E shtune, 27.04.2024, 03:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Krijimtaria gjysmëshekullore e Kadriut

E shtune, 06.02.2016, 06:41 PM


Vlerësime për krijimtarinë gjysmëshekullore të Ibrahim Kadriut

Nga Baki Ymeri

Kohë më parë doli nga shtypi  libri voluminoz (prej 570 faqeve) i dr. Labinot Berishës me titull: “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut”. Fjala është për librin që u botua me rastin e 70-vjetorit të lindjes  dhe pesëdhjetë vjetorit të lindjes të Ibrahim Kadriut, ku janë përmbledhur shkrime mbi krijimtarinë e tij nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Bëhet fjalë për krijimtarinë e këtij autori, në zhanre të ndryshme letrare, në poezi, prozë dhe publicistikë, duke filluar që nga viti 1969 e deri më sot. Përzgjedhjen e këtyre shkrimeve autori i librit dr. Labinot Berisha, e ka bërë me një përkushtim, ndërkaq sistemimi është kryer duke filluar nga vlerësimet për veprat në poezi, për të vazhduar mbi vlerësimet e arritura për veprat në prozë dhe, përfundimi i librit, me vlerësime mbi veprat tjera publicistike.

Në “Qasje...” me shqyrtimin e estetit të njohur Mensur Arifit, që shkruan për librin e parë poetik “Netët e Karadakut” për të vazhduar me vlerësimet e autorëve: Teki Dervishi, Rexhep Qosja, Ramadan Musliu, Xhelku Maksuti, Marius Chelaru, Isak Ahmeti, Prof. dr. Zyhdi Dervishi, Giuseppe Napolitano, Agim Deva, Fatmir Terziu etj., duke vazhduar me vlerësimet për veprat në prozë, ku vlerësimet e tyre, pos tjerësh i ofrojnë edhe: Prof. dr. Mahmud Hysa, Ibrahim Rugova, Isak Ahmeti, Baki Ymeri, Anton Nikë Berisha,, Nexhmije Çerkezi, Ardian Haxhaj, Sadik Bejko, Ali Aliu, Albana Alia, Vehap Shita, Naile Demiri , Ymer Elshani, Prend Buzhala. Ndërkaq vlerësimet për vepra të tjera publicistike janë përfaqësuar nga autorët: Kliton Nesturi, Skënder Buçpapaj, Mehmet Halimi, Xhevat Syla, Ramiz Kelmendi, Daut Bislimi e tj.

Autori i këtij botimi të rëndësishëm, dr. Labinot Berrisha, në parathënie shkruan: Veprimtaria e pasur dhe e shumëllojshme letrare e Ibrahim Kadriut nis me përmbledhjen me poezi “Netët e Karadakut”, të botuar më 1969 nga “Rilindja” e Prishtinës. Nga kjo datë e largët e deri më sot ky autor botoi një varg veprash me vlerë të llojeve të ndryshme, duke dëshmuar praninë në jetën tonë letrare e kulturore për rreth gjysmë shekulli. Kadriu krijoi vepra letrare në poezi dhe në prozë, për të rritur dhe për fëmijë, pastaj radio drama, monografi për figura të rëndësishme të jetës sonë kulturore e shoqërore, vepra të karakterit humoristik, libra shkollorë etj. Për veprat letrare mori disa shpërblime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, që dëshmojnë vlerën e veprave të tij. Po ashtu disa vepra të tij u përkthyen dhe u botuan në gjuhë të huaja, ndërsa disa dhe u ekranizuan. Natyrisht, një krijimtari e tillë e pasur zgjoi interesimin e kritikës dhe të vetë shkrimtarëve, të cilët e lexuan dhe e çmuan atë për vlerat e saj dhe për komunikimin që nxiti tek lexuesi, gjë që dëshmohet më së miri edhe me punimet e përfshira në këtë vëllim.

Ky interesim për veprimtarinë e Ibrahimit lidhet me faktin se në veprat e veta ky autor vështroi disa fenomene të rëndësishme të rrjedhës jetësore të botës e të njeriut tonë në vijën vertikale dhe horizontale, që ishin aktuale dje e janë të tilla edhe sot. Në këtë mënyrë vepra letrare e tij, sidomos poezia, duke shqiptuar e përjetësuar botën tonë në aspekte të ndryshme, veçmas në atë dramatik, u bë edhe vetë pjesë e kësaj bote dhe e kësaj drame. Vetë fakti se Ibrahim Kadriu hartoi një mozaik veprash në prozë e në poezi, po dhe vepra të llojeve të tjera, edhe autorët që shkruan për veprat e tij janë të ndryshëm, siç janë të ndryshme edhe qasjet dhe shqyrtimet që ata botuan për këto vepra. Autorët që shkruan për veprat e Ibrahim Kadriut janë nga emrat më të rëndësishëm të jetës sonë letrare dhe kulturore, studiues të letërsisë, kritikë letrarë, shkrimtarë dhe lexues.

Në këto shkrime, që degëzohen në recensione, punime dhe studime monografike, nga një anë dëshmohet pasurimi dhe ngritja e krijimtarisë letrare artistike të autorit, ndërsa, nga ana tjetër, edhe evoluimi i vetë autorëve që shkruan për veprat e tij në periudha të ndryshme... Pa dashur të zgjatemi rreth vlerave të veprës letrare dhe kulturore të Ibrahim Kadriut, për çka dëshmojmë më së miri punimet e përfshira në këtë vëllim, po përmendim se punimet e zgjedhura dhe të përfshira këtu ofrohen sipas botimit të parë, duke shmangur ndonjë gabim të shtypit, në pak raste, duke ndrequr ndonjë fjali ose, për shkak të përsëritjes, duke ndryshuar titullin e punimit.  Punimet e shkurtra, me ndonjë përjashtim, nuk janë përfshirë në vëllim. Jemi të bindur se këto punime kushtuar veprimtarisë së Ibrahim Kadriut të botuara në këtë vëllim, do të mundësojnë njohjen më të thellë të saj dhe do të jenë edhe nxitje për studime të mëtejshme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora