kulmore të përplasjes mes dy botëve. Havzi Nela u dha i tëri pas përsosjes së kësaj lufte të shenjtë duke zhvilluar gjithmonë dramatikën e tij të mendimit dhe veprimit.

Letrat e burgut shpërfaqin dinamikën e tij të menduarit, vatrën kryesore, burimin e pastër që nuk u ndot asnjëherë nga asgjë. Në letra vrullon dinamika e mendimit, lëvizja e tij e brendshme, më e thella, ajo lëvizje që kishte të bënte me ruajten e personalitetit të njeriut kundër obskurantizmit absurd dhe maoizmit të zi në Mesjetën shqiptare të shekullit të njëzetë. Poeti e zbërthen vetë kodin e tij të vuajtjes pasi ai përbëhet prej kërcënimit të vazhdueshëm të të shenjave dalluese të identitetit të tij si njeri.

(Mos)vdekja e poetit

10 gushti i vitit 1988 është fundi i jetës fizike. Fundi i vuajtjes së pafund nga burgu në burg. (Vlonë, Spaç, Burrel, Qafë Bar), por njëkohësisht fillimi i jetës së tij prej martiri.

Në sheshin e qytetit verior, në vendin më diktatorial të Evropës Lindore varet Poeti. Diktatura tipike kaliguliane në grahmat e fundit të saj shfaq shpërthimet e fundit të çmendurisë duke kryer kryekrimin e urryer të vrasjes së poetëve duke ia kaluar edhe diktaturës frankiste. Shihni çfarë marrëzie! Përdoret poeti për t’u kallur frikën njerëzve. Kjo është njëlloj si të përdorësh dashurinë për të ngjallur urrejtje, diçka me kuptim të askurrfartë që sigurisht do të dështonte.

Në fotografine e bërë dy ditë para ekzekutimit ka një terr homerik në sytë e tij. Pak terr prej terr-tmerrit të Shqipërisë është i denjë në sytë e poetit.

Tanimë gjithçka ka ndodhur. Ai është bërë në Kukës pikë orientuese shpirtërore dhe fizike. Është pjesë e vlerave më të mira shpirtërore dhe qytetare sa i përket vizioneve largpamëse që mbrojti me fanatizëm duke u fiksuar kështu përfundimisht në kujtesën e kuksianëve të cilët e dinë se sa përgjegjësi e madhe është të ndërtosh ngrehinën e demokracisë në një kohë kur në themelet e saj është gjaku qiellor i poetit të tyre.

Është bërë pikë referimi fizike ndërkohë që gjithkush e di vendin e shuarjes së tij dhe të duket e pabesueshme kur dëgjon njerëz të thonë se e kanë shtëpinë në lindje ose në perëndim, prapa ose përballë vendit ku u ekzekutua Havzi Nela, sikur të përmendin vendet e shenjta nga besimtarët, sikundër përmendet oazi në shkretëtirë për udhëtarët, si në legjenda.

Ne duhet të ruajmë gjithmonë të pastër dhe të paprekur nderin, dinjitetin dhe personalitetin tonë njerëzor. (Spaç, më 15.12.1975)

Kjo është filozofia e tij e jetës, porosia e tij e gjithkohshme.

Kur të kujtojnë brezat që vijnë Havzi Nelën çfarë duhet të kujtojnë më së pari? Do të thoja dashurinë, tolerancën, respektin për jetën e shenjtë njerëzore, për fjalën e lirë, për NJERIUN. Të zhdukim prej vetvetes ligësinë njerëzore, të bëhemi më të mirë, më të dashur, më të qytetëruar, më QYTETARË. Vetëm kështu mund të vazhdojë rebelimi i tij. Vetëm kështu nuk braktiset kauza e këtyre qëndrestarëve, pas gjithë kësaj historie të ngulfatur prej zhgënjimit dhe urrejtjes pikëlluese.

Liria kërcënohet në çdo kohë. Edhe sot kemi kronika të zeza vdekjesh, krimesh që ndodhin çdo ditë në familjen dhe shoqërinë shqiptare. E shihni, e keqja është duke pritur të na zërë gjumi që të na pushtojë. Vdekja është aty. Historia ka rrezik gjithmonë të përsëritet. Kujtesa njerëzore gjithmonë rrezikohet të tjetërsohet. Duhet të mbrohet njeriu. Ne duhet ta vazhdojmë rebelimin e tij!

Nëse dikur Shqipërinë e pushtoi tragjedia e stërmadhe totalitare dhe ndodhi ikja masive nga liria tashti kjo është zëvendësuar me dramën moderne të ikjes masive nga Shqipëria, e cila jo vetëm që nuk paskësh qenë vendi më i lumtur në botë por ndër më të varfrit. Ky zhgënjim trandës dhe traumatizues për breza të tërë nxjerr në sipërfaqe dilema gërryese dhe rrezikun e kalimit të botës shqiptare nga kontrolli i tejskajshëm në daljen “jashtë kontrollit” po të përdorim një term të Brzhezhinskit.

Kalimi nga bindja e verbër në mosbindje ndaj ligjit. Kalimin nga mungesa e plotë e fjalës së lirë në shpërdorimin e tmerrshëm të saj. Kalimi nga adhurimi për simbole që u flakën ashtu siç e meritonin në çorientimin e plotë në kërkim të simboleve të reja dhe “rikuptimësimit të strukturave shpirtërore” (Nisbet).

Bota shqiptare është në krizë. Ajo po lëviz brenda lëkurës së vet për të gjetur shtratin e identitetit, drejtpeshimin, për të ftilluar qëndrimin kundrejt historisë, traditës, të resë, duke iu nënshtruar një shqyrtimi shumëplanësh të të gjitha aspekteve të qenies së tij si komb. Ky është çlirimi i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga mëdyshjet ekzistenciale të këtij fillimshekulli për të qenë më së fundi vetvetja.

Edhe tash, pas pesëmbëdhjetë vjetëve të jetës së tij të dytë, Havzi Nela jep ndihmën e tij të fuqishme në “çburgimin dhe çlirimin e Shqipërisë”.

1. (Shqipëria, libri “Kënga Universale” 1950)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora