E marte, 30.04.2024, 12:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Elezi: Recensioni i Kadaresë mundësoi botimin e librit

E diele, 24.08.2008, 01:29 PM


Mehmet Elezi
TE DHENA PER AUTORIN

Mehmet ELEZI (16 maj 1949, Tropojë), diplomuar në Universitetin e Tiranës (1971) për gjuhë e letërsi shqipe dhe specializuar për filozofi (1978-1979), njihet si publicist e shkrimtar, ish-drejtues i Rinisë, pedagog universiteti, studiues, diplomat. Eshtë ambasador i Shqipërisë në Zvicër (Bernë).
Disa nga librat e tij:
Letërsi artistike

Poezi:

-Zhurmojnë ujvarat, 1970
-Kurrë s’jam ndalur, 1996
-Nën një flok të përlotur bore, 2005

Prozë:

-24 orë me të vdekurit (tregime), 1997
-Varri i Fatit (roman),  Tiranë 1998; Paris 2002  (“Le tombeau du destin”).
-Dita e tetë e javës (roman) 1998
-(Pa)koka (roman), 1998
-Kalendari i Noes (roman), 2000
-Ujdhesa e askujt (roman), 2006

Publicistikë dhe sprova

-Ajo që më ndjek pas, 1990 (shenime udhëtimi)
-Shansi i tretë, 1993
-Gjeostrategjia tjetër, 1996
-Kosova midis politikës e realpolitikës, 1999

Gjuhësi

-Gjuha shqipe në bunker, 2005
-Fjalor i Gjuhës Shqipe me 41000 fjalë që nuk gjinden në FGJSSH, 2006
 
Autor edhe i një numri të madh shkrimesh publicistike e studimore të botuara ose të mbajtur nëpër takime e konferenca brenda dhe jashtë vendit.

Mehmet Elezi: Falë recensionit të Kadaresë libri u botua. Botimi i një libri atëherë ishte krejt ndryshe nga sot

Recensioni i Kadaresë mundësoi botimin e librit

Nga Albert ZHOLI

Para disa muajsh në ambientet e “Tirana International”, u bë promovimi i librit të Mehmet Elezit “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, me 41000 fjalë. Në këtë promovim merrnin pjesë studjues, kritikë të artit, historianë, pedagogë, dashamirës të artit dhe kulturës, personalitete të fushave të ndryshme. Libri ishte një botim luksoz dhe tepër voluminoz. Atë ditë ishte e pamundur të bëja një interviostë me z. Elezi, por kërkesës time për një intervistë  nëpërmjet internetit ai ju përgjigj me shumë dëshirë. Të nesërmen nisej për në Zvicër, ku kryen detyrën e diplomatit. Gjatë gjithë kësaj periudhe lexova me vëmendje libirn e tij, ku me të vertëtë lexuesi do të marrë në dorë një libër që do tu vlejë, një libër intersant, fryt i një pune të palodhur shkencore disavjeçare.
 
Po e filloj me një pyetje disi provokuese: Fjalor i Gjuhës Shqipe, që keni botuar, ka rreth 41000 fjalë, aq sa FGJSSH 1980, fjalori normativ i akademisë së shkencave. Ky numër i barabartë fjalësh (41000) është një koincidencë apo një sfidë ndaj Akademisë?

Më vjen keq se mbeta te ky numër. Nëse do ta kisha punuar edhe nja dy-tre vjet, jam i sigurt se do të ishin bërë 60000 fjalë e më shumë. Gjuha shqipe është shumë e pasur. Ajo është varfëruar artificialisht.

Cili është vlerësimi më i madh që keni marrë për Fjalorin?

Ka vlerësime të njerëzve dhe vlerësime institucionale. Kopjet e botimit të parë u shitën shpejt, me gjithë pamundësinë time për t’i bërë publicitet. Ky është vlerësimi i njerëzve. Qendra Albanologjike e Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë organizuan më 2 korrik një sesion shkencor për Fjalorin (e quajtën bukur : takim shkencor). Ishte një organizim serioz, me koncept bashkëkohor, me dashuri për gjuhën shqipe e për vlerat kombëtare, me dashamirësi për autorin. Ky është vlerësimi institucional.

Po vlerësimi më ''i keq'' cili ka qenë ?

Vlerësimi më i pasaktë ka qenë kur dikush e quajti fjalor krahinor. Ky nuk është fjalor krahinor:
-Sepse shumica e pasurive gjuhësore që përmban përdoren nga  dy të tretat e shqiptarëve. Në qoftë se dy të tretat e shqiptarëve e të trojeve shqiptare qenkan “krahinë”, pra një pjesë e parëndësishme e Shqipërisë e e gjuhës shqipe,  po
Shqipëri e gjuhë shqipe kush është?

-Sepse ka fjalë të përdorura prej penave më të ndritshme shqiptare, që nga Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Konica, Arapi (Patër Anton), Kuteli, Anton Pashku, Ali Podrimja, Kim Mehmeti e deri te Kadare. Në qoftë se pasuritë gjuhësore të gjigandëve të letrave shqipe, që kanë shkruar gegërisht e toskërisht, qenkan vlera krahinore, atëherë po vlera jokrahinore cilat janë?

-Sepse nuk ka fjalë vetëm nga një ose disa krahina, por nga të gjitha trevat ku flitet shqip, në veri, në jug e në lindje; edhe fjalë nga Çamëria e nga arbëreshët.
Një saktësim: në Fjalorin tim ka edhe fjalë krahinore, që i kam vënë me vetëdije për arsyet që i kam shtjelluar në parathënie; por druaj se më shumë fjalë krahinore e dialektalizma të panevojshme ka në FGJSSH të akademisë, të cilit nuk i falet, sepse ai mëton me qenë  fjalor normativ.  P. sh. FGJSSH i akademisë na e shërben si normative edhe fjalën maqedonisht: borigë, që do të thotë pishë, kur gjuha shqipe ka disa fjalë të vetat që e japin këtë kuptim. E megjithatë boriga e borigat e FGJSSH, që s’kanë të bëjnë fare me gjuhën shqipe, nuk quhen krahinore!

Cilësimi krahinor mos ka qenë një keqkuptim?

Mundet. Po për ndonjë zë të dalë kohë më parë prej rretheve të akademisë (jo në shtyp) druaj se ka qenë reminishencë e një ideologjie të shkuar. E asaj ideologjie që frymëzoi edhe kongresin orëellian të drejtshkrimit 1972. E asaj politike që mjeshtërit e mëdhenj të letrave si Koliqi, Fishta, Kuteli e Konica  i fshiu nga skena; që gjysmën e Republikës së Shqipërisë, pjesën veriore të saj, e trajtonte si “reaksionare”; që Kosovën e trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi i trajtonte si të paqena.

Në një blog është shprehur mendimi se futja e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, edhe kur shqipja i ka të vetat, në thelb është gjë e mirë,  sepse lehtëson komunikimin me botën. Ju si mendoni?

Nuk lexoj çka shkruhet nëpër blog-e. Thjesht sepse s’kam kohë.

Gjithsesi si do ta gjykonit këtë pikëpamje? A duhet pastruar gjuha shqipe nga këto vërshime të huaja dhe a duhet pasuruar ajo me fjalë e shprehje të brumit të vet, që standardi i ka përjashtuar?

Nuk mendoj se komunikimi me botën bëhet më i mundshëm duke mohuar veten tënde, duke shkatërruar gjuhën tënde. Asnjë popull a vend i qytetëruar s’e ka përpunuar një tezë të tillë për veten e vet. Edhe si arsyetim më duket pa kuptim.  Pesë fjalë anglisht të ndërkallura në shqip gjatë një takimi, nuk do t’i bëjë bashkëfolësit e huaj ta kuptojnë shqipen, ti prapë atyre duhet t’u flasësh anglisht, për me u marrë vesh me ta. Gjuha shqipe është pjesa më qenësore, më e spikatur, e vetvetësisë (identitetit) shqiptare. Integrimi euroatlantik e përfshirja në rrjedhat e globalizmit nuk kërkojnë që popujt e vlerat e tyre kombëtare të tjetërsohen, të heqin dorë nga vetvetja. Mozaiku europian i lirisë kërkon që edhe ne të çojmë diçka nga ngjyrat tona aty, e jo t’i humbim edhe ato që kemi ruajtur. Kam folur herë të tjera ç’bëjnë Franca, Kanadaja e ndonjë vend tjetër për gjuhët e tyre. Tashti po kujtoj Gjermaninë e Rusinë, dy vende të tjera të mëdha. Vitin e kaluar Gjermania organizoi një veprimtari gjuhësore, një lloj Festivali të Gjuhës Gjermane, siç u quajt, pikërisht aty ku para mbi 200 vjetësh Gëtja themeloi teatrin gjerman. Media njoftoi se në veprimtaritë e shumëllojshme për mbrojtjen e pasurimin e gjermanishtes, sidomos kundër zëvendësimit të “deutch” nga “denglisch" (deutch + englisch = anglisht, vëre lojën e fjalëve!), pra kundër përmbytjes së panevojshme me anglicizma,  morën pjesë figura madhore të letrave e kulturës gjermane, po edhe legjenda të politikës si kancelari Kohl e ish-ministri i jashtëm Gensher. E sigurt është se gjermanishten e kërcënon bjerrja shumë më pak se shqipen, megjithatë ata i janë përkushtuar mbrojtjes së saj. E gjithkush e di se Kohl e Gensher nuk janë nacionalistë parakë. Përkundrazi, janë ndër promotorët e BE-së. Atëherë kur një Gjermani bën kështu për gjuhën e vet, po ne që jemi të vegjël, të brishtë e të pambrojtur?

Përmendët edhe Rusinë...

Kam parasysh krenë (elitën) kulturore, atë pjesë të saj që i ka dhënë diçka botës. Pashë këto ditë në televizionin francez një emision për Sollxhenicinin, të cilin Kadareja e cilësoi si një shkrimtar planetar. Gazetarët francezë nënvizuan një të dhënë interesante. Gjatë qëndrimit në Amerikë Sollxhenicini kishte hartuar një fjalor me fjalë të vjetra e të harruara ruse, që do t’i përdorte në romanet e tij, për ta bërë më të pasur rusishten. Nuk i besonte kujtesës dhe i kishte hedhur në letër në trajtë fjalori. 

Mendoni se Fjalori i Gjuhës Shqipe i Mehmet Elezit do të mbetet kryevepra juaj?

Një vepër letrare  e një fjalor gjuhe nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, janë dy gjëra të ndryshme, sepse u përkasin fushave të ndryshme. Pas Fjalorit, vitin e kaluar kam botuar një roman të shkurtë me titull Ujdhesa e Askujt. Eshtë nja 70-80 faqe gjithsej, ose 30 faqe kompjuterike, ndërkohë që fjalori ka rreth dy mijë faqe të tilla. Këtë roman e kam shkruar me një frymë për disa ditë, për Fjalorin kam punuar tetë vjet. Megjithatë këtë roman, për shembull, ose ndonjë tjetër të botuar ose që e kam dorëshkrim, nuk e çmoj më pak.

Ujdhesa e Askujt... ç’është kjo “ujdhesë”?
 
Eshtë një roman absurd, edhe surrealist mund ta quash, me një kumt të gjithkohshëm, gjithnjerëzor, për thelbin e vetë njeriut si qenie. Po për një vepër letrare flet koha, e cila e harron ose e qet në dritë, sipas vlerave; madje shpesh flet e ardhmja më shumë se e sotmja, sepse ndodh që e sotmja mund të jetë e verbët ose e manipuluar. Ndaj po ndalem te diçka tjetër, që lidhet me gjuhën shqipe, te një simptomë e shoqërisë sonë, për shfaqjen e së cilës u bë shkas pikërisht titulli Ujdhesa e Askujt. Mos u çuditni, por jo pak më kanë pyetur ç’do të thotë ujdhesë. Më ka ardhur keq kur këtë pyetje ma kanë bërë edhe intelektualë të rinj që gjithsesi i çmoj, ndër të cilët një përkthyes dhe një pedagoge universiteti; por nuk i fajësoj ata. Ujdhesë është një fjalë e krijuar nga rilindësit, nuk e di saktësisht cili prej tyre, dhe gjuha shqipe për fjalën me gurrë të huaj ishull ka edhe tri fjalë të tjera të brumit të vet, që bashkë me ujdhesë bëhen katër. Kur kam qenë në shkollë fillore mësuesja na thoshte: ujdhesa e Sazanit; ose: Shqipëria ndodhet në siujdhesën e Ballkanit. Janë bërë shumë hapa pas nga ndërhyrja e një politik të mbrapshtë në gjuhë.

Folët edhe për libra të tjerë në dorëshkrim...

Kur punoja me Fjalorin, si peshë e rëndë  që ishte, ai i shtynte me hundë elefanti të gjitha ngacmimet për të shkruar gjëra të tjera. Megjithatë shumica e këtyre ngacmimeve mbijetuan. Kanë marrë ose po marrin trajtë.

Cila ka qenë dita më e bukur në krijimtarinë tuaj?

Ta mendoj... Ndoshta lidhet me rininë, kur kam marrë pesë kopjet e para të librit me poezi Zhurmojnë Ujvarat (kaq kopje i dhuroheshin autorit në prag të daljes së librit në shitje). Isha student 19-vjeçar. Ma mbajtën në shtëpinë botuese rreth një vit pa më thënë një po as jo të qartë. Dikur mora vesh se njëri nga recensuesit kishte shkruar shumë keq për të (Zhurmojnë Ujvarat është një përmbledhje lirikash me varg të shtrirë, pa asnjë gram politikë brenda), recensuesi tjetër çka. Pandeli Koçi, që ishte redaktor, nuk ishte pajtuar me ta dhe ia kishin çuar librin Ismail Kadaresë, për një recension të tretë, përcaktues. Falë recensionit të Kadaresë libri u botua. Botimi i një libri atëherë ishte krejt ndryshe nga sot. Ishte një lloj akti zyrtar, një “librezë” që të pranonte në bashkësinë e shkrimtarëve e të poetëve. Me të dalë libri kritika letrare merrej me ty.

Po dita më e vështirë që lidhet me krijimtarinë?

Ndoshta edhe kjo lidhet me vëllimin e parë  poetik “Zhurmojnë Ujvarat”. Kisha aty një cikël për Kosovën. Ani që  s’ma botuan, por as nuk m’u kthye kurrë. Thanë se ishte ngatërruar diku, do të gjindet. Nuk kisha kopje të atyre vjershave (do t’i kisha përfshirë në librat e mëvonshëm) dhe mosbotimin e sidomos humbjen e tyre e përjetova si dramë.

Emrat tuaj më të dashur në letërsi dhe gazetari, brenda e jashtë Shqipërisë?

Janë tre shkrimtarë, të cilëve mundësisht nuk u lë pa lexuar e ndonjëherë pa rilexuar as një vepër që më bie në dorë: Kadare, Izabele Alende dhe Markez. Eshtë një gazetar që më ka mahnitur: Sirus Sulsberger. Por jo vetëm ai.

Kemi inflacion botimesh, apo jo?

Nuk ka censurë, dhe kjo është fitore e madhe e lirisë. Por nuk ka as kërkesa cilësore. Herë-herë botimet tona me ato që reklamohen si cilësi më ngjajnë me një liqen të turbulluar, ku sendet e lehta e kutitë zbrazëta dalin në krye... Sot mund të shpallet talent i jashtëzakonshëm cilido që ka lidhje me zonjën e plotfuqishme PP, Polit-Pare; domethënë që ka lidhje me disa qarqe politike të cilat vetë lidhen me do qarqe financiare jo aq të qarta. Ky çift PP ndikon edhe te një pjesë e medias, është sponsor e financues i saj. Pasoja? Jo rrallë mediokritetet shpallen vlera e disa vlera (ato që nuk bëjnë kompromise faustiane),  ndëshkohen me terr. Prapë një lloj shpërlarjeje truri. Tashmë jo politike, por estetike.
 
Po mendimi kritik?

Kam përshtypjen se është krijuar një lloj oligarkie kulturore e një pjese të medias, ku oligarkët marrin e japin kryesisht brenda rrethit të tyre. E ky rreth, ashtu si dy unaza të ndërfutura te njëra-tjetra, është i pashkëputur nga zonja (ose çifti)  PP.
 
Jeni marrë me politikë, përse hoqët dorë?

Në politikë pata hyrë rastësisht; kam dalë prej saj jo rastësisht.

Diplomacia nuk është politikë?
 
Nuk është politikë, është diplomaci. Një shërbim qytetar për vendin tim.
 
Si do ta përcaktonit Zvicrën?

Një shoqëri e vlerave të njëmendta demokratike. Në shqiptarët i detyrohemi shumë.
 
Kur keni dashuruar për herë të parë?

Kush mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje? Dashuria lindet përnjiheri me njeriun dhe vdes bashkë me të.
 
Çfarë veçoni tek një njeri?

Të qenit Njeri.

Dhe e kundërta?

Nuk mundem me u pajtue me ata që shesin shpirtin.
 
Ç’është familja për ju?

Vlerat e familjes janë të shenjta. Mungesa e familjes do t’ia hiqte kuptimin jetës; do ta shndërronte jetën në një lëvozhgë të thatë, pa thelb.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora