Kulturë
Kaltërina Meka: Poezi për Ulqinin
E diele, 21.08.2016, 09:00 AM
Poezi
për Ulqinin
(Nexhat Halimi “Kërcimi i drenushës”, botoi ShB “Diti&Oli” Ulqin 2016)
Nga Kaltërina Meka
Libri më i ri i Nexhat Halimit, Kërcimi i drenushës, i botuar nga ShB Diti & Oli në Ulqin, nën përkujdesjen e botuesit entuziast Gazmend Çitaku, ka dy cikle – A ka deti zemër , me poezi për fëmijë dhe Zogu sjell lajmin në liman, me poezi për të rritur, të gjitha kushtuar Ulqinit, qytetit perlë bregdetar, me një histori të madhe e të stuhishme gjatë mijëvjeçarëve të frymëmarrjes së vet epiko-lirike. Në këtë frymë, botuesi i ka mbledhur dhe poezitë, të shkruara me përkushtim dhe stil joshës në unaza të caktuara të kohës dhe me përjetim të veçantë për njerëzit që lidhin jetën e tyre me të tashmen e të kaluarën e bujshme në këtë hapësirë. Gjithnjë dominon ajo që e shquan këtë histori të begatë – Deti, Kështjella, Ulliri, etj., si dhe zemra, gjaku-shpirti i njeriut, me dhembjen e dashurinë e pambarim për çdo gjë që frymon këtu tash e përherë.
Librit i prin poezia Amshimi, e cila me ndërtimin e vet të jashtëm e të brendshëm, me mendimin e muzikën, me syzheun e fshehtë e përherë të shpërfaqur me figura e metafora, po dhe drejtpërdrejt ndonjë herë, bën që fuqishëm të rrah zemra, ta vizojë ndjeshmërinë, t`i thellojë përjetimet me të tashmen e të kaluarën e pashmangshme, e cila në çdo trung, në çdo gur e shtëpi, në Kështjellë, nën Ullinjtë e kudo ndjehet në gërshet me qëndresën , i lidh dy botë – të vjetrën me të renë, në mënyrë që të qëndrojnë e të ecin krah më krah shtegut të së nesërmes, rrjedhës së dritës. Natyrisht, gjithnjë, duke i kujtuar dhe ata që ishin këtu e tashmë nuk janë, ata, të cilët nuk kursyen jetën për të krijuar dhe mbajtur gjallë shpirtin dhe shkronjën shqipe në këtë udhëtim të gjatë e të mundimshëm, me plot sakrifica e flijime.
E veçantë e librit është ajo se të gjitha poezitë i kushtohen detit, Kalasë, ullirit e njeriut të këtushëm me të përditshmen e vet, me hallet, ngashërimet, me dhembjet e dashuritë. Këtë botim e mundësoi Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi dhe në kuptimin e vet paraqet urë bashkëpunimi, forcim të lidhjeve të gjithanshme dhe sidomos të atyre kulturore, si sinonim të detit, në mes të Ulqinit e të Kosovës. Nën logon e Ulqinit, Kërcimi i drenushës është libri i tretë i Nexhat Halimit, pas dramave për fëmijë Trëndafili me zemër dhe Vetëtima e shpatës.
Ajo çfarë të lidh me këtë libër është angazhimi i pakursyer i autorit, i botuesit etj. që ky libër në çdo aspekt të jetë i afërt, qoftë me shkrimin kaq të gdhendur, qoftë me anën vizuale të mrekullueshme, në mënyrë që lexuesi ta përjetojë, ta ndiejë të lidhur me kërkesat e veta.
Libri ka 128 faqe. Botohet nën përkujdesjen e Gazmend Çitakut, me realizim të shkëlqyeshëm teknik, me dy punime – piktura, në ballinë të Salih Lutollit, të cilat në mënyrë të shkëlqyeshme e kapin atmosferën e ambientit, për të cilin bëhet fjalë në 108 poezitë e librit, i cili ka dy cikle.