E diele, 28.04.2024, 10:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Pasku: Kafazi i artë

E marte, 16.08.2016, 07:12 PM


KAFAZI I ARTË

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku

Eva ishte duke vijuar vitin e tretë të gjimnazit. Në pamjen e saj, hyjnesha natyrë kish derdhur gjithë reflektimet e bukurisë, gjithë shkëlqimin e argjenduar të tretur në faqe, kuqëlimin e horizontit në buzë , dhe gjithë tejdukshmërinë e smeraldit në sytë. Ajo ishte si një zanë mali, që dallohej menjëherë mes shoqeve të saj. Kudo ku hidhte vështrimin, sytë e saj digjnin zemra. Imazhi i saj kishte medaljonin e diellit dhe përhapte kudo rreze bukurie, ndërsa natën brenda gjysmëhënës së argjendtë, ajo mbante ëndrra shprese. Sytë e saj të mëdhenj thithnin çdo lloj vështrimi përqark mjedisit, ndërsa puthjet ajrore të tyre. Ajo i rrëzonte përtokë me indiferencë.

Aureolën e bukurisë së saj e lakmonin shumë nga shokët e klasës, por Ardiani ishte më i hedhuri dhe më çapkëni. Atij i dukej sikur duhej të kapërcente të gjitha nuancat e ngjyrave të detit për të arritur një buzëqeshje të Evës. Ndërkohë, si me erën e gjelbër që vallëzonte përreth syve të saj, dukej sikur i pëshpëriste ”Shpirtrat tanë kombinojnë së bashku, në intelekt, në dëshira , madje edhe në ëndrra njësoj. Lejomë të jap një puthje diellore që më ka ngelur peng në buzët e tua lyer me mjaltë blete”. Të gjitha këto fjalë, ishin si valë elektromagnetike që synonin të hynin brenda zemrës së saj. Por ajo sikur mundohej t’i shuante një nga një…Dhe kur ndiente atë magnetizim që përhapej në gjithë kraharorin e saj, prushërohej nga faqet, largohej, duke i thënë: “Dua t’u përkushtohem mësimeve, s’dua të mendoj asgjë tjetër”. Më pas ndiqte me bisht të syrit dëshpërimin e Ardianit.

Arsyeja kryesore ishte se, ajo kishte vath në vesh porosinë e nënës:  ”Më jep fjalën se nuk do të pranosh asnjë propozim nga meshkujt. Je shumë e zgjuar dhe e bukur. Ti je e prerë për lartë”. Këto fjalë të përsëritura shpesh kishin zënë vend në trurin e saj dhe po të vepronte ndryshe, ishte si të kundërshtonte ligjet e rrepta të shkruara brenda trurit të familjes. Megjithatë, emri Ardian kishte hedhur rrënjë thella brenda shpirtit të saj. Ajo kishte nevojë për ujitjen e këtyre rrënjëve me vesën e vështrimeve të tij.

Ardiani ngushëllohej me mendimin se “kalaja e mbretëreshës nuk pushtohej lehtë, sepse të hapeshin portat, duhej të merrte formë çelësi i ndjenjave të saj.” Sa e çuditshme është ndonjëherë, vetëm dy fjalë mbanin pezull një botë. Ishin vitet shtatë dhjetë e shtatë dhe të dashuroje, duhej forcë dhe guxim. Opinioni vriste këdo që guxonte, të prishte imazhin, duke u shfaqur në mjedis gjithmonë me një djalë.

Kështu kalonin ditë dhe gjimnazit i erdhi fundi. Ardianit doli e drejta e studimit për inxhinieri mekanike, ndërsa Evës për shkenca shoqërore. Në auditor, një pedagog nuk po ia ndante sytë që ditën e parë. Ajo ndjeu se i kishte pëlqyer. Vetvetiu i vajti mendja tek Ardiani. Ishte gati ta përqafonte dhe fjala që kishte mbetur pezull të bëhej një “Po” e madhe.

Një ditë, teksa kthehej në konvikt, filloi një shi i rrëmbyer. Ajo nisi të vraponte, por me hijen e syrit vërejti se dikush po vraponte pas saj. Ishte Ardiani.

-Shpejt futemi tek kjo ndërtesa e re...sa të pushoj shiu!- i tha ai duke dihatur fort nga nxitimi.

Eva hezitoi për një moment, pastaj vrapoi me të. Askush s’e kuptoi si u bashkuan dy duar, derisa ata u futën në ndërtesë. Aty nuk pipëtinte njeri.

-Shyqyr që u futëm këtu, se shiu s’ka ndërmend të pushojë!- vazhdoi Ardiani

Ajo dukej e trazuar dhe nuk u përgjigj...

-Eva, kam kohë që të pres. Nëse nuk më do, atëherë unë do shkëputem nga jeta jote. Unë jam bërë si pelegrin... Ti je e shenjtë për mua, prandaj gjendem gjithmonë atje ku je ti. Më thuaj një fjalë!...

Zemra e Evës shpejtoi goditjet. Do të donte t’i thoshte se edhe ajo... por ai sakaq e pushtoi me të dy krahët e mëdhenj. Logjika e vetëmbrojtjes bëri të sprapsej, por ndjenjat e përshkuara në gjithë trupin e ndalën. Një flakë e kuqe u ndez në sytë e tyre. Buzët e tij rrëshqisnin drejtë dy kodrave me gonxhe të kuqe... Pjesa tjetër e trupit vibronte drejtë parajsës së virgjër për ta bërë të tijën. Eva ndjeu një therje zemre të ëmbël, njësoj sikur të prekte yjet që edhe pse lumturohesh nga prania e tyre, përsëri të djegin. Harruar në çmendurinë e çasteve shpirtrat e tyre harruan botën, njerëzit...dhe vetëm disa zhurma të çuditshme i sollën në vete.

Vetëm atëherë Eva kuptoi prekjen e atij territori që ajo mbronte me fanatizëm...U zgjua nga ajo gjendje mes reales dhe ireales... njollat e kuqe në pantallona dëshmonin për këtë... Ndihej e lumtur, por kishte shkelur premtimin e nënës së saj.

-Eva dhe Adami krijuan botën, - i tha ai në kulmin e ngazëllimit - Eva dhe Ardiani do krijojnë botën më të lumtur ndër njerëz. Tani jam i bindur që më do Eva ime... Po pres të ma thash edhe me gojën tënde!....

-Ikim Ardian, se po fillon prapë shiu...

-Edhe një fjalë! -u rrek Ardiani.

-Mos u bëj kalama ikim!...

Në ditët që pasuan, Eva filloi ti shmangej Adrianit. Mendonte fjalët e botës dhe nënën... Nga ana tjetër pedagog Artani filloi të afrohej gjithnjë e më shumë. Ajo ndiente t’i flakëronte fytyra nga mendimet dhe bënte sikur nuk e vinte re. Pëshpërimat i shkuan në vesh edhe Ardianit.

Një ditë ai e takoi Evën para universitetit dhe i tha:

- Kemi lënë një fjalë gjysmë, do ta vazhdojmë , si thua ?...

Ndërkohë vjen Sofika shoqja e dhomës dhe i tha:

-Të kërkon pedagog Artani!

-Erdha! – ia ktheu Eva. -Bisedën tonë e vazhdojmë më vonë Ardian!...

-Kur?...Më thuaj!... Jam mërzitur me heshtjen tënde. Nëse do të shkosh drejt tij, rrugën e ke të hapur. Dashuria ime për ty ka qenë gjithmonë pezull. Tani ajo sapo ra dhe u bë copa. Unë e di, gjithmonë kam qenë brenda zemrës tënde, dhe prisja një përgjigje pozitive nga ty, por ti hesht.. Tani të kërkon pedagogu. Me siguri ka përgatitur një togfjalësh emocionues për të shprehur dashurinë. Hë, ti do e pranosh burrin pesëdhjetë vjeçar?... Do jetosh si zonjë në kamje, por shpirti yt do jetë më i varfër se gjithë të varfrit. Atëherë kur ti do e thërrasësh dashurinë, atëherë do jesh më bosh se kurrë, njësoj sikur të jesh e mallkuar...

-Unë s’të kam premtuar asgjë - i tha Eva,

-Por nuk refuzove asgjë ama...

-Ajo që ndodhi ishte një gabim...- ia ktheu Eva.

- Atëherë qofsh e lumtur Eva, - i tha Ardiani dhe iku.

Ajo s’kishte guxim ta thërriste. Zemra iu ftoh dhe ndjeu një ndrydhje. Njësoj sikur një zinxhir mbyllte dy porta të kuqe, të diktuara nga profecia e orakullit. Këmbët e çuan drejtë pedagogut të saj. Aty si për çudi dëgjoi një fjalim dashurie të bukur të zjarrtë, njësoj sikur të ishte leksion i shpjeguar me pasion. Për momentin iu duk sikur ai u zvogëlua dhe trokiste para portave të zemrës së saj. Ato nuk hapeshin dhe ai ishte i destinuar të qëndronte jashtë . Artani ndjeu përhumbjen e saj dhe iu afrua. E puthi gjatë, duke shijuar atë kënaqësi që dhuron dëshira. Asaj iu bë sikur një tog eshtrash, pllaquriteshin në buzë t e saj. Fjalët e zgjedhura të Artanit ishin si copa drush të njomura që nuk ndiznin asgjë në zemrën e saj. ”Nuk mundem “ mendoi, dhe iu drejtua t’i fliste me një vendim mohues. Por Artani sikur lexoi në sytë e saj.

-Eva , mos u nxito, ke kohë të mendohesh, gjatë kësaj kohe mund të dalim dhe të njihemi më mirë...

Ajo nuk i tha asgjë . Gjatë ditëve në vazhdim mundohej t’i shmangej. Ajo mendonte “se Artani ishte njeri i mirë, i respektuar, pedagog i zoti, por zemra e saj ishte si një gjethe akulli për të. Një vështrim i dikurshëm i Ardianit, ndizte llambat e botës së saj, ndërsa me Artanin ndihej bosh... Lufta që zhvillohej brenda shpirtit ishte e tmerrshme. ”Përse e dëbove Ardianin, kishe kaq kohë që e ëndërroje... S’kisha guxim... Artanin nuk e dashuron, përse e lë të shpresojë ..Ndoshta dashuria vjen më vonë... Ti e di, Ardiani s’kishte asgjë... Artani ka një ekonomi që as në ëndërr se kam parë... Interesaxhije, o paratë, o dashurinë… E pse jo të dyja?… Sepse në këtë rast janë të ndara... Mjaft...

Artani e kuptonte shumë mirë mëdyshjen e Evës. Tridhjetë vjet diferencë, nuk janë pak. Një mbrëmje ai e ftoi Evën të dilnin së bashku. Ishte një natë dimërore e butë . Ecën drejtë bulevardit dhe ndaluan para një vile dykatëshe. Krejtësisht e veçantë për nga arkitektura, bukuria. Pemët që e rrethonin, lulet shumëngjyrëshe, ku megjithëse dimri kishte hyrë ato qëndronin të çelura pa e përfillur të ftohtin.

-Kjo është shtëpia ime , nëse dëshiron mund ta shohim nga brenda –tha Artani, çdo gjë e kam sjellë nga jashtë . Njeriu duhet të krijojë mundësi për të pasur një komoditet të vogël, sepse jeta një herë jetohet. Dora e Artanit u hap në kurrizin e Evës, si për t’i dhënë drejtimin e duhur, të kapërcente pragun e shtëpisë. Eva kapërceu mekanikisht pragun pa refuzuar. Drita të vogla të vendosura nëpër lule jepnin pamjen e një kopshti magjik. Ajo befasua nga ajo pamje e luleyjeve të ndezura. Derën e shtëpisë e hapi një mesogrua me uniformë të thjeshtë.

-Kjo është Irena, gatuan, pastron, mirëmban rregullin e shtëpisë...

Eva u skuq. Asnjëherë nuk kishte menduar diçka të tillë, një shërbyese si nëpër filma. Përpara saj u hapën portat si “sezam hapu”. Salloni i punuar me tulla dekorative dhe një oxhak i madh me një zjarr bubulak, që me kërcitjet e tij, dukej sikur i thoshte me gjuhën e zjarrtë “eja pranë meje”.Kolltukët dhe divanet të punuara aq bukur, sa asnjëherë s’ia kishin zënë sytë të tillë. Vitrina e pasur me gota kristali, filxhanë, miniatura të vogla dhe një shumëllojshmëri të madhe pijesh e futën në një botë krejtësisht ndryshe nga bota reale... Iu kujtua shtëpia e saj. Ishte tepër e thjeshtë, një bufe e madhe , dy divane dhe një tavolinë mesi... Kjo që shihte para syve, ishte një ëndërr përtej imagjinatës.

-Nëse do pranosh të jesh bashkëshortja ime, në këtë Eden të vogël do të rrisim fëmijët tanë- u dëgjua zëri Artanit, ndërkohë që mori nga bufeja një shishe verë të kuqe dhe dy gota.

Trapezaria u shtua si me fjalën e profetit me gjithë të mirat.

-Ndihem e mrekulluar në Parajsën tënde! – tha Eva më në fund.

Artani i entuziazmuar nxori nga xhepi i brendshëm i kostumit një unazë diamanti. Drita e saj reflektonte, si refleksi i një agimi.

-Gëzuar Eva, për të ardhmen tonë! -dhe një bromp gotash lëshoi një tringëllime të zgjatur. Ai i kaloi unazën në gishtin e bukur të Evës dhe e puthi. -Puthje dhe verë, kjo është sonata e mbrëmjes së sotme!- tha Artani duke vënë muzikë.

Ata filluan të kërcenin . Ai e shtrëngonte gjithnjë e më shumë pas vetes, si një lule që do t’i thithte aromën deri në brendësi të qenies. Përkëdheli, prekje verë. Ajo përpiqej të ishte e këndshme, e dashur, e mirë, njësoj sikur përpiqej të thërriste dashurinë. Por dashuria asnjëherë nuk vjen e sforcuar dhe as me thirrje. Nuk vjen as atëherë, kur hapen portat e pasurisë, sepse truri asnjëherë nuk bie në kompromis me zemrën emocionalisht. Zemra po nuk pati farën e hedhur, të shpërthejë dhe të rritë bistakun, ndihet e vetme dhe mbulohet me zhul. Fillon të vuaj, preket shpejtë dhe krijon botën e mistershme të saj.

Të ardhur në qejf nga vera, ata ngjitën shkallët e punuara me dru dhe u futën në dhomën luksoze të gjumit. Ai shijoi tërësisht atë trup të bukur, që herë pas here rënkonte nga dhimbja. Çarçafët e bardhë u dukën sikur u mbushën me gjethe të zbehta vjeshte që rënkuan fundin e tyre... Në mëngjes ajo u zgjua pranë fatit që zgjodhi. Pranë saj shtrihej ai me titujt e tij. Ajo frymonte me vështirësi, thuajse e tërhiqte ajrin deri në mushkëritë e saj dhe e nxirrte menjëherë. Frymëmarrje të thellë jep dashuria, ndërsa me ndërprerje, ftohtësia e shpirtit. Vërtet buzët e saj mund të pinin qumësht dallëndyshe, por jo një puthje me pasion. Tingulli i dashurisë u harrua. Zemra lahej me vajrat aromatik të shtrenjtë, por nuk lahej mjalti ngjitës që e prodhojnë vet ndjenjat... Sikur të kishte në dorë të kthente kohën prapa, nuk bënte të njëjtin gabim. Sa vajza apo gra të martuara do të dëshironin diçka të tillë... Donte t’i tregonte gjithçka Artanit për dashurinë e saj... Por ai asnjëherë nuk e dëgjoi, duke i quajtur lodra fëmijësh...Tek e fundit ajo ishte vetëm e tij... Kurrë nuk do ta lejonte të punonte...

Pas disa muajve u martuan dhe ajo u mbyll në kullën e fildishtë të fatit që zgjodhi. Luksi që zgjodhi ia merrte frymën pak nga pak. Ngushëllimi i saj u bë shtatzënia, lindja e vajzës. U betua në vetvete se do bënte gjithçka që vajza e saj të martohej me atë që do i donte zemra. Por fatkeqësisht, jeta po i rridhte si një lumë nëntokësor, ku drita ishte me hope. Burgun e artë, kështu filloi të quante shtëpinë, sepse i shoqi nuk e linte të punonte, do të donte ta këmbente me një ëndërr, qoftë të varfër... Ajo dënoi veten e saj me zjarrin e vuajtjes...

Mes përpëlitjeve të këtyre mendimeve dhe shtirjes së saj si e lumtur, u rrit vajza e saj Erisa. Ajo ia kaloi bukurisë së të ëmës. Mes luksit ndihej një mbretëreshë e vërtet. Eva e la të lirë dhe i gëzohej zemra kur e shihte me moshatarët e saj tek dilte mbrëmjeve. Artani vdiq kur mbushi të tetëdhjetat. E gjithë mirëqenia që rridhte nga ai ra ngadalë... Për herë të parë ajo filloi punë. Iu duk sikur porta e kafazit që e mbante mbyllur u shqye. Sa e lehtë paskish qenë. Askush nuk e di, se vetëm një shtytje porte të bën të ndihesh mirë... Po Ardiani ç’bëhet... Nuk kishte natë të mos mendonte për të...

Një mbrëmje Erisa i tha së ëmës:

-Sot do të prezantoj me njeriun që do martohem!...

-Si kështu, -ti nuk më ke folur për të?! - i tha Eva e mahnitur.

-E kam lënë të jetë surprizë për ty! -vazhdoi Erisa e ngazëllyer.

Në mbrëmje Eva vuri re nga dritatarja Erisën tek puthej me një biznesmen, fytyrë e njohur, kur dolën nga një benz mercedes. Ai ishte moshatar i saj pesëdhjetëvjeçar dhe kërkonte të bijën për grua. Fati i orës së trishtuar po përsëritej...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora