E diele, 10.11.2024, 08:53 AM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Balada e udhës së kthimit

E diele, 21.08.2016, 08:25 AM


Prof. dr. Resmi Osmani

BALADA E UDHËS SË KTHIMIT

Refleksione për poemthin “Udhë e përditshme” të poetit Hekuran Halili

Gjysëm shekulli më parë,poeti Bilal Xhaferri shkroi të famshmen “Baladë çame”.Balada hapet me lamtumirën që Çamëria e përgjakur dhe e përflakur i jep popullit të saj dhe mbyllet me lamtumirën e detyruar që bijtë i japin asaj,që tashmë nuk janë tjetër veç muhaxhirë. Me këto dy lamtumira duket si një braktisje pa shpresë, pa kthim. Por kaluan vitet, shumë gjëra ndryshuan dhe kauza çame mori përmasa të reja: komunitare, kombëtare dhe politike, si një aspiratë për të cilën duhet menduar e përpjekur pambarimisht deri në realizimin e saj.

Inxhinieri-poet Hekuran Halili, bir çamërie, jeton në Sarandë. Ca më tej është Çamëria.Vija e kuqe e hartës që e ndau nga trungu amtar, duket sikur ende dhemb dhe rrjedh gjak.Në Qafë Botë është kufiri midis dy botëve. Kaq afër dhe aq larg! Era e jugës sjell aromëne tokës së çamërisë, deti Jon dërgon  dallgët e përmallshme të brigjeve të saj e tok  me to, si një përralltar legjendat, historinë dhe shpirtin çam. Poeti gdhihet e ngryset me përfytyrimin e Çamërisë, ajo është pjesë e unit dhe qënies së tij. Atje janë gurët e themeleve të shtëpisë, gjaku ende i patharë i të vrarëve, varret e të parëve dhe ullinjtë e bajamet mbjellë nga stërgjyshët.

Këto kohë, “Milosao” vuri në qarkullim  vëllimin poetik ”Bukë me hënë”, i vogël nga përmasat, i kursyer në lëndë, por i madh nga përmbajtja, thellësia e mendimit, bukuria e fjalës thjeshtësia e thurjes dhe mesazhi që i përcjell lexuesit. Në këtë vëllim, në mozaikun përmbajtësor poetik , si ca gurë të çmuar me ndriçim rrëzëllitës, janë shpërndarë poezitë për Çamërinë, që përbëjnë indin lidhës poetik. Për poetin, Çamëria, është si një vatër drite në errësirë, rreth së cilës sillet mendimi i tij, si fluturat rreth dritës. Vëllimi hapet me poezinë “Bukë me hënë çamërie”dhe mbyllet me poemthin “Udhë e përditshme.Hapet me Çamërinë dhe mbyllet me Çamërinë.Në këtë trajtesë,dua të tërheq vemendjen e lexuesit për poemthin”Udhë e përditshme”, që ndryshe nga balada e braktisjes së Bilal xhaferrit, do ta quaja “Balada e kthimit”ngaqë ajo i përkushtohet idesë sa njerzore dhe të drejtës historike për tu kthyer në trojet amtare. Lejtmotivi i saj është: “Njerëz, mos e harroni Çamërinë! Poemthi është ndërtuar i ngjeshur, si një sintezë meditative-filozofike, me gjashtë strofa që ngërthejnë dyzet e katër vargje me idenë sublime të udhës së përditshme që të shpie në Çamëri. Strofa e parë hapet me vargjet:

Përditë, të gjitha mendimet më marrin për dore,

e bashkë bëjmë të njëjtën udhë,

udhën drejt një vendi që kurrë se mbërritëm,

udhën e dhimbjes së vatrës pa zjarr lënë….

Është një udhë imagjinare,e dëshiruar, e ëndërruar në netët nostalgjike e të pagjuma, pjesë e lëvizjes së qënies drejt një vendi të munguar por që kurrë se mbrritëm. Kjo është një udhë e pazakontë, udhë e dhimbjes, që ecet midis eshtrave mbi udhë mbetur, drejt atij vendi ku rënkon një shpirt e qan një nënë.

Poeti zihet me mendimet që e kanë marrë përdore si prindi fëmijën dhe e çojnë në udhë, jo se e lodh udha, porse dëshpërimisht udha është pa mbritje dhe shpirti i bëhet plagë. Por, si në baladat e moçme, udha duhet bërë duke ecur pa u lodhur, edhe duke u rrëzuar: tërë kohën, vit pas viti, ditë pas dite, që udhën të mos e mbulojë bari i harresës, heshtja e pamëshirshme e braktisjes:

…duhet bërë patjetër përditë kjo udhë,

ndryshe bari I harresës do ta mbulojë,

heshtja e pamëshirshme e braktisjes,

portrete prej myshku ka nisur të vizatojë.

Poeti ecën i vetdijshëm dhe pa u trembur se do të humbë udhën e nisur, pasi ajo është e shënjuar me gjurmë gjaku, në vend të gurëve kilometrikë janë varret e nënave barkmbarsura dhe fëmijëve të vrarë, nga masakra e spastrimeve etnike,në këtë udhëtim ai përtyp mundimin e dhimbjeve buzëplasura. Paçka, kjo nuk e ligështon, i rrit zemrën, shkundin ëndrrat nëpër erë, i nis ato para vetes, për ti bërë lajmëtare biblike të mbritjes në tokën e dhunuar. Në këtë rrugëtim ka çaste makthi,ndodh një shndrrim metamorfik: udha bëhet kufomë, kufoma bëhet udhë, nën një qiell të trishtuar, i trishtuar si vetë poeti, që është një gur i rënë nga tërmeti i spastrimit etnik, i rrokullisur nga dheu i çamërisë. Gur që kërkon të gjejë rëndesën në truallin stërgjyshor.

..ka çaste që mezi çaj stivat e kujtimeve,

të rënda më shumë se plumbi,

se me plumb janë zënë…..

Me gjithë makthet, dhimbjet, mundimet, poeti, njeriu-çam ecën edhe për një motiv tjetër: për të shkërmoqur e shbërë shpifjet e atyre që bënë këtë makabritet dhe e lanë mbi udhë e që me thënien”Çështja çame nuk ekziston”, duan të lajnë duart si Pilati nga ky krim i përgjakur genocidial!

Poeti ecën dhe ecën, edhe me stërmundim shpirtëror e fizik, kjo ecje është bërë për të një “perpetum mobile” maratona e shpirtrave, që heret apo vonë, duhet ta çojë deri në mbritje:

Por unë eci…..

Më dhembin plagët e këmbës nga ecja,

plagët e shpirtit më dhembin më shumë,

por unë eci,rëndësi ka mbritja

ndryshe pse ta bëjmë këtë udhë?!

Dhe poetin,mrekullisht, ky udhëtim e josh përditë, duhet bërë përditë kjo udhë hyjnore, për të kaptuar mirazhin e kufirit nën harkun e ylberit, për të mbrrijtur në viset parajsore të Çamërisë. Po të mos bëhet, vjen harresa, lidhjet shpirtërore,thurur me erërat e viseve jugore, aromat e dheut të Çamërisë, me amanetet e të rënëve e gjelbërime ullinjsh, këputet në mes,prandaj duhet bërë përditë kjo udhë.

….duhet ta bëjmë përditë këtë udhë,

deri në mbritje,

udhëtimi I përditshëm nuk vdes…

i gjithë poemthi “Udhë e përditshme” është një metaforë e fuqishme, me mendim, imagjinatë, përkushtim , simbol i rifitimit të krahinës së rrëmbyer dhe

një thirrje e mesazh: njerëz, mos e harroni Çamërinë, udhët e shpirtit dhe të mëndjes duhet tu shpien atje përditë, deri në mbritje!

Poemthi mbyll vëllimin”Bukë me hënë” por në të vërtetë, ai hap një horizont,atë të Çamërisë dhe udhën për të mbritur në viset e saj, si bijtë te nëna, por tashmë jo virtualisht por realisht.

Gjithë vëllimi është një arritje e shënuar e poetit Hekuran Halili dhe për këtë i takojnë përgëzime.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora